Nga Raimonda Moisiu
Barazpesha, “çelësi” i çdo arritjeje të jetës sime
Ka fituar respektin e inteligjencës dhe qytetarisë shqiptare; ka merituar vlerësimin e analistëve dhe kritikëve të kohës për ndihmesën e shëndetshme dhe shoqërore që jep, me penën e tij publicistike dhe studiuese. Me një përvojë të pasur krijuese, argumenton bindshëm se publicisti dhe studiuesi është ajo pjesë e inteligjencës gjithmonë në kërkim të së vërtetës dhe më njerëzores; dëshon dallimin ndërmjet vlerave vetjake dhe atyre morale e qytetare të lirisë. Me ritmin e krijimtarisë së tij, me shkrime dhe reportazhe, analiza dhe studime të hollësishme, arsimore, historike dhe folklorike, në revistat periodike shqiptare dhe shtypin e kohës, brenda e jashtë vendit; autor i disa librave dhe i mbi njëqind punimeve publicistike,studimore,shkencore,historike dhe monografike; mësimdhënës, gazetar dhe redaktor gazetash, ai është një intelektual i cili gëzon respektin e gjithë atyre, që e njohin; i dallueshëm me botën e tij të pasur shpirtërore dhe ndjenjat fisnike njerëzore, duke i gërshetuar ato natyrshëm me botimet gjithnjë në rritje, ku spikatin motivet historike, shoqërore dhe idetë demokratike.
Për më tepër, ndiqni intervistën.
- Pyetja juaj, ndoshta, është paksa me “spec” brenda. Megjithatë, po jap shkurt ndonjë mendim. Është e vërtëtë se intelektualët e të gjitha fushave të jetës kanë përgjegjësi të madhe për fatet e vendit të tyre, në këtë rast të Shqipërisë sonë. Që secili ta përmbushë sa më mirë detyrën e tij, në këtë drejtim, lipset të jetë i përkushtuar në profesionin dhe punën e tij, por edhe në tërë jetën politike e shoqërore të vendit. Në këtë kuptim, jam përpjekur dhe përpiqem që ta jap sa më shumë dhe sa më mirë ndihmesën time modeste. Megjithëse ka vite që jam në pension, nuk e kam parë këtë gjë si një kohë “çlodhjeje” e “pushimi”. Përkundrazi, çdo ditë jam i pranishëm në veprimtari të ndryshme, që zhvillohen në kryeqytetin tonë, ku jam pjesëmarrës, por shpesh dhe organizator e referues etj. Gjithashtu, në vazhdimësi shkruaj në shtyp, brenda e jashtë vendit, përgatis emisione ne Radio-Tirana etj. Një fushë e veçantë për mua janë publikimet në faqe të ndryshme Interneti, si LGSHD, “Fjala e Lirë”, “Bota e Re”, “Albemigrant”, “Facebok”, “Netlog” etj. Po kështu, ka mbi 10 vjet që kryej detyrën shoqërore, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Në këto raste, gjithnjë e kudo, shfaqi mendimet e mia të pavarura e të lira, pra pa ndikimin e ndokujt, me synimin e vetëm përparimin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe futjen e saj të sigurt në rrjedhat e shoqërive europiane e verio-atlantike.
Sigurisht, jam i ndërgjegjshëm se edhe unë mund e duhet të jap më tepër në këtë drejtim, duke e ndierë më shumë veten “përgjegjës” për problemet e shumta, me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.
2. Mund të na tregoni diçka rreth vetes tuaj, arsimimit, për interesat dhe përvojat e punës, në të kaluarën?
-Në përgjigje të pyetjes suaj, në mars 2010 kam publikuar librin jetëshkrimor “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”, për të cilin janë bërë vlerësime pozitive në shtyp dhe radiotelevizionin tonë e jashtë vendit. Por, me pak fjalë, mund t’u tregoj se jam me origjinë nga fshati Curraj i Epërm i krahinës së Nikaj-Mërturit. Nga ai fshat e ka prejardhjen edhe “Heroi i Popullit” Bajram Curri (dëshmon për këtë gjë dhe mbiemri i tij), parardhësit e të cilit ishin vendosur, shumë vite më parë, në Gjakovën e Kosovës. Ndërsa paraardhësit e mi u shpërngulën prej andej që në fundin e shekullit të 19-të dhe u vendosën nëpër lagjet e fshatit Bujan, të Malësisë së Gjakovës. Aty punuan përgjysëm tokat e të tjerëve, deri pas çlirimit të vendit, pra me kolektivizimin e bujqësisë.
Kam lindur mbi 70 vjet më parë, në lagjen Rosujë të Bujanit. Shpejt mbeta jetim, pa nënë, që në moshën 4,5-vjeçare dhe më rritën babai e njerka, të cilën e kam patur mjaft të mirë. Arsimin 7-vjeçar e kreva atje, në kushtet e një rrethi malor, me borë e të ftohtë, pasi dhe shkollën e kisha larg. Arsimin e mesëm e mbarova në kryeqytet, siç do të tregoj dhe më poshtë. Ndërsa Universitetin e kam nisur në Tiranë , në vitin 1958 dhe një vit jam specializuar për dialektologji në Universitein “Zhdanov” të Petërburgut (Rusi). Pas mbarimit të shkollës së lartë, më 1963, në degën gjuhë-letërsi shqipe, kam shërbyer pothuajse gjithnjë në shtyp: në gazetat “Pionieri” e “Bashkimi” dhe, së fundi, në “Mësuesi”, afër 22 vjet radhazi, deri sa dola në pension, më 2002.
