Ishin të pakët ata shqiptarë që pas Luftës Çlirimtare të UÇK’së "guxonin" të bënin dallimin midis NATO’s, ndërhyrjes së saj ushtarake, dhe UNMIK’ut. Mendimi se UNMIK’u ishte një mision miqësor dhe për të mirën e Kosovës ishte pothuajse absolut!! Ndonjë mendim ndryshe aty-këtu shihej o si "armiqësor" ndaj Kosovës, o si naiv e me përçmim. Politika nuk donte të kuptonte faktin dhe dallimin midis ndërhyrjes ushtarake të NATO’s dhe Rezolutës 1244, me të cilën erdhën UNMIK’u dhe KFOR’i. Dallimi midis ndrëhyrjes së NATO’s për mposhtjen e forcave serbe në Kosovë pa ndonjë rezolutë a vendim të OKB’së, nga njëra anë, dhe vendosjes së UNMIK’ut dhe KFOR’it, nga ana tjetër, ishte substancial. Ndërhyrja e NATO’s me aq nguti kishte për qëllim të pengonte një luftë të përgjithshme shqiptaro-serbe, që mund të shndërrohej edhe në një luftë ballkanike, por që do ta zgjidhte përfundimisht çështjen shqiptare (do ta ribashkonte Shqipërinë), kurse vendosja e UNMIK’ut dhe e KFOR’it kishte për qëllim themelor çarmatosjen-shpërbërjen e UÇK’së dhe vendosjen e njëfarë ekuilibri midis interesave shqiptare dhe atyre serbe në Kosovë!!
Shqiptarët nuk do të duhej ta fitonin qindë për qindë këtë luftë, ashtu siç nuk do të duhej as serbët ta humbnin qindë për qindë Kosovën!! Ky qëllim ose mision i UNMIK’ut dhe KFOR’it u "përfundua" (de jure) me Planin e Atisarit. Konkretizimi ose "finalizimi" i këtij plani edhe de fakto ishte i pamundur vetëm me UNMIK’un, sepse ky mision tashmë nuk ishte "miqësor" për shqiptarët, siç besohej naivisht në vitet e para! Për përmbushjen e plotë të projektit ndërkombëtar për Kosovën duhej edhe një mision "shtesë", që do të pagëzohej me emrin: EULEX! Ashtu si UNMIK’u, që çdo gjë e bënte për të "mirën" e Kosovës, edhe ky mision i BE’së u paraqit dhe u prit si një mision që nuk do të vinte gjumë në sy për ta bërë Kosovën shtet, në të cilin sundon ligji, rregulli, drejtësia dhe siguria për qytetarët e tij pa dallim!
Heu, çfarë gëzimi i madh!
Kokat e shqipatrëve u mbushën me iluzione për Kosovën e tyre të bukur! Politikanët i hapën menjëherë zemrën dhe derën këtij misioni shpëtimtar?! Mediat, të shkruara dhe elektronike, filluan t’u bien tamtameve të tyre pa pushim për këtë mision, që veç Kosova e pati fat ta kishte në tokën e saj! Politika dhe mediat natën e ditën, orë e çast, me kapacitete të plota, u angazhuan t’ua mbushnin mendjen qytetarëve (shqiptarëve) se UNMIK’u nuk na doli ashtu siç e kishim besuar dhe menduar, prandaj po thyen qafën (po largohet nga Kosova), por po na vjen EULEX’i, i cili nuk njeh interes tjetër veç këtij të Kosovës?!!
Lum e lum si ne, thoshin njerëzia! I rralli thoshte: "Paj, bre burra, nuk po e kuptoj pse po na duan kaq shumë bota. Një "kashore" Kosovë me e pas gjithë këtë fat"! "Po na duan, përgjigjeshin njëzëri burrat, sepse bota e ka kuptuar që na ka bërë shumë padrejtësi, pastaj bota po e shikon dhe kupton edhe vetë se sa popull paqësor dhe tolerant jemi.
Ne nuk i biem kujt në qafë". E të tjera naivitete ose budallallëqe si këto! Kështu që një ditë të bukur, ashtu siç e kishte përcaktuar edhe Plani i famshëm dhe famëkeq i Atisarit, Kosova u shpall "shtet i pavarur dhe Sovran" me një flamur-leckë dhe me një himn memec, si ai i Bosnjës!! Këto shenja (atribute) të shtetit, siç e thoshin me mburrje, më të ri në botë, tregonin qartë "bosnizimin" e Kosovës!!
Pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare çështje mbi çështjet tjera ishte çarmatosja dhe shpërbërja e UÇK’së, ndërsa pas shpalljes së Pavarësisë, çështje mbi çështjet tjera ishte shpërbërja e TMK’së!! Çfarë do të thotë kjo? Çarmatosja dhe shpërbërja e UÇK’së "garantoi" se Kosova nuk do t’i kthehet Shqipërisë, pastaj "garantoi" "krijimin" e Veriut dhe të shumë enklavave dhe strukturave shtetërore serbe, qëndrimin pa afat të UNMIK’ut dhe shtyrjen e pavrësimit të Kosovës. Ndërsa çarmatosja dhe shpërbërja e TMK’së "garantoi" zbatimin e plotë të Planit kobzi të Atisarit, qëndrimin e mëtejmë të UNMIK’ut në Kosovë dhe përforcimin e tij me EULEX’in dhe me Piter Faitin (ICO).
Prandaj, tash po tallen me ne si me ndonjë fis të harruar nga qytetërimi!! Njëri deklaron se kemi porositur armë të gjata për FSK, tjetri na porositi të durojmë edhe këto dy vjet dhe pastaj do të jetë qeveria e Kosovës ajo që do të vendosë për FSK’në, nëse do të jetë ushtri apo do ta ketë fatin e UÇK’së dhe të TMK’së?!
Të gjithë njëzëri e "recitojnë" refrenin e "bukur": "Pavarësia e Kosovës nuk ka kthim"! Demagogji dhe mashtrim i kulluar.
Disa muaj më vonë marrim vesh se armët e porositura për FSK-në po vonohen diku rrugës, nuk po e gjejnë rrugën për Kosovë!! Përgatitet "strategjia" për integrimin e Veriut dhe merr përkrahjen e "botës"?! Vetëm pak ditë e javë më vonë marrim vesh se kjo strategji nuk e ka përkrahjen e EULEX’it, sepse ky mision na qenka "neutral" ndaj pavarësisë së Kosovës dhe nuk po e dëgjoka Piter Faitin!
Interesant!!
Kur erdhi puna për ta sulmuar, dhunuar dhe poshtëruar Qeverinë dhe Kosovën, EULEX’i e dëgjoi Piter Faitin dhe është zotuar se kundër luftëtarëve të UÇK’së, kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës do të veprojë pa u luhatur!!
Vetëm kundër strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë, thonë ata të UNMIK-EULEX’it dhe fuqitë që qëndrojnë prapa tyre, nuk kemi mandat të ndërhyjmë!! Ato janë në mandatin e Serbisë, ne vetëm i ndihmojmë, thonë unmikeuleksët!!
"Strategjia" për Veriun nuk e paska as përkrahjen e KFOR-it, sepse ky qenka nënë "komandën" e UNMIK’ut, i cili qenka kundër pavarësisë së Kosovës!! E tëra kjo bëhej për të blerë kohë, sa të realizonin krijimin edhe të një Veriu të dytë në Anamoravë, ku po përpiqen t’i krijojnë katër komuna serbe (një rajon serb). Anamorava, sipas tyre, do t’i ketë tri komuna shqiptare dhe katër komuna serbe?!!
Më të "lavdëruarit" për këtë "sukses" në Anamoravë do të jenë Lutfi Haziri dhe Sadri Ferati.
Nuk do të mbeten pa u "lavdëruar" edhe kryetarët e komunave që pranuan dhe po e zbatojnë (në kundërshtim me interesat madhore të kombit) me zemërgjerësinë e altruistit Planin e Atisarit në Anamoravë, kurse përgjegjësia dhe marrja "kolektive" do t’i mbetet "grupit negociator", Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, Kryetarit dhe çdo partie a shoqate që e ka miratuar dhe mbështetur zbatimin e Planit të Atisarit në Kosovë. Krejt në fund, lajmi më i ri dhe më i hidhur për shqiptarët: "Përgatituni për bisedime të reja me Serbinë", thonë "miqtë" tanë!!
Këto do të jenë bisedime "teknike", thonë ata! Vërtetë ashtu është. Bisedimet politike dhe substanciale kanë përfunduar. Tash mbetet vetëm finalizimi i projektit: Krijimi i entitetit serb në Kosovë, që nënkupton kantonizimin-federalizimin ose rindarjen e Kosovës!! A do ta "hanë" shqiptarët? Dje lexova një titull të veçantë në një gazetë: "Fyle na e nguli edhe pak"! Fjala e popullit thotë: Me të lidhë dikush, të zgjidhë dikush. Por me e lidhë veten s’ka kush që të zgjidhë". Fatkeqësia është se Kosovës po ia "ngulin" të zgjedhurit e saj!!
Xh.B