2013-11-11

Peticion kundër armëve kimike, SHBA: Shqipëria, përgjegjshmëri si vend i NATO-s

VLADIMIR  KARAJ

Çdo 10 sekonda një shqiptar ka firmosur në peticionin që AKIP i adreson qeverisë me kërkesën për të mos pranuar qëarmet-kimike-1240x620armët kimike siriane të shkatërrohen në vendin tonë.  Në rreth 8 orë peticioni kishte më shumë se 3 mijë firma dhe numri ishte në rritje, por nga ana tjetër duket se zërat se Shqipëria do jetë destinacioni i armëve, sa vijnë e shtohen. Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu konfirmoi dje se qeveria e Shqipërisë “ka marrë një pozitë të fortë” sa i përket rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB në lidhje me çështjen. Ai shtoi edhe se “u përket të gjitha kombeve përgjegjëse, sigurisht në këtë grup përfshi edhe Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, që të gjejnë mënyra efektive dhe brenda kohës, me qëllim që të mund të punojmë së bashku në mënyrë bashkëpunuese për të eliminuar kërcënimin, i cili krijohet prej programit të armëve kimike të Sirisë”. Agjencia e lajmeve Reuters në një raport theksoi dje se bisedime po zhvilloheshin me Shqipërinë, Belgjikën dhe një nga vendet skandinave, duke theksuar se këto vende janë treguar të gatshme të pranojnë në territorin e tyre laboratorët që do të duhet për të shkatërruar lëndët kimike, që përfshijnë gazin sarin, mustard dhe ndoshta edhe VX.  Sipas agjencisë, qeveria siriane ka folur për kosto të shkatërrimit që shkojnë deri në 1 miliard dollarë, por specialistë i kanë thënë Reuters se ky do ishte një spekulim, edhe pse në fakt sipas tyre kostoja do jetë disa qindra miliona dollarë në varësi të vendit ku do të bëhet shkatërrimi.
Ndërkohë në Shqipëri zërat kundër janë shtuar. Dje edhe një nga deputetët e opozitës u shpreh se nuk ishte dakord me sjelljen e këtyre armëve në Shqipëri, ndërsa i kujtoi qeverisë se kishte miratuar një ligj që e ndalonte transportin e mbetjeve edhe më të parrezikshme në vend. Majlinda Bregu i tha News24: “Në mendimin personal jam kundër armëve kimike… Mendoni se çfarë alarmi do jetë në qoftë se qeveria do marrë vendimin që këto armë të shkatërrohen në Shqipëri”.
Kundër depozitimit të armëve kimike ka dalë dje edhe kryebashkiaku i Elbasanit, edhe pse ai kërkoi që ato të mos vendoseshin në këtë zonë dhe nuk u shpreh kundër vendosjes në pjesë të tjera të vendit. Ai i kërkoi prefektit të qarkut që ta kundërshtojë planin për vendosjen e armëve në Uzinën e Mjekësit në Elbasan. Disa media kanë njoftuar se uzina që është përdorur deri tani për demontimin mekanik të municioneve tradicionale, mund të përdorej edhe për armët kimike edhe pse për shkak të specifikave kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Shoqëria civile organizoi një protestë dje para kryeministrisë ku kërkohej që të refuzohej oferta për të pranuar armët kimike dhe për më shumë informacion nga qeveria në lidhje me çështjen. “Përpara zgjedhjeve, opozita e atëhershme që sot është mazhorancë, ngriti zërin kundër importit të mbetjeve, dhe është logjikë e çmendur të na kërkojnë të pranojmë mbetje kimike. Ne kemi mundësinë të vëmë logjikën në punë dhe një nga pyetjet me elementare është: Përse armët kimike duhet të asgjësohen në Shqipëri?”, tha dje analisti Mustafa Nano. Ambientalistët ishin më të ashpër duke kërkuar nga qeveria që ose të refuzonte armët ose të largohej. Në peticionin që është hapur për firma virtualisht AKIP i bën thirrje “Qeverisë Shqiptare që të refuzojë kërkesën për të importuar dhe shkatërruar në territorin e Republikës Shqiptare armët kimike të Sirisë”. Në Peticion thuhet se vendi nuk ka as kapacitete të ruajtjes së mbetjeve të rrezikshme dhe as stabilitetin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e këtyre mbetjeve. Madje shoqëria civile përgatiti edhe një letër standard që mund t’i dërgohej nga çdo i interesuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin veç mirënjohjes për ndihmën e dhënë deri tani i kërkohet që të mos pranojnë që armët kimike të shkatërrohen në Shqipëri. Letra ndër të tjera thekson se Shqipëria nuk është një vend stabël dhe mbetjet rrezikojnë për shkak të destabilizimit të keqpërdoren.
Qeveria deri dje nuk ka dhënë prononcim zyrtarë mbi rastin dhe as diskutimet në vend. Edhe pse pati seancë plenare në kuvend, deputetët nuk e ngritën këtë çështje dhe as u kërkua nga qeveria të mësohej nëse kishte apo jo negocime të kësaj natyre.
Nga sa mësohet Shqipërisë ende nuk i është bërë një ofertë zyrtare që duhet të bëhet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, por vendi është duke negociuar për mundësitë me SHBA. Ende nuk është e qartë se përse Shqipëria po përzgjidhet për shkatërrimin e armëve kimike.  Ndërkohë dje në përgjigjen e tij rreth çështjes ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, ka lënë të kuptohet se vendet do të kenë kontribute të ndryshme nga të cilat duket se Shqipëria mund të zgjedhë të kontribuojë me burimet. “Shpresojmë që rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të vazhdojë, dhe duke punuar së bashku me Shqipërinë dhe partnerë të tjerë të përgjegjshëm po shohim mënyra për të kontribuar, si për pajisje të specializuara, ekspertizë, personel i trajnuar, asistencë financiare ose me burime. Të gjitha këto për tu marrë me këtë kërcënim ndërkombëtar që shkaktohet nga programi i armeve kimike të Sirisë”,-u shpreh Arvizu. Ndihma e Shqipërisë në këtë rast do të ishte vendosja në dispozicion e territorit që duhet për të instaluar laboratorët e shkatërrimit. Në këmbim të kësaj vendi mund të ketë lehtësira drejt BE-së dhe po ashtu përfitojë ekonomikisht nga fondet që do të përdoren për shkatërrimin e armëve. Arvizu po ashtu ka lënë të kuptohet se si vend i NATO-s Shqipëria ashtu si SHBA kanë detyrime dhe përgjegjësi në lidhje me situatën. “SHBA dhe Shqipëria janë anëtare krenare të NATO-s dhe vetëm 26 kombe të tjera kanë të njëjtin status”, ka theksuar Arvizu. Por plani duket se do ta ketë të vështirë të gjejë përkrahës në publik, ndërsa shoqëria civile po tenton të mbledhë përkrahës për ta kundërshtuar atë.
AKIP ftoi dje qytetarët të nënshkruajnë virtualisht peticionin në faqen:http://www.avaaz.org/en/petition/Peticion_kunder_pranimit_te_armeve_kimike_te_Sirise_nga_Shqiperia_No_to_Assad_Chemical_Weapons_in_Albania/?fbss. Ndërkohë nuk ka të dhëna se cilat do të jenë lëvizjet e tjera pas këtij peticioni.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...