Fjolla Morina: Të jesh vetvetja


Fjolla Morina: Të jesh vetvetja

Di të jetë e ngrohtë, e qetë dhe racionale, kur është përballë zgjedhjesh të vështira…Lufton për ta quar përpara ambicien e saj, pa qenë e nevojshme ta shndërrojë në egoizëm. Është vitale dhe sakrifikon pa kurrfarë kompromisi që ëndrrat t’i kthejë në realitet.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Është kjo Fjolla Morina, e cila shpërfaqet si një vajzë e lirshme dhe pa komplekse, që jepet për shoqërinë dhe miqtë e zemrës, e vendosur dhe e sigurt në synimet që i ka vënë vetes. E papërballueshme në skenat e nxehta dhe ndjellëse, padyshim bën për vete çdokënd që shijon pamjet me format e zbuluara dukshëm. Lajmet në formën e thashethemeve nuk i mungojnë as për shoqërinë që zgjedh e as për jetën që bën, ndaj më së shumti Fjolla ka preferuar të heshtë për jetën private.
E ndërsa po vijon të jetë në vëmendje të syve kureshtarë për atë që po sjell me klipet e saj, kjo gjë duket se nuk e pengon atë që të vijojë pa u ndalur me të tilla projekte.
Gjithnjë jeni në kërkim të këngëve të reja. ‘Hot’, “A don me ta thy”, “Fucking bitch”, ‘Kce tash’, “Boy”, “FB”, “Zemër s’po ta fal”, etj., ndezin debatin për shkak të teksteve, fabulës dhe versionit të videos, por edhe po bëjnë “boom” për audiencën tuaj në rritje. 
Këto kohë tregu muzikor është i mbushur me shumë këngëtarë, shumë rryma muzikore, shumë klipe dhe në mes të kësaj morie titujsh është e vështirë të gjesh se çfarë do publiku. Duhet një përkushtim shumë i madh dhe patjetër që duhet të bësh këngë të bukura. Kështu që formula ime është një këngë që të pëlqehet, publiku ta dëgjojë dhe ta shijojë gjatë.
Këngëtaret duhet të jenë atraktive e pse jo të bukura, sepse kështu i shërbejnë më mirë imazhit të tyre.
Vetëm pak ditë më parë, me Stresin keni publikuar një projekt të përbashkët. Kënga "Jena ba tym" karakterizohet me skena të nxehta e me shumë tym. 
Kjo këngë vjen si bashkëpunim me reperin nga Shqipëria Arkimend Lushaj (Stresi). Më pëlqen ky projekt, sepse u tregojmë të gjithëve që ne shfaqemi edhe me muzikë 'house'. Kjo këngë me vargje ironike ndaj kujtdo që do t’i djegë janë shkruar nga Threedots, ndërkaq video nga Imagine Films. Klipi është perfekt në çdo detaj. Me pak fjalë, jemi përpjekur të sjellim një këngë ndryshe e seksi dhe mendoj se ia kemi arritur.
Përgjithësisht në videoklipet e tua, dukesh që je tipi i këngëtares provokuese, që deri diku mund të jetë konsideruar e ekzagjeruar. 
Koncepti im i imazhit është “të jesh vetvetja”. Ky është stili im. Për këtë arsye edhe në videoklipe kam dashur të jem vetvetja. Është e vërtetë që në videoklip imazhi është më i ekzagjeruar, për është tjetër gjë nga pamja e përditshme, ku je disi më e kufizuar.
Përderisa unë ndjehem mirë me veten kur zhvishem, nuk më bezdisin sytë e të tjerëve që më shikojnë, ky fakt nuk ka se si të ndikojë tek unë. Unë përpiqem të jem sa më e këndshme, pasi mbi të gjitha dua veten time. Por, edhe nuk dua që pjesën time fizike ta imponoj si prioritet me publikun.
Duket sikur ka shumë “muzikëbërës” në Kosovë… A ka vend për të gjithë?
Talentët në kuptim të vokalit dhe stilit të të kënduarit mund të mos jenë profesionistë, por mund të jenë të suksesshëm. Ka raste të tilla kudo në botë. Secili ka individualitetin e tij që e dallon nga të tjerët dhe publiku zgjedh atë që i pëlqen të shohë apo ta dëgjojë…
A mendoni se publiku ka mendimin real për ju?
