2013-07-08

migena portret
              Migena Arllati



migena 2
“Lindur për t’u bërë mjek” – monografi, botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2012.



Monografi për engjëllin kujdestar të shëndetit dhe njeriun e bardhë

halil
nga:  Halil  Haxhosaj
Pas veprës me poezi “Mendime në kornizë”, autorja Migena Arllati, botoi edhe veprën “Lindur për t’u bërë mjek”, monografi për Dr. Rifat Lilën. Kjo vepër ka një qasje tjetër prej asaj me poezi, që në një mënyrë shpërfaq jetën dhe veprën e mjekut të njohur gjakovar, Dr. Rifatit i cili është i çmuar, i nderuar dhe i respektuar për të gjithë gjakovarët për të mirat, kujdesin dhe interesimin që ka treguar, për ata që i kishte, por edhe që i ka ende pacientë. Mbi këtë sintagmë, Migena Arllati, e shkruan këtë monografi, e cili është e pajisur edhe me dokumente të ndryshme faktografike dhe të tjera. Të gjitha këto janë pjesë tejet interesante në njërën anë, për veprën, si dhe janë plotësi të duhura në anën tjetër. Kështu figura, imazhi dhe pasqyrimi i jetës dhe veprës së Dr. Rifat Lilës, shënuar në analet monografike personale në njërën anë, por edhe të përgjithshme e kolektive, në anën tjetër, del e plotë dhe interesante.

