Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej” i ka akorduar titullin e lartë akademik “Doctor honoris Causa” studiuesit me eksperiencë 50 vjeçare në fushën e shkencave albanologjike Prof. dr Agron Fico.
Me propozim të një grupi profesorësh të këtij universiteti; Prof. dr. Gëzim Sala, Prof. dr. Gëzim Rredhi, Prof. as. dr. Merita Gjokutaj, Prof. as. dr. Spiridhulla Poçi dhe Prof. as. dr. Jaho Cana, me miratim të Senatit Akademik titulli “Doctor Honoris Causa” për albanologun Argon Fico u akordua me motivacionin; “Intelektual me veprimtari kërkimore-shkencore e universitare mbi 50-vjeçare; me ndihmesa të njohura në disa disiplina të shkencës kombëtare shqiptare; që, me ngulmim profesional, vullnet dhe pasion të përhershëm dhe me vështrime bashkëkohore, ka shënuar prurje dhe arritje shkencore të vlerësuara ndër vite, veçmas në etnokulturë dhe folklor”. Rektori i këtij universiteti Prof. Dr Bektash Mema, gjatë ceremonisë tha se, “Universiteti që mban emrin e albanologut dhe gjuhëtarit të shquar, Eqrem Çabej e konsideron privilegj të nderojë me këtë titull të lartë akademik Prof. dr. Agron Ficon, i cili për afro 50 vjet kontribuoi si studiues, dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të popullit, si një nga themeluesit e Institutit të Folklorit në vitin 1958, si një gjuhëtar që mundësoi mësimin e shqipes dhjetëra të huajve, që kontribuoi si gazetar, diplomat dhe pedagog”
Studimet e Profesor Agron Ficos përbëjnë një pasuri dhe një pikë referimi për të gjithë komunitetin shkencor shqiptar në fushën e gjuhësisë, etnokulturës shqiptare, kërkimeve për Eposin Shqiptar. Profesor Fico është një nga personalitetet më të spikatura të botës shkencore shqiptare, i cili prej disa dekadash ka dhënë e vazhdon të japë kontributin e vet të vyer në fushën e albanologjisë. Falë punës së tij profesionale, vullnetit, pasionit të vazhdueshëm, këmbënguljes dhe vizioneve bashkëkohore, ai ka arritur të realizojë prurje shkencore të rëndësishme ndër vite, kryesisht në studimin dhe interpretimin e etnokulturës, folklorit, gjuhësisë etj. Puna e këtij albanologu dhe studiuesi të palodhur është e lidhur ngushtë për disa dhjetëvjeçarë me disa fusha kërkimi e studimi si etnofolklori, traditat, kultura popullore, gjeneza e popullit shqiptar, gjuhësia, arti dhe kultura shqiptare, përhapja dhe vendi i tyre në botë.
Prof. dr. Agron Fico ka lindur më 10 Maj 1934 në qytetin e Gjirokastrës, ku mbaroi gjimnazin “Asim Zeneli”, me medalje ari, si dhe më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, me rezultatin “Shkëlqyeshëm”. Prej disa kohësh ai gëzon titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”. Ai është shtetas amerikan dhe jeton në Nju Jork e Tiranë.
Profesor Agron Fico është i pari studiues që zbuloi pas një pune këmbëngulëse dhe plot pasion në bibliotekën e Harvardit (në Mars 1996) dhe e bëri të njohur fondin e Epikës Heroike shqiptare, mbledhur më 1937 në Shqipërinë e Veriut nga shkencëtari amerikan Albert B. Lordi, themelues i teorisë moderne në lidhje me letërsinë gojore.
