Të martën ,më datën 25 mars 2014,në orën 11:00,në Bibl;iotekën Kombëtare'Pjetër Bogdani",në Amfitetarin e madh në Prishtinë,promovohet libri i Akademik prof Rexhep Ferrit "Portreti në monedhë",Botues Pen Qendra e Kosovës,Prishtinë 2013.
(Redaktor i librit:Basri Çapriqi;Recensent: Ben Andoni;Lektor : Shefqet Riza;Ballina : Taulant Veseli Libri është shtypur në shtypshkronjën "Alfaprint", Prishtinë,2013.ISBN 978-9951-457-34-7)
Rexhep Shaban Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli "Shëtitësit e lodhur" në revistën letrare "Jeta e re" në Prishtinë.
Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.
Tituj të veprave
1.Punë gjaku, poezi,Prishtinë,Rilindja,1978
2.Qafa e diellit,poezi,Prishtinë, Rilindja,1981
3.Këmisha e bardhë,poezi,Prishtinë, Rilindja, 1984
4.Në profil, poezi,Prishtinë ,Rilindja, 1992
5.Ndoshta ishte dashuri, Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
6.Trekëndësh me detin,poezi,Prishtinë, Rilindja,1998
7.Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
8.Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
9.Portreti i një vetmie,poezi,Prishtinë, Rilindja, 2003
10.Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
11.Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
12.Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
13.Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007
14.Historia e hijeve,ese, TiranëOnufri, 2008
15.Atdheu im torzo,roman,Tiranë, Onufri, 2009
16.Harrimi antik,poezi,Tiranë,Onufri,2009
17.Monografi për Rexhep Ferrin nga Gëzim Qendro,Prishtinë,ASHAK,2010
18.Britma e Munkut, roman,Tiranë, Onufri, 2011
19.Portreti në monedhë,roman,Prishtinë,PEN Qendra e Kosovës,2013
Etj.
EKSPOZITAT NË VEND DHE JASHTA VENDIT
1967 hap ekspozitën e pavarur në Galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë
1968 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Graficki Kolektiv në Beograd
1969 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Darte II Cenacolo në Vicenca - Itali
1971 merr çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës
1972 merr pjesë në Bienalen Mediterane të Aleksandrisë në Egjipt
1973 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Grafički Kolektiv në Beograd
1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë
1975 merr çmimin për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës
1976 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Kulturni Centar në Beograd
1977 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Lambert në Paris (Francë)
1982 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë e Arteve në Prishtinë
1982 dhjetë artistë nga Kosova, Galeria Forum Zagreb
1983 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë e Arteve në Sarajevë
1985 merr pjesë në ekspozitën “Arti bashkëkohor i Kosovës” në Galerinë Breht në Munih - Gjermani
1989 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Vakko në Ankara, (Turqi)
1995 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Kulla e Balshajve në Ulqin
1996 zgjedhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
1997 merr shpërblimin "Penda e artë" për poezinë më të mirë të botuar në revistën
"Fjala" gjatë dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë
1997 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Dodona në Prishtinë
2000 zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
2001 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Kombëtare në Tiranë
Përgatiti:Agjencioni Floripress /Flori Bruqi
KOHA E MBRAME E REXHEP FERRIT
Vepra ka një kompozicion interesant dhe të mban të tensionuar për të parë fatin e familjes, por ajo ‘anashkalohet’ shpesh duke mos iu bindur shumë kanoneve të letërsisë. Autori duket se nuk e ka shumë për qëllim këtë. Qëllimi është që koha e rrëfimit të tij të japë diçka ndryshe... Sa ia ka arritur? Është herët për ta thënë, pa u pjekur ende kjo vepër në duar kritikësh. Ai, vetë, e ka mbaruar misionin.
Koha e Rexhep Ferrit si dimension të mjafton që të mjedisohesh shpejt në fabulën e thukët të “Portretit në Monedhë”, botuar në Kosovë e shpërndarë në të njëjtën kohë edhe në Shqipëri. Autori, i njohur si një nga piktorët më modernë shqiptarë, është racional dhe e ndërton i qetë krijimin e vet. Është një fabul artistike, ku autori ngërthen natyrshëm fikshënin, autobiografinë me esenë.
Që në krye të herës, të duket se nuk do t’i bëjë hije shkrimtarëve ose të ngulmojë të futet në domenin e tyre. E megjithatë, Ferri, realisht ka kohë që është futur në domenin e shkrimtarëve shqiptarë të dy anëve të kufirit. Jo thjesht se ka disa botime në prozë dhe esse, por sepse me mënyrën sesi shkruan është për t’u vërejtur me kujdes në atë që kumton. Thjesht, që kur merr penën, duket se do rrëfejë në një formë krejt të veçantë, në një formë fabuleske, që do të thotë se rreshtat në shumicën e rasteve përmbajnë atributin e një eseje të veçuar. Në një formë më teknike i ngjan një shkrimi në pikturë, i cili hidhet në telajon- letër puantalisht.
