Bardi i poezisë
Din Mehmeti - 80 vjet jetë
POETI NUK SHTJERRET DERI MINUTЁN E FUNDIT TЁ JETЁS
“Plejada e poetëve
të vjetër të letërsisë shqipe ngadalë po shuhet, disa nga poetët vdiqën, ne të
tjerët jemi në moshë të thyer, por poezia mbetet, ajo jeton tek të tjerët”,
shprehet Din Mehmeti në intervistën e tij të fundit
MIGENA ARLLATI
Me plot tetëdhjetë vjet jetë mbi
shpinë, poeti Din Mehmeti thotë se vitet nuk e shtrydhin poetin, se poeti edhe
shtjerret por deri minutën e fundit ai e ka kokën plot ide por jo edhe mundësi
për t’i realizuar ato.
I ardhur në Gjakovë nga Gjocaj i
Junikut që në vitin 1945, Mehmeti botoi poezinë e parë në vitin 1949, kur ishte
njëzet vjeç. Ishte poezia ‘Të resë sonë’, e botuar në numrin dy të revistës
‘Jeta e Re’, por nga rruga e poezisë ai nuk do të ndahej gjatë gjithë jetës.
Pas studimeve për albanologji në Beograd , kthehet në Kosovë, fillimisht si gazetar. Në
vitin 1961 boton përmbledhjen e parë “Në krahët e shkrepave”, pas së cilës erdhën
varg edhe 17 vepra të tjera, të cilat rregjistruan sfidat e jetës së tij, pikëpamjet
për botën dhe njerëzit për një kohë të caktuar.
Ai ka marrë vlerësime dhe kritika
nga Mekuli, Qosja, Raifi, Qapriçi, Kraja, Arapi si dhe disa kritikë të huaj të
cilët e cilësojnë si
poet të ndjenjave dhe mendimeve të thella, që ka shprehur qëndresën e popullit
shqiptar nëpër kohëra. Halil Haxhosaj ka
përmbledhur në një libër thëniet e të tjerëve për poetin Mehmeti, si dhe
krijimet kushtuar atij nga rreth 50 poetë të njohur shqiptar. Poezitë e tij janë të përkthyera në një libër të veçantë në
frëngjisht, por gjithashtu është i përfaqësuar në të gjitha Antologjitë e
poezisë shqipe në gjuhë të shumta evropiane si anglisht, italisht, gjermanisht,
polonisht, arabisht, serbisht etj.
M. Arllati: Si ju duket letërsia shqiptare sot? A ka ardhur
ajo duke u rritur apo në zvetnitje e sipër?
Din Mehmeti: Unë
mendoj se poezia shqipe është ende gjallë, ende është vitale, komunikuese me
popullin për të cilin shkuhet por edhe për botën. Kam përshtypjen se poezia e
Agollit, Arapit, Spahiut, Mekulit, Shkrelit, Podrimes etj, e asaj plejade të
vjetër në Shqipëri dhe në Kosovë, përbën një kult të poezisë shqiptare. Kjo
plejadë poetësh, pa u ndikuar nga njëri-tjetri, kanë sjellë vlera të patjetërsueshme
të poezisë, që nuk i kemi pasur më përpara. Tashmë shohim një stil të ri
modern. Një shikim i ri shihet në poezi, me një filozofi dhe mesazh që e ka bërë
poezinë shqipe moderne, të dinjitetshme, dhe të përballueshme me vlerat poetike
të botës. Nuk është modeste ta them, por në këtë plejadë hyj edhe unë. Tashmë
kjo plejadë po shuhet, disa nga poetët vdiqën, ne të tjerët jemi në moshë të
thyer, por poezia mbetet. Ajo jeton tek të tjerët. Sot kemi poetë të tjerë të
kohës, të cilët po bëjnë përpjekje të mos e përsërisin atë të shkruarën por të
sjellin një figuracion e një stil të ri, me pikëpamje të reja më bashkëkohore të
shoqërisë sonë, një poezi disi më individualiste, më personale, që
karakterizohet me ambicien e poetëve për të shpehur ndjenjta e veta. Pra është
një plejadë e re që po rritet por kam përshtypjen se mes tyre ka shumë jopoetë,
se po punohet pa kriter, nuk ka redakturë, nuk ka kritikë të dinjitetshme por
klanore, nuk dihet se cila është vlera. Shohim se jovlera rri mbi vlerën dhe
krijohet një konfuzion sepse ka shumë njerëz që duan të bëhen poetë me zor,
duke paguar poetë të tjerë ose kritikë që t’ia bëjnë punimet. Letërsia ‘nuk do
gogla’, do mendime, ndjenja të forta. Por koha është ajo që i përtyp
antivlerat, i seleksionin vlerat dhe ndal vetëm ato që i duhen.
M. Arllati: A mundet një poet i mirë të jetë edhe prozator
i mirë?
