-
Enkeleda Olldashi: “Sa më shumë
ta ushtrosh profesionin tënd, aq më
shumë e më mirë e
kupton dimensionin tënd social”
-
Intervistë me Doktoren e Shkencave Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin
Juridik të Universitetit të Tiranës –
Intervistoi:
FIONA KOPALI
Fiona Kopali <fiona.kopali@yahoo.com
Doktorja e Shkencave Enkeleda Olldashi
ka në CV-në e saj profesionale një korpus të gjerë librash e studimesh shkencore:
“E drejta romake”, “Hyrje mbi
teoritë e grupeve të interesit”, “Grupet e interesit dhe partitë politike”,
“Lidhja mes së drejtës dhe moralit,
parë nën dritën e përkufizimeve romake ex ante ex post”, “Eleminimi i
diskriminimit ndaj gruas”, “Roli i
grupeve të interesit në skemën e sistemit politik europian dhe në kontekstin shqiptar”. Por, siç shprehet vetë pedagogia e lëndës “E
drejta romake”, “sa më shumë ta ushtrosh profesionin tënd, aq më shumë e më
mirë e kupton dimensionin tënd social”. Ndoshta ky është një nga motivet që e
shtyjnë profesoreshën e Juridikut ta zotërojë edhe artin e komunikimit me
studentët e saj. Është një opinion, studentë, ish-studentë dhe kolegë të saj,
që e rrethon me dashuri, respekt e mirënjohje.
Kjo
intervistë synon pikërisht ta përçojë edhe tek lexuesi këtë nderim e
mirënjohje. Ky “grup interesi” - studentët, e kërkojnë këtë gjë, sepse ajo i
përfaqëson në auditore.
Desha t’u bëja një pyetje standarde, por që,
megjithatë, vazhdon të bëhet, sepse asnjëherë nuk merr të njëjtën një
përgjigje, ngaqë, dihet, jepet nga njerez të ndryshëm. Si, dhe kur ju lindi
ëndrra për t’u bërë juriste?
Meqenëse do
të jetë një pyetje pa përgjigje, po ju them se mua nuk më është drejtuar
ndonjëherë pyetja se çfarë do të bëhem kur të rritem... Kjo do të thotë që nuk
i kam thënë dikujt që do të bëhesha juriste apo diçka tjetër. Por, nëse do të
nisemi nga fakti që, kur një gjimnazist, për shembull, mbaron shkollën e mesme
është deri diku në gjendje të kuptojë aftësitë e tij, ose çfarë do të ishte për
të më mirë të bënte, dhe jurisprudenca, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë
dëshira ime prioritare. Fakti që kam qenë mirë në shkencat ekzakte, më ka bërë
të mendoja se do të studioja në një nga fushat e saj. Për mua, jurisprudenca
është një shkencë, me rregullat e saj standarde, dhe mënyra e aplikimit të saj
në praktikë tregon, nga njëra anë, se sa ligji, rregulli ka qenë i drejtë, por,
njëherësh, tregon edhe se sa aplikuesi i tij ka dashur ta respektojë atë. Kërkesa
ime ka qenë për ekonomik, për juridik, dhe për gjuhë-letërsi; pra tri degë të
ndryshme! Më doli juridik. Besoj se vendimi im ka qenë i mirë dhe vendosa ta
respektoja. Besoj, se është një fushë dhe një “kostum” që mua më rri shumë
mirë. E penduar? Absolutisht. Ndoshta zgjedhja dhe vendimi i të tjerëve për ty
ndonjëherë është më i mirë se ajo që do të marrësh për veten...
