2019-11-17

Sadri Fetiu(7.2.1942-)


Rezultati i imazhit për SADRI FETIU

Sadri Fetiu lindi në fshatin Peçan të Therandës (Suharekës), më 7.2.1942. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Therandë, gjimnazin në Prizren dhe Fakultetin Filozofik – Grupin e Albanologjisë – në Prishtinë, më 1965. Gjatë kohës sa ishte në studime (1961–1964) ka punuar gazetar për çështje të kulturës dhe të arsimit në Radio-Prishtinë. Për 12 vjet me radhë (në vitet 1965–1977) ishte mësimdhënës i gjuhës dhe i letësisë shqipe në qendrën shkollore teknike “19 Nëntori” të Prishtinës. Pas kryerjes së studimeve pasuniversitare (1972-1974), në vitin 1976 e mbrojti temën e magjistraturës.
Më 1977 angazhohet në fushën e studimeve të letërsisë popullore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në studimin e baladës popullore shqiptare. Disa nga studimet e tij janë botuar edhe në gjuhën frënge në revistat shkencore të Tiranës dhe në revistën “Recherches albanologique” të IAP-së.
Më 1987 në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës e ka mbrojtur tezën e doktoratës “Poetika e baladës popullore shqiptare”.
Është zgjedhur në mënyrë të rregullt në të gjithë titujt shkencorë, në Degën e Folklorit të Insititutit Albanologjik. Ka qenë anëtar shumëvjeçar i redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” – Seria folklor dhe etnologji, si dhe në redaksitë e botimeve të veçanta të botimeve të IAP-së. Është zgjedhur gjithashtu anëtar i redaksisë së botimit shkencor “Çështje të folklorit shqiptar” të Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Duke filluar nga viti 1991 ka qenë ushtrues i detyrës së drejtorit e më vonë për dy mandate radhazi është zgjedhur drejtor i Insitutit Albanologjik të Prishtinës, duke kryer këtë detyrë për 16 vjet (1991–2007).
Ai është shkencëtar mjaft prodhimtar dhe i thelluar. Është autor i shumë punimeve shkencore dhe i një numri të konsiderueshëm recensionesh për veprat e botuara nga fusha e folklorit dhe e letërsisë. Ka dhënë ndihmesën e vet të veçantë për redaktimin e një numri të botimeve dhe të revistave të Institutit.

Deri tash ka botuar këto vepra shkencore dhe profesionale:

1.Këngë popullore të Rilindjes Kombëtare (bashkë me dr. Sh. Pllanën dhe mr. Rr. Berishën) IAP, Prishtinë, 1978
2.Romani shqiptar i luftës, Redaksia e Botimeve e ”Rilindjes”, Prishtinë, 1979
3.Ninulla, IAP, Prishtinë, 1982
4.Këngë dhe lojëra të fëmijëve, IAP, Prishtinë, 1983
5.Poetika e baladës popullore shqiptare, IAP, Prishtinë, 1987
6.Këngë kreshnike II, IAP, Prishtinë, 1991 (bashkë me dr. Rr. Berishën dhe dr. A. Zejnullahun)
7.Rizah Bllaca – Këngë popullore, I dhe II, IAP, Prishtinë, 1997 (bashkë me dr. Rr. Berishën dhe mr. J. Ahmetin)
8.Vargje satirike (vjersha), “Dija”, Prishtinë, 1998
9.Balada popullore shqiptare – Aspekte krahasimtare, IAP, Prishtinë, 2000
10.Udhëkryqet e Kosovës (përmbledhje artikujsh dhe recensionesh) “Elta BS” & “Artini”, Prishtinë, 2005
11.Këngë popullore historike , v. I, II, III dhe IV, IAP, Prishtinë, 2007 (autor i parathënies dhe bashkautor me Rr. Berishën, F. Sylën, A. Zejnullahun dhe J. Ahmetin)
12.Folkloristikë, IAP, Prishtinë, 2009
Aspekte te studimeve albanologjike, IAP, Prishtinë, 2012

Ka suksese edhe në punën pedagogjike. Ka qenë i angazhuar për gjashtë vjet radhazi nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës profesor për lëndët: folklor krahasimtar dhe mitologji në Degën e Letërsisë Krahasimtare.
Për katër semestra ishte pedagog i lëndëve: histori e letërsisë shqipe e romantizmit dhe letërsi moderne shqipe (si lëndë të zgjedhura) në studime pasuniversitare të Degës së Historisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës.
Ka mbajtur lëndën e teorisë së letërsisë në SHLP të Prizrenit (gjatë viteve 1998-1999), si dhe ka ligjëruar lëndën letërsi për fëmijë në Fakultetin e Mësuesisë të Universitetit të Prishtinës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...