2013-02-01

“Harry Potter-in” shqiptarë…“Gjiganti dhe Xhuxhi”





  Nga Vjollca Tytyni-Gjakova





Vilhelme Vranari (Haxhiraj), përmes Sh. Botuese “Nacional” sjellë për lexuesit e vegjël:

“Gjiganti dhe Xhuxhi”.

Me një cilësi e vlerë të lartë teknike dhe teknologjike, Shtëpia Botuese “Nacional”, me traditë në serinë e botimeve, ndërsa për fëmijë, kësaj radhe vjen me librin e dytë të ciklit “Përrallat e Vendit Blu” të shkrimtares vlonjate, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), me titull “Gjiganti dhe Xhuxhi”.
Muajin dhjetor, në mënyrë të qëllimishme e pata lënë si muaj që do t’i përkushtohesha thellësisht letërsisë Vilhelmiane. Ndonëse, e kisha nisur muaj më parë thellimin “studimor” , duke kërkuar kështu edhe nga publikimet e shumta që janë bërë nëpër gazeta dhe linke të ndryshme në internet, për të forcuar gjithnjë e më tepër dëshirën dhe pasionin tim, që ta njoh sa më shumë veprimtarinë krijuese dhe letrare të Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Kështu, i vura vetes si obligim moral dhe shpirtëror që të lexoja gjithë krijimtarinë letrare prej rreth 30-sosh, duke e konsideruar kështu si një dhuratë të bukur për vitin që lamë pas, 2011.
Duke prekur gjithë atë bagazh të pasur krijues, në tërë ato gjini letrare, përcjell bindjen se, shkrimtarja jonë e talentuar, të gjitha këto i ka realizuar me kujdes e me një trajtesë të rrallë letrare, duke e bërë letërsinë vilhelmiane, letërsi studimore dhe pjesë të një literature të çmuar që i kontribuon mësimdhënësve dhe studentëve të letërsisë shqipe, në zgjerimin e njohurive të tjera, në këtë pjesë studimore, të letrësisë shqipe, për fëmijë.


Mbaj mend se, në shkollën fillore, e kishim obligim që çdo muaj të lexonim nga një libër të krijuesve tanë shqiptarë. Mësuesja, na kishte thënë se, “në çdo libër që lexoni, duhet të kini parasysh të mbani në mend titullin e veprës dhe shkrimtarin”. Nga ajo kohë, kujtoj krijimet letrare të shkrimtarëve që vazhdojnë të ngelen literaturë e obligueshme shkollore edhe në ditët e sotme: Odhise Grillo, Migjeni, Rifat Kukaj, Agim Deva,…e shkrimtarë të tjerë për fëmijë. Por, mesa di, që nga ajo kohë në shkollat fillore, leximi i obligueshëm për lektura shkollore, akoma nuk është freskuar me shkrimtarë dhe lektura te reja letrare. Sa shumë shkrimtarë të talentuar për fëmijë dhe për të rritur ka pasur gjatë periudhës së fundit, sidomos pas viteve 1990 . Ndërkohë, pos imponimit nga njerëzit e njohur për të lexuar ndonjë libër, nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje institucionale që të fus një iniciativë të duhur për të pasuruar leximin letrar (pas mësimit të rregullt) me shkrimtarë të rinj.


