2014-03-15

REXHEP SHAHU : QYTETI I HIJEVE (Cikel poetik)





Një mijë vjet që pres

         (poemë)



Që kur ike ti
Qyteti në mbrëmje është i shkretë
Si në karantinë kolere.

***
Nga dritarja e botës në majë të Pikllimës
Shoh mos po vjen.

Ka një mijë vjet që pres në dritare.

Sa herë vishen xhamet e kohës me avull
Me gishtat e sosur vizatoj portretin tend.
                               
***
Retë që kanë marrë flakë atje në muzg
Ku po mbytet dielli
Janë flokët e tu.

***
Ai yll që po vjen fluturim drejt dritares time
Ta ka marrë ty dritën e syve për me pa udhën,
Me ardhë tek unë
Në këtë natë të zezë ku ëndërrat po çmenden.

Mos i çel sytë pa mbërri ai yll, mos,
Se ndryshe ylli ka me mbetë në terr,
Ka me ra në hon me gjithë dritë
E s’gjendet më i gjallë.

Mos i çel sytë pa ndjerë puthjen e tyre
Nga buzët e mia,
Se mbetesh pa dritën e syve
E s’ka kush mi bën dritë udhës
Time nëpër natë
Me mbërri tek ti.

***
E dëgjoj trishtimin e hapave tu
Kur kalon rrugës
Si vajtim i vjetër i zemrës së tokës,
E shoh qiellin e vrantë të ëndrrave tua
Dhe buzëqeshjen tënde që pi lotë.

E kuptoj çfarë thonë gjethet e rëna,
Që lëvizin me nderim për ty
Me të përshëndetë
Kur u kalon pranë.

***
Kam harruar si qan shiu në xhama,
Kam kohë që nuk di të lexoj
Çfarë shkruajnë a vizatojnë për fatin tim,
Pikat e tij tek rrjedhin me shqetësim
Dhe ngulmojnë të më thonë diçka për veten time të humbur.

Kam kohë që nuk ndalem pranë gjethes që loton,
As pranë gjethes së rënë e të shkelur që vajton fatin e saj
Dhe i fshihet erës të mos e trazojë,
Siç i fshihem unë vetes sime se nuk guxoj ta shoh në sy.

Kam harruar t’i gëzohem vallëzimit të shiut në liqen,
Kam harruar të vallëzoj nën ritmin e tij,
Kam harruar ta takoj veten time edhe pse kam shumë nevojë
Për të, qoftë edhe të vallëzoj një tango të sertë me veten.

Kam kohë pa trazuar muzgun e flokëve të tu,
Pa përkëdhelë gjinjtë e tu që fryhen kur i puth e shtërngoj,
Kam kohë pa provuar drithërimën e trupit tënd si gjeth
Në ujë, kur të puth dhe loz me gjuhë në qafën tënde.

Kam kohë pa qarë për një zog këmbëthyer,
Pa e ndihmuar për ta shëruar,
Kam harruar aromën e puthjes së tyre,
Të merrem me vetën time kam harruar.

***
Zbrit nga maja e dhimbjes së botës,
Kam hapë krahët e të pres me mall,
Zbrit e më ndihmo ta gjej veten time
Ta shoh veten, nëse është gjallë.

***
Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me pasionet, përfytyrimet e mia të çmendura.
Në dejet e tua rrjedh gjaku i ëndrrave të mia,
Në sytë e tu, në të gjithën ty, është shpirti im i trazuar
Që ta dhashë ty, të jetoj unë.

Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me të qeshurën dhe harenë time,
Me vrazhdësinë time lënduese dhe heshtjen,
Me nxitimin dhe ngutjen time të qortueshme,
Me padurimin tim me të pa çdo çast,
Me vuajtjen time të rëndë,
Pse çastet e mungesës tënde janë të gjata.