Brenda kësaj periudhe kohore, kam punuar mbi 7 vjet me rininë e kulturën, në vendlindje, ku në vitin 1966 më kishin dërguar familjarisht, si “vullnetar”. Është e kuptueshme se, gjatë atyre viteve, kam vazhduar të shkruaj jo vetëm në ato gazeta, por dhe në mjaft gazeta e revista të tjera të vendit tonë. Prandaj dhe më rikthyen në shtyp, në janar 1974. Po kështu, nisa të merrem me studime qëkur isha student. Në Universitet mbrojta diplomën, me vlerësimin “shumë mirë” dhe me oponent Akademikun Eqrem Çabej, në fushën e dialektologjisë. Në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës kisha përshëndetur punimet e Konferencës së Parë të Studimeve Albanologjike. Më vonë, kam ndjekur pothuajse të gjitha konferencat shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, që janë zhvilluar në Shqipëri. Në vitin 1972 isha pjesëmarrës dhe lexova një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Kam marrë pjesë në ekspedita kërkimore e shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë dhe kam mbledhur materiale me interes në këtë fushë, si dhe në ato të folklorit, etnografisë etj., gjë që është pasqyruar më vonë në botime të ndryshme shkencore. Kjo përvojë pune ishte baza, që më formoi e më hapi udhën që, pasi dhashë këtër provime pasuniversitare e tri universitare në fushën e pedagogjisë, të shkruaja e të mbroja disertacionin dhe të merrja gradën “Doktor i Shkencave Pedagogjike” e më tej titullin “Profesor i asociuar”.
3. Nga jetëshkrimi tuaj, vërejmë se kini botuar shumë libra? Ç’ mund të na thoni në lidhje me tematikën dhe ngjarjet e figurat, që ju përshkruani, për të publikuar punën dhe veprën e tyre?
-Libra kam botuar disa, por jo “shumë e për lumë” dhe jam i kënaqur se ato kanë zënë vendin e tyre të merituar ndërmjet librave publicistikë e studimorë. Pra, si të thuash, janë “unikë” për tematikën e tyre. Libri im i parë ishte “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Në formë reportazhesh nga qytete e fshatra të ndryshme, shoqëruar dhe me mjaft fotografi, e kam pasqyruar realisht atë vend të shkatërruar dhe kam shkruar për të rënët në fushën e betejave për liri, pas luftës së përgjakshme dhe fitores përfundimtare mbi pushtuesit shumëvjeçarë serbë. Libri i dytë ishte “Nëpër udhët e shkollës shqipe” (Tiranë, 2001 dhe ribotim 2008). Aty flitet shkurt për historikun e çeljes dhe funksionimit të shkollave të para në gjuhën amtare, sipas rretheve të ndryshme të vendit. Më tej, kam bërë jetëshkrimin e 25 profesorëve të mi, si gjuhëtarë, historianë, folkloristë etj., në librin “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002). Bazuar dhe në punën për disertacionin tim, kam shkruar librin “Normalistë të parë të Shkupit” (Kumanovë, 2002). Me interes është dhe monografia “Salih Myftar Kolgeci: Një jetë për Atdheun e arsimin tonë kombëtar”(Tiranë, 2006)…
- Të përurosh dy libra në një vit, nuk është gjë e vështirë. Por t’i shkruash ata dhe të ndjekësh tërë procesin e përgatitjes dhe të botimit të tyre, sigurisht që kërkon mjaft punë e përkushtim. Në të vërtetë, librin tim jetëshkrimor kisha nisur ta shkruaja disa vite më parë. Bile, gjatë kësaj kohe, i kam botuar librat e mësipërm. Ndoshta, nuk do ta kisha publikuar atë, por u bënë nxitje bashkëshortja, Katerina dhe djemtë tanë, Ariani e Altini dhe vjaza, Mirela. Mendoja që t’i sistemoja kujtimet e mia të jetës dhe t’i leja ashtu për pasardhësit, pra të printura e të lidhura. Mipërpo, ata këmbëngulën në publikimin e kujtimeve të mia dhe këtë gjë e realizova. Se, pa u zgjatur, tregoj që në vetëvete kisha dhe pikëpyetje: Vallë, a do t’u intersonin të tjerëve episodet e jetës sime? Mirë familjarëve të mi, po atyre çfarë do t’u vlenin? Me publikimin e këtij libri, disa nga këto hamendje të miat morën përgjigje pozitive. Kjo sepse, materialit jetëshkrimor i bëra njëfarë “krehjeje” dhe u përpoqa t’i jepja edhe karakter shoqëror.
Një libër tjetër, që u përurua kohët e fundit, pra më 19 nëntor 2010, në një Konferencë përkujtimore ranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, është: “Bedri Dedja, në kujtesën tonë…”. Aty kam përmbledhur e sistemuar shkrimet dhe kujtimet e 48 pedagogëve, profesorëve e akademikëve, miqve e dashamirëve të tij. Ky botim u mundësua nga e bija, Edlira Dedja (Bytyçi), një deshirë dhe e nënës së vet, Pandorës, e cila është ndarë nga jeta në fillimin e këtij viti. Libri është afër 370 faqesh dhe bashkautorët janë nga rrethe të ndryshme të vendit e nga Kosova, por dhe nga diaspora shqiptare: Amerika, Anglia, Italia, Franca, Zvicra, Suedia, Rumania, Belgjika e tjerë. Në tërësinë e tij, libri është një nderim e vlerësim për jetën e përkushtuar shumëplanshe të Prof. B.Dedjes-Akademik e “Mjeshtër i Madh”, pedagog e psikolog, shkrimtar e publicist, autor i shquar i Shekullit XX. Ish-student dhe mik i tij i afërt dhe i familjes, për një peridhë afër 50-vjeçare, jam tepër i kënaqur dhe i emocionuar, që arrita ta publikoja këtë libër dhe të merrja e vazhdoj të marr falënderimet e mjaft njerëzve, që e kanë njohur nga afër Bedi Dedjen.