Në ç’raport e mendoni ju shkencën
me pedagogun e Juridikut? Shkenca dhe kërkimi shkencor me
pedagogjinë janë komplementuese të njëra-tjetrës. Por jo gjithmonë janë “veshja”
e të njëjtit njeri. Dikush mund të jetë një shkencëtar shumë i mirë, por mund
të mos jetë një pedagog shumë i mirë. Mendoj se pedagogjia është një mision më
social sesa të studiuarit e shkencës juridike. Është në vetë natyrën e
shkencëtarit të jetë më individual: sigurisht, e imponuar nga specifika e punës
së tij. Pedagogët kanë mision t’ua përcjellin të tjerëve dijet e tyre, prandaj
duhet të jenë edhe më altruistë, po të përdorja këtë fjalë. Por, nëse tek
shkencëtari kultivohet më shumë egoizmi, edhe tek unë si pedagoge, për
shembull, duhet të kultivohet një “egoizëm shkencor”, po e quaj. Pra, të jetë i
tillë, që të më shtyjë, nxisë në njohjen dhe përvehtësimin sa më shkencor të
lëndës që jap, me kushtin që këtë lëndë, këtë shkencë t’ua transmetoj sa më
mirë studentëve të mi.
Mendoni se dashuria për
letërsinë, për librin dhe kulturën në përgjithësi, ka ndikuar në profesionin
tuaj, në marrëdhëniet me studentët, por dhe në tekstet dhe librat që keni
botuar?
Këtë, sigurisht, e gjykojnë më
mirë studentët e mi dhe lexuesi. Unë përpiqem që mënyra si ta shpreh atë që di,
të mos jetë thjesht një formë shablloni i “ftohtë”, por të përdor një stil
jopedant, jostrikt, të ketë “ngjyra” dhe të “tretet” sa më mirë nga studentët.
Por, mendoj se kultura në përgjithësi, kultura letrare dhe dashuria për
letërsinë, unë besoj se duhet të “shkrihet” brenda profesionit tim, të jetë “e
padukshme”, dhe e them me bindje, që më ka ndihmuar në ushtrimin e këtij
profesioni.
Ndërkaq, po e lë në fund për ta
theksuar më tepër, se pa njohjen me themel të lëndës, të shkencës që jep, dhe
pa dashurinë dhe pasionin për të, nuk të shpëton asnjë lloj letërsie...
Prandaj, dhe unë përpiqem ta ndjek e të thellohem vazhdimisht në profesionin
tim.
Disa nga librat tuaj, të botuar,
u kushtohen grupeve të interesit. Është pasioni juaj, hobi juaj, apo ka shkaqe
të tjera, që jeni marrë aq intensivisht më ato?
Togfjalëshi “grupet e interesit”
gjendet sot në gojën, më së shumti, të politikëbërësve. Ata gjithmonë pyesin
për iniciativën ligjore, për paketë ligjore, dhe janë konsultuar dhe duhet të
konsultohen gjithmonë e më shumë me grupet e interesit. Është një togfjalësh që
unë e kam hasur, e kam përdorur, e kam studiuar diku rreth viteve 2000-2001,
kohë në të cilën m’u desh të përfundoja një master për studimet europiane.
Ishte një master i nivelit shkencor pasuniversitar, i cili u mundësua në atë
periudhë nga disa universitete të huaja dhe u ngrit pranë Rektoratit të
Universitetit të Tiranës. Sot është një nga masterat që funksionon, dhe besoj
se sot është ndër më të vlerësuarit. Gjatë masterit të studimeve europiane, një
nga lëndët që ne zhvillonim, kishte të bënte edhe me sistemet politike. Një nga
autorët që mua më impresionoi në atë moment ishte edhe David Easton, i cili
është një nga studiuesit, ose deri diku themeluesit, teoricienët, formuluesit e
konceptit të grupeve të interesit dhe të grupeve të presionit, të cilat, sipas
teorisë së tij, janë instrumente, mekanizma, nëpërmjet të cilave kanalizohen
kërkesat e qytetarëve për të shkuar në veshët e politikëbërësve, dhe kështu të
mund të shndërrohen, nga input në output, pra të kemi një produkt. Kërkesat e
qytetarëve duhet të jenë baza, nëpërmjet të cilave të mund të realizohet
krijimi i burimeve të së drejtës, i normës juridike dhe ligjeve. Kjo do të
thotë që, ligjet të burojnë, të vijnë dhe të krijohen për shkak të nevojave të
qytetarëve. Qytetarët kanë nevoja dhe të drejta sociale, politike, ekonomike,
arsimore, dhe formulimi i tyre në një mënyrë të caktuar, kërkon që
politikëbërësit këto nevoja e të dreja t’i “përkthejnë” dhe të krijojnë ligje,
standarde që të realizojnë konkretisht plotësimin e nevojave të qytetarëve.