Ti je kaq e bukur,
Sa është shpresa e botës,
Sa shpresa e të verbërit për sy,
Sa shpresa e jetimit se do të takojë prindërit,
Sa shpresa e fëmijës se s’do t’i ndahen prindërit,
Sa shpresa e zogjve për t’ia dalë mbi det.

Je kaq e bukur,
Sa nuk e thotë fjala e gjuhës së njeriut,
Më e bukur se malli i fortë i nënës për djalin në luftë,
Më e fortë se malli i buzës për puthje,
Se malli i gruas për tu përqafuar e mbështetë në gji,
Se malli i gjethit për shi a tokës për ujë,
Se malli që tregon loti kur rrëshqet në sy.

Ti je kaq e bukur, o zot kaq e bukur,
Më e bukur se pritja,
Më e bukur se ardhja,
Je kaq e bukur sa të shiton me të pa.
 
***
Lejoje diellin zemër të derdhet në ty,
Të shihet në ty, të mburret me ty.
Mos u fshih në hije, mos u bëj hije,
Ti qesh me hare, lumturohet dielli si unë
Nga e qeshura jote prej dielli.
Le të lozin rrezet e tij me flokët e tua,
Le të ngatërrohen rrezet e diellit aty, 
Le të mbetet dielli balonë në qiell me litarët rreze,
Lidhur e ngatërruar në flokët e tu.

Lejoje shiun zemër të rrjedhë nëpër ty
Në fytyrën tënde, në qafë e në shpirt
Ku unë të puth, rrëzë veshit ku të pëshpëris
Se je më e bukur se mendimi i bukur.
Të rrjedhë nëpër gjinjtë e tu që kallen nxehtësisë
Prej mallit për duart e mia të mëdha.
Qesh sa mundesh në shi, lëshoja sytë qiellit
Bëja me dorë zotit, këndo nëse mundesh
Me melodinë e shiut, mbush grushtin me kristale,
Janë lot malli, beso, mall i qiellit për token,
Malli im për ty.

Lejoje erën të lozë me ty zemër,
Të t’i marrë flokët në hava,
Të t’i ngjeshë teshat për trupi,
Të knaqet me format e trupit tend,
Të knaqet te përkëdhelë gjinjtë e tu,
Të ta ngrejë fustanin lart mbi gju,
Ta mendosh se është përqafimi im i shpejtë,
Kur ti dëshiron të jetë i ngadaltë.
Lëre erën të këndojë këngën e saj,
Në mundsh vallëzo me të, fluturo,
Hip në krahët e saj dhe eja në mua.
Nga pritja jam bërë gur.
 


Më ka marrë malli  
          
           (poemë)

Më ka marrë malli për ty
Si për detin ku mbyten mendimet e mia,
Për valët e tij që lazdrohen në breg
Dhe shkruajnë ëndrra në rërë.
Dallgët nervoze godasin shkëmbin me ngulm
(sa herë më bije me grushte ijeve
më thoje i lig, i lig, se s’të lija të flije
e unë bija në tokë duke qeshë…)

Më ka marrë malli me qeshë e me heshtë,
Me paqtue botën në sytë e tu,
Me e vu kokën në supin tend,
Me heshtë aty me lot në sy,
Me e marrë dorën tënde në dorë,
Me u ngrohë, me marrë prej teje
Gjithë ç’i duhet zemrës time,
Me shpëtue prej zhurmave,
Me u mbushë me qetësi.

* * *
S’kam tjetër veç fjalës
Veç puthjes e heshtjes
Veç ngutjes.

***
U binda se të pëlqejnë dhe i mbron insektet e vogla,
Se nuk më le ta mbysja milingonën që ngjitej gotës time,
Tek digjnim me cigare dhe fjalë heshtjen fjalamane
Dhe shuanim zjarrin e ëndrrave që na digjte sytë.

Unë u binda se ti je diamant, jo gur që troshitesh lehtë
Në honet e mungesës që copton njerinë
Dhe një mijë copa të të bluajë deshpërimi
Ti prapë krenare lufton për lirinë.