Nuk di se sa keni interes ta dini, por u tregoj se kam dhe disa libra të tjerë në dorëshkrim. Pubklikimi i tyre pengohet nga pamundësia ime financiare dhe mungesa e sponsorizimeve. Po përmend vetëm tematikën e tyre: Jetëshkrime të disa nënave dhe edukatoreve; jetëshkrime të disa atdhetarëve shqiprë; 60-70 jetëshkrime të mësuesve veteranë, nga Gjakova e rrethinat e saj; për udhëtimet e mia jashtë vendit, si në Nju Jork, Itali e Francë; monografi kushtuar
’Mësuesit të Popullit” Sali Gjukë Dukagjini e një tjetër për Dr. Safete Jukën; “Shënime për autorë dhe librat e tyre”, “Adem Jashari dhe trimat e tij”, “Vrojtime pedagogjike”, “Plagët e mërgimit” e tjerë.
5. Ju keni publikuar pafundësi shkrimesh, libra publicistikë, studime shkencore dhe për ngjarje historike. Çfarë ju ka motivuar, në këtë drejtim dhe cilat janë disa nga vlerat e tyre?
- Një kusheri i imi nga nëna, psikologu Prof.Kolë Tahiri, tani me banim familjarisht në Bruksel, më ka bërë një kërkesë jo të paarsyeshme e shoqërore. Pra, dëshiron që unë të përgatis një bibliografi të shkrimeve të mia. Por, me keqardhje, ia kam thënë dhe atij se, tani për tani, pothuajse e kam të pamundur ta realizoj këtë gjë. Kjo për arsye se kam nisur të shkruaj në shtyp, në gazeta e revista, që në dhjetor 1954 dhe nuk e kam ndërprerë asnjëherë bashkëpunimin, deri më sot. Janë rreth 45 gazeta e 30 revista, brenda e jashtë vendit, me të cilat kam bashkëpunuar gjatë këtyre viteve. Ndërsa kohët e fundit shtohen dhe publikimet e shumta në Internet, bashkëpunimet me radio të ndryshme e tjerë. Megjithatë, asgjë nuk është e parealizueshme…
Lidhur me motivimin, për të cilin pyesni ju. Ka qenë pasioni i punës sime dhe i profesionit të gazetarit e studiuesit, që më kanë nxitur të vëzhgoj, të hulumtoj e të shkruaj. Ka ndikuar në këtë drejtim dhe njohja nga afër e familjarëve ose lidhjet e tërthorta me disa njerëz, për të cilët kam shkruar, siç kanë qenë edhe disa atdhetarë të shquar, që nga Bajram Curri, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Haxhi Zekë Byberi e tjerë. Po kështu, objekt i shkrimeve të mia kanë qenë pedagogët e Universitetit. Ndërsa temat e trajtuara në studimet e mia, publikuar kryesisht në revistat shkencore, janë nga fushat e arsimit e kulturës, gjuhësisë e letërsisë e tjerë, me të cilat jam marrë gjatë jetës.
Sigurisht, për vlerat e këtyre studimeve janë lexuesit ata, që e thonë më mirë fjalën e tyre. Por mendoj se nuk kanë qenë pa interes këto punime. Kështu, po tregoj këtu se atyre u janë drejtuar edhe studiues të fushave përkatëse, jo vetëm në Shqipëri, por sidomos në Kosovë e Maqedoni. Në librat e tyre shpesh kanë dhënë indekse të librave e punimeve të mia. Sigurisht, kjo është dhe njëfarë përgjigjeje për pyetjen tuaj.
6. Le të kthehemi pas në kohë: Si nisët të publikoni në shyp? Cili ka qënë shkrimi i parë në fushën tuaj të gazetarisë? Po më pas, si e vazhduat këtë udhë të bukur?
-Ju pyesni se si nisa të shkruaja në shtyp dhe cili ishte motivi shtytës. E them sinqerisht se nuk e di arsyen, pasi nuk kam patur ndonjë në familjen a rrethin tim familjar që të jetë marrë me shkrime, pasi prindërit i kam patur analfabetë. Por mbaj mend që, në vitet e para të shkollës së mesme, kisha nisur të lexoja shumë libra, bile dhe ndonjë “të ndaluar” për kohën. Pra, ndoshta, shkrimi në shtyp lindi si një nevojë e brendshme e imja për t’u shprehur. Por nxitje u bë dhe një shok i imi i bankës. Ai njihte redaktorin e një gazete ushtarake dhe kishte nisur të publikonte aty informacione të thjeshta. Nga kërshëria, e pyeta se si ia kishte arritur kësaj dhe pastaj sikur bëmë “dyluftim”, pra garonim se cili të shkruante më shpesh e më mirë. Për herë të parë, emri im në gazetë ka dalë më 12 dhjetor 1954, poshtë një informacioni të vogël. Më tej, kolegu im nuk u mor fare me gazetarinë, ndërsa unë nuk iu ndava asnjëherë asaj. Shkrimet në shtyp i vazhdova pa ndërprerje edhe në vitet e studimeve universitare, bile edhe kur isha në Petërburg. Ndërsa më pas u bëra profesionist, në këtë fushë të bukur të krijimtarisë.
7. Kur e kuptuat se publicistika ishte pasioni juaj? Vetëm se pëlqenit të shkruani? Cilat kanë qenë revistat më të pëlqyerat për të bashkëpunuar dhe pse?
