2013/01/27

Hape dritaren, merr frymë thellë...më tha nëna...

Flora Brovina.jpg


Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi po në Prishtinë. Ka botuar disa vëllime me poezi: ”Vërma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Luleborë” (1988), “Mat e çmat” (1995) dhe “Thirrje e Kosovë” (1999, në kohën kur ajo ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi). Në vitin 1999, në një kohë kur fati i Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për vitin 1999 ’in absentia’ nga PEN Klubi Suedez.




Sot pas shumë vitesh, organizimin që e bëri gjatë luftës Doktoresha Flora Brovina nuk e konsideron aktivitet politik, por situatë ku kërkohej nga secili ta kryejë punën e vet aty ku e kërkonte nevoja. Aktiviteti i Flora Brovinës ishte aq i rëndësishëm dhe me rezultate në atë kohë, saqë arriti ta themelonte spitalin më të madh emergjent në mes të Prishtinës
image
Të shkruash për Flora Brovinën e të mos i vësh në pah virtytet e saj të larta humane është e pamundur. E cilësuar nga shumëkush shembull i humanizmit dhe atdhetarizmit të pashembullt, Flora Brovina të bën për vete me ëmbëlsinë dhe urtësinë e saj.



THIRRJE KOSOVËS

Ç'do të bëj une pa ty
Pa ardhjet e shkuarjet e tua
Do të harroj të flas
Me vetveten

Ç'do të bëj une pa ty
Pa shikimin në bar
Si t'i ngroh gjymtyrët
Të ngrira akull

Do të më lësh të bëhem plakë
Me dhembje duarsh
Me dhembje eshtrash

Kam frikë kur shkon
Ç'do të bëj une pa ty
Po nuk erdhe
Do të bëhem gurpragu
Kallkan do të bëhem
Ç'do të bëj unë pa ty


SKËNDERAJ

Kujtim as ëndrra
Për erën e ftoit
Më tha nëna

Sa herë të zu në gojë
Dhëmbët mu mpinë

Hape dritaren
Merr frymë thellë
Sa herë he shtatzënë
E ndien më mirë
Erën e ftoit
Të vendlindjes
Më tha nëna


ORA E PARË

Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla... mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla... mungon
Ylfetja Ylfete Humolli... mungon
Shukrija Shukrije Obëtinca... mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi... Halimi... mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi... mungon
Afrimi Afrim Zhita... mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati... Xhevati... mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi... Afrim Prebreza... mungon
Mos më sillni
Certifika mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t'ua mjekojmë plagët
Do t'i presim
Do t'i presim
Thoni vetë mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon...


Merre vesen time

Kur jashtë bije shi
Me lejo si fëmijë
Të dëgjoj,
përrallen tende për shiun
(pikat, rrëkenë dhe lumin)
Kur jashtë bije shi
Me dorë ngadalë
Ma merr vesen prej syrit
Para se te marr rrugën e shiut


Fëmijëria dhe rinia

Lindi në Skenderaj, ku qëndroi vetëm tre muaj për t'u shpërngulur në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar ne Prishtinë, aty e kreu edhe shkollën fillore dhe të mesme. Vajza e një familje intelektuale gjakovare, e lindur në Skenderaj dhe e rritur në Prishtinë, ka një përgjigje shumë interesante për ata që interesohen se si u bë kështu? “Kjo ndarje dhe përkatësi regjionale më pengon, andaj nuk kam dëshirë as ta përmend; kur me pyesin nga jam, përgjigjem me të drejtë ‘nga Kosova’, sepse secilin vend të saj e dua dhe e ndjej timin”.
Front Cover
Kur përmendet fjala “fëmijëri”, jo të gjithë njerëzit mund të kujtojnë lumturinë dhe harmoninë familjare në gjirin e prindërve. Duke qenë bija e një atdhetari të madh të çështjes kombëtare, Flora Brovina, që në fëmijëri do ta marrë mbi supe një pjesë të vuajtjes shekullore të popullit shqiptar.

Ne klasën e parë babai i burgoset për bindjet e tij politike dhe dënohet me 10 vjet burg. Kjo ishte një goditje e madhe për familjen: në një shtëpi me qira kishin mbetur gjashtë femra: stërgjyshja, gjyshja, nëna shumë e re dhe tri motrat fare të vogla.

