2013-01-27

Erleta Hoti: Ju rrëfej momentet dramatike të ndarjes me Kastro Zizon


“Ai nuk përgjigjet financiarisht për vajzën”
Para dy muajve ajo ishte në një rrëfim për suplementin ”Panorama plus”, në të cilën fliste mbi lidhjen e saj me këngëtarin Klevis Bega (Kastro Zizo), por vetëm një ditë më pas u komentua ndarja e çiftit. Edhe këtë radhë vajza e njohur e ekranit kosovar, Erleta Hoti (e bija e veprimtarit të njohur Ukshin Hoti), vjen përsëri me një rrëfim, kësaj here për ndarjen dhe përjetimet e saj mbi këtë lidhje. Çfarë ka përjetuar gjatë kohës që ka qenë me Kastron, kërcënimet dhe ofendimet nga ana e tij dhe shumë gjëra të tjera, Erleta i tregon në vazhdim…
Po fillojmë aty ku e kishim lënë në intervistën e fundit, vetëm disa ditë më pas është shkruar se ju ishit ndarë nga Klevis Bega. Mund të na tregoni arsyen e ndarjes?
Po e vazhdojmë intervistën, por tani me më shumë objektivitet dhe jo në mënyrë emotive, ashtu si para disa muajve. Me shumë kërcënime, por sërish me guxim, siç jam gjithmonë. Është e vërtetë që jemi ndarë me Klevisin ende pa i mbushur vajza 2 muaj. Arsyeja e ndarjes nuk është ajo që interpretohej në media, për shkak të paraqitjes së tij tek emisioni ”Zonë e lirë”. E vërteta është se vetë Klevisi një natë para se të paraqitej në këtë program, më dërgoi një mesazh nga Tirana, duke më informuar se çdo gjë mes nesh ka mbaruar, pa asnjë arsye apo shpjegim konkret.
E keni përshkruar si burrë ‘’ideal’’, kishit probleme ato ditë kur jepej intervista apo dëshiroje ta mbroje këtë lidhje?
Klevisi deri kur qëndronte në shtëpi me mua, me të vërtetë ishte një burrë ideal që përmbushte çdo nevojë dhe dëshirë që kisha, por pas lindjes së Nias, daljet e tij të mbrëmjes filluan të shpeshtoheshin çdo ditë e më shumë. Dhe problem kyç në lidhjen tonë u bënë gjestet, provokimet e ofendimet me fjalë që m’i bënte kur ishte në gjendje të dehur. Jo vetëm mua, por të gjithë rrethit tim. Duke marrë parasysh se isha shumë e ndjeshme në gjendje lehonie, këto veprime më lëndonin në mënyrë të dyfishtë.
Po më herët gjatë lidhjes keni pasur grindje dhe acarime apo si të gjitha çiftet?
Në fazat e para të lidhjes sonë e dashuronim njëri- tjetrin më shumë se kur vendosëm të bashkëjetonim. Por ishte dhe një sfidë e madhe që duhej ta ballafaqonim dhe asnjëri nga ne nuk pati sukses në këtë drejtim. Ishte kjo faza kur mbeta shtatzënë dhe lidhjen më shumë e mbanim nga distanca sesa qëndronim afër njëri-tjetrit. Klevisi në Tiranë ndërsa unë në Prishtinë, meqë nuk doja ta ndërprisja punën. Më ndodhte të dëgjoja shumë bëma të Klevisit në Tiranë, të cilat më bënin të ndihesha shumë keq, duke marrë parasysh gjendjen që isha.



Ishe e lumtur me Klevisin?
Isha e lumtur dhe shumë e dashuruar me të. Por me lindjen e vajzës kuptova se dashuria është diçka më e madhe se përjetimi i kënaqësisë që ke me partnerin. Dashuria kërkon dhe kontribut, qoftë moral apo financiar. Fryti i dashurisë sonë nuk kuptonte fjalët ”të dua apo më mungon”, por i përjetont ato përmes përkujdesjes dhe sigurimit të jetesës së saj, gjë që nuk ndodhi nga ana e Klevisit, i cili nuk pranoi t’i merrte përgjegjësitë e tij si baba. Kështu që tani rolin e nënës dhe të babait e bëj e vetme. Dhe mbase kjo është arsyeja kryesore që ndjenja e dashurisë sime të zbehej dhe të zhdukej.
Sa kohë u bënë që nuk jeni bashkë?
Kanë kaluar 3 muaj që nga ndarja jonë definitive.
Keni kontaktuar më nga ajo ditë?

kastroo-o
Po, kontakte kemi mbajtur më së shumti në lidhje me vajzën tonë. Por me kohë edhe ato i kam ndërprerë, meqë nuk më dukej e arsyeshme që unë të raportoja se si është vajza, përderisa Klevisi bridhte rrugëve të Shqipërisë dhe Serbisë, pa u munduar asnjëherë të na ndihmojë financiarisht.
Flitet se jeni ndier e fyer nga  gjestet e tij tek emisioni ‘’Zonë e lirë’’, si është e vërteta?
E natyrshme është që të më fyenin ato gjeste. Por çka më pengonte më shumë, ishte gjendja e tij e dehur dhe e pakontrolluar, në veçanti fjalët e tepërta vend e pa vend. Edhe po të mos isha në lidhje me të, asokohe do mendoja se kush është ky njeri dhe çfarë interesi ka që bën këtë rol të kotë në një emision televiziv. Mbase jam naive dhe e prapambetur, nëse ende mendoj se njeriu nuk duhet të turpërojë veten e familjen vetëm për të arritur një lloj ”fame” që askush nuk do ia dijë për nder. Klevisi është munduar të arsyetohet përmes mediave të shkruara, siç jam e informuar edhe tek ju, por mënyra komerciale e pendesës më bëri që edhe më shumë të zhgënjehesha nga ky person.