Pra, vetëm në këtë mënyrë këto nevoja dhe kërkesa të qytetarëve, këto inpute,
po t’i quajmë, siç i quan David Easton, mund të shndërrohen në outpute, d.m.th.
në një produkt. Kjo ide mundësohet nëpërmjet këtyre kanaleve të komunikimit, që
janë grupet e interesit. Grupet e interesit janë individë, apo grupe
individësh, të cilët përfaqësojnë interesa të caktuara të anëtarëve të shoqërisë.
Këto grupe interesi shërbejnë si kanale komunikimi, që interesat e qytetarëve,
zëri i qytetarëve, të mund të formulohet, dhe të prezantohet në tryezat e
duhura dhe te shkojë në dyert e duhura, që këto nevoja e të drejta të tyre të
mund të shndërrohen në akte ligjore dhe të gjejnë zbatim konkrete, etj. etj.
kjo është arsyeja pse mua më bëri shumë përshtypje në atë moment. Pavarësisht
formimit tim të deriatëhershëm, tema e zgjedhur, “roli i grupeve të interesit
në sistemet politike”, më tërhoqi dhe më pëlqeu shumë. Grupe interesi ka në të
gjitha sistemet politike, dhe jo vetëm në sistemin e demokracisë liberale.
Grupe interesi ka patur dhe ka edhe në sistemet totalitare, pavarësisht se në
to, me to manipulohet. Vetëm ekzistenca e grupeve të interesit nuk tregon që
një sistem është apo jo demokratik. Është mënyra se si bashkëpunohet me grupet
e interesit ajo që tregon se sa sistemi është demokratik. Nëqoftëse këto
instrumentë, mekanizma, apo kanale nuk manipulohen dhe nuk bien pre e
manipulimit, do të thotë që këta janë përfaqësues të denjë të qytetarëve. Tema
e grupeve të interesit ka qenë e diskutuar nga dy ish-profesorët e mi, njëri
prej të cilëve, Llambro Filo, ka qenë udhëheqësi i doktoraturës sime. Ai është
historian, por edhe një studiues shumë i mirë i sistemeve politike, sikurse
edhe profesori tjetër, Hysamedin Ferraj, i cili është filozof. Pra, nga dy
profesorë me mendime akademike të ndryshme, m’u mundësua, dhe u përkraha që të
kem temën time të masterit për rolet e grupeve të interesit. Ishte një kohë,
flasim për 2001-shin, kur ende në Shqipëri nuk diskutohej për grupet e
interesit. Në vendin tonë ka jo më shumë se tri-katër vjet që diskutohet për
rolin e grupeve të interesit, dhe në atë moment u duk si një temë interesante,
si një temë e re, që ia vlente të thellohesha në studime. Më pas, siç ju
thashë, vendosa që edhe doktoraturën time ta kisha sërish në këtë temë. Nuk e
kisha menduar se do të bëja doktoraturë në një temë që i përket më shumë
shkencave politiko-juridike. Më saktë: është një temë që u përket të dyja
fushave. A tregon kjo që unë kam dashur të studioj edhe për shkenca politike?
Po. Por, në kohën që unë kam mbaruar gjimnazin, nuk ka pasur një degë të
mirëfilltë për shkenca politike.
Ju keni fituar gradën “Doktore e
Shkencave”. Ç’vështirësi dolën, përshembull, në rastin tuaj, dhe ç’të re ka
sjellë realizimi i temës suaj?
Tema ime e doktoraturës, në
lëndën bazë të së cilës unë jam titullare (siç jam titullare edhe në disa lëndë
të tjera), nuk ka pasur asnjë ndikim. Por lënda bazë e imja, ju e dini, është
“E drejta romake”, një lëndë e mirëfilltë jurisprudenciale, më dha mundësinë
mua, por sigurisht, edhe departamentit publik në të cilin unë jam, ta gjykojë
të arsyeshme që të ofrohet për studentët (në nivelin e masterit profesional)
një lëndë me zgjedhje që quhet “Grupet e interesit”. Pra, nëqoftëse para tri
vitesh, tema ime e doktoraturës ishte deri diku në sirtar, dhe unë mendova se
thjesht ishte një kënaqësi për mua, tashmë është një temë që po e aplikojmë.
