2013-01-27

Zhaku: Dashuria ime me Dakar, muzikantin gjerman dhe ëndrrat e realizuara


Jonida Hitoveizi

Inida Gjata, ose Zhaku siç e njohim të gjithë, vjen në këtë intervistë shumë të gjallë duke na rrëfyer çdo gjë për projektet e saj, të cilat janë shumë. Ajo që na tërhoqi vëmendjen më tepër, veç pjesëmarrjes së saj në “Dancing with the stars”, është albumi dhe kënga e re që ajo po përgatit me të dashurin e saj bavarez, Dakar, i cili është muzikant. Zhaku tregon për punën e saj në BBF, projektet në film, dokumentar dhe TV, si dhe një pjesë të jetës së saj jashtë kamerave, si vajzë e vogël e njëkohësisht si një femër e lirë. Në këtë intervistë për “Mapo”-n Inida Gjata vjen si asnjëherë tjetër.  
Zhaku, keni një kohë të gjatë që jeni “zhdukur” disi nga vëmendja mediatike. Mund të na thoni përse keni preferuar këtë heshtje, ta quajmë?
Në fakt, është zhdukur vëmendja mediatike nga unë. Unë nuk kam qenë aspak në heshtje, në asnjë çast. Unë “heshtjen” e asgjësoj me krijimtari, punë, dashuri, miqësi, reflektim, këndim, aktrim, shkrim, lexim,gatim etj. Ndërsa “heshtja” mua më asgjëson me mungesën e zhurmës.  Dhe zhurmën në rastin e bën media, jo unë. Unë bëj punën time. Kur më bëhen të tilla pyetje, apo konstatime, ku vihet në dukje mungesa ime në media, me bëhet qejfi që ndihet mungesa ime në ekran, radio apo shtyp. Bindem dhe sigurohem edhe më shumë mbi rrënjët e mia në këtë vend. Por, ama, nuk e ndiej aspak këtë mungesë. Të them të drejtën, nuk e kam ndjerë heshtjen as mungesën për të cilën ju flisni. Nuk dua tani të marrë pozicione e të filloj “Jo po unë kam bërë e kam stërbërë…”, por veprat e mia këto kohë nuk kanë qenë të pakta. Kam realizuar një dokumentar mbi diktaturën dhe nënshtrimin, që titullohet HIÇ, kam krijuar një patentë mode që quhet “HARAXHUKU”, kam realizuar nja rreth 20 këngë të reja në një projekt tërësisht timin muzikor ku jam autore e muzikës, produksionit dhe teksteve. Gjithashtu, me të dashurin tim, një muzikant i njohur gjerman, Dakar,  i cili ka ardhur të jetojmë bashkë në Tiranë, jemi duke punuar mbi albumin tonë, i cili do të jetë një produksion europian. Me këtë po merret Dakar, por me tekste dhe interpretim shqip, me të cilat po merrem unë. Kam realizuar së bashku me një koreograf shumë të veçantë dhe të talentuar, Fatjon Sulstarova, një shfaqje shumë të veçantë Dance Theater “Për Trupin nga Koka”. Pra, t’i përgjigjem më në fund pyetjes suaj: Shitësit e mediave në përgjithësi më kanë konsideruar një personazh që nuk shet (megjithëse realiteti vërteton të kundërtën), ndaj dhe nuk i kanë ndjekur me vëmendje punët e mia këto kohët për të cilat ju mendoni se unë kam qëndruar në heshtje. Por, unë, sidoqoftë, nuk jam ndjerë asnjëherë e harruar prej gazetarëve, të cilët vazhdimisht më kanë kërkuar intervista apo kolegëve që drejtojnë “talk shou” të ndryshëm, të cilët vazhdimisht e kanë kërkuar pjesëmarrjen time si opiniondhënëse. Si dhe të njerëzve, kudo, të cilët më japin shumë dashuri dhe përkrahje. Madje, ndihem shumë e suksesshme edhe pse nuk bëj aq para sa duhet, apo nuk jam nëpër media aq sa pritem.
Ku janë të fokusuara projektet tuaja artistike, veç punës si regjisore në një televizion muzikor?