Tregimi i saj të prek thellë në zemër, ta krijon pasqyrën reale të vuajtjeve që ka përjetuar populli shqiptar. E vuajtur dhe krenare ajo shprehet: “Në këtë moshë do t’i njoh pritjet para burgut të Prishtinës, të Pejës e të Nishit, për t’u takuar me babanë, do ta njoh mallin për të. Do të njihem dhe do ta ndjej intimisht se çka do të thotë të jesh familje e lëçitur jo vetëm nga pushteti”.

Pasojat e këtyre përjetimeve ajo i ndjen edhe sot, por këto do ta inspirojnë në rrugën e saj e jetësore. Ajo nuk i harron edhe më të dashurat e veta: ”Jam shumë falënderuese ndaj gjyshes dhe nënës sime për dashurinë dhe edukimin që ma ofruan, më mësuan dashurinë ndaj atdheut dhe kombit i cili meriton çdo sakrificë dhe përkushtim”.

Pas kryerjes së shkollës së mesme, nxënësja e dalluar nga Prishtina kishte propozime të ndryshme se nga duhet t’ia trasonte rrugën vetes. Në shpirtin e saj mbizotëronte dashuria për njerëzit dhe ajo e zgjodhi mjekësinë, për të qenë kështu më afër njeriut. Krahas shkollimit të vazhdueshëm, Flora shkruante poezi dhe tregime. Ajo ishte shpirt artisti, energji e cila do t’i reflektohet gjatë gjithë jetës.

Shkollimi

Studimet i filloi në Beograd. Pas kryerjes së vitit të parë, u kthye në Prishtinë për të vazhduar studimet, sepse po atë vit ishte hapur këtu Fakulteti i Mjekësisë. Kthimi në Prishtinë për Florën do të thoshte kthim në “profesionin e zemrës”, në poezinë dhe librin shqip në përgjithësi. Krahas vazhdimit të studimeve ajo punoi si gazetare në të përditshmen “Rilindja”.

Aty punoi për nëntë vite me radhë. Kohën sa punonte në gazetari e cilëson si periudhë shumë të rëndësishme në jetën e saj: “Si gazetare do ta mësoj lirinë personale e lirinë ekonomike, që janë shumë të ndërlidhura. Do ta botoj librin tim të parë, do të dashurohem në krijuesin dhe studentin më të mirë të Fakultetit Ekonomik, tregimtarin, poetin dhe dramaturgun Ajri Begu, me të cilin do ta kalojmë jetën deri më tani, me dy drita në jetën tonë, bijtë tanë Uranikun dhe Yllin”.

Me 1973 pranohet në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Duke e pasur parasysh rolin e krijuesit në shoqëri në atë kohë, Flora ndjehej shumë e privilegjuar me respektin dhe nderimin që i bëhej, sado që ishte një ndër femrat e para dhe të pakta poete.

Pas diplomimit, ajo kishte një dilemë të madhe, sepse profesioni i gazetarisë e kishte përvetësuar aq shumë, saqë nuk bënte ballë ta linte. Ishin demonstratat e vitit 1981 ato që ndikuan te Flora për lënien e gazetarisë dhe përkushtimit në mjekësi. Puna me fëmijë e bëri Flora Brovinën për vete; ajo krijoi një lidhje speciale shpirtërore që i përgjigjej pikërisht ndjenjave humane që i zotëronte ajo. Lidhja e fortë shpirtërore me fëmijët ishte shtysë e fortë për Florën të shkonte për të specializuar në Zagreb, pikërisht në pediatrinë e fëmijëve. Njëkohësisht i kreu edhe studimet postdiplomike në drejtimin e pediatrisë.

Kthesa e madhe

Ndërkohë situata në Kosovë po bëhej gjithnjë e me e rëndë. Si intelektuale dhe atdhetare e devotshme, Flora Brovina do të gjendej përkrah vëllezërve dhe motrave që punonin e luftonin për lirinë e këtij vendi. Ajo ishte një ndër nënshkrueset e grupit të intelektualëve në një letër të njohur si “Letra 205". Ne gazetën studentore “Bota e Re” ajo do ta botojë një letër të hapur drejtuar Sllobodan Millosheviqit (1990). Kjo ishte mjaft e guximshme për atë kohë. Ndërkaq ky veprim nuk kaloi pa u vërejtur nga pushtuesi.