Dhe, ndërkohë, është shndërruar në një lëndë të fakultetit. Në 2001-shin, kur e
përgatita për master, dhe në 2008-ën kur mbrojta doktoraturën, nuk e kisha
menduar se do të më jepej mundësia që kjo temë të mund të shndërrohej, apo të
ishte objekt i një lënde të posaçme, siç është grupet e interesit. Isha shumë
skeptike kur departamenti ma ofroi këtë gjë, dhe kur më thanë nëse isha në
gjendje të bëja një planprogram për lëndën “grupet e interesit”. Por sot jam e
kënaqur dhe besoj, se edhe studentët. Aktualisht është brezi i tretë i studentëve
që kanë apo do të zgjedhin lëndën “grupet e interesit”. Është një lëndë që jep
informacione ekstra, më të thelluara, për një nga instrumentat, apo një nga
aktorët dhe faktorët e shoqërisë sot, që janë grupet e interesit, pjesë e
shoqërisë civile, siç janë mediat, sindikatat, grupe të tjera profesioniste,
organizatat joqeveritare. Kjo lëndë është pjesë e formimit të juristit, është
pjesë e plotësimit të “pikturës”, apo të “hartës” së funksionimit të
ligjit në një shoqëri.
“E drejta romake” është lënda që
na keni dhënë në vitin e parë (të nivelit bachelor), dhe që është pëlqyer.
Mendimi i përgjithshëm, është se ju e bëni të bukur.
Nuk mund t’i përgjigjem kësaj
pyetjeje, sepse ka “konflikt interesi”... I bie të flas për veten... Nuk po ua
them për humor, por siç ua theksova edhe më parë, gjykimin e vërtetë, objektiv,
e bëjnë studentët e mi. Gjithësesi, nëse është ashtu siç thoni ju, dhe, në
rastet kur është ashtu, siç thoni ju, sigurisht, më bëhet qejfi dhe inkurajohem
në punën time. Por, një gjë mund ta them, krejt pa modesti: unë jam dhe ndihem
e privilegjuar që studioj dhe jap lëndën “E drejta romake”, e cila është një
lëndë, vetë e bukur... Bëhet vetë e bukur për studentët... Është një lëndë...
Madje, nuk do ta quaja thjeshtë, një lëndë... “E drejta romake” është një
oqean, një themel, një tërësi rregullash bazë mbi të cilën është ngritur një
sistem i tërë rregullash e ligjesh, gjithë ngrehina e bukur e sistemit të së
drejtës që funksionon sot.
Është një lendë... Jo thjesht një
lendë... Unë e kam tepër të vështirë të gjej një term që t’i shkojë kësaj
ndërtese kaq bazale e kaq të bukur në formimin juridik të studentëve, të
secilit prej nesh, do të thosha.
“E drejta romake” të bën vetë ta
duash. Unë e dua “Të drejtën romake” dhe përpiqem ta përçoj të tillë, me
dashuri tek studentët e mi. Dhe, nëse ka të verteta në ato që thoni ju, që
thonë studentët, unë besoj se ka të bëjë me vlerën, bukurinë e vetë “Të drejtës
romake” dhe dashurinë time për të. Merita ime, besoj të qëndrojë në faktin e
moscenimit të tërësisë së rregullave mbi të cilat është ndërtuar “E drejta
romake” në tërësi dhe sistemi ynë i së drejtës.
Ju jeni pedagoge. Kënaqësinë më
të madhe e ndieni tek juristi, apo tek pedagogu?
