2013-02-01

Vilhelme Vranari Haxhiraj, befasuese e tronditëse në letërsi, tek e cila spikaten shumë të veçanta…




Nga Vjollca Tytyni-Gjakova


Intervistë me shkrimtaren e papërsësritshme, romacieren, publicisten dhe studiuesen shqiptare Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

“Rrallë gjen një njeri tek i cili mblidhen shumë dhunti a cilësi, si në personin e Vilhelmës.Si te askush tjetër, tek ajo bashkohen këto: është shkrimtare, femër, bashkëshorte, nënë, gjyshe, me prejardhje fisnike tejet të lashtë, me trashëgimi kulturore dhe ekonomike, e persekutuar, i është mohuar profesioni dhe arsimimi, nga të parat luftëtare të demokracisë, formuluese e disa të drejtave dhe lirive të gruas, publiciste, eseiste, studiuese, pi ujë në të gjitha burimet e gjinive letrare, por mbi të gjitha është e talentuar: Ka shumë vullnet e kurajo për të thënë dhe bërë gjënë e duhur.. ajo ka lindur shkrimtare dhe nuk u bë sot….”

Plotësojnë njëri-tjetrin:Prof. Odhise Grillo & Dionis Bubani

Vilhelme Vranari (Haxhiraj) rrjedh nga një familje fisnike dhe patriote, e cila njëherit është edheJu uroj shëndet! me dashuri dhe Vilhelme pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianitit. E persekutuar nga regjimi komunist, karrierën si shkrimtare e krijuse e ka filluar pas viteve 90-të. Edhe pse në një moshë relativisht të madhe, për një kohë të shkrutër ka nxjerrë për botim mëse 30 libra. Ka marrë nderime dhe një seri çmimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Së fundi pret firmosjen e titullit nga ana e Persidentit të Republikës “Mjeshtër i Madh i Penës”. Begraundi i saj i pasur intelektual e letrar dhe përfshirja e saj në politikë, e profilizon atë në një femër të plotësuar në dimensionin e nivelit të lartë bashkëkohor të një gruaje të fortë, të pamposhtur dhe të pasur në aspektin intelektual dhe shoqëror.





*Znj. Vilhelme, përshëndetje! Duke ju ndjekur përmes ekranit më ka ngacmuar një përgjigja juaj: “E ka fajin mbiemri “Vrana”… ndoshta shkaku kryesor i kalvarit të vuajtjeve të paimagjinueshme”. Cila është prejardhja juaj dhe vlerat e kësaj familjeje?

-Përshëndetje! Sa herë më intervistojnë gjithmonë nisin me këto pyetje për gjenezën time. Edhe pse dua t’u shmangem, përsëri ato janë të pranishme. Po ju përgjigjem me një thënie të dramaturgut, shkrimtarit tonë të shquar, z. Teodor Laço, i cili në parathënien e romanit tim “Jetë në Udhëkryq”-2001, shkruan: “…Për shkak të prejardhjes së Vilhelmes nga një familje me emër fisnikësh, që në një sistem tjetër shoqëror do të shërbente si pasaportë identiteti, atë e përfshin vala e lufës së klasave të sistemit komunist. Kështu ia presin krahët, ia plagosin ëndrrën. Por nuk mund t’ia vrasin përfundimisht. Ëndrra ringjallet, prirja ngacmon pasionin, ethen letrare…” Përmes thënies së këtij shkrimtari të madh, sjell parasysh kalvarin që përjetoi familja ime dhe gjysma e shqiptarëve. Familja Vrana, me tradita të hershme atdhetaro-kulturore, pasardhëse e familjes së princit Gjergj Arianiti, si dhe 5 familje të tjera janë themeluesit e Kaninës dhe e veçanta e tyre është se në këtë qytezë ata kanë vazhduar e vazhdojnë jetën pa ndërprerje. Pikërisht kjo lashtësi bëhet pengesë për pseudohistorianët e sidomos për ata që u shërbejnë shovinistëve fqinjë që përfshijnë Himarën, Kaninën, Vlorën e deri në Shkumbin, me pretendimin se qenka Vorio-Epir. Sipas studiuesve:(Biemmi, Hahn, Wiliams; Babinger,P. Petta…) ky mbiemër ka pësuar transformime që nga zanafilla: Uran, Vrano, Brana, Grana, Avranit, Arienit Harenit, Arenit, Arianit, Vrana dhe nga shek XV e në vazhdim nuk është ndryshuar më, por ka ngelur Vrana ( si rrënjë). Nga fill. shek. XX iu shtua mbaresa( j)ose prapashtesa (ri) ( Vranaj dhe Vranari- Vranaraj). Kanina Kaone kurrë nuk ka qenë provincë apo koloni greke ashtu siç shprehet D. Komata. Madje aty nuk ka asnjë gjurmë të kësaj kulture. Dihet se duke i bërë luftë klase familjeve fisnike të Kaninës dhe mbiemrit Vrana në veçanti, zhduknin emrat me të cilët lidhet autoktonia e kësaj treve prehistorike shqiptare.Gjithsesi unë jam krenare që mbaj një mbiemër të lashtë dhe tejet domethënës, edhe pse ka qenë burim i vuajtjeve çnjerëzore

* Deri ku arriti persekutimi komunist ndaj këtij fisi? Çfarë ka ndodhur konkretisht me familjen tuaj gjatë diktaturës?