Unë u binda se udha ty kurrë nuk të mund,
Nuk të lodh qëllimin fisnik ta mbërrish,
U binda nga ti për një të vërtetë të thjeshtë
Fitohet çdo betejë në jetë, qëllimin veç ta dish.

* * *
Nuk di ta spjegoj pse të dua, siç nuk di
Pse trëndafili ka aq petale sa ka,
Siç nuk di pse shiu ka aq shumë pika
Dhe derdhet në atë mënyrë nga qielli,
Siç s’di ku vlon loti që del i nxehtë,
Pse bora e ka lulen aq të bukur,
Siç nuk di pse ka ditë dhe natë,
Pse ditën nuk i shohim yjet,
Pse deti fle ndonjëherë dhe lumi s’fle kurrë.
Nuk di ta spjegoj pse të dua,
Siç nuk di pse ecim me këmbë e jo me duar,
Pse zogjtë fluturojnë në qiell dhe nuk ecin me këmbë atje,
Pse njerzit nuk fluturojnë edhe pse kanë krahë.

Lulet e fjalëve i merr era
Mos harro : të dua.
 
 ***
Malli për ty u bë si deti që pi lumenjtë e s’ngopet,
Si qielli i natës terr që s’i mjaftojnë yjet për dritë,
Si sytë e të verbërit që nuk ia di ngjyrën diellit,
Malli për ty u bë breg ku nxjerr dufin dallga,
Pritje që rri varë, gjeth që kalbet, udhë e braktisur
Që vajton mungesën e hapave e të hijeve
Buzë shkrumb për buzë si brigjet për urë.

Malli për ty më bën gjinkallë vere
Që plas prej këngës a vajit të vet.

 ***
Të dielën tek vrapoje nëpër det përmbi dallgë
Dridhesha nga frika e lumturohesha me ty.
Njëherë më bëheshe shpend i bardhë, njëherë i zi,
Pastaj bëheshe zemër, pastaj perendi.
Të pashë si i vije këmbët fluturake
Mbi supet e dallgëve te dallga tjetër,
Si nga njëri mal mbi malin tjetër,
Të pashë si kacavirreshe nëpër shpatet e thikta
Të dallgëve dhe s’bije në humnerën mes tyre,
Të pashë si lidheshe në rrezet e diellit,
Që përthyhej në supet dhe shpatet e maleve të dallgëve
Rrezet e diellit që laheshin në det, qeshnin bashkë me ty
Nga bregu më bëhej se rrezet dilnin prej syve të tu.
Të pashë që u kape fort në fijet e ëndrrave tona
U mbështolle me to dhe ma bëre me dorë që larg
Më thirre, më prit se mbërrita, më prit, mos ik
Ku të ikja unë, kur caku i ikjes dhe mbërritjes time je ti.

Zbërtheva brinjët në gjoks
Më lehtë se më zbërthen t’i kopsat e këmishës
Dhe prita plot ankth aty në breg të detit.
Duke qeshë hyre në vendin tënd në të majtë të tij
U nisa drejt fushës me ty në gji.

***
Si ta them verën sivjet,
si ta shkruaj verën pa ty?! 

 ***
Në gjithë ditët e heshtjes tënde 
Jam zgjua pa bletë, fole pa zogj,
Gëzhojë e ndryshkur predhe
Harruar në fushë nga lufta e fundit.

Buzët më mbetën në gojën tënde,
Duart në gjinjtë e tu kur më shkulën prej teje
Dhe më hodhën tej
Si zog pa krahë, pa gjoks, pa zemër.

***
Gjithë kohën që desha me të harrue,
U bëre mendimi im i çdo çasti.

Mungesa jote është e papërballueshme
Frika kur jam pa ty
Është fati i vetëm i keq që më ndjek.

* * *
Nuk e di çfarë shkruajnë sot rrezet e diellit në tokë,
Ç’mesazhe dielli lanë në fytyrën tënde e flokët e tu,
Ç’fjalë dielli sollën për ty.