Fakti që kam vite që e ushtroj
këtë profesion, dhe që nuk jam shkëputur gjatë këtyre viteve në ushtrimin e
këtij profesioni, në njëfarë mënyre tregon që mua kënaqësi më të madhe më jep
auditori. E ndiej që japë maksimumin tim, vetëm atëherë kur informacionin dhe
njohuritë e mija i ve në funksion të të gjithë atyre që do ta vendosin vetë
nëse do të jenë aplikues të ligjit, apo do të të bëjnë atë profesion që po bëj
unë. Unë kam zgjedhur profesionin e mësimdhënies, por kjo nuk do të thotë që në
karrierën time profesionale, nuk kam provuar kënaqësinë, apo nuk kam tentuar të
provoj kënaqësinë e ushtrimit në praktikë të këtij profesioni. Në fillimet e
karrierës sime profesionale, për pesë vite, kam qenë juriste e Universtetit të
Tiranës, që do të thotë, në këtë rast, aplikimi i të gjithë informacionit dhe
njohurive të mija në funksion të administratës publike, administratës
shtetërore, dhe sigurisht, në mbrojtje të interesave të individëve, që, në
rastin konkret kanë qenë studentët dhe pedagogët, apo edhe stafi administrativ,
sa herë që ato shkeleshin. Pra: mbrojtja e tyre para gjykatës. Ushtrimi apo
aplikimi në praktikë dhe mbrojtja apo, le të themi, misioni i përfaqësuesit,
siç është avokati, që është përfaqësuesi i palëve, ka qenë një kënaqësi, të
cilën e kam marrë për rreth pesë vite rresht; ka qenë një kënaqësi e cila, me
sa duket, nuk paska qenë aq e madhe sa të më bënte të largohesha nga auditori
dhe ta ushtroja atë në funksion të administratës publike apo si avokate e
pavarur, pra si përfaqësuese ligjore e pavarur. Fakti që jam pedagoge, do të
thotë se kënaqësinë më të madhe vazhdon të ma japë auditori. Kam shumë vite që
nuk e ushtrojë rolin apo misionin e përfaqësuesit ligjor të palëve në seancat
gjyqësore. Nëse do të më bëni pyetjen, a më mungojnë seancat gjyqësore dhe a më
mungon gjykata? Jo.
Mos ndoshta i jeni shmangur praktikës
gjyqësore për të mos u përballur me drejtësinë dhe padrejtësinë e vërtetë?
Nëse do t’i përgjigjesha me
diplomaci kësaj pyetje, do të thosha jo. Sepse nuk dua që të them se në vendin tonë nuk ka drejtësi. Nuk
dua të pohoj që gjykatat tona nuk japin drejtësi. Sepse, nëse do ta pohonte një
juriste këtë gjë, dhe aq më keq një pedagoge, pikërisht ajo që ka misionin që
të përgatisë juristë të ardhshëm, është më keq për një pedagoge. Nëqoftëse unë
do të thosha, se gjykatat tona nuk japin drejtësi, unë jam duke gjykuar
ish-studentët e mi, që sot janë gjyqtarë, jam duke gjykuar ish-studentët e mi
që sot ushtrojnë profesionin e avokatit, prokurorit. Dhe, nëse do të thosha që
gjykatat tona nuk japin drejtësi, do të thotë që unë nuk kam besim tek
ish-studentët e mi, që puna ime si pedagoge është e dobët, do të thotë që
misioni im është i parealizuar. Por, unë nuk mund ta them këtë gjë.
Gjatë kohës që na jepnit
leksione, na thoshit se besonit që studentët tuaj mund të bëhen juristë shumë
të mirë. Si e argumentoni këtë besim?
E shikoni, pra? Kjo lidhet me atë
që sapo pohova. Meqenëse unë kam pasur dhe kam besim, që studentët e mi do të
bëhen juristë të mirë, do të vazhdoj, jam e sigurtë që do të vazhdoj ta
ushtrojë profesionin e pedagogut. Nëse një ditë do të më humbë besimi në këtë
fakt, pra që studenët e mi do të bëhen juristë të mirë, të jeni të sigurtë se
ajo do të jetë edhe dita që unë nuk do ta ushtroj më profesionin tim.
Në Fakultetin e Drejtësisë vijnë
gjithmonë studentë me një mesatare dhe një numër të lartë pikësh nga matura. A
është kjo një garanci për t’u bërë juristë shumë të mirë? Sepse dihet që vijnë
edhe për motive pragmatiste, sidoqë, po nga të gjithë, thuhet se Shqipëria po
mbushet me juristë.