-Urrejtja dhe hakmarrja e tejskajshme e diktaturës komuniste, e ngritur në sistemin e luftës së egër të klasave, qëndronin si sopata e liktorit mbi kokat e çdo pjesëtari të familjes. Metodat komuniste futën grindjen dhe përçarjen mes familjeve fisnike. Duke futur njërin vëlla nën sqetull dhe duke luftuar ekstremisht tjetrin. Fëmijët e një babai i shndërruan në armiq të betuar deri në vdekje. Zhveshja ekonomike e familjes përmes sekuestrimeve, shtetëzimeve, taksave të jashtëzakonshme, sollën varfërinë materiale dhe mbi të gjitha varfërinë shpirtërore e mendore të tyre. Burgosjet e babait,xhaxhait dhe internimet e familjes Vrana, vrasja e tre nipërve Sharra bënë që të na shihnin vëngër si armiq të betuar të popullit. A mund të vritet kafsha? Ai që e keqtrajton kafshën nuk është njeri. Urrejtja ndaj familjes Vranari, arriti deri aty sa të vrasin pelën e gjyshit ,vetëm se fluturonte si era në të përpjetën e kalldrëmit të Kaninës,( pela dhe vreshta e Xhevit Aliut kujtohen edhe sot pas 65 vitesh që ai mungon fizikisht), por ka lënë pas një emër të mirë, me të cilin, ashtu si unë, do të krenohej çdo nip dhe mbesë. Ose vranë pa mëshirë qenin e bardhë si bora që e kishte sjellë xhaxhai nga Vjena. Familja e ruante si një relike të tij, sepse Skënder Vrana u internua nga gjermanët dhe u ekzekutua më 9 maj 1945 (Aushvic). Ai vdiq si shqiptar i mirë, poliglot e intelektual i mirëfilltë i arsimuar në Perëndim (H. Fulltzy & Univ. Siena -Firence) por vetëm më 1994 u quajt dëshmor. Edhe për të e kishte fajin mbiemri i tij i lashtë.Por krimi vazhdon… Nuk ka ndodhur askund krim më makabër si në familjen Vranari. Studenti i Tregtares, Batjar Vranari, 18 vjeç,nuk firmosi për t’u bërë spiun i sigurimit të shtetit dhe e pagoi me jetën. Gjetën mënyrë më çnjerëzore për t’i prerë jetën në mes. Ndërsa kthehej nga shkolla, në samarin e mushkës, me të cilën atë ditë të kobshme shkoi në shkollë (Kaninë –Vlorë) spiunët që e ndiqnin, vunë gozhdë dhe kafsha e trembur e mori zvarrë nga Vlora në Kaninë. Ia mblodhën trupin copa- copa në çarçafë. Pra dy vjet pas ekzekutimit të të vëllait, Skënderit, gjyshit dhe gjyshes sime u sollën në shtëpi vetëm një këmbë të Batjarit (nga gjuri e poshtë) e lidhur nyje në yzengjinë e kafshës. A ka dhembje më të madhe se kjo, për dy prindër pleq?! Më pas internime, burgime dhe mohime profesioni pa fund…

*Na flisni pak për fëmijërinë, rininë, shkollimin dhe punësimin, si në sistemin komunist e gjerë në ditët e sotme?

-Kam qenë fëmija pa fëmijëri dhe e reja pa rini, për deri sa këto kohë të pakthyeshme i kam kaluar sa në internim dhe sa nga një fshat në tjetrin. E rritur nëpër dyert e botës( të të afërmëve), apo me lakra pa vaj, atëherë ç’gëzim mund të ndjejë një fëmijë,një e re, një jetime me baba gjallë, si puna ime? Gjithsesi shfrytëzova dritaret e rënies së luftës së klasave dhe shpirtgjerësinë e individëve të veçantë, që arrita të kryej pedagogjiken “Jani Minga” në Vlorë dhe ndërkohë që vazhdoja Universitetin me korrespondencë, ushtroja profesionin e mësuesisë në fshat. Kjo ishte një ëndërr e bukur që zgjati vetëm katër vite. Në gusht 1966-ës, më ndaluan diplomimin dhe më pushuan nga arsimi, Ndërkohë , gjithë familjet Vranari i rinternuan (1967-1991). E vendosur për të realizuar veten me një farë kulture, i kërkova Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, të drejtën për arsimim dhe punësim.

Me shumë vështirësi, vetëm pas 13 vitesh u diplomova, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Punova punëtore krahu 25 vjet.Për shkak të rezultateve maksimale, Katedra e Shkencave Shoqërore bëri kërkesë që të emërohesha. Por, sipas N/kryetarit të Kom. Ekzekutiv të kohës, unë që e kisha hequr mbi shpinë vuajtjen dhe torturën klasore, “nuk isha në gjendje të bëja luftën e klasave”. Edhe sikur të më emëronin, kurrë nuk do të luftoja ata që ishin gjaku im dhe të vuajtur e të përbuzur si unë. Pastaj kishte se kush e bënte atë gjëmë. Vepronte një sistem i tërë, sigurimi i shtetit, ekzekutivi ,legjislativi, gjyqësori e veçanërisht sahanlëpirësit . Rinisa profesionin vetëm më 1991, për t’u pushuar përsëri më 1997 (si demokrate) dhe vazhdova pa punë…

*Edhe pse dëshira për të shkruar ka qenë që në kohën e fëmijërisë, kjo është arritur në një kohë të vonë. Cilat kanë qenë arsyet?

- Përsëri do të përgjigjem me fjalët e shokut tim, poetit brilant, akademikut Xhevahir Spahiu, i cili ka thënë: “ …Në shkollën pedagogjike “J.Miga” hartimet e Vilhelmes shkonin klasë më klasë dhe ne u bëmë poetë …Ashtu si mbiemri i shoqes sime Vilhelme, edhe qielli ishte i errët. Duhej kohë që qielli të hapej dhe ajo ta thoshte fjalën e saj. Sot ajo vjen si Antigona për të pajtuar dhe shëruar shpirtërat e lënduar e të sakatosur të shqiptarëve…” E pra…ishte koha me sistemin diktaturë komuniste që ma mbylli gojën, por nuk mundi të më mbyllte veshët për të dëgjuar atë që duhej; nuk më mbylli as sytë për të parë ç’duhej të shihja; më ndaloi shprehjen e mendimit, por kurrë nuk mundi ta frenonte dot mendjen, e cila gëlonte mendimin për një tjetër jetë. Kjo ishte përvoja e hidhur e një kombi vital, të cilën unë e ngrita në artin e mendimit dhe të të shprehurit përmes fjalës dhe librit, vetëm në moshën 52 vjeçe.

*Botimet tuaja letrare janë në; poezi, prozë të shkurtër, romane, trilogji, letërsi për fëmijë, publicistikë, studime, etj. Të rrallë janë shkrimtarët apo krijuesit të cilët kanë lëvruar në pothuajsë të gjitha gjinitë e fushës së letërsisë shqipe. Cili do ishte komenti juaj lidhur me këtë?

-Po, është e vërtetë që lëvroj thuajse në të gjitha gjinitë.Si shumë autorë të tjerë, nisa me poezi. Pastaj kalova drejt e në roman, një gjini e vështirë që kërkon kohë dhe vullnet. Nëse do të shohim titujt e botimeve, jam e pozicionuar te proza, kryesisht te romani dhe skica. Kam botuar 13 romane dhe një në redaktim, shifër që ecën paralel me novelën dhe tregimin. Letërsia për fëmijë bën ¼ e krijimtarisë sime (8 libra), të cilën e lëvroj si letërsi didaktike që iu vinë në ndihmë programeve shkollore. Këtë e kam bërë me ndërgjegje për të plotësuar apo për të ndihmuar disa koncepte që fëmijët e kanë të vështirë t’i asimilojnë përmes teksteve shkollore, si në histori, gjeografi, dituri… në përputhje me kërkesat bashkëkohore. Përsa i përket publicistikës dhe studimit, këto kanë qenë në vartësi të situatave politike në vend dhe rajon, si dhe problemeve sociale që më shqetësojnë jo vetëm mua si qytetare, por edhe si krijuese.

*Vilhelmja, shkrimtare, bashkëshorte dhe nënë. Janë tri gjëra që duan përkushtim. Si e keni përballuar dhe cila ka qenë ndihma e familjes për të arritur atë cfarë keni ëndërruar ?

