Zejnullah (Sadri) Rrahmani është i lindur më 1952 në Ballofc të Podujevës, Kosovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Podujevë. Ka studiuar dhe është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën i kreu në Degën e Letërsisë Shqipe, 1984. Më 1985 doktoroi në shkencat filologjike në Prishtinë.
Ka punuar në revistën “Fjala” katër vjet si gazetar dhe redaktor. Në Fakultetin Filozofik (tash Fakulteti i Filologjisë) punon prej vitit 1977, ku është profesor për lëndën Teori e letërsisë. Lëndën Teoritë letrare e ligjëron për studentët e studimeve master dhe në studimet e doktoratës.
Ka qenë kryetar i Studimeve pasuniversitare të Degës së Letërsisë, i ka reformuar e udhëhequr ato nga viti 1992–1998. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë. Anëtar i Kolegjiumit të dekanëve të Universitetit të Prishtinës ishte në periuhën 1992-1996. Më 1995 e ka ringjallur, pasi që ishte ndërprerë dhunshëm dhe nuk ishte mbajtur disa vite, Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe të njëjtin vit, si bashkëdrejtor me Akademik Bahri Becin, e ka organizuar në Tiranë për dy vite me radhë.
Ka themeluar revistën shkencore “Filologjia” të Fakultetit të Filologjisë dhe ka qenë kryeredaktor i tre numrave të parë të saj. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fushën e krijimtarisë letrare shkruan zhanret e prozës (roman, novelë, tregim).
Nga viti 1992 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional për programet e letërsisë si dhe anëtar i Këshillit për unifikim të teksteve e të programeve nacionale të Kosovës e të Shqipërisë 1992-1998. Nga viti 1996-1999 në cilësinë e Këshilltarit për arsim i Dr. Ibrahim Rugovës, Kryetar i Kosovës, e ka udhëhequr arsimin shqip (paralel) të Kosovës.
Në periudhën 2007-2009 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional të Shkencës të Kosovës.
Aktualisht është kryetar i Këshillit të Doktoratës të Fakultetit të Filologjisë. Nga viti 1999 ka qëndruar disa herë në Kanada. Jeton në Prishtinë: Bregu i diellit, perëndim, L/6 Nr. 3.
Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh më 2012.
Veprat
I. Tekste mësimore
Njohuri nga teoria e letërsisë, Tiranë, Libri shkollor, 1996, 1997, 1998, 2000...
Teoria e letërsisë për shkollat e mesme, Prishtinë, 1997, 1999...
Teoria e letërsisë, Fakulteti Filologjik, Prishtinë 1996
Si të shkruhet disertacioni, Prishtinë, 2001
Arti i poezisë, Prishtinë, 2001
Shkrimi dhe leximi, Prishtinë, 2003
II. Vepra letrare
Zanoret e humbura, roman, 1974, 1979
Udhëtimi i një pikë uji, novelë, 1976
Sheshi i unazës, roman, Prishtinë, 1978, Tiranë 1982, Prishtinë 1985
E bukura e dheut, roman, 1987
Udhëtimi arbdhetar, roman, 1992
Mjeshtri i vetmisë, tregime, 1995
Jusufi, roman, 1999
Romani për Kosovën, roman, 1999
99 Rruzaret prej smaragdi, roman 2006
III. Vepra - studime
Romani ‘Lumi i vdekur’ i Jakov Xoxës, punim i magjistraturës, 1984,
Nga teoria e letërsisë shqipe, Prishtinë, 1986.
Teoritë letrare klasike, Prishtinë, 2001.
Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit, Prishtinë, 2001.
Arti i poezisë, Prishtinë, 2001.
Letërsia e Mesjetës, Prishtinë, 2002.
Ligjërata mbi artin e Renesansës, Prishtinë. 2004
Teoritë letrare moderne, Prishtinë, 2005
Letërsia e Lindjes, Prishtinë,2005
Gnosis, Prishtinë, 2005
10 kryevepra poezie, 2007
IV. Përkthime
Teoria e letërsisë , R. Welek - O. Woren, 1982
Historia e letërsisë botërore 4, 1986