50-80 % të nxënësve në Republikën e Kosovës abuzojnë me drogat



Gjersa në dy vitet e kaluara shqetësuese ishte shifra prej 20 % të nxënësve të shkollave në Kosovë që abuzonin me drogat, kjo shifër është bërë edhe më shqetësuese që prej atëherë.

Përdorimi i drogave që nga filloristët është raportuar qysh në vitin e kaluar, madje edhe nxënësit e klasave të VII e lëre më tek nxënësit e shkollës së mesme.


Përdorimi më i theksuar i drogës është në shkollat qendrore si gjimnazet ndërsa jo më pak është i theksuar edhe tek shkollat profesionale.

Në kontaktet individuale me ish përdorues dhe përdorues të drogës në shkollat e mesme shifrat që këta burime në kushte anonimiteti i thonë për Ekuilibër thuhet të jenë mbi 50 deri 80 % të nxënësve të shkollave përkatëse.

Abuzimi me drogat si duket i ka joshur të rinjtë e shkollave të mesme dhe fillore me justifikimin se bari fillestar të cilin ata e konsumojnë dhe nuk duan ta quajnë drogë është më i lehtë se cigarja, madje në treg kushton shumë lirë 2.50 deri 5 euro.

Për abuzimin me drogat deri në këtë mas nuk janë të njohur as organet shkollore, as prindërit mbase as Ministria e Arsimit e cila as që ka ndonjë projekt të kësaj natyre për këtë gjë.

Në kohën kur ajo merret me largimin e vajzave të përkushtuara në fe që insistojnë të respektojnë parimet fetare, rinia shkollore po shkatërron vetën duke marrë orientimin që si takon një rinie të shëndosh dhe evropiane.


Duke qenë në udhëkryq të rrugëve të shumta të kontrabandës për në Europën perëndimore, Kosova është duke përjetuar një rritje të varshmërive dhe dështim të shërbimeve shëndetësore për t’u përballë me kërkesat në rritje për ndihmë.


Mbase edhe në Europë abuzojnë me drogat gjithandej por askund si në Kosovë nuk bëhet deri në këtë mas dhe pa pasur ndonjë kontroll për llojin e drogës që përdoret madje edhe numri i saktë i përdorueseve nuk dihet(Flori Bruqi).

Foto: Korab Basha









Atë kurrë nuk e la kënaqësia nga mbushja e parë me heroinë, të cilën e injektoi drejtpërsëdrejti në venë, ani pse kanë kaluar 33 vjet.

Mirëpo kërkimi i vazhdueshëm për ta rikthyer atë ndjenjë ia shkatërroi atij jetën, tha SH, 48 vjeç, nga një qytet fqinj i Prishtinës, i cili ka varësi ndaj drogës.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë moment gëzimi”, tha ai.

SH, i cili kërkoi të mbetet anonim, mori dozën e parë të heroinës në Split të Kroacisë, në moshën 15 vjeçe.

Mirëpo, kosovarëve nuk iu duhet të udhëtojnë më aq larg që të eksperimentojnë me droga, sepse shteti i tyre tani është në udhëkryq të shumë shtigjeve të trafikimit, duke sjellë kanabis dhe heroinë përmes Kosovës drejt tregut fitimprurës të Evropës perëndimore.

Sot janë deri në 20,000 vartës droge në Kosovë, ndërsa klinika shtetërore për trajtimin e vartësisë nga droga thotë se ka trajtuar vetëm 40 persona deri më tani gjatë këtij viti.

Rritja e papritur e pranisë së drogave ka krijuar shumë vartës të ri, por nuk është shoqëruar me ndryshime në shërbimet e ofruara nga institucionet e shtetit.

Kosova ende nuk ka program gjithëpërfshirës të trajtimit me metadon, drogën zëvendësuese që përdoret kudo në botë për largimin e njerëzve nga heroina. Në anën tjetër, varësia e drogës vazhdon të jetë temë tabu, duke i shkurajuar njerëzit nga kërkimi i ndihmës.

Trend në rritje

“Nuk ka problem me droga në Kosovë, sepse që nga themelimi i misionit nuk është sekuestruar asnjë drogë”, kishte thënë Bernard Kouchner, atëherë shef i Misionit të OKB’së në Kosovë, në vitin 2000.

Në vitin 2001 janë sekuestruar vetëm 0.8 kg heroin. Deri më 2007 kjo shifër u rrit në 6.9 kg, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër arriti 55 kg.