* * *
Nuk e lexoj dot çfarë shkruhet në hapsirën bosh
Ku derdhet shikimi i syve tu,
Nuk di ta vizatoj veten në fushën e mungesës
Në shikimin tënd të turbullt,
Por di ta fotografoj çastin kur më le pa frymë,
Përfytyrimi se të kam pranë,
Çastin kur zgjat duart të më prekësh
Dhe shtangesh se nuk ke pranë as ajër…

* * *
Ti jë bërë ëndrra ime
A unë ëndrra jote, nuk di
Veç di se u bë kohë
Që s’ka ëndërr pa ty.
 
***
Mos më ler të fle,
Mos më ler të fle gjatë se kam frikë se nuk zgjohem më,
Dhe qaj e ulëras në ëndërr për ty,
Ulëras sa dridhet dheu kur s’të kam pranë,
Shpërthej si vullkan, bëj mal të ri
E jo më s’po hedh tej dy metër kub dhe që më hidhni përmbi,

Mos më ler të fle gjatë
Nuk mundem pa ty.

***
Gjithë ç’kisha për të thënë
I shkrova në diell.
Vështroje diellin në mundsh
Dhe lexoji në flakë fjalët e mia
Para se të bëhen shkrumb.

Fjalët që doja të thoja ty
I shkrova në qiell.
Retë e bardha a të murme janë njolla boje
I derdha nga idhnimi
Në letrën që ta shkrova ty,
Por ti plotësoji mendimet e mia,
Nëse s’ke harruar të jesh unë.

Gjithë ëndrrat që thura me ty
I derdha në pikat e shiut
E në flokët e borës
Të çelin lule në tokë,
Lotët i derdha në lumë
Për te deti i dhimbjes ku ti qesh,
Përqafon me deshpërim ujin mos jam aty,
Më sheh në pikat e ujit që mbeten në ty
Dhe kot më kërkon me sy nëpër det.

* * *
Ndërsa të pres në mëngjes
Me frymën e ngrohtë që ngrin sa e nxjerr,
Vizatoj fytyrën tënde në ajrin e ftohtë,
Vizatoj buzët, mjekrën, sytë.

E sa përkulem të vizatoj gushën
Sërish më duhet të t’i puth sytë.

***
Ëndrrat e mia i ruan qielli.
Një dorë e padukshme atje,
I shkruan në kujtesën e zogjve dhe yjeve.

Këtë ma thonë shpesh pikat e vjetra të shiut
Kur më bëjnë qull.
Ma thonë flokët e serta të borës
Dhe fishkëllima e erës kur statujën ma ngrijnë,
Udhëve të shkreta ku s’ka fëmijë të luajnë
Rreth njeriut prej bore të nxirë.

Ma thonë yjet e shuar                                      
Sa herë i vizitoj
Te varret.

Ëndrrat e mia një ditë
Do të çelin lule në tokë.

Por unë                                                                                                                                   
Do të jem bërë ëndrra jote.



Bulevardi i mbretit

Në qytetin tim jam sa hala e një pishe
Në bulevardin e madh që ndërtoi mbreti
Në kundërshtim me ata që s’e donin të madh
Bulevardin e të nesërmës së tyre të vogël.

Në qytetin tim, jam sa jehona e emrit tim të parë
Që me dhunë e për interes të parët ma ndërruan
Që unë të mbetëm me kokën pas nga emri im i parë
Dhe të mos shoh ku vë këmbën në udhën e të nesërmës.

Në qytetin tim piskama e minareve dhe meloditë e
këmbanave
Nuk më thonë asgjë, s’janë meloditë e shpirtit tim,
Nuk janë thirrjet e zemrës së tokës time, të malit tim
Të cilëve nëna ime u falet dhe u bën kurban.

Në qytetin tim gjurmët nuk shkruhen thellë në tokë
Që të mos i fshijë mbivendosja e gjurmëve të reja.
Në qytetin tim fshihet përditë dërrasa e zezë
Dhe shkrimi tretet ajrit në thërmija të pambledhshme.