Sado që tingëllon si stereotip, do të dëshiroja që njerëzit të më vlerësonin për punën time. Ndonëse i kam hyrë muzikës që nga viti 2006, konsideroj që e meritoj vendim tim në botën e mediave në bazë të asaj që kam bërë. Nuk ka nevojë që dikush të më vlerësojë nëpërmjet trupit dhe dekoltesë.
Famë, para, kënaqësi shpirtërore...nëpër ç'rrugë ecet për të arritur këtu? 
Ndërsa në jetën time private gjërat i kam lënë të rrjedhin natyrshëm, në profesion i kam kërkuar pasi e kam ditur mirë çfarë dua. Por jo me bindjen se mjaft ta kërkoja dhe do të më jepej. Sepse unë s'e kam pasur kurrë problem dhe s'do ta kem asnjëherë të vihem në provë, të bëj audicione, gara. Kështu, kam kërkuar, më kanë vënë në provë...Kushedi se sa herë në fillimet e mia jam rrëzuar. Por kam kërkuar sërish dhe jam marrë në provë sërish ...
E zgjidh muzika nevojën për të jetuar, apo mjafton që zgjidh nevojën shpirtërore?
Muzika është hobi im dhe gjithë shpirti im. Natyrisht unë do të vazhdoj të investoj për të.
Sa ju ka ndihmuar dhe sa ju ka penguar seksipiliteti juaj natyral në jetë?
“Seksipiliteti” natyral me siguri nuk do të ishte i natyrshëm dhe jam plotësisht e vetëdijshme që po e përdor vetëm në mënyrë të vetëdijshme. Nuk e kam të lehtë të jetoj me këtë etiketë të “seks simbolit”. Nga ana tjetër, duhet patjetër të jem falënderuese që e posedoj këtë aftësi, sepse pikërisht falë kësaj kam tërhequr interesime të shumta si te meshkujt po ashtu edhe te femrat.
Në karrierën tuaj muzikore, ke ditur gjithmonë të eksperimentosh me pamjen dhe dukeni perfekte në këtë sesion fotosh, që duket se do të zgjojë jo pak kureshtje. 
Emri im është shumë i klikuar dhe për shkak të disa fotove që u përhapën me shpejtësi në botën virtuale. Fansat ishin shumë kuriozë për të parë fotot, ku shfaqem shumë provokuese dhe e nxehtë, sidomos në këtë sesion nga frymëzuesi i artit të fotografisë Arton Humolli, i cili ka rezultuar shumë sensual.
Të tjerë ju vlerësojnë për pamjen. Unë po guxoj të të pyes, se cili është defekti yt kryesor?
Edhe unë si të gjitha femrat nuk bëj përjashtim, jemi të lindur për t’i gjetur defekte vetes. Nuk po ia nis listës më mirë.
Sytë e tu joshin shumë fansa. Duke u nisur nga pamja që ke, ke bezdisje prej djemve?
Jo, bezdisje jo, por thjesht komplimente.
E keni gjetur njeriun e zemrës, apo prisni qe tjetërkush t’iu gjejë juve?
Unë thjesht preferoj më mirë të rri vetëm, sesa me dike që refuzon të më pranojë kështu siç jam. Nga personi i dashur pres dashuri të sinqertë dhe të pakusht. Jam nga ato femrat që zgjedhin. Shprehem me veprimet e mia. Nuk ka vlerë çfarë i them, por çfarë bëj unë për të.
Për ç’arsye, sipas mendimit tuaj, ka gjithnjë e më shumë meshkuj dhe vajza të vetmuara?
Nuk e di, mbase po i paguajnë këstet e kredive apo po angazhohen të fitojnë para, kështu që nuk kanë kohë për dashuri. Tek ne aktualisht është situatë e vështirë financiare dhe shumica mbase nuk martohen në mënyrë që nga një rast social t’i krijojnë dy.
Përse të gjitha vajzat e bukura kanë dashnorë të këqij?
Kush thotë që vajzat e bukura janë me dashnorë të këqij? Ja si ta thyejmë këtë lloj paragjykimi – unë jam vajzë e bukur dhe gjithmonë i kam pasur dashnorët më të mirë.
Çka duhet të ketë mashkulli juaj i zemrës? 