Është e paqartë se deri në çfarë mase kjo gjë mund të shpjegohet me anë të veprimeve të përmirësuara të policisë, apo nëse kjo rritje flet për rolin gjithnjë më të madh të Kosovës si destinacion i rrugëve të ndryshme të kontrabandës drejt Europës perëndimore. Agjencitë e ndryshme, si ndërkombëtare ashtu dhe ato vendore, e shohin këtë situatë në mënyra të ndryshme.

Ajo që është e qartë është se numri i njerëzve në Kosovë që përballen me varësinë, është në rritje. (Shiko linkun).

Më herët gjatë këtij viti, Policia e Kosovës dhe Misioni i BE’së për sundim të ligjit lansuan fushatën ‘Mos i mbyll sytë’, për të trajtuar drogën në shoqëri.

Në fjalën hyrëse në lansimin e fushatës, Reshat Maliqi, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se statistikat tregojnë se numri i përdoruesve të drogës në Kosovë po rritet dhe se ky problem duhet trajtuar shumë seriozisht.

“Ne bashkëpunojmë edhe me shkolla edhe me prindër për të rritur vetëdijen për rreziqet e drogës në shoqëri,” theksoi ai.

Edhe Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për vitin 2011, i cili u publikua në tetor, thekson se ky është një problem në rritje. “Tregu vendor [i drogave] gjithashtu është rritur, kryesisht për kokainën,” lexon raporti.

Qendra Evropiane për Monitorim për Droga dhe Varësi të Drogës raporton se “sasi gjithnjë e më të mëdha të heroinës së kontrabanduar po mbahen në Kosovë për përdorim nga klientët vendorë”.

Në Kosovë ekzistojnë shumë pak statistika të besueshme lidhur me numrin e personave me varshmëri. Policia e Kosovës vlerëson se kjo shifër sillet rreth 10,000 gjersa OJQ Labirinti, njëra nga organizatat e pakta që punojnë në këtë lëmi në Kosovë, krahas UNICEF-it, e vë këtë shifër në 20,000.

Safet Blakaj, i cili bashkë me disa vullnetarë kishte themeluar Labirintin më 2002, thotë se numri i personave me varshmëri në heroinë është duke u rritur. Përdoruesit e drogës që kërkojnë ndihmë nga Labirinti janë shtuar nga 500 në vitin 2009 në 800 këtë vit.

“Nga këta 800 persona me varshmëri të drogave të ndryshme, nga kanabisi deri te heroina, personi më i ri është 13 vjeç dhe më i vjetri 57 vjeç,” tha ai. “Mosha mesatare e tyre është 24 deri 26 vjeçe.”

Sipas tij, droga më e shpeshtë në Kosovë është kanabisi, që shkakton varshmëri psikologjike, ndryshe nga heroina dhe kokaina.


“Shumica e atyre që kërkojnë ndihmë, mbi 95 për qind të tyre, janë me varshmëri në heroinë dhe ata përbëjnë rastet më të rënda,” tha ai. “Në tre vitet e fundit, numri i përdoruesve të këtij lloji të drogës është rritur, sikurse që është rritur numri i personave me varshmëri që përdorin gjilpëra,” tha ai.

“Kjo sjell rrezikun e infeksioneve apo vdekjes nga mbidoza."

Personat me varshmëri shkojnë pa ndihmë



Labirinti ofron këshilla psikiatrike, shërbime terapeutike dhe trajtime zëvendësuese, si dhe psikoterapi për individë, familje dhe grupe. Mirëpo ajo nuk është klinikë, madje ajo praktikisht është OJQ-ja e vetme në Kosovë që ofron shërbime për personat me varshmëri.

SH është në mesin e atyre që i përdorin shërbimet e Labirintit. Miku i tij, tregon ai, ka vdekur para disa javëve nga një mbidozë e heroinës dhe SH kohëve të fundit është diagnostikuar me Hepatit C, virus që shkakton pezmatim të mëlçisë dhe mund të çojë deri në vdekje.

Është shumë e mundshme që SH është infektuar nga një gjilpërë e papastër.

“Tani vetëm jam i lumtur që jam gjallë. Një mik i afërm imi kishte vdekur nga mbidoza”, tha SH, duke u munduar që me duar t’i largojë lotët e pikëllimit.

“Askush nuk na ndihmon”, tha ai. “Kur nuk keni para, duhet t’i përdorni shiringat e personave të tjerë”, tha ai, duke treguar dorën e tij të majtë, e cila ishte plot shenja nga injektimet e përsëritura.