Aspekte nga Aktiviteti

fot mig1       migena 3

Vepra monografike “Lindur për t’u bërë mjek” për Dr. Rifat Lilën e shkruar nga Migena Arllati, hapet me vargjet përkushtuese të poetit të njohur Din Mehmeti, që ia kushtoi këtij mjeku, mik i tij, në poezinë me titull metaforik “Njeriu i bardhë”. Poeti në këtë poezi, Dr. Rifatin e simbolizon me bardhësinë, me shpresën e jetës, vetëtimën, flakadanin e ndërgjegjes, sepse:
Vjen si vetëtimë njeriu i bardhë
duke çarë terrin e mllefosur
me flakadanin e ndërgjegjes
dhe sjell shpresën e tretur të jetës.
Fjalëve m’u jep gaz
jetës këngë
pranverës blerim
qiellit dritë.
Ndërkaq shkrimtari, veprimtari dhe njeriu patriot i paepur, Murteza Xajë Nura, për të shprehet:
Dr. Rifat Lila, i emancipuar në qytetari prezente, i devotshëm, ku në çdo situatë ka mrekulluar me vepra të njerëzishme, është personalitet me energji të palodhshme, të cilën gjithmonë e mbajti në nivel. E kam më shumë se mik, doktor të gatshëm në çdo moment të familjes …”.
Përveç këtyre dy mendimeve për veprën e këtij njeriu të mirë, të bardhë, engjëll, të mrekullueshëm e bamirës, janë shpërfaqur edhe shumë e shumë mendime dhe vlerësime të tjera, të cilat autorja e monografisë, i ka shënuar në vepër, duke i renditur në vend të caktuar dhe të merituar, në kapitullin e tetë “Kolegët për Dr. Rifatin”. Sido që të jetë, figura e jetës dhe e veprës së Dr. Rifat Lilës në ketë vepër mbarështohet kujdesshëm, duke lëvizur dhe duke u skalitur nëpër të gjitha hallkat e zinxhirit të jetës dhe veprës së tij nga lindja e deri në ditët e sotme, ngase ai ende jeton dhe punon në Gjakovë, si mjek tashmë i pensionuar.
Tërësia e veprës strukturoret në nëntë kapituj që janë hallka të zinxhirit të jetës së Dr. Rifat Lilës. Strukturimi i këtillë bëhet nëpër fazat që pasojnë njëra-tjetrën në mënyrë të sistemuar dhe të rangëzuar nëpër vargëzimin strukturor dhe logjik. Kështu ndërtohet koncepti i veprës, i cili e bën atë të tillë dhe të kapshme, jo vetëm për lexuesin, por edhe për të tjerët. Andaj kjo monografi rangëzohet në tipin e shkrimit dokumentaro – fejtonistik dhe luan rolin e një vepre letrare të llojit të prozës.
Sistematizimi i kapitujve bëhet nëpër këto hallka ranguese: 1. Familja, 2. Fëmijëria – shkollimi, 3. Studenti – rinia, 4. Mjeku i diplomuar, karriera, 5. Instituti i mjekësisë së punës, 6. Mosha e artë – pensionimi, 7. Pjesëmarrje pafund … 8. Kolegët për Dr. Rifatin dhe 9. Mirënjohje e nderime ndër vite. Këtij rangëzimi i prin Prologu dhe e përmbyll Epilogu si forma të shkrimit të qëndrimit të autores së monografisë. Në secilin kapitull përshkruhen momentet më interesante dhe më karakteristike të jetës dhe veprimtarisë së Dr. Rifat Lilës, namit, kujdesit, mundit dhe sakrificës së tij me mantel të bardhë veshur. Duke i përshkruar të gjitha këto karakteristika, personazhi i monografisë, pra Dr. Rifati, bëhet figurë qendrore dhe shumë e njohur e interesante, jo vetëm për të shkruar për të, por edhe si figurë që ka prestigj dhe mirënjohje edhe morale për punën dhe kontributin që ka dhënë, e pse jo edhe që e jep. Të gjitha momentet e shpërfaqura në monografi nga autorja Migena Arllati, jo vetëm që sqarohen mirë dhe përmbajtësisht, por ilustrohen, përmbushën dhe pasurohen me fakte që janë fotografi, shkrime gazetash e revistash, dokumente, diploma, çmime, mirënjohje e të tjera. Bile, ky element kurorëzohet me sukses në kapitullin e nëntë “Mirënjohje, e nderime ndër vite”, ku janë paraqitur më se 26 fotografi të mirënjohjeve, çmimeve, intervistave, plaketave, lajmeve të gazetave e formave të tjera të punës së Dr. Rifat Lilës si mjek, humanist, veprimtar dhe njeri i dashur për punën në profesionin e mantelbardhit.
Sipas mënyrës së mbarështimit të lëndës del sheshit se kjo monografi shpalos momente të jetës së Dr. Rifatit, që ishin të panjohura për shumëkënd. Ato tashmë dalin sheshit dhe me sukses e shpalosin këtë anë të jetës së tij. Vetëm kështu shpalosja e këtyre elementeve sqaron se personazhi për të cilën shkruhet është jo vetëm mjeku me mantel të bardhë, por ai është edhe Primarius dhe Profesor asistent Dr. Rifat Lila që mban edhe këtë gradë shkencore të profesionit. Pasqyrimi i jetës së tij bëhet në mënyrë kronologjike që nga fëmijëria, familja, shkollimi, studimet, rinia, ahengjet, aspiratat, hobet, shoqëria e deri tek jeta familjare dhe shoqërore, por edhe ajo e kohës së luftës së fundit në Kosovë dhe në Gjakovë, që kishte pësuar dhimbje të mëdha. Nëpër të gjitha këto nivele, krajata dhe lakesa, ka kaluar personazhi i monografisë Dr. Rifat Lila.
Autorja e monografisë, Migena Arllati, për qëllimin, për hezitimet, për qasjet dhe për të gjitha ato që kanë shtyrë të shkruaj këtë libër, ndër të tjera thotë:
Doktor Rifatin e kam njohur ende pa e takuar. Do të thoni, juve, si? Epo njerëz jemi dhe sëmuremi, ndaj edhe emrin e tij për herë të parë e dëgjova në një familje ku kishin pasur një të sëmurë …”.
Ky është një shpalim qëllimmirë i autores për ta paraqitur që në fillim të veprës madhështinë, popullaritetin, humanizmin, por edhe aftësinë profesionale të personit, për të cilin do të shkruaj monografinë.
Dr. Rifat Lila bëhet njëri shumë i kërkuar, pse jo edhe shpëtimtar për të sëmurët e Gjakovës dhe më gjerë. Ata që donin ta gjenin dhe ta kërkonin ndihmën e tij prej mjeku, e takonin në vendpunimin e tij të përhershëm, trupshkurtër, por tejet të zhdërvjelltë, të veshur me mantelin e bardhë dhe steteskopin rreth qafe, u vinte në ndihmë të gjithë atyre që kishin nevojë, madje me një buzëqeshje të përhershme. Kjo figurë e këtij mjeku vjen gjithnjë duke u latuar, përsosur dhe shtruar në mendjen dhe nevojat e popullatës së Gjakovës. Ai identifikohet me engjëllin, shpëtimtarin dhe personin tek i cili gjenin jo vetëm prehjen, por edhe sadisfaksionin. Të gjitha këto i kishte të trashëguara  nga familja e tij dhe nga prindërit Xhevdet dhe Sanije Lila. Ata farkuan me edukimin e tyre, te Rifati, vetëm mirësinë, respektin, dashurinë ndaj punës dhe njeriut. Dhe nuk gabuan sepse, ai ua përsosi, ua ngriti, ua farkoi dhe ua sendërtoi në jetë këto qëllime edukuese dhe u bë personaliteti me emër e mbiemër, Dr. Rifat Lila. Kjo mund të ilustrohet me shumë fakte, por në një artikull gazete për këtë personalitet shkruhet: “Dr. Rifat Lilën e njohin jo vetëm punonjësit e Kombinatit të pambukut “Emin Duraku”, ku ai punon, por edhe gjakovarët e tjerë, si mjek të palodhshëm dhe të papërtueshëm. Nga ambulanca e kombinatit apo nga ato të kolektiveve të tjera kurrënjëherë nuk janë kthyer pacientët pa fjalët e ëmbla dhe udhëzimet për shërim, të cilat ua jep ky mjek”.
Autorja e veprës monografike “Lindur për t’u bërë mjek” e ka shtrirë lëndën nëpër të gjitha hallkat jetësore të këtij personaliteti dhe e ka kurorëzuar mirë e më sukses. Kuptohet se ka pasur punë dhe mund të madh, por fatmirësisht është kurorëzuar dhe ia ka dalë mbanë, që paraqet një shpagim artistik e virtuoz. Andaj, ajo e ka parasysh mendimin se shumë më vështirë është të shkruhen vepra për personalitete që ende janë gjallë, sepse ekziston frika se ka mbetur diçka pa u thënë, ose është tejkaluar diçka e rëndësishme, madje edhe kyçe në jetën dhe veprën e tyre. Por edhe në këtë aspekt, autorja ia del mbanë.
Gjuha, ndërtimi sintaksor i fjalive, qartësia, e pse jo edhe forma dhe stili i shtrirë e artistik i përdorur nga Migena Arllati, përkojnë, madje edhe dallohen në këtë vepër. Dhe themi se botimi i këtij libri monografik e pasuroi jo vetëm jetën e personalitetit që i përkushtohet, Dr. Rifat Lilës, por edhe autores Migena Arllati, bibliotekave tona, e sidomos lexuesve në veçanti.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...