Aktivistë pro-rusë, disa prej të cilëve të armatosur, kanë hyrë në një bazë detare të Ukrainës në qytetin Sevastopol të Krimesë.
Flamuj rusë janë parë duke valuar në ndërtesat e zyrave qendrore të marinës ukrainase.
Një zyrtar brenda bazës në Sevastapol i ka thënë BBC-së se rreth 200 aktivistë pro-rusë kanë thyer dyert dhe kanë kaluar brenda bazës duke shfrytëzuar një veturë të ambulancës.
Kjo vjen një ditë pasi që liderët e Krimesë nënshkruan një traktat me Rusinë që ti bashkojnë gadishullin e tyre Federatës Ruse pas një referendum të kontestuar.
Qeveria e Ukrainës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndër të tjerash, kanë thënë se nuk do të njohin këtë lëvizje.
Të hënën, ShBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë vënë sanksione për disa zyrtarë të Rusisë dhe Ukrainës të akuzuar për përfshirje në aksionet e Moskës në gadishullin e Detin të Zi.
Kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk ka tërhequr vërejtjen se kriza është duke u zhvendosur “nga mënyra politike tek mënyrat ushtarake dhe për këtë faji i takon ushtrisë ruse,” raporton CNN.
Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin në një fjalim që u përshëndet me duartrokitke të shumta në parlamentin rus, ka qenë i qartë duke thënë se Moska nuk do të heqë dorë nga Krimea, një gadishull që ka lidhje historike me Rusinë.
“Në zemrat tona, ne e dimë që Krimea gjithmonë ka qenë një pjesë e patjetërsueshme e Rusisë,” ka thënë ai.
Kriza në Ukrainë filloi nëntorin e kaluar, kur presidenti pro-rus Viktor Yanukobych hodhi poshtë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për të forcuar lidhjet me Moskën.
Ai u largua nga presidenca më 22 shkurt pas protestave në të cilat më shumë se 80 njerëz u vranë.
Më pastaj, njerëz pro-rusë të armatosur morën nën kontroll Krimenë, e cila ka qenë pjese e Ukrainës që nga viti 1854 dhe ka popullatë që dominohet nga rusët.
Në bazën e Sevastopolit të martën u vra një ushtarak ukrainas, ndërsa Ukraina urdhëroi forcat e saj që ta mbrojnë vetveten.