Një ndër autorët të cilët tërë jetën e kanë dashuruar lirinë dhe i është afruar
asaj gjithmonë me një degë ulliri në dorë si një dhuratë shpirtërore, por që
kohërat me emra mjegullash nuk e lanë ta takojë dhe ta shijojë atë, është edhe
miku ynë , poeti dhe shkrimtari i pasviteve nëntëdhjetë Vaso Papaj, njeriu që
dielli që deshi aq shumë iu kthye në një monstër me gjemba që jo vetëm nuk e
ngrohu por e bëri të dridhej më keq, që doli nga një dimër i acartë për të hyrë
në një dimër tjetër, që shumëkush e do dhe e vlerëson për vlerat e tij të larta
artistike, por dhe për guximin dhe vizionin e tij intelektual, penën që
çdo ditë krijoi statuja drite dhe ëndrra drithëruese, por për çdo pushtet dhe
pushtetar mediokër mbeti dhe do të mbetet gjithmonë një kundërshtarë i
papajtueshëm, sepse në fund të fundit lindi dhe do të mbetet nga soji i
poetëve.
Nuk e them me hipokrizi, por sa herë që shfletoj ose dëgjoj vargjet poetike të
Vaso Papajt, më duket vetja se nuk jam vetëm, sepse qenka dhe një mik dhe
një njeri tjetër në radhët e atyre që s’dinë dhe s’duan të ngrohen me rrezet
gënjeshtare të një dielli të rremë. Dhe atëhere krejt instiktivisht sytë e mi
drejtohen nga qielli, jo në kërkim të një zoti tjetër, sepse zotërat nuk rrijnë
mbi qytetin tonë (vendin e tyre e kanë zënë demonët), të një dielli tjetër, të
thjeshtë dhe njerëzor, pa erë plehrash, pa pantallona të zhubravitura, pa
krisma mafjozësh e rrufjanësh politikë që e ndërrojnë detin e vendit të tyre me
një kolltuk parlamentari.
Dielli që kërkon Vaso Papaj të fton të shëtisësh në Bulevardin Iliria, ndërkohë
që pasqyra e detit thith agun gjithandej. Është ai diell që do t’i çgjyros
hënat gënjeshtare e të pabesa të këtij realiteti konfuz dhe vrastar. Sinonimi i
poetit është porta e shtëpisë së ëndrrave që mund të hapet vetëm me duart e
mëngjesit, është varka që shket krejt si pandjerë mbi përditëshmërinë tonë të
mërzitshme, është simbolika e ditës, të cilën ne shpesh e mbajmë në duar dhe
kurrë s'dimë të puthemi me të. Peisazhi poetik nëpër të cilën lëviz figura e
menduar e poetit shpesh herë është i ndërtuar me gurë të mprehtë
dhe shkëmbinjë të ngrysur, me pallate të betontë e njerëz pataban. Mbi të
shpeshherë del e bën sikur ndriçon një diell jeshil, i cili ndonëse per shume
kënd mund të konsiderohet si një metaforë poetike, në fakt është i tillë. Ai
është aty, sepse në ketë vend, ku frymon poeti dhe ne të tjerët, diejt jeshil
dhe perënditë e rreme fabrikohen dhe janë të aftë të sundojnë edhe ajrin tonë
që thithim përditë. Kjo është një nga arsyet që brenda kësaj heshtjeje që i
ngjan një vdekje të pashpallur, poeti ngutet të japi alarmin: Njerëz, mos u
besoni më syve tuaj. Truri juaj po kthehet në klorofil.
Duke iu rikthyer herë pas
here librit të Vaso Papajt, të bie në sy se shumica e poezive kanë dalë dhe
janë krijuar vetvetiu jo si impresione kalimtare dhe të pavullnetshme, por si
një lëndë dhe materje ngasëse, e cila nuk të lejon të kalosh para saj pa e
prekur dhe u ndikuar. Shumë poetë i kanë kënduar dhe e kanë trajtuar
artistikisht realitetin absurd dhe cinizmin e tij të pashembullt. Shpesh prej
tij kanë dalë subjekte dhe tema shumë interesante, që të drithërojnë dhe të
venë në mendime të trishta, por tek Vasua gjurmët dhe ndikimet e këtij
realiteti janë të prekëshme dhe shumë të veçanta. Shpesh herë lexuesi ndihet si
i kapluar e i ngërthyer keq nga kurthet e ndyra që të ngre
ai. Shumë here imazhi i ferrit dhe i pafundësisë
së tunelit të errët është një bashkëshoqërues që s’të ndahet hap hapi duke ta
verbuar vështrimin dhe vrarë këngën.
