(Rasti
Janukoviç)
Në samitin e “Partneritetit Lindor” që i zhvilloi punimet në Vilnus, kryeqytet i
Lituanisë, më 28-29 nëntor 2013, Ukrainës iu propozua të nënshkruante
marrëveshjen e asocimit me Bashkimin Evropian. Por Presidenti i Ukrainës
Janukoviç nuk pranoi ta nënshkruante një marrëveshje të tillë, sepse theksin e
kishte vënë te domosdoshmëria e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me Rusinë
dhe me Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (ish-republikat sovjetike).
Kancelarja gjermane Anxhela Merkel, që
para fillimit të takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Samitin e
Vilnusit, kishte theksuar se ajo nuk priste që Kievi ta nënshkruante marrëveshjen
në këtë samit, por shpresonte se një gjë e tillë do të arrihej në të ardhmen.
Kurse Kryetari i Parlamentit Evropian Martin Shulc, deklaroi se diçka do të
ndryshonte në Ukrainë kur të zgjidhet një tjetër president dhe një tjetër
parlament.
Tashmë dihet që kundërshtimi i
Janukoviçit për nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, solli si pasojë tërmetin e
fortë politik të opozitës proevropiane në
Kiev që u shoqërua me rreth 100 viktima dhe qindra e qindra të plagosur dhe që
u mbyll me largimin e Janukoviçit nga pushteti dhe me përmbysjen e qeverisë së
tij.
Kur lexon jetëshkrimin e Janukoviçit
në internet në ukrainisht dhe në rusisht, rezulton se gjithçka përshkruhet me
ngjyrat e ylberit. Por tani, kur Janukoviçi ka përfunduar në një hiç njeri,
sipas përcaktimeve që i bën edhe elita e lartë politike e Kremlinit, dalin në
dritë ca gjëra të panjohura në jetëshkrimin e tij.
Ish-këshillëtarja dhe zëvendëskryetarja
e administratës së Janukoviçit, zonja Ana German (1959), në një intervistë
ekskluzive për agjencinë Le Monde, ka
zbuluar ca të fshehta nga jeta e Janukoviçit dhe nga koha e qeverisjes së tij
gjatë katër vjetëve të kaluara (që prej 09 shkurtit të vitit 2010 kur ai u
zgjodh president). Ajo deklaron:
“Presidenti Janukoviç vuante nga shumë
komplekse. Gjithçka pati nisur që në fëmijëri. Janukoviçi mbeti pa nënë, i ati
u martua përsëri, njerka sillej shumë keq me të dhe ai shkoi për të jetuar te
gjyshja. Përfundoi në rrugë, mes banditëve. Ra në burg, në fillim një vit, duke
qenë në moshë të mitur, pastaj përsëri në burg në moshë të rritur, tashmë për
punë sherresh. Si përfundim, ai gjithmonë pati synuar të vinte sa më shumë
pasuri dhe të merrte revanshin... Njerëzit që kanë qenë në burg nuk duhet të
marrin detyra që të ushtrojnë pushtet sepse kushtet e burgut thjesht e thyejnë
njeriun” (Citohet
sipas: Ana German. Nëse Janukoviçi është
gjallë, ka shumë mundësi që atë ta arrestojnë”. Marrë nga faqja e
internetit “liga.net”. 27 shkurt
2013).
Dhe revanshin Janukoviçi e mori: arriti
të bëhej president i Ukrainës. Dhe pasurinë e vuri kolosale.
Anders Aslund (1952), bashkëpunëtor
i vjetër shkencor i Institutit të Ekonomisë “Paterson”
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, specialist kryesor për ekonominë e
Ukrainës në Amerikë, ka lëshuar këtë deklaratë në gazetën angleze Financial Times:
“Gjatë katër vjetëve të
fundit, qëllimi i vetëm i Janukoviçit ishte pasurimi i familjes së vet dhe i
njerëzve të afërm. Sipas vlerësimeve të bëra, pasuria e familjes së tij arrin në
12 miliardë dollarë. Hapi i parë që duhet të ndërmerret është zbulimi dhe
ngrirja e aktiveve që familja e Janukoviçit dhe rrethi i tij i afërm ia kanë
grabitur popullit të Ukrainës. Kievi ka nevojë për një ndihmë energjike ndërkombëtare
për t’i gjetur dhe për t’i konfiskuar këto pasuri të grabitura. Ato mund ta përmirësojnë
në një mënyrë të konsiderueshme gjendjen financiare të Ukrainës” (Citohet sipas: “Janukoviçi
i ka vjedhur popullit të Ukrainës 12 miliardë dollarë, - eksperti amerikan”. Marrë
nga faqja e internetit “rupor.info”. 26
shkurt 2014).