Pyetja juaj ka tri komponentë
brenda. Komponenti i parë, nëse nxënës me rezultate shumë të mira nga shkollat
e mesme, a premtojnë që do të bëhen juristë shumë të mirë? Një nxënës me
rezultate shumë të mira nga shkolla e mesme mendoj se premton të bëhet, jo
vetëm një jurist shumë i mirë. Ai premton të bëhet arkitekt i mirë, inxhinier i
mirë, mjek i mirë, historian i mirë, dhe gjithçka. Kjo do të thotë që një
formim i mirë në shkollën e mesme, që nënkupton arritjen e rezultateve të
larta, është një premisë shumë e mirë për t’u bërë një profesionist i mirë në
çfarëdolloj fushe. A është edhe premisë për t’u bërë jurist shumë i mirë,
sikundër të tjerat? Sigurisht, po. A është e vetmja premisë që të çon në...?
Jo. Komponenti i dytë i pyetjes suaj ishte që mos ndoshta kjo zgjedhje apo kjo
preferencë e nxënësve për të ndjekur jurisprudencë vjen nga fakti që ky është
një profesion në të cilin fitimi, apo përfitimet ekonomike janë më të larta?
Kjo është një pyetje, që nëse do të ma bënit mua para 21 vitesh, në 1991, kur
kam filluar fakultetin; pra, që, a zgjodha, a e kisha kërkuar jurisprudencën
për çështje pragmatike, unë do të
thosha, jo. Unë nuk e kam menduar asnjëherë profesionin tim si një
profesion fitimprurës në kuptimin ekonomik të fjalës fitim. E kam menduar si
një profesion fitimprurës në kuptimin e fitimit shpirtëror dhe njëherësh, të
rritjes apo të të ndjerit mirë në aspektin profesional, që e rrit dinjitetin e
njeriut, respektin e tij për veten dhe të të tjerëve për të. Pra, e kam menduar
si një profesion që do të më jepte aq fitime sa do të më duheshin në jetën time.
Çfarëdolloj profesioni që do të zgjidhja, unë do të doja të fitoja, aq sa të më
nevojiteshin si qenie njerëzore për të bërë një jetë normale dhe komode. Në
këtë aspekt, nuk di të ta them, nëse ata që zgjedhin sot jurisprudencën, e
zgjedhin atë për arsye pragmatiste, pra për të marrë fitime të mëdha ekonomike
apo për arsye profesionale, dhe për ta rritur veten si njeri që e kërkon
respektin ndaj vetes. Pra, unë nuk dua të paragjykoj zgjedhjen e nxënësve të
shkollave të mesme të cilët një nga kërkesat apo zgjedhjet e tyre parësore kanë
jurisprudencën. Nuk mund t’i paragjykoj, sepse, po t’i paragjykoja, do të
paragjykoja veten time në zgjedhjen time apo në të drejtën që mua m’u dha para
21 vitesh.
Tendenca e viteve të fundit është
shtimi i numrit të nxënësve që kërkojnë të studiojnë drejtësi. Çdo vit ka rreth
500 studentë të rinj në vitin e parë.
A ka ndonjë të keqe shoqëria në
fakt nga diplomimi masiv në jurisprudencë? A i vjen ndonjë e keqe? Kjo është
një pyetje që unë ia bëj shpesh vetes. A na duhen vërtetë kaq shumë juristë?
Çfarë e mirë dhe jo e mirë i vjen shoqërisë nga ky fakt? Mua, ndoshta, “më
tërheq kë rraba” nga profesioni im dhe, sa më shumë individë, apo sa më shumë
njohës të mirë të ligjit të ketë një shoqëri, aq më civile dhe aq më demokratike
është ajo. Gjithësesi, nëse ligjbërësit tanë e kanë masivizuar këtë degë, apo
kanë shtuar dhe shtojnë kuota çdo vit, nëse ju i pyesni ata, dhe nëse
prioriteti i tyre është kjo që unë arrita, pra që qëllimi i tyre është që ne të
kemi një shoqëri ku zbatimi i ligjit të jetë primar, dhe ata ta kenë bërë për
këtë arsye, ne duhet t’u jemi mirënjohës... Nëse arsyeja nuk është kjo, pastaj është gjë tjetër...
Vazhdon prej vitesh, tanimë,
debati: univeristet publik apo privat. Ç’mendim keni ju për cilësinë e këtyre
universiteteve?
