2013-01-27

Erleta Hoti: Jeta ime me Nian pas divorcit me Kastro Zizon2

Jonida Hitoveizi



Ajo është vajza e dy personaliteteve mjaft të njohur, si veprimtari Ukshin Hoti dhe nëna e saj, Edi Shukriu, prej një kohe të gjatë një nga prezantueset më të njohura të televizionit kosovar. Erleta Hoti, në Shqipëri veçanërisht, u bë e njohur mediatikisht për lidhjen e saj me Kastro Zizon, një martesë që përfundoi sapo vajza e lindur nga kjo dashuri mbushi një muaj e gjysmë. Si ka qenë jeta e saj, marrëdhënia me botën e televizionit, por edhe sfida e të qenit nënë e vetme pa përkrahjen e njeriut me të cilin u dashurua. Siç thotë Erleta Kastro, e braktisi bashkë me detyrimet për të bijën, duke arritur deri në atë pikë sa të largohej bashkë me lekët që ajo kishte hequr për vajzën e tyre.
Erleta, prindërit e tu janë mjaft të njohur në gjithë trojet shqiptare. Babai juaj Ukshin Hoti, një veprimtar i njohur dhe nëna juaj Edi Shukriu, një femër e spikatur e botës së letrave. Si kanë ndikuar ata në formimin tënd?


kastroo-o
Fillimisht, ndjehem mirë që ceke babain tim, Ukshin Hoti, meqë fatkeqësisht, për shkak të sistemit famëkeq komunist, ai nuk njihet dhe aq shumë në Shqipëri. Ishte politikan dhe politolog i viteve ‘70-‘80, lider shpirtëror i të gjithë shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, si dhe një ndër studiuesit e parë të Universitetit të Harvardit, pas Fan Nolit. Fatkeqësisht, për shkak të pikëpamjeve të tij publike politike në lidhje me bashkimin e trojeve shqiptare, si dhe refuzimin që i bënte pushtetit të asokohshëm jugosllav për t’u emëruar ambasador i këtij shteti, u burgos politikisht, kur unë isha vetëm 6-muajshe. Më ka rënë rasti shumë pak ta përjetoj si baba, por letrat e tij të karakterit politik që kam lexuar kur ia dërgonte nënës nga burgu, më kanë ndihmuar shumë për vetëdijesimin tim në këtë aspekt. Për këtë arsye vendosa që edhe vetë të përfundoja Fakultetin e Shkencave Politike.
Sa i përket nënës, përveçse është e njohur për krijimtarinë e saj letrare, është edhe Dr. e parë e Shkencave të Arkeologjisë në Kosovë, si dhe ndër veprimtaret e para të luftës paqësore për çlirimin e Kosovës. Duke pasur përballë prindër të tillë, e kam ndjerë dhe akoma e ndjej veten shumë të vogël sa i përket formësimit personal. Më duhet të punoj dhe të kem një bagazh të madh pas krahëve që të bëhem sa gjysma e tyre. Kur e di që në botë ka shumë fëmijë çiftesh intelektualë që llastohen pa masë, të paktën kam modestinë dhe përpjekjet vetjake për të arrirë diçka në jetë, pa shfrytëzuar fare emrin e prindërve.