Në karrierën e Prof. dr. Agron Ficos nuk mund të lëmë pa përmendur disa tituj nderi : “Çmimi i Republikës” në Shqipëri, dhe çmimi më i lartë universitar kinez për arritje akademike; si dhe përfshirjen mes profesorëve më të shquar universitarë amerikanë, me “Who’s Who Among American’s Teachers, 2000”. Më 1972 u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; Nën Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Nju Jork, nga viti 2004; dhe anëtar/ kryeredaktor në revista studimore-akademike si “Studime Filologjike”, “Pedagogu i ri”, “Dituria”, etj. Për kontributet e tij si studiues, shkencëtar dhe intelektual Prof. Ficos i janë akorduar një sërë titujsh nderi, ndër të cilët do të cilësoja këtu çmimin më të lartë universitar kinez për arritje akademike si dhe përfshirjen mes profesorëve universitarë amerikanë. Një pjesë të jetës së vetë ia ka dedikuar “ndërkombëtarizimit” dhe mësimit të gjuhës shqipe në botë. Po ashtu, ka dhënë një ndihmesë të çmuar në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës dhe veprimtarisë së përgjithshme kërkimore, shkencore e akademike për vendin tonë.
Titullin akademik “Doctor honoris Causa” akorduar nga Senati i Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës e kanë marrë edhe dy personalitete të shkencës, Profesor Stavrullaqis i Universitetit të Janinës dhe albanologu arbëresh Prof. dr Francesko Altimari.
Dhe krejt në fund :
Prof. Agron Fico, fitues i çmimit të Republikës, studiues i mirënjohur në fushën e krijimtarisë popullore, krijues i katedrës së gjuhës shqipe në Pekin dhe Detroit. Veç të tjerash ai është autor i disa librave publicistikë, si “Profesor në tri kontinente”, “Diaspora e rilindur”, “Rilindja e Shqipërisë etnike”, si dhe artikuj publicistikë.
Prof. Dr. Agron F. Fico, në verën e vitit 2015 shkroi " Mirënjohje albanologjike për shkencën gjermane''.shkroi në mes tjerash :
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte e gëzuar që erdhi në Shqipëri, por edhe ne, shqiptarët, edhe pa dalë të gjithë në bulevard u gëzuam për vizitën e saj plot hijeshi. Ka disa arsye për këtë pritje të ngrohtë të znj. Merkel që nga ato politike, ekonomike e deri tek ato sportive-admirimi për futbollin gjerman. Ndoshta më kryesore janë arsyet kulturore-shkencore. Thënë shkurt shkenca albanologjike shqiptare i ka rrënjët te kontributet e njohura dhe themelore nga studiuesit gjermanë në disa shekuj. Në shkolla, libra, studime, shkrime, emisione, madje edhe gojarisht nga një brez te tjetri shqiptarët e kanë mësuar se gjermanët na kanë “mbrotjur” në shekujt me studimet e tyre përballë shpifjeve, gënjeshtrave, synimeve keqdashëse të fqinjëve tanë sllavë, grekë, malazesë, italianë etj, që përçmonin, shtrembëronin e mohonin historinë, gjuhën e kulturën shqiptare. Studimet e gjuhëtarëve, historianëve, arkeologëve, etnologëve gjermanë janë gurthemeli në lindjen e zhvillimin e albanologjisë kombëtare shqiptare. Madje edhe disa nga korifejt e kulturës shqiptare si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hasan Ceka deri te edhe disa albanologë të brezit të mesëm dhe të rinj janë formuar në shkollën gjermane të shkencave dhe dijes. Ndoshta do të ishte mirë që, me rastin e vizitës së kancelares Merkel të organizohej edhe ndonjë tubim shkencor, jo për kornizë politike dhe as për atë që sot nga “opinionistët e gjithëditur” quhet “shou mediatik”, por si paralele e forumit ekonomik. Albanologjia është tërësia e studimeve që janë bërë dhe bëhen për historinë, gjuhën, folklorin dhe kulturën e popullit shqiptar, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj. Ato janë bërë objekt kërkimesh dhe studimesh nga dijetarë të shquar të vendeve të ndryshme të botës. Studiuesit gjermanë të fushave të ndryshme si gjuhësi, histori, folklore etj, janë ndër më të shumtit dhe me kontribute serioze e cilësore për shkencen shqiptare, ate që quhet Albanologji. Mund të thuhet se Albanologjia, si drejtim i veçantë studimesh për Shqipërinë dhe shqiptarët, lindi në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, por u konsolidua në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Pa synuar për një paraqitje tërësore dhe as për hartim lista emrash të studiuesve gjermanë në Albanologjinë tonë, po sjellim disa nga majat e këtyre vlerave shkencore.
Studiuesit gjermanë në Albanologjinë Shqiptare
Në shekullin e XVIII fillon të rritet interesi i të huajve për gjuhën shqipe dhe shqiptarët. Ndër dijetarët më të shquar që u morën me çështjet e Albanologjisë po përmend:
1. G. V. Lejbnic (1646-1716), filozof gjerman me famë botërore, Kyetar i Akademisë së Shkencave Gjermane; përveç kontributeve në fushën e filozofisë, matematikës, fizikës, gjeologjisë, biologjisë, mekanikës, ai shfaqi interes edhe për gjuhësinë. Ai u interesua edhe për gjuhën shqipe: shtroi problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe, të përkimeve, takimeve dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoeuropiane. Ai shkruante «Doni ta dini origjinën e gjuhës shqipe? Zhvisheni nga elementët e huaj, studiojeni mirë çfarë ka marrë dhe nga i ka marrë’ dallojeni mirë elementin e vet shqipes… Dhe do të dalë qartë origjinaliteti i saj”. (Xh. Kosturi: Historia e Albanologjisë, 1999 f.96).
2. Hans Tunman (1746-1778), historian me famë botërore në veprën madhore “Kërkime për historinë e popujve të Europës Lindore (1774), vë gurin e parë në themelin e studimeve historike të popullit shqiptar. Ai shpall me autoritetin akademik se: «Në historinë e shqiptarëve, unë nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të tyre të mëvonshëm, gjuha e tyre ka dhënë dëshmi të tilla nga fatet e popullit shqiptar, që në këta nuk mund të mos shoh fqinjët e stërmoçëm të grekërve dhe të nënshtetasve të Romës së vjetër. Dhe te dy këta na tregojnë Ilirët e vjetër”. (Vep. Cit. f. 97). Ndërsa një filozof tjetër gjerman Johan G.Herder, do të pohonte autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe karakterin europian.
3. Karl Hajnrih Teodor Rajnhold botoi më 1885 “Net Pellazgjike”, vepër që ndahet në tri pjesë: E para përmban një Gramatikë të shqipes ose një skicë gramatikore; e dyta ka një Fjalor dhe e treta ka Tekste (Antologji). Gjithë materiali është mbledhur te Arbëreshët e Greqisë në Atikë, në ishujt Poros, Hydras. Në faqen e parë “Pellazgjishtja”, autori shkruan greqisht këto fjalë: « Përsa u takon Pellazgëve (dmth Arbëreshëve të Greqisë), ata janë më të vjetër se sa ata që sundojnë sot në Greqi”.) Cit. 129). Në shekullin e XIX, me zhvillimin e shkencës dhe të teknikës, personalitetet shkencore botërore e rritën interesin për studimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjes së popullit shqiptar, si një popull i veçantë i Gadishullit Ballkanik.
4. I tillë ishte Franc Bopi (1791-1867) gjuhëtar i shquar gjerman, një nga themeluesit e metodës historiko-krahasuese. Ai dinte gjithë gjuhët e vjetra dhe të reja indoeuropiane; autor i Gramatikës Krahasuese të të gjitha gjuhëve indoeuropiane në pesë vëllime. Me referatin për Numërorët dhe Përemrat e shqipes, por sidomos me studimin “Mbi shqipen dhe lidhjet e saj farefisnore», Bopi hodhi themelet e Morfologjisë Krahasuese të gjuhës shqipe, duke vërtetuar përfundimisht vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoeuropiane, si një vend më vete. Këtë mendim, këtë tezë e shpjegon më tej kur shkruan: “Kjo gjuhë me të vërtetë që i përket në mënyrë të sigurtë familjes indoeuropiane, se në themelet e saj kryesore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë ose, aq më pak, ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën nga motrat sankrite indoeuropiane të kontinentit tonë dhe as lidhje birësie me to”.
5. Në fushën e historisë shquhet historian i madh gjerman Jakob Falmerajer (1790-1866), i cili në veprën “Elementi shqiptar në Greqi” (1857-1861), shqiptarët i vlerëson shumë, ku flet për vitalitetin e lartë të popullit shqiptar etj. Në veprën e lartëpërmendur ai argumenton autoktoninë e shqiptarëve dhe nënvizon se: «Përpjekjet për të hedhur poshtë autoktoninë e shqiptarëve ilirë, të gegëve e të toskëve, dhe ta afrojnë ardhjen e tyre në shekullin e III, duhen hedhur poshtë se janë historikisht të pambështetura, të gabuara, joshkencore dhe jokritike”. (Cit. f.147).
6. Gustav Mayer (1850-1900), studiuesi gjerman nga Austria u mor gjerësisht me gjuhën shqipe, sidomos me historinë e saj. Hartoi të parin Fjalor Etimologjik të saj, si dhe është autor i veprës «Studime Shqiptare» (1883-1896) në gjashtë vëllime. Mayeri ka një meritë të veçantë për historinë e kulturës popullore, sepse me të nisin fillesat e botimit të këngës kreshnike shqiptare.
7. Gustav Mayer më 1897, botoi në Vjenë fragmentin e këngës së Ciklit të Mujit e të Halilit “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra.”Ky fragment u botua bashkë me materiale të tjera të letërsisë gojore në veprën e tij “ALBANESISCHE STUDIE”, vëllimi VI. Prof. Zymer Ujkani Neziri vë në dukje se redaktori i materialeve të G.Majerit, Agron Fico të botuara në vëllimin “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” (1635-1912), për fragmentin e këngës kreshnike “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra“ jep këtë shënim në fusnotë : “Martesa e Hysenit është variant i martesës së Halilit”. Vargjet e fragmentit të këngës së kreshnikëve të botuara nga G. Majeri tashmë konsiderohen me vlerë dokumentare historike për folkloristikën shqiptare e sidomos për epikografinë. Ja disa vargje: “Tha, drit ka dal e dielli nuk ka ra,/Tha, drit me malet nuk ka ba,/Tha, janë mbledhun agait e kuvenin,/Tha, po kuvenin e kuvenoin,/Tha, ç’at Hyseni po e prezhmoin,/Tha, ç’ke Hysen që nuk martone?
8. I pamasë është kontributi i profesorit të gjuhësisë indoeuropiane të krahasuar Paul Kretçmer (1866-1956), i cili në veprën dinjitoze “Hyrje në historinë e gjuhës greke” pohon se para ngulimeve të elementit helen në Greqi të vjetër, ka pasur një shtresë të lashtë jogreke, se para nguljes së popujve indoeuropianë, nëpër vendet e Mesdheut, kishte nje shtresë më të lashtë. (F.164).
9. Të njohura janë edhe kontributet e historianit gjerman Georg Shtadtmyler (1901-1985), që në veprën “Studim për historinë e hershme shqiptare“ (1941) bëri një periodizim të historisë së hershme të popullit shqiptar; ndërsa Gustav Vajgandi (1860-1930), gjuhëtar, balkanolog gjerman u mor edhe me gjuhën shqipe dhe origjinën e saj.
10. Vend të veçantë zënë kërkimet e albanologut gjerman Maksimilian Lamberc për epikën legjendare shqiptare, i cili më 1954-1955 botoi studimin “Die Volkseipk der Allbaner” (“Epika popullore e shqiptarëve”), që Çabej e konsideroi kulm të veprës shkencore të Lambercit. Pas Luftës II Botërore vazhdoi dhe u zgjerua bashkëpunimi i institucioneve shqiptare me ato gjermane. Më 1958 erdhi një grup prej 4 studentësh gjermanë për të mësuar gjuhën shqipe, të cilët brenda një afati të shkurtër, me vullnetin e njohur gjerman u përgatitën për të ndjekur klasat universitare për gjuhën shqipe, madje edhe albanologu i njohur V. Fidler erdhi për 6 muaj dhe bashkë u morëm me trajtat e shkurtëra të gjuhës shqipe. Me interes është të përmendet se në vitin 1960-1961 u zhvillua nje ekspeditë kërkimore shkencore folklorike për regjistrimin e folklorit çam midis Akademisë së Shkencave të Gjermanisë dhe Institutit të Folklorit. Rezultat i kësaj pune me kritere serioze shkencore solli grumbullimin e një lëndë të pasur folklorike, që më vonë Akademia e Shkencave gjermane i botoi në dy vëllime me titull “Këngët Çame”. Një rol të veçantë në nxitjen e studimeve shqiptare në Gjermani ka luajtur edhe katedra e gjuhës shqipe të Mynihut. Shqipëria dhe Kosova janë bërë sot qendrat kryesore të studimeve albanologjike, por ato kryhen edhe sot, ashtu si më parë, edhe nëpër qendra shkencore e katedra të gjuhësisë në universiteteve në vende të ndryshme të rruzullit tokësor. Shkenca gjermane vazhdon përsëri të jetë e para, të jetë në krye të studimeve albanologjike me seriozitetin, kriteret e saj të larta dhe identitetin e shquar e të njohur gjerman, përfundon profesor Fico.