Çelësin e zemrës sime...Duhet që të më njohë mjaft mirë dhe të më dashurojë mu kështu siç edhe jam.
Ju person publik. A do të donit të jeni protagoniste edhe në çift? 
Në të vërtetë unë dua superioritetin mashkullor në një marrëdhënie. S'di pse është kështu. Ndoshta për hir të një kulture të ngulitur në nënvetëdije. Mendoj se mashkulli në krah të një femre duhet të jetë ai që ofron siguri.
Sa e rëndësishme është të qenit e rrethuar me dashuri?
Vetëm dashuria mund të na japë energjinë e pashtershme, të nevojshme për të zhdukur dëshpërimin.
Si i përjetoni dështimet dhe çfarë kuptimi kanë ato për ty?
Pengesat dhe vështirësitë mënjanohen kur kanë lindur pa shkak dhe nuk më cenojnë. Ndërsa, për synimet e mia, nuk njoh pengesa, pasi besoj se gjithçka realizohet, jo vetvetiu.
Nuk e njoh fjalën dështim. Për mua ekzistojnë vetëm mësimet në jetë.
Reagimi yt ndaj një shoku që të lë në baltë?
Vazhdoj jetën time duke harruar që kisha një shok.
Po ndaj një shoqe juaja ua merr shokun?
Kjo mund të ndodh vetëm nëse unë jam “në gjumë”, sepse në të kundërt, s’ka shanse. Do të ishte paaftësia ime!
Deri në ç'kufi e ruani privatësinë? 
Bëj jetë publike pak të tërhequr. Nuk shfaqem kudo, nuk shoqërohem me këdo. Për fatin tim të keq, duke qenë kaq e “fshehtë”, kureshtja është më e madhe dhe dëgjoj fjalë nga njerëzit e zakonshëm, miq madje edhe kolegë, që bëjnë supozime nga më të ndryshmet, madje të çuditshme për jetën time. Por asgjë nga këto nuk më shtyn të flas, përkundrazi, bindem më shumë për të mos e ndarë me njeri.
Thuhet se në mesin e këngëtareve ka shumë xhelozi. A kanë këngëtaret kompleks për shkakun tënd?
Fatkeqësisht, kanë, mirëpo kjo gjë mua vetëm mund të më imponohet.
Si reagoni kur dikush ju kritikon apo përpiqet t’ju sfidojë?
Sfidat më mobilizojnë. Herë pas here kemi nevojë të shkundemi nga monotonia që bëjmë apo jetojmë, ndaj unë eci me parimin që sfida dhe konkurrenca rrisin cilësitë dhe bëjnë diferencën.
Po ndaj të pavërtetave? Menjëherë, apo prisni që gjakrat të ulen pak?
Reagoj si luani i plagosur, e atëherë luanët janë më të rrezikshëm, apo jo? Atëherë nuk më punon koka?
Terapia juaj kundër stresit?
Stresin e luftoj me udhëtim kryesisht, sa më larg…Mendoj gjithnjë që koha larg vendit të stresit është mjeku më i mirë.
Sa aventuriere është Fjolla? 
I kam shumë qejf aventurat, më tërheqin shumë. Kam shumë qejf të marr makinën dhe të udhëtoj pa planifikuar asgjë.
Çfarë është për ju lumturia?
Thonë se nuk ka pyetje jo të mira, por vetëm përgjigje të gabuara. Kënaqësia dhe gëzimi për mua janë kur arrijmë diçka që dëshirojmë shumë, sado e thjeshtë qoftë apo sado kosto të kërkojë. Por përtej gëzimit dhe kënaqësisë, për mua lumturia nuk është diçka personale. Ajo merr kuptim vetëm kur përfshin dhe ndahet me njerëzit më të dashur.
Në ditët e pushimeve, kur dita nuk kalon e mbyllur në një studio muzikore ose kur nuk ke planifikuar ndonjë koncert, cili është përkushtimi i vetëm i juaji?
... është vajza ime, Lediana. Ajo tanimë është aq e rritur sa ta kuptojë se e ëma është e njohur dhe gëzon bashkë me të për çdo sukses. Ndonëse nuk jetoj me të, kemi një marrëdhënie më shumë shoqërore me njëra-tjetrën dhe kaloj çdo sekondë të lirë që kam, me të. /Telegrafi/
Foto: Arton Humolli

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)