Si nisi lufta e 14 marsit 2001 në Kalanë e Tetovës


Si nisi lufta e 14 marsit 2001 në Kalanë e Tetovës - Teuta Kamberi-Llalla

































Nga Teuta Kamberi-Llalla


Ishte 13 Marsi i vitit 2001, kur tre grupe të U.Ç.Kombëtare me nga 11-12 veta u ngjitën rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike. Kjo Kala e ndërtuar nga Ilirët, stërgjyshërit tanë ka shërbyer si një qëndresë e pamposhtur gjatë sulmeve të pushtuesve të ndryshëm të tokës arbërore.
Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala dhe udhëhiqej nga Izair Samiu. Ndërsa grupi që udhëhiqej nga Daut Rexhepi-Leka, u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll. Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i udhëhequr nga Hasim Bajrami u përqendrua në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë Ilire të Tetovës. Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do të luante një rol të rëndësishëm. Këta tre grupe me nga 11-12 bijë të kombit shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 Marsi 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej deri në Evropë.
Atë paradite të 14 Marsit 2001, do të luftohej rreth 60 minuta kundër forcave ushtarake dhe policore sllavo-maqedonase të cilët lanë pas 15 makina të djegura, midis tyre edhe një kombi-bus. Të tmerruar nga dëmet e mëdha dhe humbjet në njerëz dhe mjete ushtarake vetëm në një orë luftime forcat ushtarake-policore pasdite filluan granatimet duke qëlluar nga distanca e largëta, nga qyteti i Tetovës. Frika e madhe që kaptoj radhët armike bëri që të mos qëllonin nga afërsia Kalanë, por nga qyteti duke shfrytëzuar si mur të gjallë shqiptarët. Këto luftime të ashpra të rifilluara pasdite zgjatën deri vonë në mesnatë. Jehona e luftimeve bëri që trimave të Kalasë siç njihen ata 30 burra që nisën luftën më 14 Marsit tu bashkëngjiten dhjetëra djem e vajza shqiptare duke veshur uniformën e UÇK për bashkimin kombëtar me mëmën Shqipëri. Në zemrat dhe mendjet e tyre ekzistonte vetëm një dëshirë, një mendim, luftë kundër pushtuesve të tokave shqiptare, për të çliruar njëherë e përgjithmonë, për tu bashkuar me trungun amë.
Në të gdhirë të 15 Marsit filluan luftime shumë të ashpra, forcave armike u kishin ardhur në ndihmë mijëra ushtarë dhe policë nga anë të ndryshme të Maqedonisë. I gjithë arsenali ushtarak-policorë i Republikës FYROM ishte përqendruar në Tetovë dhe rrethinat e saj. Qëllimi dhe urdhri që kishin marrë këto forca me armatim të rëndë ishte që me çdo kusht të merrej Kalaja e Tetovës, por djemtë e shqipes krenare kishin vendosur që mos të dorëzoheshin. Ata ishin betuar se do të vdisnin në emër të Flamurit Shqiptar, në emër të Bashkimit Kombëtar. Atë ditë, kur dielli kishte dalë mbi mal dhe hëna ishte fshehur mbi re, ra heroikisht dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Servet Ferati nga fshati Llacë. Djali që ju përgjigj thirrjes për liri do të mbetet përgjithmonë në Kalanë e Tetovës si simboli i mbrojtjes së tokës arbërore. Trupi i tij u varros me nderime ushtarake nga pjesëtarët e UÇK.
Për 6 muaj në pjesën më të madhe të Maqedonisë që banohen nga shqiptarët etnik pati luftime ndërmjet UÇK dhe ushtrisë së Republikës së FYROM-it. Në të njëjtën kohë politikanët evropian dhe amerikan ishin vënë në lëvizje për të arritur një kompromis paqësor midis palëve, pasi shqiptarët që tashmë kishin ushtrinë e tyre po i tregonin botës se të bashkuar, bashkë si një trup i vetëm, për të mbrojtur çdo gjë kombëtare duke sakrifikuar edhe jetën e tyre. Nuk kishte ushtri kundërshtare që mund tu bënte ballë.
Pas shumë kohë bisedimesh palët u ulën në tryezë më 13 Gusht 2001, nënshkruan Marrëveshjen Paqësore të Ohrit ku shqiptarët e Maqedonisë do të gëzonin të drejta të barabarta me sllavo-maqedonasit. Por, edhe pas kaq vitesh që nga nënshkrimi i marrëveshjes asnjë e drejtë nuk është realizuar. Sot gjuha shqipe nuk gjen përdorimin e gjerë dhe vendin që i takon, flamuri kombëtar ndalohet të përdoret, injorohen figurat kombëtare, mirëpo më e keqja është se qindra ish-ushtarë të UÇK janë të burgosur pa faj duke ju montuar akuza të pabaza. Për fat të keq shumica e ish-drejtuesve të UÇK që sot kanë veshur kostumin e politikanit dhe të qeveritarit heshtin para keqtrajtimeve që po ju bëhen ish-bashkëluftëtarëve të tyre. Familjet e dëshmorëve janë katandisur në një mjerim të plotë, pa asnjë ndihmë humanitare dhe përkrahje sociale si nga ana e pushtetit republikan ashtu edhe nga ana morale që mund tu ofronin ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK. Në të njëjtën kohë pala kundërshtare e konfliktit të 2001, ish-branitellat kanë vite që janë rehabilituar duke gëzuar çdo privilegj si punësim, pension e deri në diplomimin e tyre në Universitetin Shtetëror të Tetovës pa paguar asnjë detyrim në të holla. 
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit shqiptarëve ju shtuan edhe më shumë keqtrajtimet dhe vrasjet nga ana e strukturave shtetërore siç janë rasti i Sopotit, rasti i Kondovës, vrasja e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, Brodeci, vrasjet enigme të Harun Aliut dhe Shaban Zenun, rasti Mostra, rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobusë, helmimi i nxënësve shqiptar në Gostivar etj.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit