Kujtimit të tim eti, Hazis Hysit
Tregim
Nga Përparim Hysi
Ky tregim imi, si të gjithë tregimet e tjera që kam shkruar, mund të marrë formën e një triptiku të mirëfilltë. I shtrirë në kohë e hapësirë që nga mezshekulli XIX- të, për t'u ngjizur në shekullin e XX-të dhe, për çudi, edhe në fillimet e këtij shekulli, ende qëndron ashtu as i gjallë dhe as i vdekur. I varrosur dhe i zhvarrosur nën mjegullën e kohës. Tregimi, në thelb, ka pronën. Atë pronë që për shekuj dhe shekuj,ende, nuk ka shkuar tek i Zoti. Ka ndodhur pak ashumë kështu: I zoti e jep, po nuk të lë tellalli. Prona është aty para sysh: e gjallë dhe gati të flasë. Por tellalli (nënkupto ligji) , ia ka marrë gojën pronës. i ka thënë, kur thotë turku :"sus!" dhe o e ka tjetërsuar, o e ka "ngrirë" për ta "shkrirë" në kalendrat greke a ca më tej. Nuk e kam zakon që t'i bie pragut që të dëgjojë dera, por i bie drejt e drejt, për ta çuar lexuesin atje ku rreh çekani. Pra, qëllimi im, përmjet këtij tregimi kaq real ( oh, unë ia kam pirë tërë palcën kësaj kocke të pronës,sa mënd më del për hundësh), është të bëj apel për pronat. Pronat e patjetërsueshme, me të cilat, si regjimi komunist, por, për fat të keq, edhe ky i paskomnizimit, sikur ka lozur arushë dhe në vënd të vinte vetullat i ka nxjerrë sytë.
Kur them se tregimi im ka formën e një triptiku, nuk e them kot. Jam i drejtpërdrejt dhe, për të mos e lodhur lexuesin, po rrëfehem.
* * *
Mesviteve të shekullit XIX-të, një katragjyshi im që i shërbente babadovletit (sulltanit turk), paska bërë një heroizëm: në betejë e sipër paska zënë rob një gjeneral armik. Sulltani e shpërbleu katragjyshin tim me titullin bej dhe bashkë me fermanin i dhuroi një goxha pronë që jo vetëm, në atëkohë të bënte zengjin, por, në fund të fundit, nga kjo pronë e madhe (është dhe sot e kësaj dite në qindra hektarë), vetëm të mira shikon. E bëri me ferman sulltani dhe, prej asaj dite të largët, titulli bej qe si një apendiks në fisin tonë, në Vërzhezhë të Skraparit. Bejllerëku shkoi e vajti si një atavizëm që koha e bëri dalje, por prona,ama, aty është. Në këtë sipërfaqe prej qindra e qindra hektarësh ka një pasuri të patundshme me vlera të pakompensueshme: kullota për bagëti, pyje, gurore e të tjera. Kjo pasuri me tapi me vulë të thatë shkoi për dhjamë qeni në kohën e sulltanit të kuq dhe shpërdorohet si mall pa zot, nga të fortët që kanë krahë në pushtet sot. Dikush do të thotë: ky po tregon përralla dhe duke humbur dhe kthiellimin,se goxha plak është ( e pranoj që mosha bën të vetën, por,deri tani, jam i kthiellët siç dhe kam qenë ). Por duke folur për këtë pronë kaq të madhe, unë nuk flas me apriori, por me nje realitet shumë domethënës.