Në intervistën e vet, zonja German
nxjerr në pah. edhe diçka interesante në
figurën e Janukoviçit: pavendosmërinë e tij karakteristike, si president i
vendit. Pavendosmëria është një e metë
fatale në veprimtarinë shtetërore të një udhëheqësi. Ajo është me pasoja të
pariparueshme, sidomos në çastet e kthesave vendimtare në jetën e një vendi.
Por duhet theksuar se pavendosmëria në raste të tilla duhet ta ketë burimin
gjetiu dhe si zor të pranohet që ajo të jetë vetëm një tipar i lindur në
formimin e karakterit të një udhëheqësi. Prandaj, nga sa deklaron zonja German,
e cila e ka njohur nga afër Janukoviçin, rezulton se ky paska qenë thjesht një
kukull në krye të Ukrainës, të cilën, në prapaskenë, e komandonte dikush tjetër.
Sipas fjalëve të zonjës German, pas
shtypjes së dhunshme të protestës së studentëve në Kiev më 30 nëntor 2013, fill
pas kthimit të Janukoviçit nga Vilnusi, ajo i bëri thirrje atij që t’i dënonte
dhunuesit e studentëve, duke vënë në lëvizje organet hetimore. Por Janukoviçi
nuk mori asnjë masë. Ajo deklaron:
“Janukoviçin
e mori në qafë pavendosmëria… Mua më duket se në ngjarjet që rrodhën më pas, qe
përzier një forcë e tretë. Unë nuk kam prova, po shpreh vetëm hamendje… Sa herë
që ne fillonim t’i mbushnim mendjen për diçka, binte zilja e telefonit dhe ne
duhej të largoheshim nga kabineti. Kur ne ktheheshim brenda, ai qe shndërruar
tashmë në një tjetër njeri” (po aty).
Vetë zonja German nuk e pranon
haptas, por kuptohet açik se cila na paska qenë ajo forca e tretë që qe përzier
në ngjarjet e Kievit dhe cili ishte ai njeriu misterioz që i telefononte
Janukoviçit pikërisht në çastet kur këshillëtarët e tij mundoheshin ta
kandisnin për të vepruar. Me sa duket, në administratën e Janukoviçit ka pasur
informatorë të Kremlinit, të cilët e vinin në dijeni menjëherë Putinin për
situatat “e sikletshme” që i krijonin kukullës së tij këshillëtarët që kishte
rreth e rrotull. Dhe në raste të tilla, domosdo, Putini ngrinte receptorin dhe
thërriste në raport Janukoviçin, i cili, për të qenë vetëm për vetëm me again e
Kremlinit në telefon, këshillëtarët e vet i përzinte nga kabineti.
Vetë zonja German shpreh zhgënjimin e
saj të thellë me figurën e Janukoviçit, pikërisht ato ditë kur nuk kishte ende
asnjë njoftim se ku ishte fshehur ai:
“Unë
nuk doja që ai të arratisej me njollën e turpit në ballë, unë doja që ai të
dilte i humbur me dinjitet… Nëse është gjallë, ka shumë mundësi që atë ta
arrestojnë. Vdekja do ta çlironte atë nga turpi” (po aty).