Situata vinte e rëndohej çdo ditë, ndërsa populli i Kosovës kishte nevojë për prijës të rinj. Momenti kërkonte një qasje tjetër, andaj Flora Brovina bashkë me disa bashkëveprimtarë si: Hajri Begu, Jusuf Buxhovi, Milazim Krasniqi, Bujar Bukoshi e shumë të tjerë, duke pasur për bazë statutin e partisë “CDU” në Gjermani, e krijuan idenë për themelimin e një partie gjithëpopullore e cila do t’u printe proceseve. Kështu lindi ideja për formimin e Lidhjes Demokratike te Kosovës. Mbledhja themeluese u mbajt ne lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe faktikisht ky ishte fillimi i hyrjes në politikë për Flora Brovinën.

Duke e konceptuar si një formë rezistence kundër dhunës dhe pushtimit serb, ajo e udhëhoqi “Forumin e Gruas Demokratike të Kosovës”. Por, meqë nuk mund të pajtohej me humbjen e kohës kur situata vinte e rëndohej çdo ditë, pas kuvendit të parë të këtij forumi, ajo u largua nga LDK-ja. Disa muaj më vonë, me insistimin e grave aktiviste, ajo do ta themelojnë “Lidhjen e Gruas Shqiptare”. Aktiviteti i këtij forumi ishte shumë i rëndësishëm. Përveç kontaktit dhe ndihmës së vazhdueshme për gratë e Kosovës, ky forum vuri kontakte me gratë e regjionit dhe të botës për ta treguar të vërtetën për situatën në Kosovë.

Lufta kundër “popullit tim”, siç e quan Flora, do të fillojë mu aty ku asaj i dhemb më së shumti, pikërisht kundër fëmijëve. Ne pranverë të vitit 1990 në Kosovë do të bëhej “segregacioni” në shkolla, në punë, në çerdhe e ku jo. Disa muaj ose javë më vonë ndodhi helmimi masiv i fëmijëve shqiptar, kur u helmuan më shumë se 7.000 fëmijë. Të gjendur përballë kësaj situate, Flora dhe bashkudhëtarët e saj për liri nuk mund të rrinin duarkryq; ajo nuk dorëzohej pa e gjetur diagnozën e saktë të këtyre helmimeve. Por, pushtuesit nuk u ndalën. Andaj ajo do ta kishte fatin e keq që të ishte e përjashtuara e parë nga puna së bashku me dhjetëra mjekë të fëmijëve.

Largimin nga puna e përjetoi shumë rëndë, aq më shumë kur e mendonte nevojën e madhe që kishin njerëzit për të dhe për kolegët e saj. Pas këtyre ngjarjeve Flora Brovina u detyrua që profesionin e vet ta ushtrojë në mënyrë ilegale, vetëm që t’i dilte në ndihmë “popullit të saj”. Këtë aktivitet Flora nuk e kreu vetëm. Me të ishin edhe Xhemile Ruhani, inxh. Aziz Pacolli, psikologia Elizabeta Dernaku (polake, e cila u helmua sepse dyshohej se shoqërohej me Flora Brovinën).

Sot pas shumë vitesh, organizimin që e bëri gjatë luftës Flora Brovina nuk e konsideron aktivitet politik, por situatë ku kërkohej nga secili ta kryejë punën e vet aty ku e kërkonte nevoja. Aktiviteti i Flora Brovinës ishte aq i rëndësishëm dhe me rezultate në atë kohë, saqë arriti ta themelonte spitalin më të madh emergjent në mes të Prishtinës, i cili ishte në Bregun e Diellit, e që pakkush e di këtë (sot është çerdhe e fëmijëve). Themelimi i këtij spitali ishte shumë i rëndësishëm, sepse aty u përgatitën një numër shumë i madh i njerëzve të aftë për dhënien e ndihmës mjekësore për nënën, fëmijën dhe secilin që kishte nevojë, një plan i cili i përfshinte edhe pjesëtarët e UÇK-së. "Ndoshta kjo është arsyeja pse unë u arrestova nga policia dhe u quajta ministre e Shëndetësisë”, kujton atë kohë protagonistja e këtij rrëfimi.
Pranverën e vitit 1999 Flora e kujton si një “episod të dhimbshëm” për Kosovën. Puna që e kreu Flora Brovina dhe detyrat që ishte gati për t’i marrë, bënë që ajo të arrestohej dhe të burgosej. E kujton edhe dënimin e saj me 12 vite dhe shprehet: “Me shpallën terroriste ata që masakruan e vranë burra e gra, fëmijë të pafajshëm, ata që zhdukën mijëra e mijëra njerëz, ata që dhunuan gra, nuse e vajza të reja, ata që duart i kishin me gjak dhe sytë e pangopur të bishës”. Edhe pse e dënuar me 12 vite, presioni (i kthyer në ndërgjegje) i madh kombëtar e ndërkombëtar bëri që ajo të lirohej pas një viti e gjysmë. Edhe pse u mundua dhe vuajti shumë për këtë vend, ajo thotë se e konsideron si një sakrificë të shpërblyer nga populli me pritjen madhështore që ia bënë.