Në qytetin tim gomari vihet para kalit dhe tërheq karrocën
Liliputët bëjnë hatanë urrejnë Guliverin
Sakatët rendin me vrap të jenë kudo të parët
Dhe urrejnë të shëndoshët pse nuk janë sakatë.

Në qytetin tim qiellin e bëjnë dysheme, e shtrojnë në rrugë,
Shkelin nëpër të. Toka dysheme përdoret si tavan a qiell.



Nga të shkoj



Ty po të pyes, nga të shkoj
Në këtë kryqëzim të frikshëm, më thuaj, nga të shkoj.

Dita kullon gjak para syve të mi
Në udhë matrapazët *
Tërheqin për flokësh nënat e tyre,
I zhveshin lakuriq, i ngrehin zvarrë në sheshe.

Nata e zezë vret pas shpinës time nga ana tjetër.

Në të djathtë duhet të shkel mbi veten time që jep shpirt,
Në të majtën time pushkatohen ëndrra dhe gra.
Ty askund nuk të shoh!

Më thuaj nga të shkoj në këtë kryqëzim të frikshëm,

Ose merre atë kryq udhësh e ma vë në gjoks,
Ta shohin ata që do të vijnë nesër
Dhe të dinë nga të shkojnë.

*Fjala “matrapaz”, sipas Eqerem Çabejt, vjen nga fjala perse mader bazë, që do të thotë, ai që shet nënën.




Parada e kufomave


Në paradën e sivjetme shkëlqeu parakalimi i kufomave
Lakuriqe, sup më sup, miq, armiq, kurva, vrasës e të vrarë
Pranga mbërthyer, kyçe prangash në duar
Brinjë e kafkëthyer, me dhëmbë e pa dhëmbë floriri.
Faraoni i vdekur me Zonjën në këmbë i prin solemnitetit
Mizëri eshtrash, përplasje putrash në bulevard.

Byroja politike gjithë shend pret urdhërin
E Faraonit që t’i vrasë prapë. Zonja e Zezë
Ruan harmoninë e të rivrarëve që duhet të jenë bashkë.
Kur Kuadrati më i rëndë i skeleteve i afrohet tribunës
Dridhet Faraoni, Arma e pafjetur e Dhunës së Shtetit
Flakëron kundër të gjithëve dhe vetvetes.


Vetja ime e çmendur më thotë

Vetja ime e çmendur më thotë
Mos më ndiq kot, lermë të shijoj lirinë e munguar,
Më ke ndrydhur një jetë. Lermë se
Do të bëj të gjitha gjërat që ke dashur t’i bësh ti e s’i ke bërë
Do t’i këpus prangat e moralit falls që të ka mbajtë lidhur,
Do të mësoj të qeshësh pa frikë, të fërshëllesh sa do,
Ta derdhësh të qeshurën tënde hokatare në bulevard,
Ta thuash gjithmonë të vërtetën, le të dalë ujë nga ajo,
Të mos mbetesh si gjarpëri nën gur,
Të mos gënjesh as para vdekjes, të vdesësh i bukur,
Të mos mbetesh rob i askujt, as i shëmtive tua,
T’i thuash mosmirënjohjes, mos t’i pafsha sytë,
Ik prej botës time, kolerë e njerzimit. Me emrat që kanë
T’i thërrasësh gjithë të kallaisurit, hajdut e kopukë gërdhu,
Të skuqen para teje. As Presidenti s’vjen nga planeti Mars,
Që të rëndojë mbi shpatullat e tua, deputeti, ministri
Nuk janë me frymë hyjnore,
Kujtova preshin sa herë të mos u kujtohet!
Vetja ime e çmendur më thotë
Bota s’është e ikanakëve, por e qëndrestarëve që s’pajtohen
Me dhunën, që duan pa frikë, çelin lule edhe mes acarit,
Preja hundët krekosjes së sigurimsave që kullosin
Tufën e bashkëpunëtorëve të tyre të vobektë,
Për të ruajtë frikën dhe dy breza njerzorë pas vetes,
Frikën dhe gjithë pasuritë e vendit
Që i vodhën kur u shemb diktatura.
Lëri lakuriq snobët që turpërohen për nënën e tyre,
Që e çojnë të vdesë në azile,
Që duan më shumë qentë se jetimët,
Hidhe në erë kujtimin e Faraonit dhe të piramidës së tij
Mes qytetit, të kullojë e liga dhe të shuhet shpresa spiune
Për varrin në themele.
Detyroi mediat të mos përqyrren nga kurvëritë e Byrosë Politike,
Por të vajtojnë qëndresën e burgosur që lëpinte
Kockat që hidhnin xhelatët në kanalin e ujrave të zeza,
Që hante morrat e vet të mos vdiste!
Nxirri në shesh me dhunë Përdhunuesit,
Të nderojnë monumentin e At Zef Pëllumbit,
Të gjithë hajnat- minj zyrash suvatoi me mut,
Bëji përmendore muti mu në mes të sheshit,
Deri sa të binden të gjithë se nuk është i pazoti
Ai që punon ndershëm në zyrat e shtetit.