-Për këtë gjë u shpreha edhe pak më lart. Vitet e fundit, kolegu e miku im, Prof.Dr. Hamit Boriçi ka publikuar librin “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, ku është dhe një biografi e imja e shkurtër, hartuar prej tij. Në faqen e brendshme të këtij libri kam shkruar “autografin”, me dorën time: “Edhe sikur ta nisja jetën nga e para, përsëri do të bëhesha gazetar dhe do t’i kushtohesha publicistikës”. Kuptohet, pra, se ky ka qenë pasioni më i madh i jetës sime. Ky pasion tek unë lindi vetëvetiu, natyrshëm dhe u forcua gjatë jetës. “Notin” e mësova duke u hedhur në “ujë” vetë, pra jo duke qendruar në breg. Faqet e shtypit dhe shkrimet e të tjerëve ishin librat “shkollorë”, “pedagogët” e mi në fushën e publicistikës. Kam shkruar në revista të ndryshme, por tani, së pari, më vinë ndërmend ato studimoret, shkencoret e kulturoret: “Revista Pedagogjike”, “Kultura Popullore”, ‘Studime filologjike”, “Univers”, “Të drejtat e njeriut”, “Perla”, “Pajtimi” , “Historia e arsimit” e tjerë. Por kam shkruar edhe në ndonjë botim jashtë vendit, si: “Malësia” (Podgoricë), “Rrënjët”(Romë), “Pegasi” (Athinë), “Probleme të arsimit”(Holandë), “Ylberi” (Zvicër) etj. “Pse-ja” e bashkëpunimit me këto revista është e qartë, sepse në këto revista gjej vendin e dukur për t’u shprehur për fushat, me të cilat jam marrë e vazhdoj të merrem gjatë jetës.
8. Si publicist dhe gazetar, a keni ndjerë ndonjëherë shqetësime, ankth apo pasiguri?
-Si të gjithë publicistët, i kam provuar të gjitha këto. Po sjell ndonjë shembull nga vitet e rregjimit monist. Isha redaktor në gazetën e përditshme “Bashkimi” dhe kuptohet ngarkesa e madhe e punëve aty. Shkova me shërbim në qytetin e Krujës. Atje mora të dhëna e përgatita një artikull për punën e të zgjedhurve të pushtetit, i cili u botua. Menjëherë, ai shkaktoi kundërshtimin e kryetarit të organizatës së Frontit, në Mamurras. Ai ngulte këmbë se të dhënat në shkrim ishin të pasakta. Siç dukej, e kishte inatin me deputetin, që përmendja unë. Por, “kur nuk ke se çfarë t’i bësh thumbit, i bie patkojit”. Ai vazhdonte të ankohej me telefonata dhe thoshte se do t’i shkruante letër “shokut Enver” për këtë gjë. Për ta qetësuar, shkova vetë në shtëpinë e tij, por nuk ndodhej aty. Megjithëse e kishte marrë vesh interesimin tim, ai prapë ngulte këmbë në të tijën. Atëherë, iu drejtova për “ndihmë” një sekretari në Komitetin e Partisë së atij rrethi. Ky arriti ta bindë ankuesin dhe, përfundimisht, hoqi dorë që t’i shkruante të parit të vendit. Po kështu, në raste të tjera, kanë reaguar për shkrimet e redaktuara nga unë: Mehmet Shehu, Sofokli Lazri e ndonjë tjetër. Pra, merret me mend shqetësimi e ankthi, që kam përjetuar. Ndërsa pasiguria rridhte natyrshëm përditë, kur e dije se për çdo shkrim të publikuar, mund të binte zilja e telefonit “nga lart” dhe mund të kishe pasoja, si me kritika, analiza, vërejtje në dokumentet vetjake dhe deri largim nga puna e profesioni?!
9. Kush u ka mbështetur shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme studimore, shkencore dhe publicistike?
- Në vitet e monizmit ka qenë një parim i njohur, në çdo punë ose veprimtari, pra ai i “mbështetjes në focat e veta”. Kështu mund të shprehem dhe unë. Gjithnjë jam bazuar dhe sot vazhdoj të bazohem në focat dhe aftësitë e mia. Pra, vetëveten e kam mbështetjen kryesore dhe mburojën apo “yllin mbrojtës” ndaj çdo të keqeje. Sigurisht, në punët, studimet e botimet e ndryshme, dalluar nga pasioni e vullneti im, jam e rrethuar nga mjaft kolegë e dashamirë. Ata, që më kanë ndihmuar dhe kanë shërbyer udhërrëfyes, shembull e nxitës në kërkimet e studimet e para dhe të mëvonshme, kanë qenë mësuesit e shkollës së mesme dhe pedagogët e Universitetit. Nuk dua të përmend këtu shumë emra, por disa prej tyre edhe sot më frymëzojnë për punë, kërkime e studime. Kam patur nderin e fatin e madh të kem pedagogë, figura të tilla të shquara të albanologjisë dhe fushave të tjera të diturisë, si: Profesorët Eqrem Çabej, Aleks Buda, Zihni Sako, Bedri Dedja, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Myzafer Xhaxhiu, Mahir Domi e mjaft të tjerë. Atyre u kam kushtuar librin tim “Filologë që nuk harrohen”. Ndërsa sot kam mjaft kolegë e bashkëpunëtorë, të aftë e të mirë. Me ata jam konsultuar, më kanë dhënë ndihmën e kërkuar, bile dhe kanë bërë recensione, në ose për librat e mi. Emra të tillë të nderuar janë shkrimtari Viron Kona, kritiku Adriatik Kallulli, gjuhëtarët Enver Hysa e Gjovalin Shkurtaj, publicistët Bardhyl Xhama, Skënder Haskaj e Sejdo Harka, studiuesi Isa Halilaj e tjerë.