-Edhe këtu po të jap të drejtë,me thëniet e dy miqëve të mi të shquar, të cilët i kujtoj me respekt, prof. Odhise Grillos dhe Dionis Bubanit, që kanë plotësuar njëri-tjetrin: “ Rrallë gjen një person ku mblidhen shumë dhunti a cilësi, si në personin e Vilhelmës. Tek ajo bashkohen këto: është shkrimtare femër, bashkëshorte, nënë, gjyshe, me prejardhje fisnike tejet të lashtë, me trashëgimi kulturore dhe ekonomike, e persekutuar, i është mohuar profesioni dhe arsimimi, nga të parat luftëtare të demokracisë, formuluese e disa të drejtave dhe lirive të gruas, publiciste, eseiste, studiuese, pi ujë në të gjitha burimet e gjinive letrare, por mbi të gjitha është e talentuar. Ka shumë vullnet e kurajo për të thënë dhe bërë gjënë e duhur… pasi ka lindur shkrimtare dhe nuk u bë sot….” –Nuk di…Ndoshta kanë pasur të drejtë. Veçse talenti është tipar kryesor për një shkrimtar apo artist. Pa pasur dhunti krijuese nuk mund të bëhesh askush. Shumë, shumë mund të bëhesh bejtexhi apo një biograf gjysmak,por kurrë shkrimtar. Paçka se tani edhe këta vetquhen shkrimtarë, disa edhe vetshpallen më të mëdhenjtë e letërsisë së jugut. Mendoj se libra të tillë monografikë, që flasin për biografinë e kryetarit të kooperativës, kryetarit të këshillit, kryetarit të fisit apo libër me bejte që vlen të rrëfehet në netë dimri pranë oxhakut, duke ngrënë kokodashka apo duke luajtur domino a letra, nuk duhet të futen në kolanën e letërsisë shqipe. Nuk u bë deti kos dhe o burra, të marim nga një lugë…Jo. Kurrë. Veçse jam e vetëdijshme se edhe ato kanë vlera, por e kanë vendin diku tjetër dhe jo të futen në katedrat e Universiteteve siç ndodh rëndomë.

Duke parë prirjet e mija, nxitësi kryesor në letërsinë time, ka qenë bashkëshorti im Fitim Haxhiraj, tek i cili gjej mbështetjen e duhur si menaxher, fotograf dhe organizator i gjithë veprimtarive letrare.

Gjthashtu më mbështesin nusja me djalin duke më krijur kushtet dhe kohën për të punuar. Po kujtoj se vajza ime Eermrlinda me të shoqin, Lek Spathari, muzikantë të talentuar që e ushtrojnë profesionin në Itali, bashkë me dy fëmijët e tyre janë burim frymëzimi. Nuk duhet të harroj të them se i dua shumë të gjithë dhe vlerësoj ndihmën e tyre financiare për botimin e librave. Krijimtaria për mua fillon çdo ditë pasi kam kryer të gjitha detyrat si zonjë shtëpie, si bashkëshorte, nënë dhe gjyshe.

Duke qenë si shkrimtarja më e vjetër në moshë dhe me një bagazh krijimesh, nathoni se cilat janë disa nga çmimet që ju i keni marrë gjatë krijimtarisë suaj letrare?

-…Nuk di nëse jam unë më e moshuara nga krijueset e tjera. Por e di mirë se në letërsinë shqipe nuk ka femër tjetër që të ketë nisur të shkruajë në moshën 52 vjeçe, si unë. Si dhe jam e bindur se asnjë grua krijuese, madje as ndonjë mashkull, që jo në 15 vite sa kam unë, por gjatë gjithë jetës të ketë shkruar 28 libra, ku përfshihen mijëra faqe, pa llogaritur disa që presin botimin. Gjatë kësaj periudhe jam vlerësuar me 13 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe jam përfshirë në 10 antologji brenda dhe jashtë vendit. Në të gjitha çmimet jam ndier e befasuar dhe e vlerësuar, si me çmimin e parë“Gj.Kastrioti.Skënderbeu-Torino-2009” nga Ministria e Kulturës Itali dhe Vatra Arbëreshe;Çmimi “Mirënjohje e Lidhjes Prizrenit” Kosovë ”2009; “Çmimi i parë” në 100 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, në Mal të Zi -2011. Por më e arrirë dhe më krenare jam ndier kur më ka vlerësuar Kanina dhe Vlora ime. Ishin ato që më dhuruan vuajtjet më të mëdha çnjerëzore dhe pikërisht ato më dhanë vendin që më takonte, me titujt “Mirënjohje e Vlorës”,“Nderi i Kaninës” dhe “Çmimin e Karrierës” etj…Vlerësimi me një çmim apo me një titull i një femre është një tregues se edhe ne jemi në gjendje të ballafaqohemi me inteligjencën mashkullore, duke pranuar sfidën. Veçse një çmim e ka jehonën deri në 2-3 ditë. Ndaj them me bindje se vlerësimet letrare u takojnë lexuesëve të shumtë, bashkëpunëtorëve të mi, sponsorëve, kritikëve dhe analistëve të panumërt. Mbi të gjitha këto çmime i takojnë qytetit tim, Vlorës, të cilën s’e ndërroj me asnjë vend në botë dhe të pakrahasueshmes, Kaninës sime që më bën të ndihem krenare për të.

*Sa e lehtë, apo e vështirë është të krijosh në ditët e sotme? Sa ndihmohen krijuesit nga institucionet përkatëse, si vendore por edhe nga ato qëndrore?