“Shteti nuk na ndihmon”, shtoi ai. Përdoruesit e drogës i kanë dy zgjidhje, sipas SH: të grabitin a të vjedhin, apo ta shtrijnë dorën dhe të kërkojnë lëmoshë. SH pranon se miqtë e tij vjedhin, por ai thotë së vetë nuk vjedh. Për sa i përket kërkimit të lëmoshës, ai nuk e mohon atë.

“Unë marrë atë që më japin”, tha ai.

Para gjashtë viteve, në repartin e psikiatrisë në Qendrën e Klinikës Universitare të Prishtinës është themeluar njësia për trajtimin e personave me varshmëri.

Mirëpo edhe vetë kryesuesi i kësaj njësie ankohet se ajo aktualisht nuk funksionon si duhet dhe se sëmundjet infektive siç janë HIV dhe Hepatiti janë duke shënuar rritje në mesin e personave me varshmëri.

“Ky repart është më shumë një improvizim, sepse nuk kemi institut specifik,” ankohet Dr. Shaban Mecinaj.

“Këtyre personave, pasi që të dalin nga këtu, nuk mund t’u ofrojmë madje as metadon.”



“Deri më tani këtë vit, në repart i kemi pasur 40 persona, nga të cilët shumica ishin me varshmëri në heroinë, alkool, si dhe droga të tjera të buta,” tha Mecinaj.

“Sëmundjet infektive siç janë Hepatiti B dhe C janë në rritje e sipër.”

Faik Hoti, zëdhënës i parë në Ministrinë e Shëndetësisë, thekson se, në pajtim me ligjin, mjekët mund të përshkruajnë metadon.

Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë është duke marrë pjesë në zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit të Kosovës kundër Drogës për vitet 2009 deri 2012.

“Trajtimi me metadon bëhet edhe në institucionet e shëndetësisë sekondare siç janë spitalet rajonale, si dhe në to ka kujdes psikiatrik nga profesionistë të shëndetit mendor” tha ai.

Megjithatë, BE-ja kritikon shërbimet që ofrohen. “Ka mungesë të konsiderueshme në trajtimin e sfidave të kërkesës vendore për ilaçe, duke përfshirë kapacitetet joadekuate për trajtim në spital,” theksoi BE-ja në Raportin e fundit të Progresit, të publikuar muajin e kaluar. “Programi i trajtimit me metadon vazhdon të mos jetë në dispozicion.”

Dr. Mecinaj, i cili çdo ditë merret me persona me varshmëri, thotë se jo vetëm që njësia e tij punon në kushte të vështira, por edhe se është veçanërisht i shqetësuar se personave të riatdhesuar në Kosovë nuk mund t’u përshkruhet metadoni pasi të arrijnë. Kjo përfshin një numër të konsiderueshëm personash që riatdhesohen pas një kohe të kaluar në burg, gjatë së cilës kohë në disa raste ata kanë fituar një lloj varshmërie.

“Personat e riatdhesuar po shkaktojnë probleme meqë kemi raste kur njerëzit vijnë nga aeroporti për të marrë metadon, siç kishin bërë në shtetet perëndimore, ku atje është pa pagesë, mirëpo ne nuk kemi,” u ankua Mecinaj.

Rreth 95 për qind të njerëzve që vijnë në repart janë meshkuj, si dhe shtoi se tabuja lidhur marrjen e drogës është duke i larguar njerëzit.

“Njerëzit ndiejnë tabu, turp dhe stigmë kur vije deri te vizita në klinikën psikiatrike,” tha ai. “Njerëzit e ndërlidhin atë me çmenduri, prandaj edhe nuk vijnë.”

Blakaj nga Labirinti pajtohet se çështja e tabusë është çështje e madhe që duhet tejkaluar. “Ndodh ndonjëherë që përdoruesit e drogës të hidhen jashtë nga familjet e tyre,” tha ai. “Familja mundohet së pari ta fshehë atë, pastaj për dy vite janë mbështetës, dhe përfundimisht heqin dorë.”

Kosova: Vendstrehim apo parajsë e drogës?

Gjersa Kosova disa herë është përshkruar ndërkombëtarisht si e mbushur me drogë, Policia e Kosovës nuk pajtohet me këtë.

Gazmend Hoxha, shef i Departamentit të Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, thekson se rritja e sekuestrimeve është bërë falë angazhimit më të mirë policor e jo për shkak të rritjes së trafikimit.