Ju jeni një gazetare dhe pjesë e botës së mediave në Kosovë. Si e shihni rolin e saj gjatë viteve?
Mendoj se roli i medias në Kosovë është mjaft i rëndësishëm, por vetëm në rastet kur nuk është i politizuar nga pushteti. Dukuri kjo që është shumë e theksuar kohëve të fundit si në Kosovë, po ashtu dhe në Shqipëri. Por në vetëdijesimin e popullit, në çfarëdo aspekti mund të ndikosh edhe përmes programeve argëtuese, siç kam bërë unë me emisionin tim muzikor “Top RTK” me vite të tëra dhe që ka bërë shumë bujë.
Për çfarë ka bërë bujë më tepër emisioni juaj?
Edhe pse kam përfunduar Shkencat politike, sa i përket medias, në këtë rast televizionit, që nga viti 2000 isha e përkushtuar tek programet argëtuese dhe veçanërisht ato muzikore. Mbase për arsye se kam përfunduar dhe shkollën e muzikës për piano dhe doja t’i ikja frymës politike që më kishte kapluar gjithë jetën. Por prapë nuk më zinte vendi vend. Ishte fjala për këngëtarët shqiptarë që vidhnin këngë të shteteve të tjera të Ballkanit, veçanërisht ato serbe dhe po me ato këngë popullarizoheshin pa masë. Bëja rubrika me komente qesharake për këto këngë, gjithnjë me përkrahjen e shikuesve dhe i transmetonim drejtpërdrejtë këto këngë dhe këngëtarët që i interpretonin. Edhe pse me reagime të shumta rigoroze nga disa prej tyre, me kohë dukuria e vjedhjes së këngëve u zbeh në Kosovë dhe viteve të fundit filluan këngëtarët fqinjë të vidhnin muzikën shqipe, ndërsa këngëtarët tanë e reduktuan këtë veti.
Edhe pse nga familje e njohur, në Shqipëri jeni bërë e njohur veçanërisht pas martesës me Kastron. Ka ndikuar për mirë apo për keq ky fakt tek ty?
Në fakt, jo vetëm se vij nga një familje e njohur, por në Kosovë kam qenë e njohur edhe nga ekrani këto 12 vitet e fundit. Interesante është se në vitin 2009, ende pa e njohur Klevisin apo Kastron janë publikuar shkrime për mua në Shqipëri nga disa gazetarë, që tashmë i kam miq. E vërteta qëndron se as asokohe nuk dëshiroja të isha e njohur në Shqipëri. Aty vija dhe akoma e vizitoj vetëm për të përjetuar ndjenjën e të qenit si në vendin tim dhe jo të popullarizohem në ndonjë aspekt.
Është interesante se për personat publikë në Kosovë, njerëzve shumë pak u duket interesante kur i shohin në rrugë, ndërsa në Shqipëri jeta e tyre përcillet me më shumë vëmendje. Sa i përket ngjarjes me Kastron, më shumë më vjen keq që jam bërë e njohur për këtë gjë. Që nga fillimi kam qenë kundër publikimit të lidhjes sonë, por edhe durimit i erdhi fundi kur dëgjova të pavërteta të publikuara nga babai i fëmijës sim dhe sidomos kur deklaroi se në Kosovë kishte ardhur “për ta spastruar racën njerëzore”

.
Çfarë diference vëreni mes spektakleve në Kosovë dhe atyre që bëhen në Shqipëri?
Një pyetje me shumë vend, që doemos do dhe përgjigje objektive. Spektaklet televizive që realizohen në Shqipëri janë shumë më të avancuara se ato që bëhen në Kosovë. Mbase këtu ndikon dhe interesimi i sponsorëve për këto spektakle, gjë që në Kosovë nuk është shumë i madh. Këtu të gjithë dëshirojnë të shohin ndonjë spektakël marramendës, por askush nuk ndihmon për ta mundësuar këtë. E metë e spektakleve në Shqipëri është se, pothuajse të gjitha ato spektakle të famshme janë “të huazuara” nga ndonjë kanal televiziv i huaj (këtu nuk po flas për programet që kanë të drejtën e autorit), por “huazohen” kaq mirë sa të detyrojnë t’i shikosh. Në Kosovë, edhe nëse mundohen të imitojnë, prapë se prapë nuk ia dalin. Edhe sa kam njohuri nga përvoja personale; në Shqipëri punohet më shumë në punë ekip, ndërsa në Kosovë të realizosh një spektakël duhet ta luash i/e vetme rolin e autorit, organizatorit, producentit, prezantuesit, kabllomanit etj.
A do të pëlqente të provoje të ishe pjesë e një produksioni shqiptar si prezantuese?


