Lasgush Poradeci (Llazar Gusho) u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në Tiranë, më 12 nëntor 1987. Në letërsinë shqipe është i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci. Lasgushi është Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në vitin 1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë. Vëllimin e parë e ka botuar me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë; ndërsa vëllimin e dytë i botuar me ndihmën e Mitrush Kutelit. Përmbledhja e dytë poetike përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë me poezitë me vargënimin e melodinë më të hollë në gjuhën shqipe.
Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40. Veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e redaktorit Branko Merxhani. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet Drita dhe Nëntori, të cilat të bluara siç qenë nga censorët e kohës ishin hapësira më të volitshme për serën e shqipëruesve.
Lasgushi është autor i më se shumë se 100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.
Veç të tjerash, janë të njohura poemat: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, e poetëve të therë të njohur botëror
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, kryetari i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”.
Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci.
Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”.
Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.