2013-01-30

Janullatosi bën kauzë me nazifashistët e Athinës kundër emigrantëve shqiptarë


Eshref Ymeri


       Megjithëse po bëhen më shumë se 20 vjet që Janullatosi ndodhet në Shqipëri, atë asnjëherë s’e kishim dëgjuar të thoshte ndonjë fjalë të vetme për emigrantët shqiptarë në Greqi. Por vitin që kaloi, në skenën politike të Greqisë doli një parti nazifashiste me emrin “Agimi i Artë”. Kjo parti është shprehur publikisht se është armike e emigrantëve shqiptarë. Madje një deputet i saj me emrin Kristo Papas, para ca ditësh deklaroi haptas se zanati i emigrantëve shqiptarë na qenka“plaçkitja” dhe se në Greqi kanë shkuar me përdhunime, vrasje dhe vjedhje. Ai deklaroi shprehimisht:
“Erdhën tek ne dhe në vend që të puthnin dorën që u jepte bukë, e kafshonin atë” (Citohet sipas faqes së internetit të zotit Feliks Taho, me titull: “Grekët: Jemi në luftë me Shqipërinë”. 24 janar 2013).
Por, çuditërisht, në bashkërendim të plotë me qendrimin e nazifashistëve të Athinës kundër emigrantëve shqiptarë, shprehet edhe armiku i betuar i kombit shqiptar Anastas Janullatosi, i cili ka deklaruar publikisht në shtypin shqiptar:
“…emigrantët abuzuan me mikpritjen e treguar dhe shfaqën sjellje kriminale” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Tema”. 22 janar 2013).
       Le të ndalemi pak shkurtimisht në të ashtuquajturën mikpritje greke ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët sot janë dhembja dhe plaga e kombit shqiptar, plagë kjo që shovinizmi grekomadh e ka mbajtur vazhdimisht të hapur, duke e cingrisur orë e çast.
 Emigrantët tanë u gjendën në Greqi pas shembjes së sistemit komunist, jo se Greqisë i digjej barku për ta. Jo, absolutisht. Greqia, kjo përkëdhelake tradicionale e Evropës, e majmur dhe e stërngopur me paratë e taksapaguesve evropianë, i kishte mbushur mendjen vetes se ajo na qenkej, demek, kërthiza e botës, duke e konsideruar veten një “agalleshë” të Bashkimit Evropian, të cilin e kishte tërhequr për hunde me mashtrime në fushën e bilanceve financiare. Prandaj grekët qenë shndërruar në “pashallarë” në kurriz të Bashkimit Evropian dhe, duke mos paguar as taksa, patën krijuar bindjen përfundimtare se ata duhej të bënin vetëm qejf dhe për ta duhej të punonin të tjerët. Në këto kushte, ata i dhanë karar se për ta kishin ardhur kohë “të arta” për të vënë në jetë ëndrrën marrake për “aneksimin” e Shqipërisë së Jugut. Prandaj edhe kufijtë me vendin tonë i shqyen kat e kat në dhjetor të vitit 1990, në mënyrë që emigrantët shqiptarë të dyndeshin në masë drejt Greqisë. Dhe emigrantët e shkretë, të katandisur në derexhenë e fundit prej sistemit komunist, u dyndën drejt Greqisë, duke pasur parasysh atë fjalën e urtë të gjuhës shqipe “halli të çon në derë të hasmit”. Me shqyerjen e kufijve me Shqipërinë, Greqia bënte hesape me lapës në dorë, duke parashikuar që emigrantët do t’i shndërronte në një peng me mjaft peshë, për t’i zhvatur sa më shumë lëshime  Tiranës zyrtare. Këtë qëllim të poshtër të Greqisë e ka pranuar haptas Presidenti i tanishëm  Karolos Papulias që në fundin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur ishte ministër, çka del qartë nga faqja e internetit me titull “Dosja e zezë e Greqisë”.
Prandaj emigrantët shqiptarë u trajtuan në Greqi thjesht si argatë dhe sa herë që shovinizmit grekomadh i tekej për të zhvatur lëshime nga Tirana zyrtare, përdorte kartën e emigrantëve, duke i keqtrajtuar, masakruar, vrarë dhe duke organizuar operacionet e fëlliqura fashiste me emrin “fshesa”.
Për të gjitha këto qëndrime fashiste që shovinizmi grekomadh ka mbajtur ndaj emigrantëve shqiptarë, Janullatosi s’e ka hapur gojën as edhe një herë të vetme. Madje ka bërë të paditurin edhe për kufomat e 145 emigrantëve të kthyer në Shqipëri në arkivole, të cilët i vrau dora kriminale greke.
Në një artikull të mëparshëm kam përmendur një takim që pata me një profesor grek në vitin 2004 në mjediset e hotelit “Dajti”. Pyetjes sime për emigrantët shqiptarë në Greqi, ai iu përgjigj:
“Më vjen turp për pronarët tanë që sillen keq me emigrantët shqiptarë”.
Po si shpjegohet që Janullatosi, pikërisht tani, kur në skenën e politikës greke ka dalë një parti nazifashiste, ngrihet dhe sulmon emigrantët shqiptarë? Përgjigjja është e thjeshtë: pikërisht kjo parti e ka marrë në mbrojtje Janullatosin nga sulmet e Aleancës Kuq e Zi. Madje partia nazifashiste greke, popullin shqiptar e quajti popull kaçak se pse po sulmohet Janullatosi. Pra, Janullatosi bën kauzë pikërisht me këtë parti nazifashiste kundër emigrantëve shqiptarë.
Por ne s’duhet të habitemi nga ky qëndrim armiqësor i Janullatosit ndaj emigrantëve shqiptarë. Se Janullatosi ka qenë dhe mbetet armik i mbarë kombit shqiptar. Asokohe kur krimineli Millosheviç po masakronte dhe dëbonte nga vatrat e veta popullin shqiptar të Kosovës dhe kur NATO-ja kishte filluar bombardimet kundër Serbisë, Janullatosi u gjend për një vizitë në Moskë. Atëherë Kremlini kishte ngritur më këmbë mbarë Federatën Ruse. Njerëzit rusë, i madh e i vogël, që nga Vladivostoku e deri në Peterburg, shfrynin tërë mllef kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Kosovës. Para Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, numri i vullnetarëve të regjistruar për t’u nisur drejt Ballkanit për të vrarë shqiptarë dhe për të marrë në mbrojtje Serbinë, e pati kaluar shifrën 70 mijë veta. Pikërisht në ato momente, Janullatosi u radhit përkrah Millosheviçit, duke sulmuar NATO-n dhe duke u pozicionuar haptas kundër mbarë kombit shqiptar.
Janullatosi duhej larguar me kohë nga Shqipëria. Por tani, pas kauzës së përbashkët që bën me partinë nazifashiste greke kundër emigrantëve shqiptarë, ai duhej përzënë me teneqe. Por, fatkeqësisht, s’ka kush ta përzërë se Shqipëria është vend pa zot. Deklarata e Janullatosit kundër emigrantëve shqiptarë, e lëshuar në të njëjtën gjatësi vale me deklaratën e “Agimit të Artë”, vërteton konkretisht se Janullatsi është i instaluar në Shqipëri si përfaqësues i nazifashizmit grek që ka për qëllim greqizimin e Shqipërisë së Jugut, çka përbën edhe qëllimin final të misionit të tij.
Për habinë e mbarë shqiptarëve me vetëdije të lartë kombëtare, Janullatosin e merr ne mbrojtje D.Gj. Meta, në një artikull me titull; “Nuk mund të heshtë kundër papërgjegjshmërisë së Aleancës Kuq e Zi”, të botuar në gazetëm “Mapo” të datës 6 janar 2013.
Në artikullin në fjalë, ky zotëri, në një mënyrë krejt të thjeshtëzuar, misionin e Janullatosit në krye të kishës ortodokse ish-shqiptare fanoliane, e krahason me misionin e disa meshtarëve shqiptarë në Itali apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si është e mundur që ky zotëri e anashkalon qëllimisht deklaratën publike të historianit grek Nikolas Stavros, sipas të cilit “hedhja në dorë e kishës ortodokse shqiptare është fitorja me e madhe e Greqisë në shek. XX”?
Por edhe më e çuditshme është deklarata e një politikani të lartë të Partisë Demokratike, zotit Tritan Shehu, i cili sulmon egërsisht Aleancën Kuq e Zi dhe merr në mbrojtje Janullatosin. Për përfaqësuesit e kësaj Aleance ai deklaron:
“Thirrjet e tyre kundër drejtuesit të Komunitetit Ortodoks në Shqipëri, shkëlqesisë së tij z. Janullatos, ngjajnë veçse me thirrjet e talebanëve, nacionalizmi i tyre i ngjan atij millosheviçian” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Tema”. 07 janar 2013).
Po si është e mundur që ky deputet shqiptar, dikur ish-Ministër i Punëve të Jashtme, t’i krahasojë përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi me talebanët, të cilët ishin dhe mbeten armiq të popullit afgan? Si është e mundur që nacionalizmin e kësaj Aleance ai ta krahasojë me nacionalizmin e Millosheviçit, i cili nuk ishte aspak nacionalist. Përkundrazi, Millosheviçi ishte shovinist, prandaj edhe e gjakosi rëndë Evropën Juglindore me luftërat agresive që ndërmori? Si mund të bëhen krahasime të tilla absurde, vetëm e vetëm që të merret në mbrojtje Janullatosi që sulmon poshtërsisht emigrantët tanë, duke u radhitur përkrah partisë nazifashiste greke? Me ç’të drejtë zoti Tritan Shehu i fyen kaq rëndë ata mijëra djem dhe vajza që janë anëtarësuar në radhët e Aleancës Kuq e Zi, duke i krahasuar me talebanët dhe me kriminelin Millosheviç? Me mbrojtjen që i bën Janullatosit dhe me sulmin që ndërmerr kundër Aleancës Kuq e Zi, zoti Shehu gjendet në të njëjtën barrikadë me nazifashistët grekë kundër emigrantëve shqiptarë. Cila duhet të jetë vallë arsyeja e një qëndrimi të tillë të këtij politikani të lartë të Partisë Demokratike? Si është e mundur që deklarata e historianit grek Nikolas Stavros të mos i bëka asnjë përshtypje zotit Tritan Shehu?
Një deklaratë e tillë e zotit Tritan Shehu në mbrojtje të Janullatosit, poshtëruesit të veprës së Fan Nolit, lë rast për të dyshuar se do të ndikojë për keq në uljen e aksioneve të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit.

Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
29 janar 2013




Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...