Ndërsa ,në artikullin e tij, Prof.Dr.Agron Fico të dt.24.11.2013 me titull" Letargjia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë" në mes tjerash shkruan: "Para disa javësh kam botuar një shkrim për domosdoshmërinë e reformimit të Akademisë së Shkencave, që të realizojë rolin e saj, rolin për të cilin është krijuar. Madje, kam nënvizuar se jemi kombi më i pasur me akademi dhe akademikë, që mund të na i kishte zili edhe kombi më i pasur dhe më i fuqishëm i planetit!
Ky shqetësim qytetar për fatin e Akademisë së Shkencave është i drejtë, po të mbajmë parasysh se jemi i vetmi komb që kemi 5 akademi e gjysmë të shkencave: dy në Shqipëri, një në Kosovë, një në Hamburg, Gjermani (e quajtur “Akademia e Djathtë e Hamburgut”), një në Nju Jork dhe gjysmë në Maqedoni (anëtarët shqiptarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave). Pra, gjithë këta akademikë do të duhej të kishin hartuar e prodhuar programe e vepra serioze shkencore që të lehtësonin procesin e përparimit të çështjes kombëtare dhe asaj të zhvillimit ekonomik, që shqiptarët të mos mbeteshin njerëzit më të varfër të Ballkanit. Duhet thënë se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pothuajse asnjëherë nuk ka qenë në rolin e vet, që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve dhe sfidave madhore që ka pasur dhe ka vendi dhe kombi shqiptar. Shkatërrimi i lëndëve kimike të Sirisë është një aksion ndërkombëtar i përmasave të mëdha. Shqipëria do ta rriste dhe do ta forconte prestigjin po të kishte marrë pjesë aktive në këtë aksion, që forcon lirinë dhe demokracinë kudo në botë.
Shkatërrimi i armëve kimike siriane në tokën shqiptare ishte një problem sa kompleks edhe i vështirë që përfshinte disa aspekte: politike, mjedisore, shëndetësore, financiare dhe mbi të gjitha kërkonte përkrahjen popullore. As dje dhe as sot nuk ka qenë dhe nuk është krejt e qartë se çfarë janë këto armë kimike (?), lëndë helmuese kimike (?), rreziqet e vërteta, ato mjedisore dhe pasojat shëndetësore etj.. Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhej të ishte ajo që të thoshte fjalën e parë dhe të fundit, ta thoshte fjalën shkencore dhe me profesionalizëm, për statusin që ka dhe anëtarët më të kualifikuar: mjekë të njohur, studiues të shkencave natyrore etj., të cilët duhet të kenë edhe integritetin e duhur qytetar. Por është për të ardhur keq që Akademia jonë e Shkencave nuk e mori këtë përgjegjësi, ajo zgjodhi heshtjen dimërore dhe u vu në pozitën e sehirxhiut!
