2014-03-19

Moda ballkanike e korrupsionit patriotik



Nga: PETRIT HALITI

Shkarkimi përfundimtar dhe i parevokueshëm i peshkopit Artemije më 4 maj, nga Sinodi i Kishës Ortodokse të Serbisë, me akuzat për korrupsion, nuk do të përbënte një rast për t’u ndalur, nëse do të ishte vetëm një fakt kronike të zezë në hierarkinë e një institucioni fetar të një shteti të huaj. Por rasti i peshkopit Artemije merr karakter sinjifikativ, sepse peshkopi i Dioqezës Ortodokse Serbe të Prizrenit, me seli në Graçanicë të Kosovës, është tipik për mashtrimin patriotik dhe kombëtar, me të cilin shpeshherë mbulohen në Ballkan korrupsionet e përmasave të mëdha.
Peshkopi u shkarkua me akuzat e një korrupsioni masiv, i cili kap miliona euro, dhe pas hetimeve që ndërmori policia serbe pas padisë penale të Kishës Ortodokse Serbe kundër peshkopit dhe njerëzve të tij të afërt. Si rezultat i këtij hetimi të hollësishëm disamujor, policia serbe arrestoi ish-sekretarin dhe njeriun më të besuar të peshkopit, murgun Simon Vilovski, i arratisur në Greqi, dhe një të besuar tjetër të peshkopit, Predrag Suboticki, në Beograd. Dy personat e besuar të peshkopit drejtonin kompaninë e ndërtimit "Rade Neimar", e cila fitonte tenderat e majmë të rindërtimit të kishave dhe të manastireve ortodokse serbe në Kosovë. Peshkopi Artemije ka qenë organizator kryesor i gjithë fushatës së zhurmshme ndërkombëtare për "shkatërrimin dhe dëmtimin e manastireve dhe kishave serbe në Kosovë nga shqiptarët", duke mashtruar me të dhënat dhe duke hiperbolizuar përmasat e dëmtimeve, dhe duke e ngritur faturën e rindërtimit në shifra astronomike. Fushata mbulohej me tonet e ethshme të devocionit fetar dhe patriotik, për të tërhequr milionat e eurove që vinin edhe nga donatorë, por edhe nga shteti serb. As donatorët e mjerë që dërgonin pa u menduar dy herë, paratë në Graçanicë, dhe as shteti serb, që akordonte me dorë të lirë paratë e taksapaguesve si fonde për dioqezën e Artemijes, nuk e dinin se fondet e mbledhura transformoheshin në një jetë luksoze për gjithë klanin e miqve të peshkopit. Nëpërmjet procedurave ilegale të tenderave, të ashtuquajturat rikonstruksione i merrte përsipër kompania e ndërtimit e murgut-sekretar të peshkopit, dhe kjo shndërrohej pastaj në mobilie të shtrenjta, në limuzina luksoze, në apartamente në Greqi, dhe një jetë përrallore për gjithë ekipin "fetar dhe patriotik" të peshkopit. Artemije e maskonte korrupsionin me fjalime dhe panegjirikë patriotikë. Patriotizmi duket është kostumi më i përshtatshëm për të veshur korrupsione në përmasa të mëdha që kapin miliona euro, dhe që akordohen për ndërtime e rikonstruksione nëpërmjet tenderave dhe kompanive të ndërtimit. Patriotizmi, jo vetëm tërheq fonde të mëdha, por përdoret njëlloj si mburojat mesjetare për të pritur çdo shigjetë akuze për korrupsion që mund të vijë nga njerëz, nga media dhe nga shoqëria civile, të cilëve u vjen keq kur shohin se si shpërdorohen paratë e taksapaguesve. Peshkopi Artemije ka qenë trumbetuesi më i madh i miteve patriotike serbe mbi Kosovën. Ai e ktheu përdorimin e miteve të rreme serbe mbi Kosovën në një profesion fetar dhe politik, tepër fitimprurës, sikurse tregojnë akuzat e korrupsionit që iu drejtuan atij në mbledhjet e Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe. Doli se Artemije nuk e kishte merakun as "te djepi apo te vatra e ortodoksisë apo e identitetit serb në Kosovë", e as te devocioni fetar i ringritjes së kishave dhe manastireve ortodokse serbe. Synimi ishte më tokësor dhe më i prekshëm, që nëpërmjet etheve dhe delirit fetar e patriotik, ai të siguronte sa më shumë fonde për jetën luksoze të tij dhe njerëzve të klanit të tij të besuar. Doli se ai ishte i rremë edhe si fetar, edhe si patriot, dhe ikona që i falej ishte paraja. Politika fetare dhe nacionaliste që ai ndoqi, ishte tensioni dhe konflikti në Kosovë, sepse i interesonte që mes popullit shqiptar dhe minoritetit serb të mos kishte as mirëkuptim e as bashkëjetesë. Kulmin e delirit fetar dhe nacionalist e arriti me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kur urdhëroi besimtarët të ndërpresin çdo kontakt me institucionet e qeverisë së Kosovës dhe me organizmat ndërkombëtare