Më shumë do më pëlqente të isha pjesë e një produksioni shqiptar si producente e jo si prezantuese, meqë këtë pozicion e kam tani në Televizionin Publik të Kosovës. Vitin e kaluar kam përfunduar specializimin për produksion televiziv dhe njëkohësisht kam punuar në televizionin publik të Japonisë, NHK, në Tokio dhe atje kam mbetur pa mend sesi puna në ekip dhe përkushtimi mund të arrijë sukses, edhe botëror madje. Dukja në ekran nuk është shumë e rëndësishme për mua, por cilësia se çfarë transmeton kanali se ku unë punoj.
Ju jeni në kontakt përherë me personazhet e njohur të muzikës dhe të ekranit. Ç’mendim keni për mënyrën sesi konceptohet fama në vendin tonë?
Më duket se fama dhe personazhet publikë tek ne vlerësohen më shumë sesa duhet, duke përjashtuar këtu disa raste që me të vërtetë ia vlen të respektohen. E thashë dhe më herët se në Kosovë është më ndryshe. Njerëzit sillen më natyrshëm me të famshmit që i takojnë. Në Shqipëri, kam përshtypjen se 2 apo 3 herë të shfaqesh në TV të konsiderojnë si të famshëm dhe nuk ndalen mediat duke të komentuar. Më ka rastisur që në Shqipëri të shoh shumë personalitete, që për shkak të antivlerave nuk ia vlen të promovohen në media, ndërsa në Kosovë personave të tillë nuk iu lejohet hapësirë as në media vizive e as në ato të shkruara.
A jeni rikthyer në punë pas lindjes së Nias, apo ende?
Në 11 nëntor përfundoj 6-mujorin e pushimit të lindjes. Mbase do isha kthyer më herët, por mungesa e dy prindërve që i përkushtohen fëmijës më bën të rikthehem më vonë nga sa e kisha planifikuar.
Si jua ka ndryshuar jetën Nia?
Po të më pyesnin vite më parë, do tmerrohesha nga koncepti i të qenit nënë. Mendoja se a do të dija ta rrisja dhe edukoja në mënyrën e duhur, a do i mungojë ndonjë gjë që unë nuk mund t’ia siguroja etj. Por tani e shoh se këtë frikë e kisha të kotë. Ardhja në jetë e fëmijës, sidomos pozita e të qenit nënë të bën shumë më të lumtur, më optimiste, si dhe më të fuqishme për t’u ballafaquar me jetën.
Dëshirat që ushqeni, cilat janë?


Të jem një nënë e përkryer sa i përket rritjes së Nias dhe të jem një femër e pathyeshme në shoqërinë patriarkale, në të cilën jetojmë.
Pas divorcit keni marrë përsipër ta rrisni e vetme vajzën tuaj. A i trembeni kësaj sfide?
Të jem e sinqertë, përsipër nuk kam marrë asgjë, por të gjitha i kemi planifikuar së bashku me Klevisin. Fëmija nuk lindet dhe lihet në mëshirë të fatit pa asnjë strehë mbi kokë. Vendimi që ta rrit e vetme nuk ishte personal, por përgjegjësia dhe dashuria ime për të më detyruan që ta rrit dhe përkujdesem për të e vetme. Vështirësive nuk u trembem, por e natyrshme është që ndonjëherë të më kaplojë brengosja se si do t’ia shpjegoj realitetin si është braktisur. A më duhet t’ia fsheh, ta gënjej, apo t’i tregoj të vërtetën mbi fatin e saj? Këto janë pyetjet që më frikësojnë.
Është e vështirë të jesh një nënë single?
Është shumë e vështirë, sidomos kur materialisht dhe fizikisht përkujdesesh për të. Nga njëra anë je e vetëdijshme që duhet të punosh për mirëmbajtjen e saj dhe tënden, e në anën tjetër, edhe në punë do e kesh mendjen; si është gjendja e saj momentale dhe si do përfundoni në të ardhmen të dyja së bashku.
Cili ka qenë momenti më i vështirë që keni përjetuar pas ardhjes në jetë të Nias?
Këtë e kam thënë edhe më herët, por më duhet që të shtoj diçka. Ishte momenti kur Nia ishte 1-muajshe e gjysmë dhe kuptova që babai i saj na la përfundimisht e iku duke i marrë fshehurazi edhe paratë që i kisha kursyer për vajzën e tij.
Në një intervistë keni thënë se nga historia me Kastron keni mbetur e lënduar. A do të pranoni në vazhdim që ai të vijë ta vizitojë vajzën?
E thashë më lart. Një baba që vjedh dhe vajzën e tij njëmuajshe, nuk do të ketë vend në jetën e saj, deri sa këtë ta vendosë sistemi gjyqësor.
Nëse një ditë ai do të kërkonte kujdestarinë e saj, a do të frikësoheshit?