Trishtimi yt

Kulm mbi Dri trishtimi i syve tu.

A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
Mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?)

A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha,
Të fjetur, të trembur
A nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura,
Buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave
Që më kalojnë pranë,
Çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin,
Sikur flasin e sikur qeshin,
Por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
Duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
Gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë).

A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
Që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
Kurrë hënë në sy, yje përmbi.

Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
Se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë
Me mjaullima macesh të pafuqi
Sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe.

Kurvat që më kalojnë pranë,
(disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
Më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
Mbretëresha të virtytit dhe nderit.

Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
Edhe ato që kanë shkuar me to
Edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.

Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
Ta plasin publikisht se i ke palluar.

Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
Edhe pse më sheh mes burrave kurva
Me ligësinë e tyre pa kufi,
Po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
Se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
E të marrin erzin.

Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
Trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
Pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
Si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual.

Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
Derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
Nga zyra në zyrë, nga selia në seli
Merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes.


Çfarë të bëj me veten

Çfarë mund të bëj me veten, hijen time shtrirë në tokë,
Që duket e s’duket, por e shkelin të gjithë
Me këpucët ku është ngjitë muti.
Çfarë mund të bëj tani kur gjethet bien
Jo nga vjeshta a dimri,
Por nga dhimbja që ther në palcë të trungut
Dhe i flak era si shpirtra të vdekur.
Çfarë të bëj me buzët e mia që nuk qeshin,
Me sytë e mi që nuk shohin asgjë.
Hëna rri e fikur si në faj, dielli fshihet qiejve si tradhëtar.

Çfarë të bëj unë me shpresën e plagosur,
Që e mbaj në shpinë,
Ku ta lëshoj për pak t’ia pastroj fytyrën buzë burimit,
T’ia heq baltën fytyrës kur e kanë zhgërryer,
T’ia mëkoj plagët kur e kanë kafshuar,
Kur e kanë puthë kafshërisht dhe përdhunuar.

Çfarë të bëj unë me kujtimin tënd,
mungesën që më ther në palcë,
Tokën e shkretë ku krojet pa ujë tmerrojnë,
Ku s’mbin fije bari e s’ka shenjë jete,
Ku s’këndon qyqe, as gjinkallë.

Çfarë të bëj këtu vetëm me vdekjen në mes të fushës,
Të luftosh në luftë, e kotë thotë ajo
Njëlloj të jetosh si mes të gjallëve, mes të vdekurve.
Çfarë të bëj, më thuaj!
Teksa gjethet bien dhe i flak dhunshëm era e çmendur,
Dashuritë vriten nga frika e humbjes,
S’ka varrezë dashurie në këtë qytet.
Vrasja duartrokitet në tribuna, salla e sheshe
Kalërojnë kuajt e inatit dhe urrejtjes,
Tërheqin zvarrë kufomat e ëndrrave të mia të bukura,
Kufomën ende me shpirt të shpresave të përdhunuara
Nën ritmin e ulërimave që çmendin zhgënjimin tim
Tek shoh si vrasin njëri – tjetrin ata që fitojnë humbjet
Dhe kalërojnë kuajt e urrejtjes drejt humnerave të harrimit
Duke sharë me loçkë të shpirtit diellin.