Megjithatë, ai pranon se Kosovë është në të ashtuquajturën rrugën Ballkanike përgjatë së cilës kalon heroina nga Afganistani për në Evropën perëndimore.




“Më 2009, ne i kemi zënë 36 kg heroinë dhe më 2010, 56 kg heroinë, por kjo nuk do të thotë se ka rritje të trafikimit me drogë,” tha Hoxha. “Ne thjeshtë po punojmë më shumë.”

Ai tha se asnjë forcë policore në rajon nuk është më e përqendruar në narkotikë sa Policia e Kosovës.

“Pse do të hynte droga përmes Kosovës kur thjeshtë mund kalojë përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë? Me liberalizim të vizave pothuajse nuk ka kufij drejt Evropës Qendrore,” tha Hoxha, i cili së voni është bërë Ushtrues Detyre Ndihmës i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare sugjerojnë se përderisa një pjesë e madhe e heroinës, siç sugjeron Hoxha, kalon drejtpërsëdrejti përmes Bullgarisë në Serbi dhe pastaj në Evropën Perëndimore, edhe Kosova luan rol këtu.

Ajo përdoret për deponim dhe ripaketim, dhe hyn në rrugën e re për në Itali e cila kalon nëpër Kosovë dhe Shqipëri.

Një raport nga korriku 2011 i Zyrës së OKB-së për Drogë dhe Krim theksonte: “Kosova duket se vepron si lokacion për deponim për heroinën e kontrabanduar nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë apo Shqipëria. Heroina shpeshherë zgjatet dhe pritet me mjete tjera kimike dhe pastaj ripaketohet dhe dërgohet në drejtim të perëndimit përmes Serbisë apo Malit të Zi.”

Kosova, thekson ai, është po ashtu pjesë e rrugës kryesore përmes Bullgarisë për në Itali.

“Grupet kriminele shqiptare përdorin lidhjet familjare apo fisnore në Kosovë për ta lehtësuar trafikimin e heroinës për në Shqipëri,” thekson ai.

Një raport i Europolit, agjencisë së inteligjencës kriminale të Bashkimit Evropian, i prillit 2011 gjithashtu thekson se “Rajoni i Kosovës në veçanti është lokacion i rëndësishëm për deponim dhe ripaketim”.

Ai shton se “kanabisi i rritur në rajonin e Shqipërisë dhe Kosovës shpërndahet në Greqi, Itali, Slloveni, Hungari, si dhe trafikohet edhe në Turqi, ku këmbehet për heroinë”.

Megjithatë, Hoxha nuk beson se grupet kriminale në Kosovë janë aq të fuqishme sa paraqiten në këto raporte ndërkombëtare.

“Meqë nuk jemi pjesë e Europolit apo Interpolit, edhe më tej nuk kemi mundësi t’i paraqesim faktet tona, prandaj këto raporte janë më shumë politike sesa që janë reale. Të tjerët po flasin për ne,” tha ai.

“Mbani mend se KFOR’i këtu ka një prani të madhe, si dhe të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX’it”

SH gjithashtu beson se disponueshmëria e drogës në Kosovë është e mbivlerësuar.

Ai tregon se ka udhëtuar në Francë, Gjermani, Hungari dhe Republikën Çeke, ku droga, sipas tij, është shumë më lehtësisht në dispozicion sesa në Kosovë.

SH humbi gruan e tij para gjashtë viteve për shkak të varshmërisë së tij, por ende mban shpresë se do të jetë në gjendje që një dita ta rindërtojë jetën e tij.

“Natyrisht se besoj se mund ta ndërtoj familjen”, tha ai. “Nuk mendoj se jam vonë”.(Jeton Musliu)


Rrugët e drogës:

Heroina: Nga Afganistani për në Kosovë përmes Turqisë, pastaj Bullgari dhe Maqedoni/Serbi. Del nga Kosova përmes Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, varësisht nga rruga, përmes Italisë apo Hungarisë.

Kokaina: Kokaina arrin në Kosovë përmes dërgesave postare apo korrierëve nga Serbia dhe shtetet e Amerikës Jugore. (Burimi: Qendra Evropiane për Monitorim të Drogës dhe Varshmërisë së Drogës)

Kanabisi: Pesë deri dhjetë për qind kultivohet në Kosovë, pjesa tjetër vjen nga Shqipëria.
(Burimi: Policia e Kosovës)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit