2013-11-10

Bildt, prapëseprapë Bildt!


Qëndrim jokritik i zyrtarit suedez për skandalet në veri
Një deklaratë e pamatur dhe pa sens diplomatik
Skandalet e strukturave kriminale serbe në 3 nëntorin e këtij viti, në tri vendvotime në pjesën veriore të Mitrovicës, Bildt i cilësoi “incidente irelevante”

Shkruan:Prof. Dr. Sci.Riza SMAKA

Carl Bildt, funksionar politik i EU-së nga Suedia, referuar akteve dhe relacioneve kosovare-serbe, eksplicite dhe për aq më pak diplomatikisht, me konsistencë dhe në konstantë politike, apriori vijon t’i mbështesë dhe t’i advokatojë pozicionet politike serbe (sic). Edhe pas jo pak deklaratave të pamatura, jokritike, pa sens diplomatik dhe për aq të disfavorshme për çështjen e Kosovës, pas vandalizmave anti-zgjedhore gjatë 3 nëntorit të këtij viti, të bëra nga struktura ilegale serbe kundër disa qendrave të votimit në pjesën veriore të Kosovës, Bildt qartazi theksoi:“Qeveria e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë ka bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë dhe, për shkak të incidenteve gjatë zgjedhjeve në veri (të Kosovës), nuk do të duhej të pritej shtyrje e fillimit të negociatave për anëtarësimin e saj në EU…është e qartë si kristali se zyrtarët nga Beogradi kanë bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre që zgjedhjet lokale të jenë të organizuara mirë.”

Asnjë fjalë miradije për shtetin e Kosovës

Në atë mënyrë, Bildti skandalet e strukturave kriminale serbe në 3 nëntorin e këtij viti në tri vendvotime në pjesën veriore të Mitrovicës (nuk i quajti akte kriminale, çfarë ishin dhe mbetën, por i cilësoi “incidente, madje, incidente irelevante…), pra i simuloi, virtualisht i heshti, nuk i zuri në gojë, nuk i pa, mbase nuk ia ka endja t’i shohë në një anë dhe pozicionet politike serbe i lavdëroi pakursyeshëm dhe shprehimisht, madje fuqishëm, në anën tjetër! Ndryshe, z. Bildti nuk do të mund të mos dinte se gjendja fragjile, praktikisht kaotike, e shkaktuar nga struktura serbe ilegale dhe kriminale në pjesën veriore të Kosovës, nuk do të ekzistonte, nuk do të mund të qëndronte as sa bryma para diellit, sikundër po ato grupe të mos i sponsoronte fuqishëm shteti serb aktual, të cilin edhe në këtë rast ai (Bildti) e lavdëron pa kursime!

Z. Bildt, ju nuk mund të mos dini se çështja problematike në pjesën veriore të Kosovës është konsekuencë ekskluzive e politikave hegjemoniste serbe (të cilat jo pak herë) i keni lavdëruar dhe pikërisht atje, nga rebelë serbë, të rekrutuar, të përgatitur, të pajisur, të sponsoruar dhe të stimuluar hipokrizisht nga autoritetet shtetërore serbe, mbi një dekade, edhe me akte kriminale - plagosje e vrasje të pjesëtarëve të formacioneve të armatosura ndërkombëtare, sfidohet jo vetëm shteti - Kosova, por edhe komuniteti ndërkombëtar - UNMIK-u, KFOR-i, EULEX-i, OSCE-ja…! Z. Bildt , po ashtu, nuk mund të mos dini se rebeluesit në fjalë nuk do të mund të ekzistonin e aq më pak të funksiononin kundërligjshëm pa therë në këmbë, sikundër të mos e gëzonin mbështetjen hipokrite të shtetit serb, mjerisht, të suportuar edhe nga jo pak shtete dhe individë, në të cilin tabor jeni edhe ju, por, për fat të mirë, jo edhe me aq influencë në rrjedhat politike ndërkombëtare!

Z. Bildt, për të qenë ironia juaj edhe më sarkastike, duke e lavdëruar shtetin serb “… për aktivitete e politike të drejta…” , nuk ju zuri goja për të thënë asnjë fjalë miradije për shtetin e Kosovës, i cili, karshi shtetit serb agresor, është shtet viktimë dhe i dëmtuar rendë. Rrjedhimisht, nis nga propozimi i Ahtisarit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe bisedimet varg e vijë ndërmjet përfaqësuesve kosovarë e serbë, pikërisht Kosova ishe dhe mbeti shteti që, për hir të kauzës së zgjidhjes paqësore të kontestit shekullor shqiptar - serb, krijimit të ambientit politik ballkanik të përshtatshëm për integrime regjionale e më gjerë, bashkëpunimit, bashkërenditjes dhe ndërkomunikimeve demokratike, sikundër përbrenda ashtu edhe ndërmjet shteteve fqinje, përfshirë edhe Serbinë, kurdoherë koencidoi edhe në tema e çështje parimore, pothuajse kurdoherë në dëmin e vet!

Po ashtu, z. Bildt, gjykoj se do të ishte oportune që ju si diplomat i karrierës, së paku formalisht, edhe pse nuk ju thotë zemra, t’ju fliste goja për angazhimet serioze e të sinqerta të autoriteteve kosovare për organizimin e mirëfilltë dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013!

Meditime apriori

Nuk mund të mos dyshohet me bazë se, z. Bildti, si i tillë edhe aktualisht mediton apriori, në favorin e politikës shtetërore serbe dhe për aq në disfavorin e politikës shtetërore kosovare. Aq më parë kur politikat shtetërore serbe referuar çështjes së Kosovës, kurdoherë ishin dhe vijojnë të jenë esencialisht malicioze e tendencioze e formalisht ambiguiste, ekiovokale dhe hipokrite. Përkitazi me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të këtij viti politikat shtetërore serbe, sa për konsumin publik dhe ndërkombëtar, publikisht, për ca ishin koherente me rrjedhat dhe postulatet për zgjedhje të lirshme e demokratike. Mirëpo, shteti serb, aq i parapëlqyer për t’u lavdëruar nga z. Bildti, gjithnjë nën rrogoz, vijon t’i mbajë dhe t’i dirigjojë strukturat serbe ilegale përbrenda shtetit të Kosovës për të kryer, ‘ad-hoc’ akte, thënë më së buti kundërligjore, të cilat po ai shtet në oportunitete politike të volitshme për politikat hegjemoniste përkitazi me Kosovën kalkulon t’i eksploatojë në forma e dimensione të caktuara! Pra, z. Bildt, nëse aktualisht jeni funksionar politik ndërkombëtar nga Suedia, i një shteti nga Kosova dhe kosovarët, të çmuar, e tërë ajo përkitazi me rastin në trajtim juve do të mund t’ju siguronte “mjekrën” ,“qyrkun”, përkatësisht “mjekrën dhe qyrkun”, por të mos harrohet sentenca romake e mirënjohur “Barba Non Facit Filosofem”, që do të dilte se as në situatë të tillë nuk do të mund të bëheshit filozof, në këtë rast gjykues kompetent, përkundrazi!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...