- Unë them: “Lum kush krijon sot!”. Natyrisht letërsia dhe arti i përshtaten kohës dhe kushteve në të cilat ato zhvillohen.Mendoj se dalin si oponencë ndaj fenomoneve shoqërore që janë rezultat i politikave të keqzbatuara.Por kurrë nuk ka letërsi të mirë kur ajo diktohet nga politika apo shndërrohet në biznes. Pikërisht është Realizmi Real, ai që e bënë letërsinë e sotme të jetë një Letërsi e Re, Letërsi Ndryshenga ajo e realizmit socialist, një letërsi bashkëkohore që del jashtë kornizave të diktuara nga ligjet e shkruara të dikatutrës apo ligjet e pashkruara të mesjetës.

Përsa i përket vështirësisë:

*Të krijosh, kur ke talent, të cilin e vë në shërbim të lexuesit, nuk është e vështirë. Vështirësia fillon pasi është përfunduar dorëshkrimi. Me procesin e botimit fillon faktori ekonomik që e vret dy herë shkrimtarin : koha për krijimtarinë dhe vlera monetare për botim.

Ku qëndron e keqja?

*Së pari.: botimi i një libri artistik nuk shihet si vlerë kombëtare nga Shtëpia Botuese, por si një mjet fitimi.

*Së dyti: kalimi i librit nga shkrimtari tek lexuesi. Nëse nuk do të shihej si biznes fitimprurës nga botuesi, atëherë ai duhej të merrej vetë me shpërndarjen e librit.

*Së treti: Mungojnë politikat e menaxhimit të librit artistik nga Ministritë përkatëse (Arsim-Kulturë) që nuk veprohet ashtu siç ndiqet me librin shkollor.

*Së katërti: Lind nevoja e zbatimit rigoroz të ligjit të konkurencës së ndershme. Jo të gjitha dorëshkimet duhet të botohen si letërsi e mirfilltë. Duhet të ngrihen komisione ekspertësh letrarë, kritikë, redaktorë, që të vlerësojnë krijimet e pranueshme për lexuesin dhe për tregun. Fatkeqësisht sot pranon të quhet redaktor dhe e vendos emrin si i tillë edhe ai që ka shkruajtur një bejte. Unë do të fyeja veten, autorin me librin e tij, si dhe gjithë letërsinë shqipe, nëse do të pranoja të quhesha redaktore diku, pa e njohur këtë fushë.

*Së pesti: Shtëpitë Botuese janë industria e fabrikimit të mendjes krijuese. Por për fat të keq janë shndërruar në vatra të mbajtjes gjallë të letërsisë së Realizmit Socialist duke sjellë në kulturën shqiptare një neo-komunizëm, që mbanë ende gjallë Diktatorin dhe bëmat e tij vrastare që zhvilluan gjenocidin shfarosës në Shqipëri. Si i pranon inteligjenca, politika aktuale, ato Shtëpi Botuese që trumbetojnë para, gjatë dhe pas panairit vetëm 5 (pesë) libra-letërsi politike?! Kjo është letërsia bashkëkohore shqiptare?! Këta janë autorët e vetëm që e përfaqësojnë atë?! Mos vallë shpirti dhe ndërgjegja e shqiptarit kanë nevojë të helmohen akoma nga politika?! Nuk mjaftoi koha e izolimit diktaturë komuniste dhe 21 vjet tranzicion, por edhe tani?! Turp!!! Letërsia duhet të luajë rolin e saj të paanshëm në fenomenet sociale që shqetësojnë mbarë komunitetin.

Shqiptarët duhet t’ i thërrasin mendjes sa s’është vonë. Po kthehemi aty ku kemi qenë për gjysmë shekulli. Në atë vend, ku letërsia është e varur nga politika, nuk mund të ketë progres.

I pari që kërkon shpërblimin është krijuesi dhe jo botuesi siç ndodh rëndomë tek ne, pasi letërsia e mirfilltë është vlerë intelektuale. Shtëpitë Botuese i shndërruan në treg të ideve politike stendat e panairit të librit, vetëm me katër- pesë autorë. Si duket për këta autorë, të gjitha problemet politike, ekonomike, juridike dhe sociale në vendin tonë janë të zgjidhura. Tani na ngelet vetëm të promovojmë në çdo qytet, idetë e tyre politike si ide të reja dhe të mirëqena “letrare”.Kjo nuk është letërsi.

*Së fundmi, shoqëria shqiptare është tejet e politizuar dhe rend pas librave politikë, jo se ata mbartin letërsi dhe art, por kjo lloj “politike letrare”tek nostalgjikët mban gjallë Enverin, diktaturën, i shndërrojnë këta lloj libra si bestseller, sepse i blejnë edhe kata që i kanë xhepat bosh. Në panair lexuesit nuk iu servir art dhe letërsi, por i ngopën me politikë, sikur nuk u mjafton media.

*Duke marrë parasysh rrugën tuaj letrare, me çfarë do t’i surprizoni adhuruesit tuaj dhe sidomos me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë?