Shembulli ka të bëj me vlerën që ka sjellur shkrimi vilhelmian në letërsinë për fëmijë. Të dy ciklet e librave të titulluar “Përallat e Vendit Blu”, e para “Kuçedra dhe Dragoi” dhe e dyta që sapo ka dalë nga botimi “Gjiganti dhe Xhuxhi”, që mbajnë firmën e Shtëpisë Botuese “Nacional”, janë vepra që me gjithë mend ofrojnë tek fëmijët kënaqësinë e të lexuarit, zhvillimin e imagjinatës dhe të memories historike të fëmijëve. Të dy librat që në formë imagjinare, shtjellojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptarë, shkojnë edhe më tej, në shtjellimin e historikut të të parëve tanë, ilirëve. Duke sjellur tek lexuesi personazhe që nuk janë dëgjuar ndonjëherë në letërsinë letrare shqipe, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), si pinjolle e Gjergj Arianitëve, dhe si profesore e histori-gjeografisë, ka përdorur të gjitha format e saj metodike dhe bashkëkohore, në mënyrë që libri dhe lexuesi të jenë brendapërbrenda librit dhe ngjarjes që shtjellohet mrekullisht nga shkrimtarja, Vranari (Haxhiraj).
Lubia e pangopur me emrin Llufa apo Lubia e Detit, Gjiganti, Gjugji, Shtriga, Dragoi, Shenjtori,…e të tjerë personazhe të përdorur në libër, të bëjnë të mrekulluar në botën e pesë përallave që vijnë në ciklin e dytë te “Përallat e Vendit Blu”. Vlen të potencohet edhe prezantimi i vet autores që bëhet në fillim të librit, e cila që në fillim të tërheq në leximin e tij. Ata që e njohin nga afër shkrimtaren dhe të tjerët që nuk kanë pasur mundësi ta njohin, figura që ajo vë në fillim të fletëve të para të librit, personifikon mjaft bukur edhe vet imazhin që ka autorja, duke u prezentuar para lexuesve me një emër mjaft të dashur dhe personifikues ashtu siç e kërkon edhe bota e përrallave “Nëna Vili”. Si mësimdhënëse, si nënë, si gjyshe e dashur dhe si një person që vërtetë mundet, Nëna Vili, vërtetë ka se çfarë t’u rrëfej dhe t’u ofrojë fëmijëve, meqë ka gjetur bukur edhe personazhin e saj të quajtur Princesha Bianka, (Princesha Bi), shqiptarja e vogël që jeton në emigracion, së cilës me shumë dashuri, ajo i rrëfen përrallat, duke e bërë atë sa të mrekullueshëm dhe po aq real për botën fëmijërore, duke çmuar në formë të vërtetë edhe rolin e madh që luajnë gjyshërit me nipërit e mbesat e tyre, në jetën e përditshme.
Në libër vihet re dallimi mes së keqes dhe së mirës, atyre që quajmë të fortë dhe të zgjuar, gënjeshtarë dhe të drejtë… Në faqet e përrallave janë përdorur forma të tilla që shërbejnë në zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve, të cilët i bëjnë ata të jenë në qendër të librit, duke fluturuar në vende të papara, duke u ndeshur me qenie të panjohura mitologjike. E mandej duke qenë gjithnjë pyetës dhe të interesuar në kuptimin sa më të thellë të ngjarjes që zhvillohet brenda përrallës.
Veç të tjerash, Nëna Vili, duke përdorur metodën profesionale të mësimdhënies, është përqëndruar edhe te shpjegimi i fjalëve të panjohura ( të vështira), dhe tek parashtrimi i pyetjeve që janë vënë në fund të çdo përralle, duke e pasuruar jo vetëm librin, por edhe trurin e fëmijëve, në studim të mëtejshëm të ngjarjeve. Si libër interesant dhe magjepsës për fëmijët, njëherit ky cikël përrallash përcjell edhe karakteristikat zhvillimore të nxënësve, duke ju ofruar atyre një stil dhe gjuhë të qartë e të kuptueshme. Libri është tejet interesant, me një stil e metoda bashkëkohore. Si i tillë plotëson aftësimin e nxënësve, sepse është i strukturuar në koncept të programeve mësimore, gjë që definon edhe kushtet e përgjithshme si një libër i nevojshëm edukativ dhe mësimor, për fëmijët.
Duke shkoqitur disa nga të veçantat e shumta që sjell ky libër dhe duke i bërë një trajtesë këtij libri, që është voluminoz për botën e fëmijëve, them me bindje, se ky libër është shumë i përshtatshëm që vlenë jo vetëm për nxënësit e ciklit të ulët, por është i nevojshëm edhe për nxënës të ciklit të lartë të arsimit fillor. Specialistë të Ministrisë së Arsimit, duhet ta studiojnë këtë libër dhe ta fusin si pjesë të literaturës shkollore.. Sidimos kur kemi të bëjmë me fëmijët, të cilët janë baza fillestare që mbillet dhe rritet edukimi për mësimnxënje.