10. Si një intelektual dhe publicist, çfarë përgjegjësie ndjeni ju, ndaj mërgimit të inteligjencës shqiptare?
- Me këtë pyetje, po më “ngacmoni” në një plagë, që e kam përjetuar gjatë, pra që nga 1991-shi. Më 6 mars të atij viti, dy djemtë e mi, Ariani e Altini emigruan në Asti të Italisë, ku jetojnë e punojnë edhe tani. E dimë historinë e mërgimit të shqiptarëve, që në epokën e Skënderbeut. Por emigracioni i ri dhe masiv i shqiptarëve ndodhi pas përmbysjes së rregjimit komunist. “Përgjegjësia” ime dhe e masës së madhe të intelektualëve shqiptarë për këtë “plagë” të madhe shoqërore ishte dhe është se ne, të gjithë së bashku, përjetuam një ndër rregjimet më të egra komuniste të Europës Lindore. Një shoqëri e tërë e vuajti atë rregjim dhe vetëm era e ngrohtë e lirisë, nga Perëndimi, bëri që të zhdukej një herë e përgjithmonë. Nuk dua të “shfajsohem” për ato, që ndodhën në ato vite te ne. E them pa mëdyshje se edhe unë, me bashkëshorten e fëmijët e mi, i patëm pasojat e atij rregjimi. Por “laku nga fyti nuk mund të hiqet, kur i ke të dyja duart e lidhura”. Mjerimin e atyre viteve, shtypjen klasore dhe sa e sa të këqija të tjera, i përjetuam edhe ne. Veç fuqia jonë ishte vetëm të zienim përbrenda ose të shpreheshim fshehurazi. Se, përndryshe, të priste internimi, burgu ose plumbi. Pra, dhe në detyrën e gazetarit të atyre viteve, e ndieja veten të dhumuar e të pafuqishëm dhe vetëm shërbëtor të një rregjimi, që më shtypte mua, të parin. Ashtu si kolegët e mi.
Në fund, dua të shtoj se tani, pas heqjes së rregjimit të vizave dhe hapjes së re të Shqipërisë ndaj Europës, situatat ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë për mirë. Veç është përgjegjësi e madhe e të gjithë krahëve të politikës shqiptare dhe e pushteteve, që janë e do të vijnë, për të punuar ditë e natë dhe me atdhetarizëm të lartë, që nga Shqipëria jo vetëm mos të emigrojnë më banorët e saj, por në vatrat e saj të rikthehen të gjithë shqiptarët e larguar. Por kjo, sigurisht, kërkon masa të jashtëzakonshme, të menduara mirë nga shteti demokratik dhe me një bashkëveprim të gjithanshëm e atdhetar të të gjithë politikanëve e mbarë shqiptarëve.
11. Na përshkruani një dite tipike tuajën dhe në punën krijuese?
- Nuk e di nëse i intereson lexuesit praktika ime e përditëshme, sidomos tani që jam në pension. Megjithatë, po shprehem. Pas veprimeve të mëngjesit në shtëpi, pothuajse çdo ditë, dal në qytet. Shkaku mund të jetë ftesa për të pirë një kafe me miq e kolegë, por dhe për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme, si përurim librash dhe ekspozitash, pjesëmarrje në konferenca shkencore e tjerë. Pothuajse rregullisht, shkoj në zyrat e Ministrisë së Arsimit e Shkencës, ku kam punuar afër 22 vjet, në rekasinë e gazetës “Mësuesi”, tani revista po me këtë emër. E kam atë koleksion, të paktën, që nga viti 1980. Harrova të shtoj se në çantën time, që e mbaj me vete, vazhdimisht fus librat e kolegëve, që m’i dhurojnë me dashamirësi. Në pamjen e jashtme, këto “ecejake” nuk kanë lidhje me punën time krijuese, sidomos në fushën e studimeve dhe publicistikës. Por nuk është kështu. Pjesëmarrja në veprimtaritë, që përmenda, në takimet e bisedat me miq e kolegë etj., duke patur gjithnjë me vete dhe aparatin tim fotografik, më shërben për të shkëmbyer mendime, për të mbledhur fakte e dëshmi të ndyshme e, pse jo, kështu më hapet horizonti dhe më krijohet mundësia për të shkruar artikuj në shtyp, për të bërë publikime në Internet e tjerë.
Në shtëpi, kthehem para mesditës dhe, në këtë kohë, deri sa të ha drekën, rreth orës 14.00, punoj në kompjuter. Rëndësi u kushtoj mesazheve, që më vijnë dhe përgjigjeve të tyre me korrektësi. Gjithnjë pasdrekeve, pushoj të paktën një orë dhe kjo më qetëson, më çlodhë e më riaftëson për punë. Pastaj, në mbrëmje, përsëri punoj në kompjuter, në shkrime ose libra, lexoj ose shkruaj në ditarin tim. Ndërsa pas darkës, që e hamë rreth orës 20.00, ndjek programe të ndryshme televizive dhe shtrihem për të fjetur pas orës 23.00.
12. Çfarë pëlqeni më shumë në veprat tuaja? Ndonjë çast mbresëlënës në karrierën tuaj publicistike?
- Nuk më duket “aq me vend” pyetja. Por, megjithatë, po ju përgjigjem. Sigurisht, kur shkruan e boton: artikuj, studime ose libra, ndien kënaqësi shpirtërore. Por vetëkënaqësia ose pëlqimi vetjak nuk më shkojnë për shtat. Zakonisht, këto punime të mijat, kur i publikoj, nëqoftëse i rilexoj, i shikoj me syrin kritik. Pra, e gjykoj veten se mund të kisha shkruar edhe më mirë e më bukur, me fraza më të goditura etj. Bashkashortja, mësuese në pension, është lexuesja e parë e studimeve dhe e librave të mi. Vërejtja kryesore e saj është se unë shkruaj si gazetar, pra jo si letrar. Dhe “shfajësimi” im është: “I tillë jam dhe nuk mund të bëhem ndryshe?! Më ngrohin e më gëzojnë fjalët e mira të kolegëve, por dhe i mirëpres vërejtjet e tyre, gojarisht dhe me anën e publikimeve e analizave, sidomos të librave të mi, që shumica janë nga fusha e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar.
13. Ju kini studiuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Si ndodhi, që shkuat atje? Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante dhe profesionale?