-Janë gati disa libra. Para botimit kanë nevojë për një rishikim disa syresh të përfunduara: Një me poezi; një me prozë të zgjedhur; një me skica, tregime e novela; Libri Nr.2 ” Ese-publicistikë; Një roman që po redakton Dr. Fatmir Terziu, në Londër. Kurse si surprizë mendoj se do të jetë studimi disavjeçar që nga 1992, mbi lashtësinë dhe Autoktoninë e Shqipërisë,sidomos asaj jugore. Shpresoj ta përuroj gjatë ditëve festive të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, nëse më premton shëndeti.

*A keni ndonjë peng që u ka ngelur pa realizuar gjatë jetës suaj?

- Peng nuk besoj të ketë ndonjë shkrimtar snobist kujtimesh “ paksa i vonuar në kohë” se ai ose ajo, në një jetë bashkëshortore që s’ka pasur kriza familjare, që e deklaron me bujë. Kjo është gënjeshtra më e madhe e këtij fillim shekulli, sepse jeta sado para të kesh, nuk është parajsë. Pasuria nuk është mjeti për të të bërë të lumtur. I lumtur është ai që di ta përballojë atë me kurajo. Ka shumë arsye që edhe i varfëri të ndihet i lumtur…Jeta nuk rrjedh ashtu siç e do dhe siç e ëndërron secili. Jeta është luftë dhe përpjekje, realizime dhe mosrealizime. Mbi të gjitha jeta është e drejta e kujtdo, është përgjegjësi dhe detyrë ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë. Ka rëndësi që në jetë të bësh gjënë e duhur. Pastaj sa arrin, kjo varet nga shumë rrethana që nuk janë në vartësinë e individit. Me vlerë është që jeta të të formojë si njeri me personalitet, me individualitet, gjë që e arrin me intelekt, arsimim dhe punë. E mira nuk ka fund, ndaj njeriu kërkon ndaj vetes gjithmonë dhe më shumë. Mendoj se deri diku kam arritur të jem vetvetja. Më vjen keq që arritjet e mija nuk u bënë në kohë. Gjithsesi, kurrë s’është vonë për të bërë gjënë e duhur. Tjetër peng: E kam mbajtur shtëpinë dhe fëmijët i kam rritur me gjilpërë, me grep dhe me shtiza. Më vjen keq që gjendja financiare nuk më ka lejuar të hapja një sfilatë me punimet e mija artistike që ishin të mrekullueshme. Gjithsesi mund të bëj diçka, një farë reklamimi ndryshe nga sa më ka ngelur…Kam një dëshirë që ndoshta e realizojë: të dramatizojë një pjesë nga trilogia “Vështroni Meduzën”. Ku i dihet …Ndoshta.. shpresa vdes e fundit.

Një peng tjetër: Vlerësimet nga institucionet e larta shtetërore për cilëndo vlerë intelektuale, bëhen ose në bazë të njohjes, në bazë të bindjeve politike ose pas vdekjes. Kjo është e padrejtë. Ndaj më lind e drejta të mendoj se ende vazhdon të bëhet luftë klase.

Znj. Vilhelme, ndërkohë, nga Presidenti i Republikës, prisni firmosjen e Titullit

“ Mjeshtër i Madh i Penës”. Keni ndonjë mesazh?

Di diçka për këtë qysh para mëse dy vjetësh, kur më kërkuan me ngut disa dokumente natyrisht rreth letërsisë. Janë bërë disa propozime nga disa shoqata të miratuara edhe nga Bashkia Vlorë si dhe nga Ministria e Kulturës, por… Do t’i lutesha Presidentit të Republikës,Prof.Dr.Bamir Topi, se edhe intelektualët e persektuar meritojnë të vlerësohen nga Shkëlqesia e Tij… Pasi edhe ata japin vlera. Vlerësimi pas vdekjes është si shiu pas të korrave! E mira është që vlersimet të bëhen për së gjalli. Kujtoj se koha ecën edhe vlerat nuk ngelen në vend, por rriten. Asnjë i persekutuar nuk kërkon shpërblim meritokracie politik as dëmshpërblim vuajtjsh klasore, por vetëm vënien në dukje të vlerave intelektuale dhe professionale që jep në dobi të Kombit.

*Cili është roli i një shkrimtari apo intelektuaIi në Shqipëri, si dhe a vlerësohen ashtu siç meritojnë.

-Nëqoftë se krijimtaria e një shkrimtari vihet në shërbim të shoqërisë, e cila vë në dukje problemet sociale që e shqetësojnë komunitetin, që po e grryen mbarë njerëzimin dhe vet shkrimtarin, mendoj se ka vlerë. Për fat të keq akoma institucionet e kulturës shqiptare nuk kanë hequr dorë nga shkrimtarët e realizmit socialist. Kur të vdesin ata, ndoshta do të kujtohen se në Shqipëri kanë dalë edhe shkrimtarë të tjerë pas vitit 1990. Duan apo s’duan juritë neo-komuniste, letërsia shqipe do të rrugëtojë në gjurmët e kulturës botërore, sepse demokracia është drejt rritjes dhe konsolidimit. Portat e mirësisë që ofron globalizmi, si në ekonomi, politikë e kudo edhe në kulturë e letërsi nuk i mbyllin dot më nostalgjikët e diktaturës komuniste. Një komb që mohon artin,letërsinë e vërtetë dhe kulturën bashkëkohore, është i destinuar të vdesë, ose të shkojë drejt regresit.

