Muhamet Mjeku ka ardhur në jetë me 12 prill 1943, në Shipitullë të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin dhe Fakultetin Filozofik, në Prishtinë.
Fillimisht ka punuar si profesor në Shkollën Ekonomike në Prishtinë, pastaj në Shkollën e Mesme të Mjeksisë, ku jipte dy lëndë, shqip e latinisht. Dhe mëpastaj, në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar”, tash “Sami Frashëri”, aty ku më 1960/61 e kishte regjistruar klasën e parë. Aty Muhameti takoj edhe disa profesorë të kohës kur ishte nxënës, dhe nuk mund t’i besonte vetes se tash do të bëhesha kolegë me ta.
Ndërkohë atij iu shfaq dëshira qe të bëhej gazetar, sepse qysh si gjimnazist dhe më pas student në gazetën “Rilindja” kishte botuar disa shkrime dhe poezi në faqen e kulturës dhe në “Zanin e Rinisë”; ndërsa më herët në revistën “Pioneri”. Muhamet kishte besim në vete se mund ta kryente si duhet profesionin e gazetarit, që në atë kohe lakmohej nga shumëkush.
I bindur në këtë, në qershor të vitit 1971, pas një testi provues, filloi punë në të përditshmen “Rilindja”. Këtu punoj deri në maj të vitit 1974 prej nga kaloi në Televizionin e Prishtinës. Ndoshta për opinionin e sotëm është interesant se në rubrikën e kulturës të gazetës "Rilindja" në atë kohë punonte një elitë intelektualesh, si: Vehap Shita, Anton Pashku, Musa Ramadani, Gani Bobi, Mensur Raifi, Ali Podrimja, Dedë Mirdita, Nexhat Halimi, Sylë Osamani, Mensur Pozhegu ,Muhamet Mjeku etj.. Në Televizionin e Prishtinës ka punuar si gazetar, redaktor i lajmeve dhe udhëheqës i rubrikës së brendshme. Afro një vjet e gjysmë, derisa u adaptua ndërtesa e Televizionit të Prishtinës, ka përgatitur tri herë në javë ditarin (lajmet) nga studio e Televizionit në Beograd, prej nga emitoheshin lajmet në gjuhën shqipe.
Ka sajuar një numër të emisioneve dokumentare në Kosovë dhe jashtë saj. Ka realizuar disa dokumentarë nga një udhëtim atraktiv shumëditësh (45) në Afrikë, bashkë me gjiruesin e TVP- Urim Ukimerin. Po ashtu, ka realizuar edhe një deokumentar në Berlin në vitin 1975 me rastin e 30 vjetorit të ngadhnjimit mbi fashizmin.
Për shkak të “lëshimeve ideo-politike”, përballë konceptit të politikës së atëhershme serbe, është suspendur disa herë. Gjatë grevës së minatorëve të “Trepçës” është larguar nga procesi i punës për një vit bashkë me disa kolegë, dhe më pas është marrë gjashtë herë në biseda informative nga organet e sigurimit shtetëror të Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Kur Sllobodan Millosheviq erdhi në Fushë-Kosovë në vitin 1989, për shkak të përgatitjes së një emisioni special kontestues që u emitua për tërë rrjetin jugosllav, u suspendua dhe iu ndalua hyrja për një kohë të caktuar në lokalet e televizionit, bashkë me kolegun Nuhi Bytyqi, me të cilin e kishin përcjellë ngjarjen. Shtypi serb dhe politika serbe këtë emision e anatemoi si diverzion kundër sistemit jugosllav, me theks të veçantë sulm mbi politikën e popullistit, Sllobodan Millosheviq.
Në Televizionin e Prishtinës ka punuar deri më 5 korrik 1990, kur ky institucion u okupua nga policia serbe dhe u nxorën dhunshëm të gjithë punëtorët shqiptarë, me përjashtim të ndonjë shqiptari të “ndershëm”, siç e shpiku këtë term asaj kohe politika në Beograd. Muhameti ka qenë redaktori i parë i ditarit të Televizionit të pavarur në Prishtinë, 1975 dhe redaktori i fundit i ditarit të orës 7:30 (lajmeve), 5 korrik 1990 kur policia serbe mbylli këtë institucion iformtivo-kulturor.
Pas mbylljes së televizionit botoi librin “Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës”, që ishte libri i parë për një temë tabu. Ky libër u botua në 10.000 ekzemplarë. Më parë po në këtë temë kisha botuar një fejton në 13 vazhdime në revistën “ Zëri i Rinisë”. Libri është botuar dhe është shpërndarë fshehtas në Kosovë, Zvicër, Gjermani etj.
Pas botimit të këtij libri dhe mbylljes së Televizionit të Prishtinës, iu përgjigj thirrjes së veprimtarit dhe biznismenit të njohur, Harry Bajraktari për nxjerrjen e gazetës “Illyria” në New York, ku punoj si editor i parë i saj.
Përpos librave, ka botuar një seri artikujsh publicistik dhe disa fejtone me karakter politiko-historik. Njëherit, ka qenë pjesëmarrës në projektin “Kombi-rrugët e bashkimit kombëtar”, New York 1997. Ka në dorshkrim librin "Ditari i Luftës”.
Jeton në SHBA.
Disa nga librat e botuara
"Lufta e Drenicës - Shaban Polluzha", Prishtinë 1991,
"Vdekja në Bunker", Prishtinë 1996,
"Pse sulmohet Drenica?", New York 1998
"Kosova në dimrin e vitit 1945”, Prishtinë, 2003,
"Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizerenit”, New York 1997,
"Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”, New York 2008,
"Binak Alia dhe Brezat pas tij", New York 2016.
"Familja Mjeku-rrugëtimi i saj historik", 2019.
Etj.
Florio Bruqi