Me çfarë merrej ai në Prishtinë, se shpesh deklaronte se ishte shumë i zënë me punë dhe obligime?
Në realitet obligimet e tij i kam mësuar përmes medias, kur ai u largua për në Tiranë. Lexoja se ishte drejtor i një kompanie mediatike në Prishtinë e më pas që do kishte dhe bashkëpunim me Bob Sinclar. Por në realitet, asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Sa rrinte në Prishtinë, e vetmja gjë që bëri është inicimi i një show televiziv, projekt i cili dështoi dhe asgjë më shumë. Kohën më të madhe e kalonte në shtëpi apo me miq nëpër kafeteri, përveç një rasti kur incizoi një këngë me disa kolegë, këngë e cila po ashtu  nuk u realizua si videoklip.
Si ka reaguar në momentin që i keni kërkuar ndarjen?
Të them të drejtën, ndarjen nuk ia kam kërkuar unë, por ai. Dhe pas dy ditësh ndërroi mendje. Por për mua ishte vonë. Aq më duhej, kisha vajzën njëmuajshe, shtëpinë, si dhe vetveten për të cilat përkujdesesha dhe nuk doja që askush të jetonte si parazit mbi shpinën time. Edhe po t’i kisha milionat, nuk do kisha pranuar një jetesë të tillë e lëre më në kushtet që ne jetojmë.
Keni debatuar për këtë çështje?


Kemi debatuar shumë shpesh, që nga momenti që zbulova se Klevisi as që ishte lodhur të mendonte se së shpejti do të bëhej me fëmijën e dytë në jetën e tij dhe të kursente diçka për të dhe për fillimin e bashkëjetesës sonë. I kam dhënë dhe kohë që të gjente një lloj pune modeste, në mënyrë që të përballeshim me krizat financiare. Por as këtë nuk e bëri, përveçse vazhdonte të premtonte se së shpejti gjërat do rregullohen. Kjo vazhdoi derisa e gjeta veten në falimentim të plotë financiar dhe vendosa që së bashku me vajzën të kthehesha te familja ime.
Ka ardhur ndonjëherë në Prishtinë që t’ju takojë?
Po, ka ardhur para disa ditëve me një shumë simbolike parash për vajzën e tij dhe qëllimin që të më takojë. Vajzën e ka parë, por unë e kam evituar këtë takim, meqë këtë çështje dua ta zgjidh  së shpejti përmes sistemit gjyqësor.
Po për vajzën e mer malli, kërkon që ta shohë?
Ai thotë se e mer malli për ne të dyja, por siç e ceka më herët, në rastin e Klevisit kuptova se dashuria nuk nënkupton vetëm fjalë të kota, por edhe vepra.
Do ia mohoje të drejtën për të takuar vajzën?
Përderisa merr përgjegjësinë dhe obligimin e tij si baba i vajzës, të drejtën për ta takuar nuk do t’ia mohoj. Por nëse do tentojë sërish të vijë e ta vizitojë vetëm si një kukull që e sheh në vitrinë dhe i pëlqen e dëshiron që ta shohë sërish, nuk do e lejoj. Mbase më mirë këtë rast do e zgjidhë gjykata e jo unë.
Po familjarë të tij kanë kërkuar që t’i mbajnë ende kontaktet me ty për shkak të vajzës?
Po, e vërteta është se kanë telefonuar disa herë për të dëgjuar se si është Nia, por nga e gjithë situata e krijuar, stresi dhe mbingarkesa që kisha dhe kam për vajzën e njomë, nuk ma donte zemra të shërbeja si informatore për askënd.



Je penduar që je ndarë?
Përkundrazi, tani po shoh më mirë, si të më hiqej mjegulla nga sytë. Kam jetuar në një gënjeshtër të krijuar nga Klevisi, gënjeshtër që jo vetëm më kaploi mua, por gjithë rrethin tim.
Në disa intervista Klevisi shpesh ka dashur të japë shenja se është bërë djalë i mirë dhe është përmirësuar shumë në jetën e tij. Do riktheheshe tek ai nëse ta kërkonte këtë gjë?
Kërkesat e tij ende nuk kanë të ndalur, por përgjigjja ime definitive është mohuese. Këto premtime të kota i kam përjetuar shumë herë dhe nuk do i besoja më. E mbase në këtë aspekt luan shumë rol përsëritja e veprimeve në media, gjëra që i ka bërë edhe para njohjes me mua, atëherë kur ishte me gruan e parë.
Duke ditur që punoni vetë prej shumë vitesh, çfarë sakrifice bën një nënë për të rritur një fëmijë, është e vështirë besoj, si e ke përballuar?
Është shumë e vështirë, sidomos kur duhej të luaj rolin e nënës dhe babait në të njëjtën kohë. Kam fatin që edhe një muaj jam në pushim të lindjes, si dhe që kam nënën time pranë që më ndihmon pa masë. Se në të kundërtën, nuk e di se si do ta përballoja këtë situatë. Por dita-ditës po e shoh se për mirëqenien e fëmijës, një nënë është në gjendje të bëjë të pamundurën dhe atë do përpiqem të bëj edhe unë për vajzën time.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...