2013-02-01

Akademikut Rexhep Qosja i është \'refuzuar\' titulli ‘Qytetar Nderi’ në Tropojë


Akademikut Rexhep Qosja i është \'refuzuar\' titulli ‘Qytetar Nderi’ në Tropojë, edhe pse për këtë vlerësim ishin marrë më herët dy vendime zyrtare.‘Gazeta Shqiptare’ disponon dy shkresa që hedhin dritë mbi ngjarjen e ndodhur në Komunën Tropojë të qytetit verior. Pasi këshilli i komunës, me shumicë votash kishte arritur t'i akordonte akademikut të njohur titullin, ka qenë kryetari Ram Kortoçi, ai që e ka bllokuar atë. Dy shkresat që po botojmë, tregojnë, njëra vendimin e marrë për të vlerësuar profesorin e njohur dhe tjetra anulimin e të parit. Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Me propozim të një grupi këshilltarësh, Komuna Tropojë, me vendimin nr.70, datë 7.11.2012 kishte vendosur t'i akordojë akademikut Rexhep Qosja titullin: "Qytetar Nderi", si studiues i përkushtuar, shkrimtar me veprimtari të pasur kulturore e atdhetare dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Nga 9 këshilltarë të pranishëm, vendimi u mor me pesë vota pro e katër kundër dhe motivacioni ishte:

‘Figurë komplekse dhe intelektuale e kombit shqiptar, arkitekt i bashkimit kombëtar, shkrimtar i njohur dhe njëri prej përfaqësuesve më në zë të mendimit filozofik shqiptar’.

I njëjti vendim ishte marrë edhe më herët, por qe anuluar sepse bashkë me profesorin, titulli i qe propozuar e qe miratuar edhe për dy emra të tjerë. Fakti që vlerësimi u dha për tre veta njëkohësisht, u përdor si justifikim për ta bërë atë të pavlefshëm. Ndërsa pas vendimit të dytë, ka qenë vetë kryetari i Komunës Tropojë-Fshat, ai që përmes shkrese që mban datën 8.11.2012 e refuzon vendimin e këshillit.

Në letrën që mban firmën e vulën e tij, Ram Kortoçi e kthen për shqyrtim vendimin e mësipërm. Një ndër arsyet e refuzimit që ai përdor është fakti se sipas tij, ‘Për marrjen e një titulli të tillë duhet që personi i propozuar të ketë dhënë një kontribut ku të ketë përfituar komuniteti i kësaj komune dhe për këtë arsye personi në fjalë nuk e plotëson këtë kriter’.

Në këtë mënyrë, ai lë të kuptohet se Qosja nuk ka kontribut për këtë komunë, paçka se motivacioni i thënë më herët tregon kontribute të jashtëzakonshme të akademikut.

Rexhep Qosja ka lindur më 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit i Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci.


Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin "Doktor i shkencave filologjike" me temën "Asdreni-jeta dhe veprat". Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.
Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se "realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm". Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave.



Tituj të veprave



Episode letrare - (1967)
Dialog me shkrimtarë - (1968)
Antologjia e lirikës shqipe - (1970)
Kontinuitete - (1972)
Asdreni - jeta dhe vepra - (1972)
Panteoni i rralluar - (1973)
Vdekja më vjen prej syve të tillë - (1974)
Shkrimtarë dhe periudha - (1975)
Anatomia e kulturës - (1976)
Mite të zhveshura - (1978)
Prej tipologjisë deri te periodizimi - (1979)
Morfologjia e një fushate - (1980)
Nocione të reja albanologjike - (1983)
Historia e letërsisë shqipe I - (1984)
Historia e letërsisë shqipe II - (1984)
Antologjia historike e letërsisë shqipe - (1985)
Historia e letërsisë shqipe III - (1986)
Porosia e madhe - (1986)
Populli i ndaluar - (1990)
Strategjia e bashkimit kombëtar - (1992)
Çështja shqiptare: Historia dhe politika - (1994)
Ligjërime paravajtëse - (1996)
Fjalor demokratik - (1997)
Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën - (1999)
Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, (2001)
I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, (2002)
Realiteti i shpërfillur (Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar) - (2006)
Rilindja e dytë
Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne - 2007
Nata është dita jonë, - 2007

Etj.

Botimi i librit nga Ismail Kadare në vitin 2006 "Identiteti europian i shqiptarëve - sprovë" 1 ishte një ringjallje e një polemnike në mes të Qosjes dhe Kadares. Kështu ndërsa Kadare e vlerëson identitin shqiptar si perendimor, Qosja në librin e tij të quajtur "Realiteti i shpërfillur" 2, e vlerëson atë si një përzierje të identitetit perendimor dhe lindor, të krishterë dhe mysliman.

Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...