Ndërkohë, pasi u bë e njohur që
Janukoviçi ishte arratisur fshehurazi për në Rusi
dhe në mbrëmjen e 28 shkurtit kishte dhënë një konferencë shtypi në qytetin rus
Rostov mbi Don, nëpër faqet e internetit filluan të qarkullonin njoftime herë për
vdekjen e tij të papritur, herë për gjendjen e rëndë shëndetësore pas një
goditjeje në zemër. Me këtë rast, ish-Kryetari i Shërbimit të Sigurisë të
Ukrainës Ivan Smeshko deklaroi:
“Ish-presidenti
bëri shumë gabime dhe krime fatale. Gabimi më fatal ka qenë arratisja e tij për
në Rusi. Ai është mbartës i një informacioni kritik për bëmat e vërteta të
pushtetit suprem rus gjatë këtyre viteve në territorin e Ukrainës dhe për bashkëpunimin
e vërtetë në çështjet financiare dhe ekonomike. Mbartësi i një informacioni të
tillë nuk i duhet askujt kur ai fillon të thotë të vërtetën” (Citohet
sipas: Smeshko: tani nuk ka informacion të saktë nëse Janukoviçi është
gjallë”. Marrë nga faqja e internetit
“LB.ua”. 06 mars 2014).
Me sa duket, zoti Smeshko e zgjidhi enigmën që mundonte
zonjën Ana German se cila na qenkej ajo forca e tretë që ishte përzier në
ngjarjet e Kievit.
Por përveç këtyre të dhënave interesante të Ivan Smeshkos,
një tjetër informacion hedh edhe më shumë dritë mbi rolin prej kukulle të
Kremlinit që luante Janukoviçi në krye të shtetit të Ukrainës.
Pas arratisjes së tij nga Ukraina për në Rusi, njerëzia,
nga Sheshi Majdan i Kievit, u dyndën drejt Mezhigories ku ndodhej rezidenca e
Janukoviçit, në fshatin Novije Petrovci, 31
km larg nga Kievi. Mes shumë gjërave befasuese që gjetën aty, atyre u ra në dorë
edhe një bllok shënimesh i kreut të truprojës së Janukoviçit, me emrin
Konstantin Kobzar.
Nga faqet e atij ditari, del në dritë e vërteta për qëndrimin
e Janukoviçit ndaj zhvillimit të ngjarjeve në Kiev. Me këtë rast, mbështetur në
të dhënat e këtij blloku shënimesh, gazeta “Ukrainskaja
Pravda” shkruan:
“Çfarë e detyroi
Janukoviçin t’i hidhte zjarr benzinës dhe të provokonte acarimin e
protestuesve, pas të cilit ai mori tatëpjetën? Ai po ecte sipas skenarit të
Kremlinit, kurse rrugët e arratisjes së tij qenë parashikuar që disa muaj para
ngjarjeve të përgjakshme. Në dhjetëditëshin e parë të janarit, Janukoviçi pati
një takim të fshehtë me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë të cilit qenë përcaktuar
veprimet që duhej të ndërmerrnin autoritetet e Ukrainës që kishin për qëllim
shtypjen e plotë të protestave dhe aprovimin e ligjeve represive. Këto fakte
zbulohen në ditarin e drejtuesit të truprojës së Janukoviçit, ish-bashkëpunëtorit
të Drejtorisë Qëndrore të Zbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës,
Konstantin Kobzarit. Kobzari ishte jo vetëm drejtues i truprojës, por edhe
referent i Janukoviçit. Ai mbante shënim me hollësi të gjitha direktivat, si
edhe telefonatat e personave me ndikim të madh. Me porosi të shefit të tij,
Kozbzari merrte në dorëzim shuma kolosale parash, të cilat i përcilleshin
Janukoviçit si punë ryshfetesh. Për shërbimin me besnikëri ndaj shefit të vet,
Janukoviçi e pati graduar Kobzarin me një shpejtësi marramendëse: nga kapiten
në fund të vitit 2009, në gjeneralmajor në ditën e pavarësisë së Ukrainës në
vitin 2013. Takimi i fshehtë i Janukoviçit me Putinin, u zhvillua më 8 janar
2013, në rezidencën e presidentit rus në Valdaj (krahina e Novgododit që
shtrihet në jug të krahinës së Leningradit me kryeqendër Peterburgun - E.Y.). Për këtë takim të fshehtë, dëshmohet në ditarin e Kobzarit” (Citohet
sipas: “Takimi i fshehtë i Janukoviçit me
Putinin dhe sekrete të tjera”. Marrë nga faqja e internetit “charter97.org”. 11 mars 2014).