Universitetet private janë
iniciativa të lira ekonomike. Në një vend që, pas viteve 1991-1992 u lejua me
ligj, me paketë kushtetuese, iniciativa e lirë private, në çdo sektor,
automatikisht edhe në arsim, iniciativa e lirë private është më se e
pranueshme, është brenda logjikës së një tregu të lirë. Nuk ka pse në një shtet
demokratik të mundet që disa veprimtari të jenë vetëm në duart e shtetit. Ideja
e një tregu të lirë, në kuptimin e një tregu ku iniciativa private duhet të
lejohet, të mbështetet nga ana e shtetit në të gjithë sektorët. Nuk ka pse
arsimi duhet të konsiderohet si monopol i shtetit. Pse në arsim të mos ketë
iniciativa private? Ne kemi vuajtur për disa vite për shkak të mentalitetit të
gabuar të disa ligjbërësve tanë apo jo tanët, për të mbajtur sektorin e
shëndetësisë vetëm si një sektor publik; dhe u privuam për disa vite të kishim
iniciativë të lirë private në sektorin e shëndetsisë. Aktualisht, duhet të
kemi, në mos gabofsha, jo më shumë se gjashtë vite që në shëndetsi kemi futur
iniciativa private. Nëqoftëse do të ishte lejuar që, edhe në shëndetësi të
kishim iniciativa private, d.m.th. sektori privat të ekzistonte, të ishtë
kompetitiv, konkurues ndaj sektorit publik, ndoshta sot nuk do të kishim në
shëndetësi këto probleme që kemi sot. Sepse qytetari është i lirë t’i shpenzojë
paratë e veta pranë atij shërbimi ku ai ndihet komod, ku ai ka besim. Arsimi,
shëndetësia, dhe sektorë të tjerë, janë sektorë shërbimesh, jo mall i gatshëm.
Gjëja e parë që ka shërbimi është komponenti i besimit. Duke mos qenë mall i
gatshëm, për mua është e parëndësishme se ku e ble domaten, tek dyqani A apo
tek dyqani B. Shërbimi, e theksoj, nuk është mall i gatshëm, dhe është shumë e
rëndësishme kush ta ofron. Dhe, nëqoftëse unë nuk kam besim tek ti që ma ofron
diçka që po e krijon për mua, unë nuk vij ta marr shërbimin. Në këtë aspekt,
unë dua që zgjedhjen time si qytetar për marrjen e shërbimit ta bëj vetë.
Shërbimet nuk mund dhe nuk duhet të ofrohen vetëm nga shteti. Duhet të ofrohen
edhe nga privati, në mënyrë që unë si qytetar, të di se ku t’i marr shërbimet.
Unë jam pro iniciativës private në të gjithë sektorët e shërbimeve, përfshi
arsimin, shëndetësinë, dhe çdo sektor tjetër shërbimesh.
A janë këto sektorë të
shërbimeve, siç janë universitetet private, që, gjithashtu, janë sektorë
shërbimesh, pra që nuk shesin mall të gatshëm, nuk shesin diploma?
Universitetet private nuk duhen menduar si vende ku shiten diploma, por si
vende ku ofrohen shërbime. Kjo është tjetër gjë, nëse do të ma bënit pyetjen
nëse këto universitete ofrojnë shërbime cilësore apo jo. Kjo është një gjë
tjetër. Por, meqenëse unë i shikoj si sektorë shërbimesh, automatikisht, në çdo
sektor shërbimi, qytetari e di, në momentin që nuk e merr shërbimin ashtu siç
duhet, atëherë, sigurisht, edhe zgjedhja, i ka ngelur atij. Por, shteti,
d.m.th. ligji duhet t’u japë mundësi aktorëve konkurues në sektorin e
shërbimeve. Qytetari është i lirë të zgjedhë në cilin nga këto sektorë të
shërbimeve ai të shkojë ta marrë shërbimin.
A duhet, shteti, të minimizojë
zhgënjimin e qytetarëve dhe ta mbrojë atë nga një shërbim i padrejtë, nga një
shërbim i paligjshëm, nga një shërbim jo i mirë? Po. A duhet të gjenden
mekanizma dhe instrumente që shteti të kontrollojë ofrimin e shërbimeve nga ana
e privatit që qytetari të mos cenohet në ofrimin e shërbimeve? Po.