Puna ime në BBF është një tjetër befasi që më ndodhi këto kohë. Kurrë nuk duhet thënë kurrë. Unë në BBF, e paimagjinueshme. E paparashikueshme. Por ndodhi dhe ndihem shumë e realizuar dhe me fat. Edhe profesionalisht, edhe personalisht. Unë në “Max Production” bëj skenarët, casting dhe regjinë skenike, por edhe çfarë të më dalë përpara dhe duhet të bëhet. Vazhdoj bëj muzikë. Jam në përfundim të videos sime dhe të Dakar, ku për herë të parë do të shfaqemi bashkë edhe si çift me këngën tonë të parë që titullohet “E Paparaparë”. Krijoj veshjet e markës sime “HARAXHUKU”, kam shkruar një tragjedi satirike që titullohet “Me/Pa Lumturinë”, kam krijuar një format televiziv shumë komik dhe inteligjent, një reality shou mes vipash që do të konkurrojnë mes njëri-tjetrit nën pyetjen njëherësh edhe titull të programit “Çfarë ka dashur të thotë autori?!”. Tani, vërtet që më ngel vetëm pyetja legjendare, historike, autentike, tipike dhe komike “A doni më për Belulin?!” (qesh).
Zhaku, keni qenë pjesë e televizionit dhe e botës së artit në përgjithësi. Si e shihni sot këtë botë?
E shoh siç e kam parë gjithmonë. Megjithëse brenda saj, e shoh këtë botë nga larg. Si mish i huaj.
Gjithmonë ju ka karakterizuar jo vetëm sensi i lirisë, por edhe një ndjenjë rebelimi shpesh. A ka ndryshuar kjo gjë në karakterin tuaj?
Unë nuk e kam parë veten kurrë të rebelohem. Realitetin ama, shpeshherë e kam dëshmuar të rebelohet kundër meje, nevojave, interesave të mia. Edhe kur ka qenë e padrejtë, për mendimin tim, unë kam reaguar për pasojë. Kam protestuar, nuk jam rebeluar. Unë nuk i jam vënë kundër askujt dhe asgjëje me iniciativën time. Por ama, kur dikush apo një fenomen vendoset kundër meje apo interesave të mia dhe kjo vjen nga NJERËZIT dhe jo nga “FATKEQËSITË NATYRORE”, unë reagoj. Përsa i përket sensit të lirisë, njëherë që e kupton vërtet çfarë do të thotë liri, nuk njeh më kufij. Në karakterin tim ndiej se ka ndryshuar vetëm niveli i urtësisë. Ajo shtohet vetvetiu. Se dhe mosha bën të vetën dhe unë këtë vit bëj 30. Sa për të tjerat, d.m.th. cilësitë,  më duket sikur, thjesht, vazhdojnë të rriten me mua.
Cilat janë gjërat që nuk duroni dot të themi? Çfarë ju rebelon së tepërmi?
Idiotësirat i kam shumë zët. Humbja e kohës dhe budallallëku më nxehin shumë. Absurditeti, i cili, paradoksalisht, është jo vetëm acarues por edhe subjekt frymëzimi për cinizmin tim, i cili është një tipar që gjithashtu po zhvillohet shumë, falë jetës në ALBANIA.
Zhaku, si do ta quanit angazhimin tuaj në shoqërinë civile? A mjafton shpesh vetëm një zë?
Angazhimi im në çështje publike dhe shoqërore ka të bëjë me parimet e mia personale mbi shoqërinë dhe drejtësinë në një “të ashtuquajtur” shoqëri e lirë, demokratike dhe e barabartë. Të jeni të sigurt se nuk jam unë “ky zëri i vetëm”. Ka me qindra dhe mijëra aktivistë apo profesionistë të ndryshëm që reagojnë dhe përpiqen për të drejtën apo lirinë në mënyra të ndryshme, vazhdimisht. Si aktivistë që duket sikur heshtin, por në fakt veprojnë. Dhe meqenëse media është e zhdukur nga këta njerëz, meqë edhe ata besoj se “sipas shitësve nuk do të shisnin”, duket sikur nuk janë, por në fakt ka shumë, shumë qytetarë që janë shumë të vëmendshëm ndaj abuzimit me të drejtat në një shoqëri të “ashtuquajtur” të lirë dhe demokratike.