Ajo u shpërblye me çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Çmimet ishin nga fusha të ndryshme: për paqe, humanizëm, art dhe poezi.

Edhe pse me një jetë “histori” të gjatë angazhimesh, ajo edhe sot e kësaj dite preokupohet nga çështjet madhore që kanë të bëjnë me kombin në përgjithësi. Ajo shprehet se është koha e fundit që ne si popull ta zëmë hapin e humbur qindravjeçar, që të bashkohemi kundër armikut tonë të dëshmuar dhe të deklaruar në vazhdimësi, t’ia kthejmë dinjitetin vendit, t’i lëmë ndasitë dhe interesat personale, gjithmonë duke kujtuar me krenari sakrificën e madhe të popullit tonë.(Naim Berisha)
Flora Brovina

Burgosja

Me sy të përgjakur si ujqër vrapuan,
Përpara shtëpisë me pranga të lidhën,
Policë e ushtarë gjith vendin mbuluan,
Dritaret dhe muret u vrenjtën, u dridhën.

Si stuhia e natës, që nxin më shumë natën,
Me mjete, makina e zhurmë bubullime,
Të morën me vete. Dhe lanë mandatën
e burgut serb plot ahe e mallkime.

Qelia e zezë, me ngricë drithëtire,
Torturat pa shpirt nga bish'e nxirosur,
Me grushte e shqelme, kamzhik egërsire,
Uria dhe etja të kanë rrëgjuar.

Po, nëna Kosovë, në gji të ka pranë,
Si bijën e saj të mbron të shikon.
Se ti, kur liria të çelë anembanë,
Si një brerore, për jetë atë do ndriçosh.

Se trime mbi trima, si burrë, s'tunde kurrë,
Se nënë Tereza të dha shenjtërinë,
Se Teuta ilire të dha krenarinë,
Dhe Shotja luftëtare të dha trimërinë.

Vuajtjet

Në burgun e shqaut shëronjësen ngujuan
Me pranga, zinxhir dhe hekura dënuan,
Me mure e roje, xhelatë e rrethojnë,
Që shpirtin t'ia fikin, trupin t'i dërmojnë.

Uria, errësira, ngrica përpijnë
Mundimet pa fund, torturat pa kufij.
Çdo dritë është shuar, si hije njerëzit nxijnë,
Kushdo po rrëgjohet, tretet si qiri.

Katili serb gëzon si fitimtar,
Kapitjen, sëmundjen, vdekjen që mbjell vetë,
Dhe qesh, harbon, dëfren ky gjakatar.
Me tmerret mizore, kufomat pa jetë.

Ndriçon në qeli një dritë si flakë,
Se sytë e Terezës i ka trashëguar,
Se shpirti i saj e ka frymëzuar,
Se fjala e saj e ka fjalësuar.

Ndriçon në qeli një dritë si flakë,
Se Shoten në këmbë e ngjalle ti prapë,
Se hiri i saj të ka hijesuar,
Se lufta e saj të ka burrësuar.

Kështu si unë gjithë Kosova mendon,
Për Florën shëronjëse ahton dhe nëmton,
Veç ajo si shqipe e ëngjëll dallon,
Si flamuri i luftës, shkëlqen dhe valon.

Ëndrra

Natë e akullt. Nxin si sterrë
Kjo qelia zi - skëterrë,
Ku një trup është plandosur
Posi shpendi i plagosur.

Sytë e Florës mes frengjisë
Shohin jashtë errësirë:
Asnjë xixë, yll e hënë,
Si një foshnje e pa nënë.

Mal e shkëmb muret rëndojnë,
Shtatn'e shkretë e shajtojnë.
Gjithë plagët therin, dhembin,
Gjithë gjymtyrët po e shembin.

Shpirti i Florës krahëlehtë
Fluturon porsi shigjetë,
Jashtë burgut, lart te retë,
Ku ndizen flakë rrufetë.

Nuk është shpendi i plagosur,
Nuk është foshnja e panënë,
Eshtë një shpirt i armatosur,
Që çan qiellin pa hënë.