- Në vitet ’50-të e ’60-të të shekullit të kaluar, ishte ëndërr e bukur që të shkoje për studime në ish-Bashkimin Sovjetik ose në ndonjë vend të Europës Lindore, se për në Perëndim as që bëhej fjalë. Meqenëse isha me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ishte menduar që atje të dërgoheshin studentë nga krahina të ndryshme për t’u specializuar në degë të ndryshme të gjuhësisë etj., “llotaria” më ra që të më dërgonin pikërisht mua dhe për studime dialektologjike. Kjo sepse Shqipëria Verilindore dhe, lidhur ngusht me të, Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës, kanë veçori karakteristike në të folmet e tyre. Sigurisht, do të specializohesha si dialektolog i përgjithshëm, pra jo vetëm për t’i studiuar këto të folme. Por ndodhi e paparashikuara, që unë nuk i përfundova atje plotësisht studimet. Ndërsa edhe pse mbrojta diplomën për dialektologji, pas Universitetit të Tiranës, përfundova në fushën e shtypit. Ishin dy “kunguj”, të cilët më pëlqenin, por nuk mund t’i mbaja nën një sqetull. Më ra për “hise” ky i dyti dhe nuk u ndava keq me të në jetë.
Përvoja njëvjeçare e studimeve në Ish-Leningrad qe interesante për mua. Kjo sepse, pasi kisha kryer dy vite në Universitetitn e Tiranës, me kombinim lendësh, përsëri ndoqa atje vitin e dytë. E rëndësishme ishte se specializimin e baja pranë albanologes me njohje në botë, Agnia V.Desnickaja. Pas vitit 1990 ajo e vizitoi përsëri Shqipërinë, u takova me të dhe publikova në shtyp një intervistë, që I mora asaj. Në degën e letërsisë ruse, të Universitetit të vjetër e me tradita të shumta, “Zhdanov”, isha mjaft i lirë me leksionet, pra bëja vetëm tri ditë në javë. Kohën tjetër e shfrytëzoja për studime, veprimtari shoqërore, vizita në vende historike e mbresëlënëse etj. Mbaj mend se e kam vizituar disa herë Muzeun e Ermitazhit, Kryqëzorin “Aurora” e Petërgovin, kam parë shtëpinë ku ka jetuar Esenini, kam udhëtuar nëpër lumen e Nevës e tjerë. Në pushimet e dimërit kam vizituar Rigën dhe atje kam parë një ndër observatorët me të fuqishëm etj.
Por, “me verën, bashkë, iku dhe vapa…”. Pra, ajo e shkuar mbeti vetëm në kujtesë, se marrëdhënjet shqiptare-ruse u prishën, më 1961 dhe studimet i ndërpreva në mes. Megjithatë, pohoj se koha e qendrimit në ish-Leningrad ndikoi pozitivisht në formimin tim të përgjithshëm. Kjo u duk qartë në përgatitjen dhe mbrojtjen me sukses të diolomës sime, në fushën e dialektologjisë, me temë të folmen e krahinës së Krasniqes, pra vendlindjes sime, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
14. Si e barazpeshoni jetën midis karrierës, studimeve, shkrimeve dhe përfshirjes suaj intelektuale me familjen dhe përgjegjësitë e saj?
- Barazpesha, siç e kam përjetuar dhe unë vetë, është një ndër kërkesat parësore, që i vlen një njeriu, që të jëtë i suksesshëm në çdo punë e veprimtari dhe në profesionin, që ushtron, në këtë rast, të publicistit. Që i vogël e kam dëgjuar shprehjen popullore: “Ai ecën si në tehun e thikës!” Pra, kur punon, kur mëson e studion, kur krijon e shkruan, kur udhëton ose merresh me një veprimtari, kur flet ose dëgjon, duhet ta keshë mendjen në vend “top” dhe mos të hutohesh, para çdo të papriture. Se, përndryshe, mund të biesh poshtë! Jeta, sa e bukur është, aq dhe e pamshirshme paraqitet. Prandaj ka rëndësi që kurdoherë t’i ndjesh e t’i kuptosh përgjegjësitë, që ke ndaj familjes, detyrës e shoqërisë, më gjerë. Nënvlerësimi i këtyre përgjegjësive bën që ta prishësh ekuilibrin dhe kjo, domosdo, mund të sjellë të papritura të papëlqyera.
Folëm edhe më lart për shkrimet, studimet e botimet e mia. Pra, nuk dua të zgjatem për këtë gjë. Por, diçka i lidhur me këtë pyetje tuajën, është dhe shpjegimi se përse titullin e librit tim të fundit autobiografik, e kam quajtur “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”. Mendoj se aty I kam dhënë përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Kjo sepse gjithë jetën kam ecur “në tehun e thikës”. Edhe kur kanë dashur të na prishin familjen, nga shkau i “biografisë së keqe”, edhe kur kanë dashur të na largojnë nga puna po për këtë gjë, edhe kur… Por, për fat të mirë, timin e të familjes sonë, çdo gjë na ka shkuar mbarë e mirë, deri sot. Ndoshta, dhe kështu besojmë se, atë “barazpeshën”, nae ka mbajtur të paprishur e të pacënuar një gjykatës mbinjerëzor dhe mjaft i paanshëm.