Ti ishe det e unë gjithmonë i mbytur në ty
Në këtë qytet kaosi, që thith ajër urrejtje
Dhe gjithmonë më përzë
Me bandat e tij të hajnave, kurvave dhe maderbazëve
Mua endacakun e përjetshëm,
Që s’di nga të shkoj e ku të thej qafën.




A do t’i shesim varret


Kur të mos kemi ç’të shesim më nga stolitë tona,
Kur edhe trupat tanë në treg mos kenë më vlerë,
As trupat e vajzave tona yje, as grave tona diej,
As burrave tanë që përmirësojnë racat e tjera,
Do të shesim varret tona.

Kur prapë të mos kemi ç’të shesim më,
Shesim të gjitha përmendoret e ngritura
E të pangritura ende,
Permendoret e turpit dhe të lavdisë,
Përmendoret e tradhëtarëve dhe të heronjve
Që ende s’e dimë cili është hero e cili tradhëtar,
Shesim përmendoret e diktatorëve,
Dhe të atyre që ju vjen turp të jenë patriot,
Të atyre që bëhen altoporlantë të armiqve tanë
Përmendoret e frikës sonë madhështore në shëmti
Të ankthit tonë, të hijeve tona,
Përmendoret e spiunëve, ngjizës të frikës,
Të atyre që as me vdekjen e tyre nuk i shërbejnë atdheut,
Përmendoret e ikjeve, tkurrjeve, mundjeve tona,
Të kurvave që shpallen mis ndershmëria,
Të burrave kurva, mosmirënjohësve, sërvilëve, besëprerëve,
Përmendoret e atyre që shplojnë varret
Përmendoret e njeriut të ri duke ngrënë bar.

Do t’i shesim të gjitha këngët, gojëdhënat, legjendat sublime,
Trutë tona do t’i shesim taze për meze qensh,
Kafkat tona për kupa supe.
Sa shijon supa në kupa kafke!

Nëse prapë s’kemi ç’të shesim më
Do të shesim gjithë eshtrat e varreve tona
Eshtra pa fund, male me eshtra,
Miniera më e madhe në vend, ku bashkë me të huajt
Prehen vendasit, bashkë me heronjtë gjenden
Tradhëtarët, viktima e xhelatë duarpërgjakur,
Pranë pafajsisë së ndrojtur, zgërdhihen mëkatarët.


Vetëm halat i kanë mbetë atdheut tim


(E. Hemingueit)

Unë jam Entony Quin i pamposhtur,
Dashnor i çmendur i jetës,
Jam Heminguei i dëshpëruar, midis zotave, zot i njerëzve
Që shkruan me rrufe historinë e botës.

Atdheu im është peshku që ma shqyen peshkaqentë,
Të pangopur me mishin e bardhë të atdheut,
Të pangopur me gjakun e tij që skuq detin
Madërbazët në tokë, peshkaqenët në det
E pinë gjakun e tij për venë.

Vetëm halat i kanë mbetë atdheut!
Luftoj me dëshpërimin tim ta nxjerr
Të pacoptuar në breg të lirisë, po mishi shkoi
Dallgëve të luftës, pjesë-pjesë, madërbazët në breg
Me hala kruajnë dhëmbët e ndryshkur.




Pikturë e varur në mur

Shpesh më duket vetja qese e harruar mbeturinash
Të hedhura jashtë kazanit
Që nuk i merr as makina e plehrave
Dhe neverit njerzit që e shohin.