Idea e kaosit dhe e rrumpallhanës shqiptare është ajo që dominon
frymën e këngëve të këtij libri. Ndonëse autori bën përpjekje për t’i bashkangjitur
këtij realiteti edhe ndonjë rreze guximtare drite, fillimi dhe fundi është e
pamundur të ndahen nga njeri tjetri. Udhëtimi mbi vargjet e Vaso Papajt është
shpesh herë një udhëtim mbi kocka dhe kafka të thyera kundërshtarësh politikë,
udhëtim mbi shpresa të venitura dhe dashuri të vrara. Ndonjëherë poeti dhe
lexuesi ndihen si të rrethuar keq prej falangave të së keqes. Asgjë nuk lëviz
për veç ritmeve të zemrës së tij.
Janë të paktë ata poetë të cilët kanë arritur t’i pasqyrojnë me kaq guxim dhe
besnikëri këto gjëra që sapo i thamë pak më lartë. Tek poeziaShkule trenin
tend poeti krahas shpalljes së unit të tij njerëzor, bën thirrje
për të ndryshuar ngjyrat e ëndrrave dhe për të dalë nga stacionet e ndaluar të
së tashmes gënjeshtare.
Ëndërro një herë, dy. Ëndërro pafund djalosh
E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar
Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’të josh,
Ndaj shkule
trenin tënd stacioneve ndaluar.
Qoftë dhe duke bërë grafinë e këtyre vargjeve por edhe shumë të tjerëve nga
librat e tij , vemë re , natyrshëm, se kemi të bëjmë me një botë ndjesore të
veçantë, me një ushtar të lirisë dhe të dritës, që s’mund ta konceptoj
dashurinë e tij të mbyllur në kornizat famëkeqe të pushtetit. Për të, poeti dhe
pushteti janë dy gjëra krejt të ndryshme. Poeti është planet që rrotullohet
vetëm rreth diellit dhe i bindet vetëm atij, ndërsa pushteti është ana e
kundërt e ëndrrës.
Kemi kështu një ndarje si me thikë të dy botëve krejt të kundërta, dy drejtëza
paralele që ecin krahë njëra tjetrës dhe nuk bashkohen kurrë. Tek vëllimi i tij
poetik dhe tek poezitë e mëpastajme, ajo çka bie më tepër në sy është thirrja e
rizgjimit, krijimi i një lënde të re dhe të një bote në të cilën askush nuk
duhet të ketë frikë, por të ndihet zot i fateve të veta. Vizioni i ëndrrës në
këtë libër është dhe do të mbetet një motiv shumë herë i trajtuar, por
megjithatë, duket se brenda këtij motivi autori fut vetveten dhe ndihet i lire
për të krijuar botëra të reja, realitete që s’duhet të kenë asgjë të përbashkët
me këtë që po prekim tani. Kjo shpjegon edhe një lloj fryme patetizmi dhe
trajtash thirrore që vihet re në disa nga poezitë e tij.
Duke u njehsuar dhe duke i bërë njësh me llavën e tij poetike, poetit i
ngjan vetja si një Diogjen i kohëve moderne, i cili me fener në duar tenton të
verë përpara syve të verbuar të kohës pak dritë.
Ëndërro djalosh, ëndërro si një i ri
E di? Mbi skrivani kam lënë një letër
Mungon vetëm një varg në atë poezi
Mbi të ver zemrën tënde, mos pyet as për mbretër.
Si në këto poezi dhe në shumë të tjera si këto emocioni poetik dhe detaji shumë
i spikatur janë bashkëshoqërues të njeri tjetrit. Duket se ata lindin njëherësh
të dy dhe s’mund të bëjnë asnjë hap larg njeri tjetrit.
Të tilla janë poezitë Tek
stoli në park kushtuar John Lennonit,Thirrmëni komunist, Ku
po shkon Martin, I njejti qiell, Zot, je akoma mbi
qytet, Biri i harresës,Më kot në mesnatë, etj etj.
Përmes këtyre poezive kredua poetike e poetit dhe shtigjet që hap ai krijojnë
përpara lexuesit mendimin dhe imazhin e një të nesërme më të bukur nga kjo.
Natyrisht edhe të shtyn të rebelohesh disi me këtë situate ku ndodhemi. Pak
ditë më parë, duke lexuar Umberto Ekon, studiuesin dhe eseistin më të madh të
Europës Perëndimore, më mbeti mendja tek një postulat i tij rreth stilit. Ndër
të tjera ai thotë se stili përcaktohet nga ndërtimi i botës në të cilën lëviz
krijuesi.
Edhe Vaso Papaj stilin dhe strukturën mbi të cilën ndërton veprat e tij e
përcakton në bazë të vendit dhe ajrit që është i detyruar të thith për ditë.