Bredh në shtigje dhe në male,
Përmbi fusha dhe livadhe,
Suka, kodra dhe përrenj,
Nëpër pyje dhe lumenj.

Në Drenicë rri më shumë,
Sheh Ademin përmbi kullë,
Si flamur që flakëron,
Që Jasharët Komandon.

Sheh betejën, ku Jasharët
Trimërojnë si luanët,
Me fëmijë, gra e plak
Vdesin bashkë te një prak.

Ku kris pushka, sheh lavdinë,
Luftojnë trimat barbarinë,
Qëllojnë serbin gjakatar,
Që edhe foshnjen vret në bark.

Sa luftime, sa therorë,
Kuqin tokën me dëshmorë!
Serbi - bishë e tërbuar
Zmbrapset, tkurret turpëruar.

Gjithë Kosova është flamur,
Me djemtë e vajzat si nur,
Me trimat që më nuk janë,
Tundin botën anembanë.

Ja flamuri kuq e zi,
Hijeshuar prej një zjarri,
Mbi çdo gur, mbi çdo shtëpi,
Mbi çdo ballë luftëtari.

Tani Flora kthehet prapë,
N'atë strofull natëgjatë,
Me zemër të qetësuar,
Me shpirtin të frymëzuar.

Sepse ëndrra e saj gjallon,
Te fjalët që vjershëron,
Si një dritë zbradh qelinë,
Kosovën dhe Shqipërinë.

Lirimi

Gjëmon e ushton porsi luftë shtërngata,
Dhe deti ndaj qiellit dallgët vërshon,
Një hije skëterre, burgu nxin si nata,
Greminë e pafund, që shpresat humbon.

Nga kjo natë, shtërngatë, dallgë e greminë
Një xixë e zbehtë del jashtë qelisë,
Zbret shkallët e burgut një zog gjeraqinë,
Një ëngjëll plot dritë, vrapon drejt lirisë.

Shpejton makina si plumb e shigjetë,
Pengesa e fundit, një tjetër mundim.
Çdo mal, çdo kodër, çdo lumë, çdo përpjetë
Afrojnë Kosovën, si udhë pambarim...

Tani ja kufiri! Çasti kombëtar shkëlqen:
Flora puth truallin, përtokë gjunjëzuar,
Fjalëzjarrta kosovare këdo po mallëngjen,
Gjunjëzohemi dhe ne te ky vend i bekuar.

Perlat Xhiku


*****
Me 2-4 Mars 2012 u mbajt Konferenca e Gruas Shqiptare Mbarëkombëtare në Londër.


Një fundjavë me... mjekën Flora Brovina...


E njohur për të gjithë, jo vetëm si një prej mjekeve më të shquara të vendit dhe deputetja aktuale e PDK-së, por edhe si femra, e cila kaloi sfida dhe vështirësi nga më të ndryshmet. Flora Brovina, gruaja, që barti mbi supe presionin dhe kërcënimin e ish regjimit tiranik, vjen sot para lexuesit të gazetës sonë, në një rrëfim krejt ndryshe, gjithnjë e karakterizuar nga sharmi dhe delikatesa. Bashkëshorte, nënë dhe gjyshe, znj. Flora shpalos momentet më të bukura, që kalon në shoqërinë e më të dashurve të saj.

Si nis fundjava për ju?

Znj. Brovina: Për deputetet ndonjëherë fundjava nuk është fundjavë, zakonisht duhet të asistojmë në ndonjë konferencë apo të marrim pjesë vazhdimisht në takimet e tilla, të cilat zakonisht realizohen gjatë fundjavave. Për shembull këto dy fundjavat e fundit kam qenë e zënë me obligime profesionale me takime regjionale të deputeteve ku kemi diskutuar rreth temës “Gruaja paqja dhe siguria”. Ndërsa kur nuk kam obligime të tilla zakonisht e kaloj pranë familjes time, sidomos t’i dal përball obligimit të gjyshes sepse e kam një nip dhe dëshiroj, që sa më shumë të jem pranë tij.

 Ju ndodh që ta planifikoni fundjavën dhe mos ta realizoni?

Dr. Brovina: Po ndodh shumë shpesh. Zakonisht bëjë plane të ndryshme, të cilat mundohem t’i realizoj megjithatë shumica prej tyre mbetet ashtu vetëm e planifikuar.

Udhëtoni jashtë diku për fundjavë?

Dr. Brovina: Kam dëshirë që ta kaloj në një drekë të përbashkët me fëmijën time bashkëshortin dhe fëmijët mi, e dua shumë shtëpinë dhe kam shumë dëshirë që këto dy ditë t’i kaloj në gjirin familjar.