A ofrojnë cilësi këto
universitete?
Unë nuk jam personi të cilit
duhet t’i bëhet kjo pyetje Por, kam eksperiencën time akademike. Unë jap mësim
në Universitetin publik të Tiranës, dhe në universitete privatë, të cilët
sërish janë publikë, sepse ofrojnë një shërbim për publikun; pra nuk më pëlqen
ndarja “universitet publik dhe privat”. Fjala “privat” do të thotë iniciativë
private, por shërbimi është publik. Unë jap mësim në universitetet më iniciativë
private, dhe në Universitetin publik të Tiranës, dhe, nga eksperienca ime
akademike, unë si pedagoge e ofroj shërbimin tim të mësimdhënies njësoj. Pra,
unë si mësimdhënëse, shërbimin tim, që është mësimdhënia, e ofroj në të njëjtën
cilësi. Mua, që e ofroj shërbimin më takon ta shohë nga ky këndvështrim. Të
tjerët, le ta shohin nga këndvështrimi i tyre.
Ish-studentët tuaj ju janë mirënjohës sot?
Mirënjohja, siç dihet, është
paksa relative, dhe koncept paksa subjektiv, sepse varet si dhe ç’kupton me fjalën
mirënjohje secili prej nesh. Por, fakti që ata sot janë juristë shumë të mirë,
do të thotë që janë mirënjohës. Ky është këndvështrimi im. Përshembull, fakti
që unë sot ushtroj një profesion besoj, në një mënyrë korrekte, do të thotë që
u jam mirënjohëse pedagogëve të mi. Sepse shpërblimi më i madh, mirënjohja më e
madhe nga një student për pedagogun e tij është që ai ta ushtrojë profesionin
me korrektësi, dhe jo thjesht nga deklaratat e komplimentet. Po e konkretizoj
më tej idenë time. Kur mua m’u desh të bëja tekstin e së drejtës romake, teksti
me të cilin do të punonin studentët, dhe, sigurisht, punojnë edhe sot, është
teksti i ish-pedagoges sime, Arta Mandro. Ngurrimi im për të përgatitur një
tekst (të cilin e unë e nxora pas 13-14 vitesh mësimdhënieje) ka qenë, e para,
se, a do të mundesha ta bëja në nivelin akademik të profesores sime. Në njëfarë
mënyrë isha e dyzuar mes besimit dhe mosbesimit në të njëjtën kohë tek
eksperienca ime, dhe tek përvoja ime. Më dukej sikur, duke nxjerë një tekst
tjetër, do të mund të cenoja tekstin që ekzistonte. Dhe vendosa të përgatis një
tekst për të njëjtën lëndë, por në një këndvështrim krejt tjetër. Tekstin tim
“E drejta romake” e konceptova dhe e përgatita si një tekst krahasues,
sigurisht, mes së drejtës romake me traditën dhe shkencën tonë të
së drejtës. Pra, duke marrë si referencë “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, Kodin
Civil të Zogut, legjislacionin aktual, dhe, si referencë bazë tekstin e
profesores sime. Pra, unë i jam mirënjohëse asaj, sepse ajo më përgatiti që, edhe
pse pas 12-13 vitesh, të nxirrja një tekst. Mirënjohja ime ishte dhe është,
edhe në dashurinë e pasionin që ajo, por edhe të tjerë pedagogë, më futën për
profesion e bukur të juristit. Dhe, gjithashtu e di, besoj, se pa dashuri e
pasion për profesionin tënd, nuk mund të këtë tekste seriozë dhe as mësimdhënie
të përkushtuar.
Cila do të ishte këshilla që do
t’i jepnit studentëve dhe juristëve?
Nuk do ta prefereroja fjalën “këshillë”,
por mund t’u thosha, se sa më shumë dhe në nivel të lartë shkencor ta ushtrosh
profesionin, aq më shumë ti kupton dimensionin tënd social. Sa më shumë kupton
dimensionin tënd social, aq më mirë do të dish ta ushtrosh profesionin tënd.
Intervistoi:
FIONA KOPALI