Një zhgënjim tjetër i radhës, që fatkeqësisht dëgjova këto ditë, ishte se një shkrimtar, vetëm pse punon apo ka një lidhje në Ministri të Arsimit, ka ndarë një numër të konsiderueshëm librash nëpër shkolla, të cilat duhet me patjetër të lexohen. Kundër leximit nuk është askush, por konsideroj se të gjithë jemi kundër parandalimit të njohjes, leximit, kontribuimit dhe kultivimit të vlerave. Marrë nga ky shkas, më gëzon që shkrimtarja Vranari (Haxhiraj) – (dhe të tjerë krijues që i takojnë nivelit të lartë aristiko-letrar),nga raste të tilla nuk arrin të demotivohet. Por përkundër të kësaj, ajo krijon me bollëk, literaturë që është për t’u admiruar dhe çmuar nga të gjithë letrarët që vërtetë dijnë ta vlerësojnë letërsinë e duhur dhe të nevojshme. Është e vërtetë se të mëdhenjtë dhe të urtët lënë përjetësisht fjalët dhe veprat. Këtë e dëshmon edhe rrëfimi i bukur i shkrimtarit të pavdekshëm himariot, Odhise Grillo, i cili duke parë vlerat dhe antivlerat e renditura në një paralele, kishte pororsitur: “të mirën dhe të keqen mbaji dhe vendosi njërin në një xhep dhe tjetrin në një tjetër xhep, se të duhen herëdokur”! Kjo mbase i ka shërbyer edhe shkrimtares sonë të nderuar, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), e cila si fisnike që është, asnjëherë nuk merret ma ata që nuk janë të interesuar të kultivojnë vlerat.
“Përrallat e Vendit Blu” një dhe dy, me patjetër duhen të kenë vëmendjen e regjisorëve, dramturgëve dhe njerëzve të artit që t’i realizojnë në dramë, shfaqje apo në ndonjë film të animuar për fëmijë. Në këtë mënyrë pasurojnë kështu botën artistike apo edhe mediale të fëmijëve.
Edhe si e rritur që jam, pas leximit të këtij libri do vërtetoj vlerësimin e bërë nga një mësues, i cili duke marrë në konsideratë shtjellimin e bukur të veprës, “Gjiganti dhe Xhuxhi”, e quajti “Harry Potteri Shqiptar”, i cili si film, jo vetëm që ka fituar dashurinë e fëmijëve, por edhe ka thyer rekordin e shfaqjeve nëpër botë. Kjo idja ime, mbase do na shërbente që të radhitemi edhe ne në shkallën e filmave, shfaqjeve, librave e pse jo të shtojmë edhe më shumë numrin e shkrimtarëve më të lexuar, dhe jo vetëm në Shqipëri.
Veç kësaj, duhet të vlerësojmë lartë edhe cilësinë teknike dhe teknologjike të librit, të bërë me mjeshtëri profesionale nga Shtëpia Botuese “Nacional”, e cila sjellë një koncept të mirëfilltë, se si përpilohet një libër për fëmijë, duke bartur kështu të gjitha parimet didaktike që nevojiten për botimin e një libri. Ilustrimet e përdorura me ngjyra të pastra dhe të 78 fletët që përmban libri, përbëjnë një cilësi të lartë, duke bartur kështu edhe parimet didaktike që i nevojiten kombinimit të teknikave cilësore dhe sasiore. Kjo, me një fjalë krijon metodologjinë vlerësuese të librit, që plotëson normat teknike dhe estetike të botimit.
Duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtares,Vilhelme Vranari (Haxhiraj), duhen përmendur bashkëpunëtorët e tjerë që kanë punuar për daljen në dritë të këtij libri. Këta janë: i ndjeri prof. dr. Adriatik Kallulli, që është edhe redaktor i librit/ recensente: Lejla Gorishti/ korrektuese Linda Buçpapaj dhe ilustratorin e mrekullueshëm, Luan Vrioni. Të gjithë së bashku u kanë bërë një dhuratë të bukur fëmijëve për vitin që sapo nisi rrugë dhe ky është libri i mrekullueshëm ,”Gjiganti dhe Xhuxhi”
Natyrisht, duhet vlerësuar lart edhe ndihma modeste financiare e inxhinierit Qeverim Kushta dhe z. Fitim Haxhiraj, (që është edhe menaxher e konsulent i autores) të cilët kanë mundësuar njëherit të botohet ky libër i rëndësishëm, që plotëson parakushtet normale si një ndihmesë e mrekullueshme për botën imagjinare të fëmijëve. Mbi të gjitha këto përralla edukojnë dashurinë për të parët tanë ilirë, për gjuhën e bukur shqipe dhe përpjekjet e tyre për liri.
Kënaqemi me përrallat dhe historinë e të tjerëve dhe harrojmë që kemi një histori tonën, të mbushur plot me tragjedi, një histori të larë në gjak, për të cilën mund të thuren mijëra legjenda dhe përralla, sepse e tillë, plot vuajtje e sakrifica të pabesueshme ka qenë jeta e shqiptarëve. Ndaj me krenari duhet t’u kujtojmë brezave qëndresën e ilirëve ndaj pushtimeve dhe dhunës shekullore të të huajve ndjekur kundër një kombi që e çmon lirinë. Këto gjëra do t’i gjeni tek cikli i I-rë dhe i II-të me “Përrallat e Vendit Blu” të autores Vranari-Haxhiraj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...