1. Pashë një të bukur
Pashë një të bukur që shkonte në kishë
Bobo si ish! Si ish...
E ndoqa me sy tek hyri brënda
Ju them të drejtën: më iku mëndja!!!
Pse duhet të falet në kishë bukuria
Kur veças nga shoqet e ka bërë Perëndia?!!!
Kështu jap e marr, të gjej një përgjigje
Thashë, kur dhe Zoti bëka me "hile?!!"
Ç' faj kam , i gjori,që më iku syri
Kur pashë këtë të bukur që në kishë hyri.
Hyri ajo, po mua mëndja më la
Thashë me vete:- Të pres dhe ca...
Prit... edhe prit; ja tek po vjen
Si hyri,doli... mua s'ma vërshëllen...
10 nëntor 2013
2. Sikur...
Sikur kam helm në zemër
Se mikja ka kohë që hesht
Mike, moj, s'të flas me emër
Dimër pse ma kthen kët' vjeshtë ?
Dhe më thoshte:- Rri i qetë!
Asnjë çikë mos u trondit.
Por si duket ka vënë "fletë"
Se shkoi shumë që "prit e prit".
Ka vënë "fletë" e fluturon
Kushedi se në ç'limer?
Heshtja e gjatë më tregon
Dimri vjeshtës erdh kët' herë.
8 nëntor 2013
3. Kur më "mburret" Sherif Bali *
( miqësore)
Zë më "mburret" Sherif Bali
Për një mike (e quajnë Lume!)
Përparimi nga Mbrostari **
S' numron "netët kaltëruqe" ***
I kujtohet kohe e shkuar
( Qe kënaqur me një Lume?!!!)
Sherif Bali, mik i çmuar!
Me mua dot hiç nuk munde!
Jo për vargun. Ti shkruan bukur
Por për "Lumen" e të tjera
E them troç: " Bastin" ke humbur
Se unë jam si "protohera".
Ti nga fshati. Unë nga fshati
Sa zili të kam në vargje!
Mbushur magja hoje mjalti
Të vë poshtë ( në tjetrën "lagje?!")
Tek kjo "lagje" kam domenin
( Të kam mik,po s'lëshoj pe?!!!)
As për Lumen as për Nepin ****
Kam pranverë dhe në Shënndre...
*Një nga lirikët më të ëmbël,miku im nga Lushnja.
** Mbrostar-Ura, fshati ku kam banuar, në Fier.
*** varg i Sherif Balit
**** mikesha të poetit Sherif Bali (shiko "Nacional" 6 tetor 2013)
Tiranë, 11 nëntor 2013
Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arësimit të lartë për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.