Për herë të parë në Shqipëri erdhi në vitin 1979. Shqipëria i dukej si një shkretëtirë e mbushur me bunkerë dhe beton dhe brenda saj ishte një shkrimtar i madh. Arsyeja e kësaj vizite të parë e botuesit, kritikut dhe gazetarit të njohur franko-zviceran Pierre-Marcel Favre ishte pikërisht takimi me shkrimtarin Ismail Kadare. Përmes librave të tij, ai kish “gjezdisur” me imagjinatë nëpër Shqipëri, por tani ai ndodhej aty për të takuar shkrimtarin e për të njohur nga afër këtë vend të panjohur për shumë të huaj si ai. “Kam ardhur tri herë në Shqipëri, madje edhe gjatë regjimit të diktatorit Hoxha. Së pari, kam takuar shkrimtarin tuaj të madh Ismail Kadare, në restorantin e plazhit në hotelin e Durrësit. Për kujtesë, kam zbuluar një vend të mbyllur, ku shikoje praktikisht vetëm ca xhipe të vjetër kinezë, asnjë të huaj, një aeroport të shkretë dhe disa aeroplanë të vjetër “mig”. Erdha edhe gjatë kohës së Ramiz Alisë. Ndihej se vendi po dridhej. Por akoma ishte i paralizuar”. Pas shumë vitesh, Pierre-Marcel Favre rikthehet sërish në Shqipërinë e re, siç e cilësoi vetë ai. Botuesi i suksesshëm, mik i shkrimtarëve dhe botuesve në botë, por edhe shqiptarëve, është nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti Bujar Nishani. Në ceremoninë e dekorimit të botuesit të njohur franko-zviceran ishin të pranishëm ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti; ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo; Konsulli i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda; drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika; si dhe një sërë personalitetesh të tjera publike.
“Jam sërish në Tiranë dhe më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje ndryshimi dhe zhvillimi juaj ekonomik. Shqiptarët kanë meritë në ndërtimin dhe transformimin e vendit të tyre. Ju po më jepni një shpërblim jashtëzakonisht të madh. Është absolutisht e papritur dhe e mrekullueshme. Dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht! Sigurisht që mund të mbështeteni tek unë për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë së re”- tha Favre në fjalën e tij. Presidenti Nishani e dekoroi botuesin, kritikun dhe gazetarin e njohur franko-zviceran “Për kontributin e tij në botimin e librave historikë e politikë në gjuhën frënge, duke mundësuar njohjen në plan ndërkombëtar të realitetit shqiptar nën regjimin e diktaturës komuniste”. Favre është njëkohësisht edhe themeluesi dhe Presidenti i Nderit i Panairit Ndërkombëtar të Librit në Gjenevë, ku libri shqip zë gjithmonë një vend nderi në stendat e këtij panairi. Gjithashtu me logon e shtëpisë botuese “Favre” janë sjellë në gjuhë frënge disa prej autorëve më të njohur shqiptarë qysh prej vitit 1996, kur Favre erdhi sërish në Shqipëri për të ftuar për herë të parë botuesit shqiptarë që të ishin pjesë e Panairit më të rëndësishëm të librit që zhvillohet në Zvicër.
“Në vitin 1996, herën e tretë që erdha në Shqipëri, unë ftova botuesit shqiptarë në panairin e Gjenevës, sepse ishte një rast i mirë për librin shqip, një panair që vizitohet nga më shumë se 100 vetë. Më pas pata fatin të takoj Fahri Balliun. Çfarë personazhi i jashtëzakonshëm! Është njëherësh një shkrimtar brilant, gazetar, botues, edhe diçka tjetër që nuk e njoh. Pata fatin të botoj në frëngjisht tre libra të tij: “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, “Panteoni i zi”, dhe së fundi “Arkitekti”, i cili sapo ka dalë në treg.
Kjo bëri që veprat e tij të prezantoheshin jo vetëm në Zvicër, por edhe në Francë, Belgjikë e Kanada”. Për botuesin Favre Shqipëria dhe Zvicra kanë shumë pika të përbashkëta e shumë ngjashmëri mes tyre. “Së pari, dua të them se Zvicra, vendi im, dhe Shqipëria, kanë shumë pika të përbashkëta, shumë ngjashmëri. Në fakt të dy shtetet kanë territore të vogla. Të dy kanë shumë male. Të dy shtetet kanë luftuar fort për pavarësinë e tyre. Shqipëria e Zvicra janë të dyja kështjella të vërteta. Zvicra është plot bunkerë të gërmuar në male. Shqipëria e mbushur me dhjetëra e mijëra bunkerë betoni. Edhe pse kjo është bërë në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, është e diskutueshme, përsëri tregon një përcaktim të ashpër ndaj armikut e pushtuesve.
Diasporat zvicerane dhe shqiptare janë të rëndësishme. Ne gjithashtu kemi pasur shqiponja në Alpet zvicerane. Dhe madje edhe flamujt tanë të dy kanë një ngjyrë të kuqe! Me pak fjalë, ne jemi paksa të afërt.”- tha Favre.
Pierre-Marcel Favre ishte vetëm 16-vjeç kur nisi aventurën e tij për të vizituar sa më shumë shtete. Me kalimin e viteve Favre zbulon më shumë se 100 vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Fillimisht ngriti një agjenci për dizajn grafik dhe reklama, e më pas hapi edhe një shtëpi botuese, ku nis të botojë veprat e para. Disa nga librat e botuar nga enti botues “Favre” janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në vitin 1987, Pierre-Marcel Favre krijoi Panairin e Parë Ndërkombëtar të Librit dhe Shtypit në Gjenevë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë, e cila grumbullon me qindra e mijëra vizitorëve në vit, më shumë se dy milionë vizitorë që nga fillimi i saj. Ai e drejton këtë panair prej 25 vjetësh. Pas sukseseve të njëpasnjëshme, jo rastësisht, Pierre-Marcel Favre themeloi Fondacionin për Shkrim, Fondacionin për Arte Pamore. Ai është një nga personalitetet më me influencë në vendin e tij. Shkruan rregullisht editoriale dhe komente nga gazetat dhe revistat e ndryshme. Për kontributin e tij të vyer ai është vlerësuar nga presidenti Zhak Shirak me urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, dhe së fundi, ai u bë “Oficer i Legjionit të Nderit”. 90 romane të botuara nga “Favre” janë zgjedhur nga revista “Illustrated”, vitin që kaloi, si romanet e shekullit.