Megjithëse duhet thënë që sa herë ka tema që kanë të bëjnë me të drejtat apo liritë, ju jeni përherë prezente…
Jam, kam qenë dhe do të mbetem.
Zhaku së fundi kemi mësuar se do të provoni veten edhe në kërcim. Çfarë ju bindi që të jeni një nga yjet që kërcejnë?
Kënaqësia për të bërë diçka që më pëlqen shumë, siç është kërcimi dhe interpretimi. Si dhe kënaqësia që do të punoj me artistë që vlerësoj shumë dhe miq të vjetër, me të cilët kemi pasur përvoja të hershme televizive. Dhe sigurisht, që do të rishfaqem në “Vizion plus”, ku kam realizuar programe të suksesshme si “Metropolitan Show” apo “Shatrapatra” dhe që do të punoj sërish me të njëjtin staf.
Ia keni idenë kërcimit, apo e mendoni si një sfidë të lodhshme?
Unë ia kam idenë ritmit, interpretimit, plastikës dhe dëfrimit. Të tjerat, të shohim. Nuk e mendoj si një sfidë të lodhshme. Mami e sheh si të tillë, dhe e ka me merak. Unë jo. Unë kam formim të pasur artistik, ku bën pjesë edhe kërcimi, por në rastin e dancit sportiv nuk e kam provuar veten. Të shohim.
Keni provuar shumë zhanre, shumë gjini, regjisore, aktore, prezantuese, keni provuar të këndoni, jeni pedagoge… Cila nga këto është dashuria juaj më e madhe?
Vetë jeta ime është dashuria ime. Këto që ju i quani prova janë çaste të rëndësishme të jetës sime me të cilat kam lindur, jam rritur dhe nuk do të ndahem derisa të vdes.
Zhaku, kush ka qenë influenca juaj më e madhe drejt kësaj  bote?
Të gjithë njerëzit me të cilët kam pasur të bëj, duke nisur nga prindërit e mi. Njeriu është qenie e influencueshme dhe influenca e rrit dhe për influencë përpiqet. Ndaj është shumë e rëndësishme të ndeshësh në jetë njerëzit e duhur. Unë besoj se ia kam dalë mbanë me sukses dhe kam njohur ata që do kisha dashur të kisha pas njohur, nëse nuk do t’i kisha njohur…
Si ka qenë fëmijëria juaj, a mund të na kujtoni ndonjë copëz të saj?
Ka qenë një fëmijëri si gjithë të tjerat. Ndonjëherë na duket sikur tjetri është alien, por në fakt tjetri është njëlloj si ne, si ty, si të gjithë, si të tjerët. Dhe kur e kupton këtë,  më shumë të duket alien vetvetja sesa tjetri (qesh). Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, dhe e pasur me kujtime nga më të dashurat, nga më të bukurat. E vetmja gjë që e bën të veçantë fëmijërinë time nga e të tjerëve, është mënyra sesi e kam përjetuar unë atë. Ka qenë kaq e jashtëzakonshme, sa që më duket se po të nis ta shpreh me fjalë do ta përçudnoj. Ndaj dhe më mirë s’po e zgjas më, sepse ka disa ndjesi që nuk bëhen dot fjalë. Ato janë kujtimet.
Përse jua shkulnin veshët më tepër?
Asnjëherë nuk m’i kanë shkulur veshët. Nuk do ia lejoja askujt.
A e imitonit shpesh nënën tuaj kur ishit fëmijë?
Jo aq sa e imitoj tani që jam grua. Ajo është një femër e rrallë, e jashtëzakonshme. Ndonjëherë mendoj se e gjithë bota duhet të ishte krijuar nga prindërit e mi. Por, menjëherë bëhem xheloze dhe nis të ndihem me shumë fat që jam i vetmi fëmijë i tyre.
Çfarë ëndrrash ushqenit në atë kohë, a i mbani mend?