*Pas 90-tës, ju jeni angazhuar në themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë si dhe në themelimin e Lidhjes Demokratike të Gruas (LDGSH) në Vlorë por edhe në Himarë. Sa i vështirë ka qenë angazhimi juaj edhe në politikë?

-Eh, ato ishin kohë të arta, sepse punohej me shpirt, me ideal, pa interes personal,vetëm për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe hedhjen e themeleve të demokracisë. Synimi i të gjithëve ne, nismëtarëve ishte ndërtimi i shtetit ligjor, shtetit të së drejtës ku të tre pushtetet: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor të ishin të pavarur nga njëri- tjetri. Shumica e nismëtarëve janë harruar nga Partia Demokratike, i kanë hedhur në listën e Ish-ve. Pasi i vdekuri dhe i larguari janë pa hatër(të harruar). Veçse duhet të dinë një gjë këta që drejtojnë sot PD nëpër Bashki e Qarqe, se kurrë nuk mund të ketë më demokratë të atillë, si në vitet 1990-1997. Ishin kohë të tjera ato. Tani në PD kanë hyrë ata që ngrysen të kuq dhe zgjohen blu vetëm për një karrige dhe për të mbushur xhepat. Atëherë ishte kënaqësi kur punoje për të fituar të drejtat dhe liritë e tua, që deri në vitet 90 ende nuk njihej Karta e të Drejtave të Njeriut nga asnjë shqiptar. Krahas proceseve të një demokracie të brishtë ne luftonim për të drejtat, liritë tona, për barazi gjinore në të gjitha nivelet e pushtetetit. Kur mendoj se me shoqet e mija kemi punuar në Himarë, Selenicë, Sevaster dhe në çdo fshat të Vlorës për elektoratin e PD;i dhamë frymë LDG. në Tiranë dhe u bëmë shkëndija e parë për një organizim mbarëkombëtar të femrës demokrate. Këmbim përvoje me seminare e organizuara nga Fondacioni “Hans Zaidel” apo Instituti i Shtetit Misissipi etje… Kur kthehem pas në kohë e vë re se shumë nga kërkesat e paraqitura Parlamentit, Presidentit, Kryeministrit kanë gjetur zbatim; apo bashkëpunimi me Ambasadën italiane për legalizimin e emigrantëve dhe bashkimin familjar të tyre, ndihem krenare për punën e bërë si Kryetare e LDG-Vlorë. Nuk llogariten sa e sa sesione shkencore kemi organizuar me LDG. Vlorë. për luftën kundër trafikut dhe përdorimit të drogës; kundër kriminalitetit, kundër trafikut të qenieve njerëzore(vajza e fëmijë); kundër abortit tek të miturat; zgjidhja e problemit të papunësisë; rritja e numrit të divorceve si pasojë negative për fëmijët; luftë ndaj dhunës në familje (ndaj femrës dhe fëmijëve), aktivitete këto të zhvilluara qysh në vitet 1993-94. Kujtoj me nostalgji kur unë, e harruara prej kohës, që, më kishin mohuar çdo të drejtë humane, bëja pjesë në organet drejtuese të gruas dhe të PD në qark e në rang Republike, më duket si një ëndërr. Ose mendoj se sa bukur ishte kur në Sheshin Skënderbej, mbi parvazin e shatërvanit fomulonim kërkesat tona për barazi gjinore që do ta gjente shprehjen në një shoqëri demokratike. Nuk ka si harrohet Kongresi i Parë i Gruas Demokratke, ku unë, Znj. Futura Hasko dhe Znj.Ilmie Mara drejtuam punimet e tij me sukses. Këto ishin disa, pasi ka shumë pika kulmore puna me L.DG. Veçse them me bindje se të luftoje për probleme të tilla atë kohë ishte trimëri. Ne patëm kurajon që vramë frikën. Gjithsesi ne bëmë sa mundëm dhe sa na lejonin njohuritë. Me këtë rast i përshëndes të gjitha ato zonja,gra trimëresha nismëtare të demokracisë, që punuan pa kurrfarë interesi vetjak..

Sot unë jam e bindur se nëse do të kthehej koha pas, ndoshta do të dija ta bëja më mirë.

*Lidhja juaj me Kosovën!? Edhe në veprat e juaja, në intervista, me miq dhe në veprimtari të ndryshme, ju shprehni admimrim të madh për Kosovën. Realisht, cili është bashkëpunimi juaj konkret me Kosovën dhe me krijuesit kosovarë?

