2013-01-27

Më shumë monografi se romane

ISA VATOVCI


Për pak vite ka rënë interesimi për të shkruar romane

Në këtë mes kemi edhe të tillë që shkruajnë për tema kombëtare, respektivisht nga lufta. Këto dhjetë vjetët e fundit, krijuesit tanë më shumë janë koncentruar rreth monografive të ndryshme dhe kjo bën që ata për pak vite ta humbin interesin për të shkruar romane”, ka thënë kritiku Sahitaj
Prodhimtaria e vogël dhe mungesa e marketingut kanë bërë që krijuesit e romanit, sot në Kosovë, në të shumtën e rasteve të jenë jashtë vëmendjes së audiencës. Madje është krijuar një përshtypje se ky zhanër është lënë fare pas dore, edhe ku zhvillohet nuk është atraktiv dhe interesant për lexuesin. Në fakt, në Kosovë, gjatë një viti prodhohen pak romane. Shqetësues mbetet fakti i distribuimit të tij në tregun e librit jashtë Kosovës, posaçërisht në Shqipëri, ku romanet e autorëve shqiptarë nga Kosova vërehen pak, për të mos thënë fare. Romani shqip në Kosovë, edhe pse në sasi më të vogël kultivohet, edhe ai ka një nivel artistik të kënaqshëm dhe nuk është më poshtë se ata të rajonit. Ndërsa, depërtimi i tij me vështirësi në tregun e librit, në Shqipëri më shumë ka të bëjë me mungesën e marketingut. Kështu janë shprehur krijuesit dhe studiuesi kosovarë. Sipas tyre, të thuash se në Kosovë nuk ka zhvillim të romanit apo romane të nivelit artistik, do të thotë se nuk ke lexuar asnjë roman.
Shkrimet për temat sociale

Në një prononcim , studiuesi Reshat Sahitaj ka thënë se të gjithë ata që mendojnë se në Kosovë nuk shkruhet romani dhe se ai nuk depërton në Shqipëri, ose nuk kanë lexuar romane të autorëve tanë e që ka mjaft, ose nuk dëshirojnë t’i vlerësojnë, që sipas tyre, këtë e bëjnë për shkaqe banale, siç është shprehur ai, ngase nuk i takojnë klanit të tyre, ose thjeshtë vetë dëshirojnë të dominojnë, duke e ulur çdo roman tjetër. Sipas tij, krijuesit e plejadës më të moshuar, më së shumti shkruajnë për temat sociale dhe aty-këtu kombëtare, e ata të, sipas tij, të rinj, shkruajnë tema të dashurisë, por që pakkush prej tyre ka arritur nivelin letrar-artistik. “Në këtë mes kemi edhe të tillë që shkruajnë për tema kombëtare, respektivisht nga lufta. Këto dhjetë vjetët e fundit, krijuesit tanë më shumë janë koncentruar rreth monografive të ndryshme dhe kjo bën që ata për pak vite ta humbin interesin për të shkruar romane”, ka thënë ai. Ndërsa, sa i përket depërtimit të tij në tregun e Shqipërisë, Sahitaj është shprehur se Shqipëria e refuzon romanin tonë në mënyrë shumë perfide. “Nëse një roman yni nuk e ka një lektor, redaktor tiranas, libraritë refuzojnë ta marrin për shtije. Kur shkruajnë për ndonjë krijues nga Kosova, ata në kryetitull e shkruajnë shkrimtar nga Kosova”, ka thënë ai, duke shtuar se krijuesit kosovarë shkruajnë romane të mira, që edhe lexuesit e Tiranës do të kishin kënaqësi t’i lexonin. Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe klanizimin e krijuesve, që sipas tij, më shumë janë duke i dëmtuar zhvillimet dhe promovimin e letërsisë.
Mungesa e marketingut

Edhe krijuesi Ardian Haxhaj ka mendim pak a shumë të njëjtë sikurse Sahitaj. Haxhaj ka thënë se krahasuar me gjinitë e tjera letrare, zhvillimi i romanit në kuptimin sasior është shumë më i vogël. “Shkrimi i romanit kërkon një pjekuri të plotë profesionale nga ana e krijuesit. Besoj se nuk është fjala te ngecja e zhvillimit të romanit në Kosovë, por te produksioni i vogël i tij”, ka thënë ai, duke shtuar se temat që prekin autorët kosovarë janë të ndryshme. Brezi më i ri i shkrimtarëve, sipas tij, është shumë më i lirshëm në trajtimin e temave të ndryshme. Ai ka pohuar se mungesa e romaneve të autorëve kosovarë në tregun e librit në Shqipëri, është çështja e mungesës së marketingut dhe mungesës së lojalitetit në mes të tregut tonë letrar dhe atij të Shqipërisë. Madje, te ne, ka vazhduar ai, ka ndjenjë të dyfishtë inferioriteti; në njërën anë bëhemi inferiorë dhe lajkatarë ndaj letërsisë që shkruhet dhe botohet në Shqipëri, duke e nënvlerësuar herë me qëllim e herë pa qëllim romanin që krijohet në Kosovë, dhe botuesit në Shqipëri e shikojnë me inferioritet letërsinë e Kosovës në përgjithësi, e në këtë rast edhe zhvillimin e romanit.

Niveli artistik

Edhe studiuesi Ag Apolloni në një prononcim për “Kosova Sot” ka thënë se, mungesa e depërtimit të romaneve të autorëve nga Kosova në Shqipëri, është pasojë e mungesës së marketingut. Ndërsa, ka thënë se edhe pse shkruhen pak në krahasim me zhanret, niveli i tij artistik nuk qëndron më poshtë se ato që kultivohen në Shqipëri. “Kjo është më shumë punë e menaxhimit. Autorët nga Tirana, në Kosovë vazhdimisht promovohen përmes promovimeve, organizimit të promovimeve të romaneve të tyre apo formave tjera”, ka thënë Apolloni.

Temat, të ndryshme

“Shkrimi i romanit kërkon një pjekuri të plotë profesionale nga ana e krijuesit. Besoj se nuk është fjala te ngecja e zhvillimit të romanit në Kosovë, por te produksioni i vogël i tij”, ka thënë Haxhaj, duke shtuar se temat që prekin autorët kosovarë janë të ndryshme.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...