Fjala autoritare e Akademisë, si dje edhe sot, në një truall shoqëror ku çështja ende kuvendohet, do të shpërndante mjegullnajën që ende rri pezull. Miku im, doktor Adem Harxhi, dje shkruante: “Japonezët, pas dy bombave në Hiroshimë dhe Nagasaki, ndërtuan centralet atomike më të fuqishme në botë. A nuk e dinin ata se kanë rreziqe, siç ndodhi gjatë cunamit të fundit?” (“Dita”, 17 nëntor 2013, f. 9). Ama duhet thënë se në Japoni, Akademia është në krye të vendimeve programatike të vendit, madje kryetari i saj është një ndër pesë anëtarët e kabinetit perandorak.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk e meriton qenien në këtë status papërgjegjshmërie. Kjo Akademi duhet të reformohet mbi parime morale dhe kritere bashkëkohore e kombëtare. Ajo që kemi parë dhe shohim në punët e saj është tepër egoiste. E kemi parë këtë Akademi të shqetësohet vetëm për rotacionin e drejtuesve të vet, edhe kjo sipas një rituali të vjetruar partiak. Anëtarët e Akademisë, kjo shtresë e privilegjuar e shoqërisë, janë paguar dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Për pasojë duhet të sillen me një ndjenjë më të lartë përgjegjësie dhe të jenë më të përkushtuar për punën dhe misionin shkencor. Mendoj se ka pasur dhe ka edhe një sërë faktorësh jashtëshkencorë që kanë përcaktuar dhe përcaktojnë gjendjen e mpirë të punës akademike, qëndrimin e saj në hije, veçanërisht në Shqipëri.
Ndryshimet historike, përmbysja e sistemit totalitar dhe zëvendësimi me një sistem pluralist dhe demokratik pritej të hapnin mundësitë dhe dyert e zhvillimit edhe për veprimtaritë shkencore dhe ato akademike. Por kjo dukuri nuk ndodhi. Ashtu siç ngjau me përbërjen e akademisë së parë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, krijuar më 10 tetor 1972, në të cilën u përfshinë edhe ish-komisarë mediokër, po ashtu po ndodh edhe sot me Akademinë e tanishme, ku krahas specialistëve janë përfshirë edhe ish-ministra, anëtarë të forumeve të PPSH-së, si dhe nga radhët e militantëve të Partisë Demokratike.
Kjo përbërje heterogjene dhe bashkëjetesë filozofike eklektike ka përcaktuar edhe atë letargji dhe mënyrë burokratike të funksionimit të vetë Akademisë së Shkencave, pra ka bërë të kemi një “Akademi të Shkencave pa shkencë”, gjë që e ka vënë në dukje edhe masmedia.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë pothuajse nuk iu është përgjigjur në shkallën e duhur sfidave të mëdha të kohës dhe të kombit. Aksionet e saj shkencore janë paralizuar nga ndërhyrjet politike. Mjaftojnë pak shembuj: fati i gjuhës shqipe është reduktuar në çështjen e përdorimit të “ë”-së dhe drejtshkrimit të disa fjalëve. Janë përpjekur dhe përpiqen të ndryshojnë vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit për gjuhën e njësuar shqipe me anë të ca sloganeve bajate politike. Historia e Shqipërisë, sfida për rishikim kapitujsh, për vlerësim të figurave të harruara ose të keqtrajtuara është kthyer në një “grindje politike”. Edhe një botim i Akademisë së Shkencave, si “Fjalori enciklopedik”, nuk i shpëtoi njëanshmërisë, duke lënë jashtë figura të njohura dhe duke futur njerëz pa ndonjë vlerë, pra nuk iu shmang dot kritereve kaotike.
Vetë Akademia Shqiptare e Shkencave do të kishte dobi po të arrinte të kapërcente frikën e “njollosjes” nga mendimet dhe debatet që bëhen për të, qofshin këto edhe kritike e ndonjëherë të skajshme. Kjo shprehje e hapur përbën edhe nenin e parë të mendimit të lirë në demokraci. Ndofta variant më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë do të ishte jo krijimi i një institucioni gjithëpërfshirës, por i atij specifik, të veçantë, pra i një Akademie të Shkencave Albanologjike, që të përfshinte fushat: gjuhë shqipe, histori shqiptare, letërsi, kulturë popullore, arkeologji, monumente të kulturës. Ndërsa degë të tjera të shkencave të përfshihen në njësitë mësimore universitare ose edhe në ndonjë institut të veçantë. Tashmë, kur Kryeministri Edi Rama njoftoi në fjalimin e fundit se Shqipëria nuk do të përfshihet në aksionin për shkatërrimin e lëndëve helmuese luftarake të Asadit, padyshim qytetarët e gjithë hapësirës shqiptare kanë të drejtë të pyesin: Po Akademia e Shkencave të Shqipërisë ku ishte?,përfundon profesor Fico.
Flori Bruqi