* * *
Kishim ardhur në Myzeqe në vitin 1941. Nuk ishte themeluar partia. E blemë tokën në Petovë të Fierit me flori. Erdhëm ne në Petovë dhe ashtu si : shih rrushi-rrushin e piqet, pas nesh erdhën dhe të tjerë skraparlinj me të cilët kishim të bënim. U bëmë gati 10 familje. I gjithë fshati kishte 29 familje dhe veç ne, skraparlinjëve, kishte kosovarë,bosnjakë dhe një familje çame. A sa për arixhinjtë që qenë, pothuaj, mu mbi kurrizin tonë, ne nuk i llogarisnim jo se i përbuznim, përkundrazi: i donim dhe i ndihmonim, por këta (nja 20 e ca familje nuk kishin asnjë pëllëmbë tokë). Pra, nuk kishin pronë. Pa pronë,- them unë,- je kot. Je kështu si unë: Përparim-be, me pantollona me andra ! Pra, të rroftë bejllëku. Se mishin babai dhe kockat këlyshi. Mos dalë nga tema. Erdhëm e blemë me flori,por mbaroi lufta dhe,sa u bë reforma agrare, na morën tapitë e vjetra dhe na dhanë të rejat. Pa u tharë boja mirë tek tapitë e reja, ra "kolera". Filloi kolektivizimi dhe, ndërsa bosnjakët e kosovarët, nuk u bënë kooperativë, ne hëngrëm hapjen. Kur them ne, e kam fjalën për skraparlinjët e vendosur në Petovë. Dhe, ndërsa Aleks Çaçi këndonte: " Lërojnë së bashku njëzet pend qe/ Ashtu Myzeqe!", kjo këngë gjëmë ( se gjëmë qe kolektivizimi!) për skraparasit e Petovës, duhej të këndohej: "punojnë së bashku njezet bujq, se laj-thaj në gjithë këtë kooperativë të madhe ( të më ndjejnë gjuhtarët e sotëm që po e shkruaj me dy o këtë fjalë,se jam me të vjetrën), lëronin së bashku 4 pendë qe. Pra e gjithë ekonomia kishte tokë pa hesap, por qe për ta punuar kaq kishte. Një familje skraparase, ajo e Hamitit nuk u bë. Nuk u bë dhe po kalonte viti, po pse ndaheshin ata skraparlinjtë e Tiranës. Aty nga fundviti u bë dhe Hamiti. Im atë, ndjesë pastë, qe shef llogarie. Qemë mirë e bukur si individë, por me kolektivizimin po bënim prokopinë e breshkës. Tokë nuk na lanë fare dhe, petovas qe ai që ia tha këngës kur morën tokën që na dha reforma agrare:" Hëm na i dhe, hëm na i more, o moj bythëza shaptore!". Punët në kooperativë çdo ditë e më keq dhe një ditë prej ditësh, shefi i llogarisë, u hipi këmbëve dhe shkoi në Tiranë. Fati i madh që një prej kushërinjëve tanë, i ndjeri Syrja Hysi, qe bërë zvëndësministër bujqësie. Një rrugë e dy punë, qe ky i fiundit ( i ndritët shpirti ku prehet !) që ndihmoi që kooperativa e "madhe" të shkrihej. Anëtarët të lirë:o në fermë Çlirimi o ku t'u bëhej më mirë. Gëzimi i madh. Ik të ikim. Inventarin dhe ç'do vilej pas këtij inventari do ta bënte shefi i llogarisë. Asetet do shiteshin dhe të konvertuara në lekë, do ndaheshin sipas kontributit (punës). Me laps hesapi dilte mirë, por u gjet dhe këtu një pengesë. Hamiti që nuk kish kontribuar që në fillim kërkonte pjesën. Puna shkoi në gjyq. U kthyen në bazë të intresuarët dhe vendosën: - Ti, Hazis ( është fjala për tim-et!) ndiqje këtë gjyq dhe, pasi ta fitojmë çështjen, do të japim dhe ato që ke harxhuar npër gjyqe. Filloi gjyqi. Po si në atë kohë dhe sot, gjyqi i ngjan atij berberit që të lag sot e të rruan mot. Në gjyqin e parë që u bë në Fier,gjyqi vendosi në favor të tjerëve. Hamiti bëri diktim në Vlorë. Vlora vendosi për Hamitin. Hidh prit sa në një gjyq në tjetrin, më së fundi (ka qenë 30 dhjetor 1959), babai erdhi tërë gëzim në shtëpi. Ma dhanë çekun. Nesër do ta thyej në bankë dhe secili të marrë djersën e ballit. Natyrisht, babai im i shkretë, do merrte dhe atë hakën ku grisi një palë këpucë. Mezi priti të gdhihej dhe hapur pa hapur banka, i pari tek sporteli. E zgjati çekun jo pa gaz ( s'i thonë shaka bridh Fier-Vlorë-Tiranë e vice versa), kur arktari i dha mandatën: - Sipas ligjit ka kaluar një vit nga "ngrirja" e aseteve dhe ç'rrjedh nga shitja e tyre, kalojnë në arkën e shtetit !!!! Ndjesë pastë, babai im, sa herë qe i mërzitur,ia merrte këngës. Qe këngëtar i madh. Po si mos këndoje pas kësaj të "fshehte" ligjore që shtrinte panxhat mbi pasurinë private. Askush prej atyre që u zotuan për t'i kthyer qoftë dhe një lekë për harxhet poshtë e lart, nuk u bë i gjallë. Qe njësoj si të zije lepurin për t'i mbathur opingat.
