2014-03-23

Tribunal Ndërkombëtar për Kosovën?


Tribunali për Kosovën do të hetojë krimet e luftës 1998-99 dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve e vrasjeve të dëshmitarëve në periudhën 2000-2001.
Prishtina
Në Kosovë ndër qarqet vendore dhe ndërkombëtare ka kohë që po diskutohet ideja për formimin e një tribunali ndërkombëtar për Kosovën, që do të funksionalizohej pas datës 14 qershor të këtij viti, kur pritet edhe transformimi i misionit të Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX. Tashmë mediat në Prishtinë kanë publikuar edhe pjesë të një drafti, ku thuhet se Tribunali do të ketë prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë dhe selia e tij do të jetë diku jashtë Kosovës. Ky Tribunal do të merrte përsipër siç thuhet, hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001.
Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt, pranon se, “tribunali i paralajmëruar për Krime të luftës për Kosovën do të jetë një proces i ndërlikuar”.
Bernd Borchardt
Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt
“Ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjinden kush i ka bërë këto dhe natyrisht duhet të dënohen. Sepse këto janë shumë të këqija për Kosovën dhe si të tilla duhet të pastrohen”, ka theksuar Bernd Borchardt.
Kosova ka kapacitete për të ndërtuar rend dhe ligj
Qeveria e Kosovës është në dijeni për idenë e krijimit të Tribunalit, por ajo vazhdon të këmbëngulë që Kosova ka kapacitete për të ndërtuar rend dhe ligj, duke mos anashkaluar edhe ndihmën e prokurorëve dhe gjykatësve të misionit EULEX për të zbardhur çdo krim të mundshëm. Kështu ka deklaruar zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i drejtësisë.
"Vazhdimisht kam thënë dhe po e përsëris se Kosova i ka kapacitetet e veta. Ka ndërtuar kapacitete për rend dhe ligj, njëkohësisht kemi gjyqtarë dhe prokurorë të Eulexit dhe në këtë drejtim jemi të gatshëm të sfidohemi me cilëndo të vërtetë në drejtësi. Nuk ka nevojë që asnjë drejtësi të sfidohet, apo të trajtohet jashtë vendit", ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Tribunali për Kosovën, dështim i misionit EULEX
Ndërkohë, njohësit e çështjeve juridike, nga ana e tyre, thonë se krijimi i një Tribunali ndërkombëtar për Kosovën me seli jashtë saj, do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar sistemi i drejtësisë. Ky Tribunal, sipas tyre, do të nënkuptonte edhe dështimin e misionit të EULEX-it, pasi që gjykatës e prokurorë ndërkombëtar kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi.
Dastid Pallaska, avokat njohës i çështjeve juridike, i tha DW-së se ai “nuk arrin ta kuptojë qëllimin e zhvendosjes së funksionit shtetëror të gjykimit të krimeve të luftës jashtë Kosovës”.
Dastid Pallaska
Dastid Pallaska, avokat, njohës i çështjeve juridike
“Nëse Kosova bart një pjesë të sovranitetit të saj te ndonjë organizatë ndërkombëtare për një funksion kaq të rëndësishëm shtetëror, atëherë vihet në pikëpyetje edhe vetë kapaciteti i Kosovës për të qenë shtet”, thotë Dastid Pallaska.
Sipas tij, ideja e themelimit të Tribunalit për Kosovën me seli jashtë Kosovës, “paraqet një shkallë të lartë të mosbesimit jo vetëm ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por edhe për vetë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare me mekanizmat e saj që kishte në Kosovë për të vendosur drejtësi”.
“Idenë e themelimit të Tribunalit do ta kuptoja, nëse do të paraqitej në vitin 1999, kur tensionet kanë qenë tejet të larta dhe ku kanë ekzistuar arsye të forta për të mosbesuar që kjo shoqëri është e gatshme për të gjykuar krimet e luftës, duke marrë parasysh që plagët e luftës kanë qenë shumë të freskëta. Mirëpo pas 15 vjetëve të krijohet një Tribunal i tillë, kjo ide nuk ka kurrfarë kuptimi dhe nuk besoj se do të jep ndonjë vlerë të shtuar”, thotë Dastid Pallaska.
Sidoqoftë debatet jashtë Kosovës për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën filluan qysh pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hetimet për këto raste të supozuara, po kryhen nga prokurori i ekipit hetues të EULEX-it, John Clint Williamson. Një javë më parë ëilliamson ishte në Prishtinë, ku takoi zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe ministrin e Rendit, Bajram Rexhepi. Zëdhënësi i prokurorit Williamsonit, Joao Sousa, tha për mediat lokale në Prishtinë se “puna hetimore ende vazhdon dhe se është herët të paragjykohet rezultati."

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...