“Portreti në Monedhë” është një histori e parë nga sytë e një fëmije që bëhet i ri dhe këtu koha ndalon, teksa gjithçka e rrëfen mëndja e një burri të vjetër. Në qindra rreshtat ke histori për Kosovën, gjininë Ferri dhe shumë koncepte filozofike, ardhur nga autori si pjesë e perceptimit të botës së vet.
Udhëtimi i autorit me personazhet e veta fillon qysh kohë para se të ekzistonte vetë Ferri i sotëm. “Duke shfrytëzuar kohën e fillimit, unë shfrytëzova njohuritë e një fëmije lufte dhe fillova ta vizatoj botën me vija të trasha, të pakuptueshme”, shkruan ai.
Të duket se po përjeton sagën e familjes me zulmë të autorit, por në fakt je në hullitë dhe zgafellet e jetës së vetë shqiptarëve. Kjo mund të quhet një nga arritjet. Shqiptarët e tij janë të mësyrë nga koha, pushtimet dhe nga mallkimi i njëri-tjetrit, atje ku dinjiteti lufton që t’i japë kujtim jetës së zakonshme. Mund ta quash shumë mirë një roman ekzistencial, nëse do e shikosh në një këndvështrim, ashtu si mund ta kanalizosh lehtë edhe në ndonjë rrymë tjetër. Shpesh, të duket sikur autori shmanget. Jo se ka frikë. Jo se e bren ndonjë shqetësim, që nuk ia di kuptimin, por se jeta e njerëzve që kishte përballë s’ishte “më jetë njeriu, ishte torzo”. (Për ata që se dinë, torso, është një nga ciklet dhe nga idetë e tij më të veçanta në pikturë.)
Elementi më i vyer i autorit është padyshim mënyra sesi ai e administron elementin kohë. Ky element, që është shumë i vështirë për t’u përshtatur në rrëfimin letrar, autori e përdor natyrshëm që të na fusë me të gjithë personazhet e tij në një qerthull, ku nuk mund të ikësh lehtë! Atje, ku ti mendon se autori e ka thënë diçka shkarazi, ke gurin e një mozaiku, që do të bashkohet me gurët-mozaikorë në kapitujt e tjerë. Pas të pret kaosi dhe pak më thellë është vetë heshtja. “Nga frika e mplakjes brenda heshtjes ekziston edhe ajo që nuk e njohim. Edhe ajo që nuk e dijmë se ekziston”.
Ndoshta autori, në rrëfimin e tij, që nuk mund të jetë asesi linear, duhet të ishte më i kujdesshëm me ndjekjen e pasazheve, element, që kinematografia e mbart të kujdesshëm në bashkimin e planeve që lidhin njëri-tjetrin. Pasi, ajo që ka në kokë autori, shpesh s’mund të jetë në kokën e të gjithëve.
Anipse, me këtë rrëfim të fundit, ai të dikton dhe të rrëmben në udhëtimin e vet. “Çdo luftë që bëhej për ta mbrojtur Plavën, për familjen e gjyshit Jakup, gjyshit Hasan ishte tragjike. Tash nga ajo kohë po mungojnë edhe gurët e varreve. Për ta shkruar një histori të re, nuk ka se kush ta parashikon kohën”. Në këtë arsyetim ka kohë për qeniet. Ka kohë për sendet. Ka kohë dhe për vendet. Njërën syresh, e quan koha e Shqipërisë, dhe saora hidhet në një vend tjetër, në atë që flitet sot për identitetin e shqiptarëve. “Për t’u kthyer te rrënjët, Shqipërinë e doja pa e parë e pa e njohur mirë nga afër. Kësaj lufte i mungon koha që nuk e kemi ne shqiptarët! Për t’i besuar, shumëkush i ka humbur arsyet. S’kemi kohë as të nxjerrim mësime, por edhe kështu nuk do të shkojë gjatë. E di se edhe pas luftës do të kemi luftë, për Plavën tonë, për kohën e Shqipërisë siç quhej ajo kohë për shqiptarët e boshnjakizuar, te të cilët shkolla shqipe në Plavë nuk la përshtypje të madhe”.
Vepra ka një kompozicion interesant dhe të mban të tensionuar për të parë fatin e familjes, por ajo ‘anashkalohet’ shpesh duke mos iu bindur shumë kanoneve të letërsisë. Autori duket se nuk e ka shumë për qëllim këtë. Qëllimi është që koha e rrëfimit të tij të japë diçka ndryshe... Sa ia ka arritur? Është herët për ta thënë, pa u pjekur ende kjo vepër në duar kritikësh. Ai, vetë, e ka mbaruar misionin.