GJND Hagë- Spastrimi etnik në Kroaci

Beogradi ka filluar me kundërpadinë ndaj Zagrebit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pohuar se forcat kroate synonin “spastrimin etnik” të zonave ku jetonin serbët në vitin 1995.

Ekipi Ligjor i Beogradit tha para Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë të enjten, se forcat e Zagrebit janë përpjekur që të dëbojnë sa më shumë serbë që është e mundur nga zona e Kroacisë gjatë operacionit “Stuhia” në gusht të vitit 1995, kur ata rikthyen territoret që mbaheshin nga serbët.

Sasha Obradoviq, kryesues i ekipit të Beogradit duke pohuar rastin për gjenocid kundër Zagrebit, tha se gjenerali kroat Ante Gotovina ishte takuar me Franjo Tugjmanin, presidentin e kohës së luftës, në ishujt Brione në fund të korrikut 1995 për të diskutuar rreth operacionit dhe i kishte thënë atij “ushtarët kroatë kanë arsye që të luftojnë këtu dhe në këtë moment është vështirë që ata të mbahen në zinxhir.”

“Tugjmani ishte i bindur për efektin psikologjik që të dëbohen sa më shumë civilë serbë që është e mundur”, – tha Obradoviq.
Objekti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Objekti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Ai tha se operacioni Stuhia, kishte rezultuar me dëbimin e më se 200,000 serbëve nga Kroacia dhe, kishte siguruar që “plani i Brioneve të jetë përmbushur”.

Obradoviq shtoi se Zagrebi kishte gënjyer për arsyet e eksodit të refugjatëve serbë: “Kroacia kishte bërë shumë përpjekje që të tregojë se refugjatët serbë ishin larguar për shumë arsye... kryesisht për shkak të kushteve të vështira të jetesës.”

Por në realitet, serbët “kishin braktisur shtëpitë e tyre nga frika për jetët e tyre”, vijoi shpjegimin kreu i ekipit ligjor serb.

Obradoviq tha se Kroacia ka kryer spastrim etnik gjatë disa fushatave ushtarake kundër forcave serbe: operacioni Maslenica në janar 1993, operacioni Medak Pocket në shtator 1993 dhe operacioni Flash në maj 1995.

Ai iu referua një incidenti të raportuar nga OJQ-ja e Beogradit “Veritas”, ku aeroplanët kroatë dhe tanket kishin sulmuar një kolonë me refugjatë serbë që po iknin në mes të Dvorit dhe Novi Gradit në gusht 1995.

“Sipas të dhënave të mbledhura nga “Veritas”, janë vrarë nëntë serbë, në mesin e tyre katër fëmijë dhe ka pasur disa dhjetëra të plagosur,” tha ai.

Gjatë pesë dëgjimeve të javës së shkuar, Zagrebi deklaroi se Serbia kishte kryer gjenocid gjatë konfliktit të viteve 1991-95, duke thënë se Beogradi dëshironte të zaptojë një të tretën e territorit kroat gjatë luftës së viteve të nëntëdhjeta dhe të dëbojë të gjithë kroatët.

Por Serbia, e cila pohoi se gjatë kësaj jave Kroacia nuk kishte arritur të sjellë dëshmi se ka pasur gjenocid, po shpalos tani kundër-padinë e saj, duke pretenduar gjenocidin nga ana e Kroacisë

Edhe Zagrebi, edhe Beogradi kanë shprehur besimin se do ta fitojnë rastin, por disa ekspertë kanë lënë të kuptohet se asnjëra palë nuk do të mund të vërtetojë gjenocidin. Këta ekspertë shfaqën brengën se procedura e gjykatës do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis këtyre dy fqinjëve.

Që prej themelimit të saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur vetëm një rast të gjenocidit – masakrën e Srebrenicës në Bosnjë të kryer në vitin 1995.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)