Pra, Putini, me ndihmën e kukullës së tij Janukoviç, vuri
në jetë skenarin e ngjarjeve të përgjakshme në Kiev, të cilat pastaj i
shfrytëzoi si vjegë për të futur trupat ruse në Krime, ku banorë rusë, të
orkestruar nga Kremlini, dilnin në protestë me pankarta në duar, ku shkruhej:
“Rusi, na mbro nga
gjenocidi që ushtrohet ndaj nesh”!!!
Mbi figurën e Janukoviçit, hedh dritë edhe një personalitet
i huaj, ish-presidenti i Polonisë Aleksandër
Kvasnjevski (1954) me dy mandate (1995-2005).
Në një intervistë që ka dhënë gjatë vizitës në Vilnus më 27
shkurt 2014, ai ka deklaruar:
“Njerëzit dolën në
Majdan për të protestuar sepse qenë zhgënjyer nga korrupsioni, nga qeverisja,
nga premtimet e pambajtura, nga niveli i ulët i politikës, nga mungesa e moralit
në politikë. Pa shikoni se çfarë rezidencash qenë zbuluar, dhe jo vetëm ajo e
Janukoviçit. Kur pashë rezidencën e ish kryeprokurorit Viktor Pshonka, ajo
ishte diçka jashtë imagjinatës” (Citohet sipas: Egle Samoshkajte
(intervistuese). “Kvasnjevski: ideja për
të tërhequr në qeveri përfaqësues të Majdanit, është e arsyeshme”. Marrë
nga faqja e internetit “ru.delfi.lt”. 27
shkurt 2014).
Në këtë intervistë, zoti Kvasnjevski zbulon edhe një tjetër
tipar në personin e Janukoviçit, mungesën e theksuar të karakterit të tij:
“Kemi kaluar së
bashku më shumë se 50 orë. Mund të them se është një figurë origjinale. Ai është
ithtar i dorës së fortë, i cili e mbante në grusht partinë e vet. Fatkeqësisht,
ai rezultoi i tillë njeri që nuk i kuptoi rregullat e lojës. Ai vazhdimisht
mashtronte, asnjëherë nuk e mbante fjalën dhe, më në fund, e humbi besimin jo
vetëm në Evropë, por edhe në Moskë. Arratisja e tij, gjithashtu, diçka do të
thotë. Besoj se ai e ka pas ndier që te Moska nuk mund të shpresojë më… Gabimin
e tij kryesor, për mendimin tim, e përbënte fakti që ai nuk ishte i aftë të
komunikonte me njerëzit normalisht” (po aty).
Siç rezulton nga faktet e sipërcituara, kushdo mund të
hamendësojë me plot të drejtë se Kremlini, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet
presidenciale në fund të vitit 2009 dhe në fillimin e vitit 2010, duhet të ketë
harxhuar shuma kolosale për të vendosur në krye të Ukrainës një
president-kukull, si puna e Janukoviçit. Vendosja e një presidenti të tillë në
krye të vendit ka patur për qëllim mbajtjen e Ukrainës sa më larg Evropës, për
ta pasur, ashtu si edhe Bjellorusinë, si një shtet “goditjezbutës” në rast të ndonjë acarimi të mundshëm afatgjatë me
Perëndimin. Përveç kësaj, interesat e Kremlinit e donin që një president i tillë
ta çonte Ukrainën drejt një varfërimi total, që ajo të katandisej në një
lypsare e rëndomtë “nëpër dyert” e Rusisë. Dhe, nënkutohet, një shtet lypsar
domosdo që do të zhvishet nga çdolloj vetvetësie kombëtare dhe ndjenjat
nacionaliste do të varrosen një herë e përgjithmonë. Një objektiv i tillë, qoftë
në planin taktik, qoftë në planin strategjik, për Kremlinin bëhej edhe më i
lehtë për t’u arritur, duke pasur në thes presidentin e vendit dhe,
automatikisht, edhe elitën qeverisëse. Por, në këtë jetë, praktika të mëson se
planet që ndërton një individ, një kolektiv, një njësi e caktuar administrative
apo edhe një shtet i tërë, jo gjithmonë ecin në shinat e paracaktuara. Sidomos
kur planet janë të gatuara me tharmin e djallëzisë dhe të pabesisë brenda. Si
në rastin e planeve të Kremlinit në raport me Kievin.