Ushqeja ëndrrën për një “Kinder sorpresa”, për një banane, për letra të jashtme, për rroba të bukura. Natyrisht që i mbaj mend, madje shkrihem së qeshuri me to kur i kujtoj.
Sot, sa e realizuar ndiheni? Çfarë do të donit më tepër?
Sot ndihem shumë e realizuar. Tashmë e vetmja gjë që më ka ngelur të bëj është të bëj aq shumë para sa të mund t’i pres me gërshërë. Dhe pasi ta realizoj edhe këtë ëndërr, do vdes e qetë.
Zhaku, thuhet se e keni gjetur dashurinë e zemrës suaj dhe ai nuk është shqiptar. Është e vërtetë kjo gjë?
Po, është e vërtetë. Zemra ime e ka gjetur dashurinë e saj dhe ka nisur të rrahë sipas ritmit gjerman (qesh).
Përse pikërisht një mashkull joshqiptar? Mendoni dhe ju se meshkujt shqiptarë janë  të “ngurtë” me femrat?
Unë kam pasur fat në këtë aspekt dhe kam njohur vetëm meshkujt më interesantë që dikush mund të njohë në jetë. Nuk jam mësuar me të tillë dhe as nuk kam nevojë për meshkuj të “squllët” si femrat. Përkundrazi… Madje unë ata të butët nuk para i kam shumë qejf. Christian (a.k.a Dakar) është bavarez, artist, në të njëjtën shenjë me mua, Dashi. Është e çuditshme sesi, megjithëse kaq të kundërt në mënyrën sesi jemi rritur, vendet, kulturat, gjuhët, vitet, përvojat etj… ne jemi kaq të përputhshëm dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Dhe të mendosh që unë gjithmonë kam menduar se vetëm me një të huaj që nuk do të fliste shqip nuk do të kisha jetuar. Por ja që jeta është krejt e paparashikueshme dhe unë befas sot jetoj në Shqipëri me një të huaj, që më jep mundësinë të ndihem një femër e lumtur, pavarësisht nga gjuha që flasim.
Veç karrierës, e cila duket se po ecën më se miri, kur mendoni të krijoni familjen tuaj?
Unë familjen time e kam, edhe pse pa qenë nënë. E kam dhe e dashuroj, kështu, si vajzë, si grua. Një fëmijë, në të ardhmen e largët vetëm sa do ta plotësonte edhe më shumë. Por fatmirësisht, familja ime është me mua, edhe pse pa pasur fëmijë.
A është martesa në planet tuaja të afërta?
Jo në të afërtat dhe nuk e shoh si të domosdoshme.
Zhaku, na thoni pak cila është çmenduria më e madhe që keni bërë në jetë?
Nuk kam bërë ende një çmenduri që të mund të konsiderohet si “e jetës”.
Cila është muzika juaj e preferuar?
Muzika në përgjithësi. Çdo gjë që dëgjoj dhe që më shoqëron. Çdo gjë që krijoj unë apo Dakar, çdo muzikë që rastis të dëgjoj. Unë jam shumë përzgjedhëse në muzikën që dëshiroj të dëgjoj, por zakonisht më qëllon të jem e detyruar të dëgjoj diçka nga puna, nga radiot, nga TV, klubet, DJ etj… Zakonisht çdo lloj muzike më dëfren.
Çfarë ju bën melankolike?
Asgjë. Melankolia është një emocion mediokër, që nuk i shkon karakterit tim ekstremist.
Forca juaj më e madhe cila është?
Vetvetja.
Jeni më shumë e ëmbël apo pikante?
As e ëmbël as pikante. Thjesht një vajzë elegante.
Ju pëlqen të gatuani?
Jo gjithmonë, por, dreqi ta hajë, gatuaj aq mirë, saqë kur gatuaj unë, të gjithë mendojnë se unë e kam vendin në kuzhinë.
Ushqimi i preferuar…
Buka, djathi, çaji i malit, patatet, çokollatat, frutat, sidomos shegët…
Je seksi, e dëgjon shpesh këtë fjalë?
Jo dhe aq sa e kam parë të shkëlqejë si vlerësim në sytë e meshkujve që gjatë gjithë jetës sime kam ndeshur.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...