-Pavarësia e Kosovës për gjithë shqiptarët është ngjarja më e rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912 në Vlorë. Veçse nuk mund të vihet shenja e barazimit mes përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe lirisë së fituar nga pushtuesit serb në Kosovë. Ajo rrugë që ka nisur sot Kosova për ndërtimin e Demokracisë, në Shqipëri duhej të kishte nisur qysh më 1945.Për fat të keq këtu u instalua komunizmi, një sistem i paprovuar më parë që na ndau nga bota e të gjallëve, nga kultura perëndimore. Tek ne ka shumë për të bërë dhe duhet të dimë se si duhet ecur më tej. Jemi para provës së madhe për anëtarësimin në BE. Ne kemi ngelur ish të përndjekur dhe ish pronarë. Përsëri të ndarë e të përçarë. Kosova duhet të dijë ta vlerësojë fitoren e rilindjes së dytë të saj dhe të mësojë nga gabimet e Shqipërisë. Jam e bindur se Kosova do të integrohet më shpejt se ne në organizmat ndërkombëtare.

Veç publicistikës, eseve, poezive dhe një romani kushtuar Kosovës, kam mjaft miq në Kosovë, si magjistrin Murat Jashari, ish Deputetin Ramadan Gashi, Poetin Ali Podrimja, Kritikun Ali Aliu… Kujtoj me respekt shkrimtarin Rifat Kukaj, vlerësoj dhe kam komunikuar me Prof.Agim Vincën etje. Kam relata me Poeteshat e Vushtrisë, Drejtuesit e ansamblit “Lidhja e Prizrenit” Jeton Qafleshi dhe Gazmend Dervishi, si dhe me Lidhjen e shkrimtarëve Prizren z. Berat Batiu, si dhe me mediat e Kosovës. Komunikoj me shumë shqiptarë nga Kosova që jetojnë nëpër botë, si ShBA, Angli, Gjermani, Zvicër, Itali, Rumani, Suedi, kanada …

* Duke marrë shkas në atë se “Artsitët reflektojnë kur e kërkon nevoja”, të kujtojmë se pak para ca vitesh në adresë të Parlamentit keni kërkuar ngritjen e Komisionit parlamentarë për çështjen e grave, …. Sa është arritur kjo?

-Në fjalën time përshëndetëse në Kongresin e LDG-së maj 2003 kërkova ngritjen e një komisioni parlamentar për gruan. Por përgjigja ishte se mungon numri i Deputeteve femra për të krijuar një komision feminist. Me keqardhje them se në këto vitet e fundit të tranzicionit është vënë re se femrat kënaqen me një detyrë administrative të rangut të mesëm dhe punojnë vetëm për të vendosur burra në krye. Edhe pse është vendosur një shifër fiktive 30% për pjesmarrjen e gruas në të gjitha nivelet e larta shtetërore e politike, kjo nuk ka gjetur zbatim. Një komision i tillë do ta ndihmonte më tepër shoqërinë në emancipimin e femrës. Nuk jam dakord me këtë shifër. Natyrisht kemi një Kryeparlamentare dhe një Prokurore të Përgjithshme. Por harrojmë se ne femrat përbëjmë 51,2 % të elektoratit dhe jemi të afta po aq sa burrat. Vetëm nuk duhet ta shpërdorojmë besimin që na japin. Ne duhet të jemi model i virtytit në shoqëri. Femra që ndërton një familje të bukur, është në gjendje të ndërtojë, por edhe të shkatërrojë një perandori kur i hipën mendja mbi flokë. Gruaja duhet ta pranojë sfidën, të përballet me elektoratin dhe duhet të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit e t’i japë votëbesimin. Këtë besueshmëri duhet ta krijojnë vetë femrat me profesionalizëm, arsimim, intelekt. punë vetmohuese, duke luftuar korrupsionin dhe duhet të jenë më të vëmendshme për realizimin e kërkesave të këshillit të BE. Edhe pse duhet të punojnë për realizimin e një programi të përbashkët, edhe brenda së njëjtës forcë politike ato duhet të jenë në oponencë me meshkujt dhe politikën e ndjekur ndaj tyre, si shembull i mirësisë, mirëkuptimit dhe tolerancës. Për të arritur këto duhet kurajo,vullnet, këmbëngulje dhe paanshmëri politike kur flitet për vlerësimin e gjinisë femër dhe veçanërisht të dinjitetit femëror.

*Ju faleminderit zonja Vili! Është kënaqësi të bisedosh me ju.

-Faleminderit juve Vjollca! Kënaqësia më e madhe ishte imja, pasi numrit të bashkëpunëtorëve të mi, iu shtua edhe një vajzë e brishtë, e zonja profesionalisht dhe mbi të gjitha, një bijë Kosove, gjakovarja Vjollca Tytyni.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...