Nuk e besoj. Përkundrazi. Ai fakt do më bënte të qeshja. Ajo që do e hedh në gjyq jam unë, jo për kujdestari, po për përgjegjësi ndaj saj. Çdo njeri që sjell një fëmijë në këtë botë ka përgjegjësi ndaj tij, qoftë i kurorëzuar apo jo. Kjo është e shkruar edhe me ligj. Dashuria ndaj fëmijës nuk shprehet përmes medias e as këngës. Dashuria ndaj fëmijës shprehet përmes përgjegjësisë, gjë që Klevisi nuk e bën dhe nuk e ka në plan ta bëjë. Më vjen keq që e them këtu, por këtë Klevisi nuk e ka bërë as për djalin e tij të parë. Ish-gruaja e tij e luste t’i dërgonte para, dhe po ashtu edhe unë e lusja që paratë për mirëmbajtjen e djalit t’ia dërgoja unë nëse puna ishte aq keq, vetëm që ai për djalin të mos ndjehej keq, duke mos besuar se një fat i tillë do të na kaplonte edhe mua e Nian.
A do të mundnit ta falnit një ditë vetëm për hir të vajzës?
Mbase do e falja që një 24-orësh ta kalonte me vajzën e tij, por jo me mua.

Kujt i ngjan më tepër Nia?
Edhe nëse sadopak deri më tani jam shprehur subjektivisht, vetitë e Nias nuk do i mohoj. Fizikisht ka sytë e babait të saj dhe pjesën tjetër timen. Si karakter është kokëfortë, ashtu siç jemi ne gjithë shqiptarët (qesh).
Sa kohë në ditë ju merr kujdesi për vajzën?
Të them 24 orë do të duket e pabesueshme për femrat që nuk kanë fëmijë dhe ato të cilat nuk janë në pushim të lindjes. Më duhet t’i shfrytëzoj 30-1. 50 minuta të gjumit të saj të ditës për të kryer punë të tjera.
Vazhdoni ta frekuentoni jetën e natës?
Po, vazhdoj dhe nuk besoj se do e lë ndonjëherë. Të jesh nënë, nuk do të thotë ta privosh veten nga të drejtat e tua, por vetëm t’i reduktosh paksa ato. Nuk e frekuentoj rregullisht siç bëja më parë, por kur është dakord nëna ime që të kujdeset për Nian, atëherë unë dal. Apo edhe kur kujdeset ndonjë kujdestare, tek e cila kam besim.
Për çfarë jeni penduar deri më sot?
Jam penduar për modestinë që kam dhe që jam e turpshme për kërkesat e arsyeshme që duhet t’i bëja para lindjes së vajzës.
Kujt do të donit t’i kërkonit falje dhe çfarë do t’i thoshit?
Falje do u kërkoja vetëm prindërve të mi, që më kanë edukuar të sillem në mënyrë aq të pavarur. Aq sa ndonjëherë e kam keqshfrytëzuar pavarësinë time në zgjedhjet që kam bërë, ndonjëherë të pagabuara e ndonjëherë shumë të gabuara. Në anën tjetër do të të falënderoja personalisht ty për kohën dhe hapësirën e shprehjes që më dhe.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...