* * *
Erdhi demokracia. E pritëm krahëhapur se jo vetëm fituam lirinë e vërtetë, por do merrnim dhe pronat. Im atë nuk e arriti atë ditë, por rronte xhaxhai dhe, tek punoja si kryetar pluralist në zonë qëndër në Fier, më erdhi në zyrë. Pasi u përqafova me të, më thotë:
- Nipçe, në Vërzhezhë ne me gjithë kushërinj kemi gjithë atë pronë, a nuk merresh ti me kërkimin e asaj prone se dhe me shkollë je. Unë, nga që qeshë djegur nga qulli, zura dhe i fryjta kosit: - Ta ndjek ashtu si im atë që shkoi për leshë dhe u kthye i qethur.As mos shpreso se mund të merrem me atë punë. Dhe nuk u mora,as unë dhe as ndonjë tjetër që kishte të bënte me këtë pronë që është e sot e kësaj dite e të gjithëve dhe e askujt. Por,ja që nuk është e ndershme kështu.
* * *
Edhe ca kushërinj tanë në Vërzhezhë kanë pronë të tillë, megjithëse referuar arshivave atyre që e kanë parë,( ne, bejlerët e qëmtomë kemi më shumë). Mirëpo në trungun e kushërinjëve tanë doli një pinjoll i gjallë. Një njeri dhe me formim ,por dhe me kapital financiar. Sherri do nge dhe davaja do para, thonë. Ky i sherrit nuk është fare, por kohën e ka me pashë dhe ngrohtë nga vakti dhe iu fut detit përmes. Bëri 6 vjet të mira gjyqe (epo drejtësia ka shpejtësinë e gurit,jo kur bie,po përfytyro një gur të rëndë të ecë!). 6 vjet harxhime lekë dhe kapitale të tjera dhe, më së fundi, ia arriti: - Sipas tapive origjinale të kohës ( thoni, po deshët, të babaqemos!),por e kopsiti vendimin e njohjes së pronës prej 55 hektarë për secilin prej 5 bashkëpronarëve që njihte ligji i kohës. Natyrisht, ata sot janë shtuar shumë, por, sidoqoftë, erdhi haka tek i zoti. Imkushëri pati korajo të madhe dhe luftoi,kur i thonë "edhe i vetëm e trim në luftë", por tani që u kthye me fitore nga kjo maratonë vrasëse gjyqësore, ndjehet sikur me të vërtetë të ketë fituar një luftë me një goliath që më se real, është i klonuar nga ligjet tona made in Maliq ! Tek e mbyll këtë tregim, shtroj pyetjen: po unë e mijëra e mijëra të tjerë që nuk i kanë këto këllqe të timkushëriri, si mund t'i fitojnë pronat e tyre, kur një gjë dihet mirë: Arshivat janë. Pronat janë. Pse mos bëhet një shpallje përmjet organeve të drejtësisë, ku të dalin ekzaktësisht pronat dhe pronarët dhe qeveria jo t'u bëj zbor shtetasve të saj, por të vjelë nga ata,sipas ligjit, vlerat financiare dhe t'u kthej atyre pronat. Pa bërë këtë, kurrë nuk do ketë as demokraci dhe as qetësi. Unë shpresoj ,sado që i madhi Asdren diku ka thënë: " Shpresa është malli që shitet më lirë". Të ketë qëlluar në shënjë rilindasi i madh. Dhe nuk jam negativist që të besoj në atë proverbin italian që thotë: "Njeriu rron me shpresa të mëdha dhe vdes me brekë të dhjera !" Epo të thëna janë. Shpresoj se do bëhet.
Tiranë, 1 korrik 2013

No comments:
Post a Comment