Me këtë rast duhet theksuar se ndërhyrja e Kremlinit për
zgjedhjen e Janukoviçit në postin e Presidentit të Ukrainës më 09 shkurt 2010,
nuk mbetet vetëm brenda kuadrit të hamendjeve. Fakti i mëposhtëm flet shkoqur
fare dhe pa asnjë mëdyshje se mjetet financiare të Kremlinit për një zgjedhje të
tillë duhet të kenë qenë kolosale dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë:
“Në mbrëmjen e së dielës (02
mars 2014 - E.Y.) kryeministri dhe
kryetarja e Këshillit të Federatës Ruse vlerësuan perspektivat e Viktor
Janukoviçit. Në fillim kryetarja e Këshillit të Federatës Valentina Matvijenko
deklaroi se Rusia nuk ka në plan “ta ulë në kolltuk” përsëri zotin Janukoviç” (Citohet
sipas: Ivan
Sinjergijev. “Autoritet zero”. Marrë
nga faqja e internetit “kommersant.ru”.
03 mars 2013).
Tani Janukoviçi dhe elita e tij e korruptuar deri në vesh,
u largua me turp nga skena politike e Ukrainës. Por sfidat për Ukrainën do të
jenë të rënda edhe në perspektivë. A është e sigurtë dhe a duhet të besojnë
njerëzit e thjeshtë të Ukrainës se pas zgjedhjeve presidenciale dhe
parlamentare, do të vijnë në pushtet përfaqësues të një klase politike me
dinjitet kombëtar që të dinë të qeverisin në atë mënyrë që jetesa e popullit të
vijë duke u përmirësuar vazhdimisht? Apo nga radhët e asaj klase politike do të
dalin në skenë të tjerë përbindësha, si puna e Janukoviçit apo e kryeprokurorit
Pshonka me kompani? Dyshimet nuk të lënë rehat. Është e vështirë të
parashikohet se çfarë do të ndodhë. Aq më tepër që Kremlini artin e korruptimit
të ekipit qeverisës në Ukrainë e ka përvetësuar deri në përsosmëri.
Me këtë rast, në mbështetje të dyshimeve të mia, dëshiroj që
lexuesve të nderuar t’u sjell në vëmendje një deklaratë fort kuptimplote të një
personaliteti të shquar të Ukrainës, zotit Dmitri
Vidrin (1949), politikan, politolog, publicist, këshilltar i katër
presidentëve, deputet i parlamentit i
sesionit të pestë:
Gjatë kohës që president i vendit ishte Viktor Jushenko
(1954), Dmitri Vedrini ka formuluar në një mënyrë kuptimplote thelbin e idesë
origjinale kombëtare të Ukrainës “së pavarur”:
“Tradhtia përbën atë
fundament mbi të cilin po qëndrojmë, mbi të cilin ne kemi ndërtuar jetëshkrimet,
karrierat, fatet tona dhe gjithçka tjetër. Ne kemi tradhtuar gjithçka. Ne kemi
bërë një betim dhe kemi puthur një flamur. Pastaj e kemi tradhtuar këtë betim
dhe këtë flamur, kemi filluar të puthim një tjetër flamur. Pothuajse të gjithë
udhëheqësit tanë kanë qenë ish-komunistë, të cilët bëtoheshin për disa ideale,
kurse mandej i patën mallkuar ato ideale, për të cilat qenë betuar. Nga gjithë
ky veprim tërësor, ku ka pasur mijëra tradhti të vogla, të mëdha dhe mesatare,
në thelb, erdhi e lindi ky vendi ynë. Erdhi e lindi politika ukrainase, erdhi e
lindi botëkuptimi dhe morali ynë” (Citohet sipas: “Kujtime të një njeriu naiv në hartën e
korrigjuar të qiellit. Janukoviçi nuk tradhtoi, atë e tradhtuan”. Marrë nga faqja e
internetit “russkiy malchik”. 27 shkurt 2014).
14 mars
2014