Djegia e veprave të artit para 75 vjetësh


Deri sot nuk dihet, nëse aksioni ka ndodhur. Gati 5000 vepra të "artit dekadent" nga muzetë gjermane ranë gjoja pre e flakëve në 1939. Vepra të tjera u shitën jashtë vendit.
Goebbles në hapjen e ekspozitës Arti Dekadent, 1938
"Për asnjë tabllo nuk do të ketë mëshirë", shkruante ministri i propagandës së Rajhut, Joseph Goebbels, me 13 janar 1938 në ditarin e tij. Një fjali shkatërruese me pasoja shkatërrimtare. Gati një vit më vonë me 20 mars 1939 në Berlin u dogjën më shumë se 5000 vepra të "artit dekadent". Por deri sot nuk mund të dëshmohet, nëse aksioni është kryer me të vërtetë. Nuk ka pamje zyrtare nga djegiet, që ndryshe nga djegia e librave e vitit 1933, u bënë në fshehtësi. Edhe në ditatin e Goebbels-it nuk gjen të shkruar asgjë për këtë ditë.
Por historiania e artit Meike Hoffmann nga qendra kërkimore "Arti dekadent" i universitetit të lirë të Berlinit mendon ndryshe: "Ne besojmë se janë djegur, nazistët kanë qenë burokratë të mëdhenj, por ata nuk do të kishin mundur të fshihnin shfarosjen e urdhëruar të më shumë se 5000 veprave." Pastaj nga inventari i veprave, që do të shkatërroheshin, nuk ka gjurmë në dokumente apo në inventarët e koleksioneve. Rreth 20.000 vepra moderne arti u konfiskuan gjithsej nga nazistët.
Ekspozita "Arti dekadent" joshin dy milionë njerëz në muze
Në qershor 1937 Goebbels ngarkoi kryetarin e Dhomës së Rajhut për Artet Figurative, Adolf Ziegler, që të pastroheshin të gjitha muzetë nga "arti gjerman i degjeneruar". Në këtë kategori binin veprat e artistëve gjermanë, të krijuara pas vitit 1910", thotë Meike Hoffmann. "Çdo gjë, që cilësohej në atë kohë atëherë si art modern, u konfiskua", thotë Hoffmann.
Ziegler krijoi pastaj një komision, i cili në një aksion rrufe konfiskoi disa qindra vepra arti dhe i ekspozoi si "Art të degjeneruar". "Ju shikoni përreth nesh këto pjella të çmendurisë, të paturpësisë, të paaftësisë dhe degjenerimit. Të gjithë neve, kjo që na sheh syri, na shkakton tronditje dhe neveri." Me këto fjalë e pati hapur Ziegler me 19 korrik 1937 ekspozitën në ndërtesën e galerisë në Mynih Hofgarten. Ekspozita u kthye në magnet për publikun. Më shumë se dy milionë njerëz shkuan për ta parë.
Meike Hoffmann, historiane arti.
Meike Hoffmann, historiane arti.







Damkosja e artit modern
Me termin "art dekadent" propaganda naziste damkoste gjithçka, që nuk ishte në përputhje me idealin nazist për bukurinë. Ishin vepra të modernizmit, sidomos të ekspresionizmit gjerman. Piktura nga Emil Nolde, Kathe Kollwitz dhe skulptura të Ernst Barlach. Por edhe artistët ndërkombëtarë si Kandinsky, Chagall dhe Pikaso u bënë pre e kësaj fushate.
Suksesi i papritur i ekspozitës u bë shkak për një valë të dytë sekuestrimi. Ziegler duhej të konfiskonte në të gjitha muzetë "prodhimet, që kishin mbetur akoma nga koha e degjenerimit. Pas kësaj 19.500 vepra u larguan nga muzetë. "Rezistencë nuk pati thuajse fare", thotë historiania e artit, Anja Tiedemannm nga universiteti i Hamburgut, e cila ka bërë studime në lidhje me tregtarin nazist të veprave të artit Karl Buchholz. "Frika nga represionet ka qenë shumë e madhe."
Shitje për të marrë deviza
Katër nga tregtarët e veprave të artit të zgjedhur nga Ministria e Propagandës, Bernhard Bëhmer, Karl Buchholz, Ferdinand Mëller dhe Hildebrand Gurlitt, babai i Cornelius Gurlitt, u ngarkuan me shitjen e veprave të sekuestruara, për të përfituar valutë për regjimin nazist. "Por vetëm një pjesë relativisht e vogël përfundoi në arkat e luftës", thotë Hoffmann. Dikush, thotë ajo, kishte llogaritur një herë se me paratë mund të ishte blerë vetëm një tank.
Por shitja e vepra jashtë vendit pati një tjetër efekt anësor. Njëri prej katër tregtarëve të veprave të artit, Karl Buchholz, mundi që t'ia shiste rreth 650 vepra ish parnterit të tij në biznes, hebreut Curt Valentin, i cili kishte emigruar në SHBA: "Kështu emigranti hebre mundi t'i hapë vend modernes gjermane në kontinentin amerikanoverior", thotë Tiedemann. Hitleri me siguri që nuk e kishte menduar, që në një pjesë tjetër të botës ky lloj arti do të kthehej në "shooting-star" të salloneve të artit dhe muzeve.
Jepen për t'u zhdukur
Lista e veprave sekuestruara
Lista e veprave sekuestruara
Punët, që nuk mund të "ricikloheshin" në këtë mënyrë, ministri i propagandës Goebbels urdhëroi që të shkatërroheshin në vitin 1939. Ato ishin përfshirë me kujdes në lista. Referenti në sektorin e Arteve Figurative, Rolf Hetsch, i kishte dokumentuar me saktësi burokratike të gjitha veprat e "artit dekadent". "Megjithatë lista është ruajtur vetëm në fragmente dhe pjesë të saj mungojnë", thotë Meike Hoffmann.
Veprat, e menduara të zhdukura, shfaqen sërish
"Në inventarin e nazistëve të gjitha veprat, që duhej të shkatërroheshin, ishin shënuar me 'X'. Por ne kemi mundur t'i rigjejmë përsëri disa prej tyre", thotë Hoffmann.
Tregtarë veprash arti si Hildebrand Gurlitt i kanë "shpëtuar"veprat e tilla nga djegja, duke i blerë apo duke i fshehur në depot e tyre. Në vitin 2012 inspektorë tatimorë patën konfiskuar në banesën e Cornelius Gurlitt, të birit të Hildebrand Gurlitt në Mynih, rreth 1280 vepra arti. Prej tyre rreth 380 mund të cilësohen si vepra të "artit dekadent". Në veprat e zbuluara bën pjesë për shembull vepra me guash "Peisazh me kuaj" e Franz Marc. "Unë nuk pres që ne do të mund të zbulojmë përsëri një koleksion të kësaj shkalle, të paktën përsa i përket artit dekadent", thotë Meike Hoffmann. "Por ne nuk e kemi humbur shpresën, për të gjetur edhe vepra të tjera, që janë shënuar me X."

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)