Larg vargjeve bombastike dhe figurave të kërkuara Vasua arrin të ndërtojë kodet
e tij të mirbesimit me poezinë dhe lexuesin. Ai nuk di të ndërtojë botëra
virtuale dhe të ngrejë në piedestal gjëra që nuk i ka njohur dhe s‘mund t’i
njohë asnjëherë. Në poezitë e Vasos , krahas njerëzve të bukur dhe dashurive
platonike lëviz përditëshmëria. Ai shitësi i vogël i cigareve,që natën mëson
anglisht dhe që një ditë mund të bëhet Xhek London, Bedria, pastruesja
varfanjake e spitalit , e cila vjen posa varrosi të birin, Olsi, kamerieri i
motelit në autostradë, që punon tërë ditë për të mbajtur familjen.
Lëvizin Gavroshët e rinjë të Shqipërisë dhe mbledhësit e kanoceve. Ata për të
cilët poeti nxjerr shpesh nga thellësitë e shpirtit një varg dhe ua hedh
krahëve si kostum për t’i mbrojtur nga të ftohtit dhe nga varfëria e
tejskajshme. Ndonëse e thjeshtë në dukje, është një poesi që të nxit një mënyrë
të re të menduari dhe të shikuari të gjërave, një poezi sa sendore aq edhe
frymore, sa e prekshme aq edhe ajrore. Brenda saj shkrihet më së miri poeti dhe
koha, dashuria dhe intriga, mëngjesi dhe mbrëmja.
Një tjetër dimension me të cilin mund të shihet vlera e poezisë së këtij autori
janë dhe lirikat e tij shoqërore dhe erotike. Figura e femrës në këto poezi
gjithmonë vjen e veshur me një aureole kozmogonike. Kjo jo për t’i veshur asaj
ndjenjën e paharritshmërisë, po për ta ngritur atë në një piedestal erotizmi,
për ta bërë më të prekshme por edhe më enigmatike. Yjet, deti, vala, puthja,
fryma e ngrohtë janë elementë që përdoren rëndom në poezi, por tek Vasua
këto element sikur burojnë
së mbrëndëshmi ose sikur autori i nxjerr nga një kënd i harruar i kujtesës, për
t’i thënë vetvetes, ja ku i ke patur, si si ke parë pak më parë.
“Dashuria ime „, thotë
autori në një nga poezitë e tij më të bukura.
Je si deti.
Në ujërat e tua udhëtoj
Bëj të mbytem
Më merr
S’më le të zhytem
Dërrasë shpëtimi je
Tjetër s’kam nevojë.
Ose
Sonte puthmë që të ngopesh
Nesër iki s’do t’më kesh
Nuk të le që të dremitesh
S’di ç‘do mbetet midis nesh.
Tek këto poezi, stili i ngrohtë narrativ dhe kthesat e menjëherëshme dhe të
befasishme shoqërohen me një frymë të ngrohtë njerëzore sa nuk mund t’i harrosh
kollaj. Nga ana tjetër figuracioni i gjetur dhe konkret ka bërë që momentet
jetësore të vishen vetvetiu me ngjyresa të ndjera poetike. Diapazoni tematik i
autorit, nga libri në liber është fakt që është zgjeruar, por ajo çka të bije
në sy , është prirja e autorit për tu thelluar më tej, për t’i veshur pohimit
të tij poetik elementë më jetësor dhe më konkretë.
Vaso Papaj është një poet i cili çdo ditë del e puthet me agimet. Është një
poet që di të flas edhe me zotërit, sado larg në qiell të jenë ata, për
padrejtësitë që po i bëhen qytetit të tij të lindjes nga betonimet e
përbindëshme , në emër të rrugëve që s’shohin më dritë, në emër të lirisë që po
e mbyt pasuria dhe të smogut që po na vret, në emër të zogjve që s’kanë pemë ku
të qëndrojnë, në emër të fëmijëve që s’kanë më qiej syshë, të grave të
dhunuara nga duart e bastardëve, në emër të dritës që po merr emrin natë.
Por mbi të gjitha ai është njeri i dashur dhe i thjeshtë si e vërteta, i rreptë
dhe i papajtueshëm me ata të cilët përfituan nga liria dhe tashmë dëshërojnë ta
vrasin atë. E shikoj çdo ditë në shetitoren Taulantia tek bisedon me valët e
detit dhe shokët e tij më të ngushtë dhe nuk habitem kur ai ndonjëherë
ndalet paksa dhe duke nxjerr një stilolaps dhe letër nga xhepi hedh në të një
varg a një këngë të së nesërmes. Pastaj duke pirë një kafe me shokët nis e
bisedon me ta për të rejat e ditës, sepse i tillë është portreti i tij.
Zëdhënës i detit dhe i qiellit.