Din Mehmeti: Unë kam
shkruar disa tregime dhe një dramë, por poeti i mirë them se mund të jetë edhe
prozator i mirë. Poeti i mirë është gjithashtu kritiku më i mirë i letërsisë, më
i mirë se kritiku i letërsisë sepse ai i din labirintet e vjershës, si
realizohet forma, përmbajtja. Kritikët dijnë të jenë edhe demagogë por poeti i
mirë nuk është demagog. Por poeti nuk mund ta përshkruajë vjershën e vet, poeti
mundet gjithçka të thotë por vjershën e vet nuk mundet ta analizojë. Poeti
vjershën e vet mund vetëm ta lexojë, pra ai bëhet lexues i saj, por në momentin
që vjersha përfundohet, ajo pavarësohet nga autori dhe merr jetë nëpërmjet
mendimeve të lexuesve. Kjo ngase poezia e letërsia, si art i gjuhës,
pavarësisht mendimeve të të tjerëve, mbetet dhuratë ndaj të tjerëve.
M. Arllati: Sapo u botua kompleti i veprave tuaja në pesë
vëllime. A ju erdhi mirë për këtë?
Din Mehmeti:
U gëzova
shumë që pata fatin ta shoh të botuar kompletin e veprave të mia. Kjo inisiativë
ka rrjedhë prej lexuesve dhe prej disa miqve të mi kritikë. Sipas tyre, poezia
ime supozohet se është poezia më e lexuar në Kosovë, e recituar shumë prej nxënësve
të shkollave të mesme, se ende e kërkon lexuesi, ende është e bukur nga ana
figurative. Botimin e mbështeti Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e kulturës në
Gjakovë. Zakonisht kompletet botohen pas vdekjes së autorit ndërsa për mua
ishte paksa e veçantë sepse kjo mrekulli ndodhi ndërsa jam gjallë.
M. Arllati: Sivjet ishte tetëdhjetë vjetori i jetës suaj. A
keni ende për t’i dhënë poezisë?
Din Mehmeti: Poezia
është dhimbje, është gjendje, ajo lind nga pakënaqësitë e poetit ndaj vetes apo
ndaj botës. Unë tani shkruaj më rrallë sepse kam telashe shëndetësore, si dhe
aspak përkrahje nga institucionet. Poezia ime tani është meditative, nuk jam më
ai euforiku por i qetë, flas më pak por meditoj shumë. Kënaqem kur i shoh shënimet
e mia në fletore, të cilat më bëjnë që të bluaj mendime. Poezitë që kam shkruar
vite më parë, sot më duken gati si të huaja. Ato tani komunikojnë me të tjerët,
nëse poezia ime i kënaq të tjerët më bën nder mua. Një gjë e di me siguri, se
jeta nuk më ka shkuar kot, nuk kam lejuar që jeta ime të jetë pa asnjë fryt, por
kam mbjellë diçka dhe ajo që kam mbjell tani e ka qit tufën. Këtyre ditëve po
mundohem t’i realizoj disa ide, disa mendime të mëhershme t’i kthej në poezi. Po pres të gjej formën e tyre, sepse po s’iu gjet forma,
përmbajtja s’mund të japë rezultat. Forma është shkëlqimi i përmbajtjes, ose
transmetimi i saj. Besoj se vitin e ardhshëm do ta botoj edhe një libër me
poezi, krejt janë të natyrës meditative.
M. Arllati: Si jeton sot një emër i madh i letërsisë
kosovare si Din Mehmeti?
Din Mehmeti: Jetoj me
një shumë simbolike financiare që e marr nga pensioni, do të thosha në mënyrë të
mjerë. Më ndihmojnë ndonjëherë disa miq e njerëz që e duan poezinë time, e
kështu megjithatë vazhdoj të qëndroj në këmbë. Ndonjëherë mendoj të bëj ndonjë
marri me vetveten, diçka të palogjikshme, që t’i tregoj këtij spektrit tonë
politik se është e padrejtë që sot të lihen në gjendje të mjerë plejada e njerëzve
që e kanë krijuar Kosovën, shkollat e larta, bazat themelore të kulkturës,
arsimit e shkencës. Ne nuk e meritojmë këtë ‘dhuratë’ të politikës kosovare, pa
pasur as të ardhme financiare ekzistenciale. Ndaj politika kosovare le të kënaqet
me lukset e veta, me ato limuzina dhe rroga katër shifrore, ndërsa ne mbetemi
me 80 euro që përafërsisht as për barna nuk mjaftojnë. Politikës sonë i mundon
kultura. Politika pa kulturë është si një gyp i thatë, në të cilin nuk shkon ujë.
Politika jonë është një demagogji e tmerrshme ndaj duhet të urtësohet dhe të
shohë se sa të mjerë na ka lënë.