në Kosovë dhe ai kërcënoi me shkishërim çdo serb të Kosovës, që do të guxonte të mbante kontakte me autoritetet e Kosovës. Në aspektin diplomatik ka rëndësi për t'u vënë në dukje se peshkopi Artemije ka qenë ndër zërat kryesorë të përfaqësimit të serbëve të Kosovës në shumë institucione, zyra diplomatike dhe konferenca ndërkombëtare. Për fat të keq, fanatizmi dhe devocioni i tij i pavërtetë fetar e patriotik është marrë në konsideratë disa herë, në disa zyra të disa shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Misionet e tij fetaro-diplomatike disa herë kanë rezultuar të suksesshme edhe në sigurimin e fondeve të mëdha për projekte të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, që nga restaurimet, arsimimi e deri tek pakësimi i varfërisë. Veladoni fetar, i keqpërdorur nga peshkopi, jo pak herë është servirur në disa tryeza diplomatike si një dëshmi e pasigurisë, që gjoja përjeton minoriteti serb në Kosovë. Që peshkopi e kishte kaluar çdo kufi të misionit dhe të betimit të tij fetar, u detyrua ta pranonte edhe vetë Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, gjatë punimeve të të cilit Artemije u akuzua se kishte mistifikuar dhe politizuar kishën, se kishte krijuar grupe sektare ultraortodokse të besimtarëve, madje edhe me një kod të posaçëm veshjeje, sidomos në Kosovën Veriore. Në Sinod, ai u sulmua se kishte maskuar korrupsionin pas imazhit fals të "mbrojtjes së Kosovës dhe të ortodoksizmit".
Pas gjithë këtyre nuk mund të mos shtrohet pyetja: A nuk duhet vallë që të rishikojnë pozitën e tyre ato zyra diplomatike e shtetërore në disa shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, dhe i kanë pasur si argument diplomatik qëndrimet e peshkopit Artemije.
Në gjithë këtë mesele korrupsioni në përmasa të mëdha nuk mund të mos tërheqë vëmendjen një element. Këto mashtrime dhe afera korruptive kanë ndodhur në Kosovë, ku janë të vendosura institucione ndërkombëtare, si UNMIK-u dhe EULEX-i. EULEX-i ka në mandatin e vet, si një nga detyrat kryesore, hetimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo do të thotë se brenda objektit të tij të hetimit, bastisjes dhe shpënies para drejtësisë, hyjnë edhe veprimtaritë e kompanive të ndërtimit që rindërtojnë kishat dhe manastiret serbe, si kompania e klanit të peshkopit; hyjnë projektet e veprimtarive dixhitale apo edukuese, të akorduara nga shtete perëndimore, si dhe deri tek projektet e mensave të supës për të varfrit serbë.
Një nga preokupacionet kryesore të disa zyrave ndërkombëtare, gjatë gjithë odisesë së bisedimeve diplomatike ndërkombëtare për statusin e pavarur të Kosovës dhe për situatën në Kosovë, shqetësim i reflektuar edhe tek plani ndërkombëtar i ish- presidentit të nderuar finlandez, Marti Ahtisaari, ka qenë dhe është mbrojtja e objekteve fetare dhe kulturore serbe në Kosovë. EULEX-i dhe mekanizmat e tjera ndërkombëtare kanë vepruar drejt, që vazhdimisht janë përpjekur të japin garanci dhe siguri për funksionimin e kishave dhe manastireve ortodokse serbe. Çështje e rëndësishme është se EULEX-i duhet ta mbrojë kishën ortodokse serbe në Kosovë edhe nga korrupsioni. Sepse, ato miliona euro që ka keqpërdorur peshkopi Artemije dhe klani i tij, nëse do të kishin shkuar për nevojat e minoritetit serb në Kosovë, do t'ia kishin bërë atij edhe jetën më të lehte, edhe mirëkuptimin me shqiptarët më të shpejtë.
Fondamentalizmi fetar dhe patriotik i peshkopit Artemije ka mbuluar korrupsionin, dhe korrupsioni ka ushqyer atë fondamentalizëm fetar e nacionalist. Këto kanë qenë dhe janë fenomene në dritën e diellit në Kosovë, dhe kushdo mund t'i shohë. Mund t'i shihte edhe EULEX-i, që do të kishte dhënë një kontribut të ri duke e hetuar dhe luftuar korrupsionin në të gjitha institucionet zyrtare, politike dhe fetare në Kosovë, pavarësisht nga nacionaliteti që i përkasin.
Korrupsioni "patriotik" vërtet është i modës në Ballkan, por në shoqërinë e sotme demokratike, ai është po aq kriminal sa dhe krimi ordiner i rrugës. Qoftë institucionet ndërkombëtare, qoftë diplomacia ndërkombëtare, duhet të ndërgjegjësohen më shumë për rreziqet e këtij korrupsioni "patriotik" në Ballkan.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...