A është fundjava për ju e shenjtë në kuptimin se këto dy ditë s’ka punë apo politikë?

Dr. Brovina: Një politikan i mirëfilltë çdoherë është politikan edhe të shtunave dhe të dielave, kështu pasditeve jam më e relaksuar dhe këto dy ditë kam mundësi t’i shfrytëzoj që të përkushtohem më shumë ndaj vetes dhe gjërave tjera personale.

Fundjava ideale për ju cila do të ishte?

Dr. Brovina: Do ta quaj ideale çastin kur ndodhem pranë familjes time, bashkëshortit djemve, nuses dhe nipit.

 Shkrimtari juaj i preferuar dhe nëse keni ndonjë libër në veçanti?

Dr. Brovina: Përveç gazetave dhe shtypit ditor në përgjithësi, që është pjesë e pandashme e imja, mundohem të gjej kohë edhe për vepra dhe autorët e mi të preferuar. Një ndër ta është autori Orhan Pamuk, që është edhe më aktual dhe natyrisht autorin shqiptar Ismail Kadarenë. Por për çudi kohët e fundit gjithnjë nga zëri i fuqishëm i femrës vjen Flutura Açka sidomos me romanin e saj të fundit që më ka befasuar për seriozitetin dhe përzgjedhjen e temave.


Një nga ngjyrat apo aksesorët pa të cilat, veshja juaj nuk do të kishte kuptim?

Dr. Brovina: Profesioni im më impono ngjyrat, por do të kisha veçuar ngjyrën e kuqe, pastaj edhe ngjyrat tjera të mbyllëta ndër to edhe e zeza. Më pëlqen dhe ngjyra e bardhë, por përgjithësisht mendoj që më shkojnë të gjitha ngjyrat.

 Momenti më i bukur i jetës tuaj?

Dr. Brovina: Jeta ime karakterizohet nga shumë momente të bukura, që kanë të bëjnë me shumë aspekte të jetës. Do të kisha veçuar momentin kur është liruar Kosova, të cilin fatkeqësisht nuk e ka përjetuar siç e kanë përjetuar të tjerët por e kam ndjerë duke pasuar me shpalljen e pavarësisë. Një ndër momentet më të bukura është dhe lindja e fëmijëve të mi, po r edhe kur jam bërë gjyshe. Së fundi një ndër momentet më të bukura që kam kaluar është takimi me motrat dhe vëllain tim, të cilët nuk jetojnë këtu në Kosovë dhe ishte një kënaqësi shumë e madhe të mblidheshim të gjithë së bashku. Në këtë takim festua dhe diplomimin vëllait tim student, i cili iku shumë i ri në SHBA. Ishte vërtetë një lumturi shumë madhe për të gjithë familjen.

 Ku do t’i kaloni pushimet verore?

Dr. Brovina: I dua pushimet e qeta dhe vetëm me bashkëshortin tim. Do të kisha theksuar se një nga çastet më të bukura gjatë pushimeve është edhe shoqëria me njerëz të rinj me të cilët çdo herë kalojmë shumë bukur. Bregdeti shqiptar është vendi më i bukur ku edhe marr një kondicion fizik pasi që eci shumë, krahas pushimit. Prishtina nuk ofron hapësirë për të aplikuar edhe aktivitetet fizike të cilat janë shumë të nevojshme.

 Përkufizimi i juaj për dashurinë?

Dr. Brovina: Dashuria është çdo gjë, dhe në ditët e sotme është më pak e shprehur. Dashuria ka kuptim shumë të madh dhe është e vështirë ta përkufizosh me pak fjalë, është diçka që ta prish gjumin që të inspiron, që të jep motiv për të ec përpara në jetë nuk e mendoj jetën pa dashuri. Dashuria ka shumë kuptime, njerëzit kanë filluar të jenë sa më egoistë duan vetëm të marrin dhe të mos japin.


Lexoni:


 



http://floripress.blogspot.com/2011/06/po-e-prekni-kosoven-keni-pune-me-mua.html

Përgatitit Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment

Kisha ose Katedralja e Krishtit shpëtimtar,është godinë e paligjshme e ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës në kohën e Sllobodan Millosheviqit

Shkruan Flori Bruqi, PHD.  “Pohimi i Igumenit Sava Janjiç , i cili thekson së Manastiri i Deçanit është ruajtur nga ushtria e Perandorisë Os...