Shpesh ndjehem pikturë e pakuptimtë varur në mur galerie,
Përgojuar nga sy që bëjnë sikur dinë të më kuptojnë
A lexojnë nga gojë mashtruese
Që u shpjegojnë të dashurave përmbajtjen time,
Për t’u dukë të dijshëm e me kulturë gënjejnë të dashurat,
Gënjejnë e mashtrojnë fëmijët e tyre duke u shitë siç s’janë,
Ndërkohë që s’më kuptojnë dhe as sytë s’duan të mi hedhin,
Se në mua të varur në mur
Lexojnë si në pasqyrë shtirjen e tyre.

Shpesh më duket vetja qen i fyer
Që burra snobë më shëtisin me frikë

Udhëve të qytetit se mos ua kujton ndonjë i njohur i fshatit
Se ishin çobanë dhensh në fshat para pak vitesh,
Që të mos u thotë ndokush në bulevard ke të fala nga fshati,
Që të mos i thotë ndokush ç’e ke këtë zagar,
Kur ke në fshat alamet qen stani që e ke lënë zgjidhë,
Që të mos fërshëllejë ndokush në bulevard
Dhe trembet fshatari,
Se mos qeni i tij i stanit fluturon për tek i zoti për t’i dalë zot.

Qen i fyer ndihem, se s’më lënë të jem qen
Gratë e vajzat snobe të dëshpëruara
Që s’bëhen dot shpejt elitë e qytetit,
Që vuajnë më shumë mungesën e vëmendjes
Se sa të dashurisë,
Edhe pse kanë pafund pasuri të dyshimta, por jo dashuri,
Më mbajnë në krahë, më lidhin zinxhirë të shtrenjtë në qafë,
Më puthin e përkëdhelin në rrugë, në kafene,
Bëjnë ndonjëherë edhe seks me mua në divan,
Ndërkohë që gjithë kohës më përkëdhelin bolet
Dhe më kushtojnë mua më shumë dashuri se fëmijëve
A prindërve të tyre që jetojnë braktisjen dhe harrimin.



Atentat ndaj atdheut

Zoti President,
Poeti Qabban kish frikë nga qentë e Sulltanit
Që ia shqyenin rrobat,
Nga inkuizitorët që i silleshin rreth bythës
Dhe i shkroi Madhërisë për frikën e tij.

Unë, edhe pse s’jam arabi Qabban
Po guxoj të të shkruaj ty
Në pamundësi t’i shkruaj Zotit
Pasi e kam shfronësuar atë
Dhe e derdha tek çdo njeri.
Atributet për të bërë drejtësi ua dhashë njerzve
Gjykatës që cakton ti zoti President.

Na ndihmo të ketë fuqi gjykata, o Njeri,
Të zbatohet vendimi i gjykatës
Para se të ikin të gjithë
Dhe ta lënë atdheun si kullosë dhensh!



Vajtim për ish – burgosurit politik


Si korba sqepuam përditë,
Ua sosëm zemra e mushkëri.

Tash po ua thithim palcën e kockave
E shojet e këpucëve të burgut,
Gjë tjetër s’u ka mbetë.



Parada e fëmijëve të palindur

Armata e fëmijëve të vrarë, të paemër
Vjen nga kazanët e plehërave, nga gjirizet, kanalet e zeza.

Njerzit e ndershëm të qytetit të hijeve
Vetshpallen të virgjër.

Ditënatë tymojnë klinikat e vdekjes, shtohen
Parukeritë ku shëmtohet bukuria, pafajësia
Qep vaginën, lind krimi i moralshëm, helm trëndafili,
Përgjithmonë paguan jeta kamatën e shtirjes.

Qyteti fëmijëvrasës hesht. Dridhet. Nuk merr frymë
Nën plehra, mizëri pastruesish
Nuk e lajnë dot ndotjen e Shpirtit.

Mbretërisë së plastikës të palindurit kërkojnë më kot
Rob e zot me kohë kanë vdekur.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...