Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/12

Brahim AVDYLI -TË ISHE GJALLË, JUSUF GËRVALLA
































Ideali Ynë


PO TË ISHE GJALLË,JUSUF GËRVALLA !


Mikut, poetit, luftëtarit
dhe dëshmorit- Jusuf Gërvalla!


1.

Ah, po të ishe gjallë
e midis nesh, Jusuf Gërvalla
për ti bërë shtatë netë në Dubovik

në atë kullë që i ra territ si pirg drite
me dyer të ngjyera si pranvera,

sa do ta gëzonim Loken,
sytë e stisur nga dhembja
do t`ia mbushnim njomësi-
pikëllimi i ndarjes sate e ka lodhur vëlla,

gjyshi do të na mësonte, përsëri
si maten shekujt me orën e dashurisë...

Paj, edhe gitarës do t`ia ngjisnim
at tel të shkretë, këputur në mesudhë
trollit tonë dhembjet për t`ia qarë

deri në mëngjesin e purpurtë!

2.

Jusuf, vëlla,
nuk e di çka do të bënim në dimër
pa këngët tua,
pa fjalët që shkrinë damarët e dheut;

a do të kishim pranverë ndër fushat tona
a do të cicëronin maleve zogjtë e mendimit,

mbi plepat e vetmuar a do të zbriste
ndonjë dallëndyshe me fletë...

paj, edhe ashtu të vonuar e kemi pranverën,
mezi u rriten lulëkuqet në këngë,
mezi u përplasen ujëvarat e fjalëve;

tashmë, shelgjet buzë përroit
ngjyrën e vargjeve tua e kanë marrë,
ndër livadhet e egra bari ndihet i lënduar

sa herë e dridhë malli për ty!

3.

Po të ishe gjallë, do të niseshim përsëri
rrugës që ke ecur dikur me libër në dorë,

do t`i përqafonim blirët me kurora të buta
faqet do t`i lanim te kroi në mes të fshatit-
ai që nuk ka ngrirë në dimër, as shterruar në verë,

dhembjet trollit do t`ia lanim burrërisht
sepse vetëm ai e ka mësuar të vërtetën e shekujve

vetëm ai e di sa e thellë është rrënja e bimës sonë,
çka pëshpërit damari ynë kur vie nëpër tokë
për të freskuar dheun me dëborën e bjeshkëve!...

4.

Po të ishe gjallë, bre Jusuf Gërvalla,
edhe më mirë do t`i mësoje nënëloket tona
brumin e lirisë të gatuajnë në pogaqe dielli

ta pjekin pastaj në një çerep prej dheu
dikund në oborret tona

e kreshnikëve të Dukagjinit forcën t`ua përtërijnë!

5.
Pastaj, kur të bie muzgu i parë
me një këngë të re t`i zgjonim stinët e fjetura,
burrat t`i ushtronim deri në ag
bajlozin e mallkuar ta shtrijnë për dhe

e në temelet e vjetra ta ndërtojmë
atë shpëpi që pate nisur atëherë
me dritare të mëdha, ballë për ballë diellit!

6.

Sa herë i drejtohem portretit tënd
si të ishe gjallë kërkoj të mi dëftosh
të gjitha lojërat që luhen prapa kurrizit tonë,

edhe atëherë kur druhem se nuk e di
ku është fshehur kokrra midis kapuçash!

Lotët më shkojnë kur s`ta dëgjoj zërin,
mendoj se ke marrë inat e s`më përgjigjesh,

nuk guxoj të shtrihem as për një çast para teje,
më duket se më qorton me vetullat e mbledhura,
"nuk kemi kohë të çlodhemi", sikur më thua

e dridhem nga shqetësimi
i viteve të vjedhura ndër plagë!

7.

Në çdo skutë të dheut të marr me vete
bashkë me gdhenlën e një lisi dukagjinas,

habiten kur i shohin ata që nuk dinë
sa e thellë është fuqia e trollit tonë,
sa e çuditshme natyra e kësaj dhembje
që të përcjell kudo, edhe përtej botës

dhe vetëm ajo të jep shkas
të jesh ai që duhet të jesh;

habiten, sepse nuk e dinë magjinë e fjalës
lidhjet e saj me nëntokën-
atë dhe mbi të cilin kemi nxjerrë
fletët e para të frymimit!

8.

Kur ma prekin Kosovën
më zënë gurët e bjeshkëve tona
e gjëmoj si t`i kisha nëntë plagët e Gjergjit!

Asnjë mjek nuk e di rrënjën e kësaj sëmundje
diagnozat e gabuara më mundojnë,
e të thërras në ndihmë Jusuf, vëlla,
që t`më japësh forcë ta shkruaj vargun-

një varg që nuk i nënshtrohet të keqes;
që s`i trembet plumbit edhe kur e nxjerr i paudhi
ai që mallkuar e ka qumshtin e nënëlokes

e fyer trollin e të parëve
sa të mos e pranojë dheu!

9.

Nuk u mbaj inat as kur më godasin fshehtas,
e di se vjollcat dalin midis therrash
dhe u mjafton përmasa e vet
për të kundërmuar pranverën,

"lulet paskan vetëm fatin tënd"-
të këputen papritur, aq dhimshëm,

kjo i shndërron në kurorë të blertë-
në kujtim të pashuar bukurie!

10.

Kur të shoh në pankarta
mas kolonën pas teje.

Shpesh dyshoj se të mbajnë
ata që s`të duan,

ata që mbi emrin tënd e rrisin veten
e nuk dinë asnjë varg nga vjershat tua,
as ç`lajme sillte lajmtari i parë...

ndaj moti ngatërruar i kanë
anët e horizontit!

11.

Atëherë rebelohem
e mbushem vrerë,

orvatem t`i bie
rrotul të keqes,

t`ia mas konturat e ta zbuloj
ku fshihet fara
e kësaj stine të ligë!

12.

Por, kur kthej sytë
e veneroj nipat tu-
hallkën e tretë të gjakut,

gëzohem që ta përtërijnë emrin,
që mbajnë nëpër duar
flakadanin e fjalëve tua

ani se i ramë rreth e rrotull botës
e u kthyem, kaq vonë,
në themelet e kullës së braktisur!

13.

Tash, zgalemi i fjalëve tua
nuk është i vetmuar nëpër qiell,
çdo qelizë e jona po niset kah dielli

por, vetëm ty të kemi
kanuashë të verdhë-
lajmëtarin e parë të gjelbrimit!

14.

Një ditë, sërish do të mblidhemi
te pema që po piqet
me hovin e mendimit-

besoj se i kemi gjetur shkronjat
që deshifrojnë
gjuhën e dheut

ndaj kemi zgjuar pranverën-
të vdekurit e të gjallët nëpër vargje!

5.

Ajo shishe gjak
që kishim në damarë
mjafton ta kryejmë
deri në fund këngën tonë,

sofra e shtruar
po na pret në vendlindje
ani se ke dalur në at qytet të panjohur,

era e misrit, o vëlla,
t`asaj bime të vonë-

të pavdekshëm do ta mbajë
fluturimin e fundit!


__________

-Kjo poemë e bukur ështe marrë nga libri poetik «Gjuha e dheut tim», Albin, Tiranë, 1999

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...