15. Jeni nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), jetoni në Tiranë. Çfarë nënkupton vendlindja për ju?
- Mund ta quaja rastësi, fat ose, nuk e di, çfarë… Ndoshta, më tepër është e para. Isha rreth 12-vjeçar, kur më sollën këtu, në shkollën ushtarake “Skenderbej” e më pas në atë për oficer. Do të bëhesha i tillë, bile dhe aviator, spse më doli e drejta e studimit për në B.Sovjetik, në vitin 1957. Por, ndodhi e papritura, u sëmura rëndë. Për katë arsye u lirova nga jeta ushtarake dhe, pasi shërbeva një vit në arsim në vendlindje, erdha në Universitetin e Tiranës. Që nga ajo kohë, me ndërpreje 7-vjeçare, kur isha “vullnetar” në Tropojë, gjithnjë kam jetuar e punuar në kryeqytet. Sigurisht, kjo gjë ishte kënaqësi e madhe për mua. Por, njëkohësisht, ishte dhe fat a privilegj për mua kjo gjë. Se, në ato vite, numroheshin me gishta banorët e ardhur në kryeqytet, nga Shqipëria Verilindore. Tirana mua më ka krijuar mundësinë të jem i rrethuar me intelektualë, nga të gjitha fushat e dijes. Ndoshta, nuk është modeste ta them, por kam njohje të gjerë, me mjaft miq, shokë e dashamirë, me intelektualë të të gjitha sferave të jetës, në mes të cilëve të parët janë publicistët e studiuesit. Por nuk mungojnë as deputetët, ministrat dhe politikanët e të gjithë “ngjyrave”. Ndaj këtyre të fundit kam respekt, sidomos kur i venë interest e vetjake në shërbim të zhvillimit e përparimit të vendit dhe nuk abuzojnë me besimin, që u ka dhënë populli.
Vendlindja, Bujan i Tropojës, më emocionon e më motivon në punë, studime e botime. Ajo është si një magnet i fortë, që ma tërheq kujtesën time, për të mos e harruar kurrë atë edhe sepse atje janë varret e prindërve dhe familjarëve tjerë të mi. Është e vërtet se nuk kam ndonjë libër të veçantë për atë krahinë, përveç atij për mësuesin veteran Salih Myftar Kolgeci. Por, pothuajse në të gjithë librat e studimet, që kam botuar, kam gjetur rastin që të flas për atë krahinë të bukur dhe njerëzit e tij, trima e liridashës, arsimdashës e përparimtarë. Ndërsa edhe në jetën e zhurmshme të kryeqytetit, gjithnjë jam ndërmjet bashkëkrahinasve të mi, në purime librash, në gëzime e hidhërime e tjerë.
16. A urren Prof. Gecaj? Po, a jeni zhgënjyer ndonjëherë?
- Prapë më “ngacmuat” dhe po më detyroni të shprehem pa modesti. Në karakterin tim, që i ka rrënjët edhe te prindërit e rrethi im familjar, ka qenë, është dhe do të mbetet deri në fund vetëm dashuria e dashamirësia për të tjerët. Urrejtjen e shpirtligësinë i quaj ndër virtytet e cilësitë më negative të një njeriu, sidomos të intelektualit. Mund të shprehesha gjatë e të jepja disa shembuj, për të dëshmuar se përherë jam përpjekur t’i dua, t’i vlerësoj e t’i nderoj njerëzit, duke nisur që nga ata të familjes, shkollës, punës e shoqërisë. Në plan të parë do të vendosja mësuesit e pedagogët e mi. Nuk kam patur gjë në dorë për t’u bërë mirë të tjerëve, por me zemër gjithnjë jam përpjekur t’ua lehtësoj dhimbjen, t’ua ndodhem pranë e t’I ndihmoj me mundësitë dhe aftësitë e mia. Duke përfituar nga fakti se kam qenë për shumë vite në Dikasterin e Arsimit, janë me dhjetëra nxënësit e studentët, sidomos ata nga Tropoja, Kosova e Maqedonia, të cilët i kam ndihmuar që të regjistrohen e të ndjekin shkollat e mesme dhe të larta. Por kështu, në shtëpinë tonë kanë gjetur vatër të ngrohtë jo një e dy, por me dhjetëra djem e vajza të familjarëve e të të njohurve tanë. Kjo ka ardhur se kjo ka qenë traditë e familjeve tona dhe se me këtë virtyt janë mbrujtur bashkashortja dhe fëmijët e mi.
Lidhur me “zhgënjimin”, për të cilin pyesni ju, mund t’u përgjgjiem: Po, jam zhgënjyer dhe kjo më ka pezmatuar në shpirt. Se ka ndodhur që unë i kam bërë mirë dikujt dhe kam pritur falënderim prej tij. Ndërsa ai, jo vetëm nuk e ka bërë këtë gjë, por më pas, kur “ka dalë në breg”, ma ka kthyer ose “shpërblyer” dashamirësinë time me sjellje ose veprime të padenja. Megjithatë, në këtë rast, me butësinë time, nuk e kam urryer, por vetëm kam shprehur keqardhje per atë person mjeran. Pra, kurrë nuk më ka shkuar as më shkon ndërmend t’i përgjigjem ndokujt me të njëjtën monedhë të keqe, pra me atë “të ndryshkur”.
Në fund, dëshiroj të theksoj se ishte një “testim” i bukur dhe domethënës ceremonia e zhvilluar në Muzeun Hiostotik Kombëtar të kryeqytetit, në mars 2010, me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes dhe përurimit të librit jetëshkrimor “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”. Kjo ngjarje ishte parashikuar të kryehej në një orë dhe vazhdoi dy orë e gjysëm. Përveç fjalëve, që u thanë aty, u lexuan mesazhe përshëndetëse e urimi, nga kolëgë, miq e të njohur, me banim në shtete të ndryshme të Europës, nga Amarika e Kandaja dhe deri nga Kina. Ndër të tjerët, më pëlqeu mesazhi i Kryeministrit të Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha, dikur nxënësi im i shkëlqyer, në klasën e 7-të. Më kanë mbetur në mendje, jam emocionuar dhe jam ndierë shumë i vlerësuar edhe nga fjalat e një punonjësi të atij Muzu, Fredit. Ai u shpreh sinqerisht: “Kam mbi 15 vjet që ndjek veprimtari të ndryshme këtu. Por e tillë, masive dhe emocionuese, nuk është zhvilluar ndonjëherë!”. Ndërsa bija e vëllait tim të madh, mbesa 50-vjeçare, më mori më pas në celular nga Durrësi e tha: “Nuk e paskemi ditur, që kemi një xhaxhai të tillë, kaq të dashur e të mirë edhe për të tjerët!”
17. Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndien një burrë, se ai është i dashuruar?
- Dashuria është ndjenja më e bukur e më fisnike njerëzore, kur di ta japësh dhe ta përfitosh atë, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të saj. Dashuria në çift, gjithashtu, është po kaq e bukur, emocionuese dhe jetëdhënëse. Një burrë e kupton dhe e ndien se është i dashuruar nga partnerja e vet, kur i hapë asaj zemrën, tregohet i sinqertë dhe e respekton atë, si të barabartë në familje dhe në jetë. Ashtu siç e kam theksuar edhe në librin tim autobiografik, gjatë tërë jetës, këtë gjë e kam vlerësuar si të shenjtë dhe të paprekshme.
Ndiej keqardhje që edhe në shoqërinë shqiptare, sidomos kohët e fundit, ka tronditje të bazës së shëndoshë të familjes, pra dashuria në çift është e kërcënuar. Ndoshta, e them këtë gjë si mbartës i traditës së familjes së dikurshme shqiptare. Por nuk më pëlqejnë praktikat e “bashkëjetesës” së çifteve dhe, aq më keq, ndarjet e bashkëshortëve për hiçgjë, pa ditur e kuptuar as detyrimet prindërore ndaj fëmijëve të tyre të pafajshëm.
18. Si jeni ndierë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve dhe hipokritëve?
- Shoqëria shqiptare, tanimë, është në një tranzicion të vështirë, siç shprehemi rëndom. Pa u ndalur në vitet e monizmit, me keqardhje vërej që edhe në Shqipëri po “lulëzojnë” mjaft dukuri negative të një shoqërie, që synon të integrohet në Europë e më gjerë. Të tilla janë dhe mediokriteti, klanet, tarafet, hipokrizia e tjerë. Në emër të “sërese”, “reformave”, “zhvillimit” etj., mjaft njerëz janë kthyer në manjakë të përfitimeve vetjake e familjare, janë futur në botën e krimit dhe të korrupsionit pa frerë etj. Kështu, janë krijuar lidhje ose klane mafioze, “rrjeta të zeza marimangash”, në labirinthet e të cilave dëshirojnë t’i shohin shqiptarët fatkeqë dhe nuk kanë aspak mëshirë për ta. Prandaj dhe është e frikshme, kur sheh që shtresat në nevojë të popullsisë shtohen, paçka se propaganda partiake përpiqet ta fshehë ose ta zvogëlojë këtë dukuri gërryese për shoqërinë.
19. Ç’kuptojmë me shprehjet “ vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
- Ndoshta, nuk do të shprehem aq saktë. Por mendoj se një intelektual “vetëgjymtohet” ose, ende më keq, “vetëvritet”, kur rri i mbyllur në “guackën” e tij dhe nuk sheh as nuk dëgjon ato, që ndodhnin për rreth tij ose më larg. Heshtja, servilizmi ose dukuria “per të qenë brenda” e bën një intelektual që të rrijë i strukur dhe t’i trembet, si i thonë fjalës, edhe hijes së vet. Pa le, që ai nuk e ngre zërin as nuk flet para së keqes, që e sheh që nga shefi i tij më i afërt dhe deri te të tjerët zyrtarë. Mbyllja e syve dhe shurdhëria para dukurive negative të një shoqërie, bën që një intelektual (kështu i thënçin) ta çojë, dalëngadalë, veten e tij drejt “vetëgjymtimit” ose “vetëvrasjes”. Ata, Zoti i madh i mëshiroftë!
20. Çfarë është modestia për ju? Po vetëmburrja dhe vetëbuja?
- Edhe për këto pyetje, mund të përgjigjem “mirë e bukur”…Por, mos vallë, ia kam “shkelur” ndopak unë, në këtë intervistë? Megjithatë, mendoj se virtytet e njeriut të mirë janë shumë. Të tilla janë ato, që përmendni ju, por do të shtoja dhe mirënjohjen, një ndër virtytet më të bukura e më të çmuara te një njeri i edukuar dhe i kulturuar. Ndërsa, të jesh modest, është gjithashtu cilësi e domosdoshme për një njeri. Ai që mburret, bën bujë e rrahë gjoksin për “bëmat” e tij, nuk i ngjan as pulës, që tundë krahët, kur bën një vezë! Zakonisht, më të prirur për të vepruar kështu janë ata njerëz me “cene” ose të meta në karakter, të cilat përpiqen t’i plotësojnë me fallsitet e me fjalë të mëdha. Shkurt, këta persona nuk bëjnë pjesë në shoqërinë as miqësinë time dhe tregohem mospërfillës ndaj tyre.
21. E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
- Jo, absolutisht jo! Gjithë jeta ime, ashtu si dhe e sa e sa të tjerave, më ka shkuar dhe besoj kështu do të vazhdojë, duke shkruar e duke lexuar. Dituria njerëzore aty është “fshehur” dhe prandaj kam synuar që këtë thesar ta bëj sadopak pasuri timen. Se sa ia kam arritur, këtë gjë ua lë ta gjykojnë dhe arsyetojnë të tjerët.
22. Është shkruar shumë për ju, si e ndjeni veten?
- Po është shkruar, por jo aq “shumë”, sa thoni ju. Me sinqeritet e pohoj se gjithë jetën kam synuar të jem njeri i qetë e i thjeshtë, pa pretendime. Më pëlqejnë punët e mira që bëj, por e urrej “krekosjen”. Gjithashtu, kurrësesi nuk jam cmirëzi dhe as nuk i përçmoj arritjet e të tjerëve. Përkundrazi, ndonjë mik i sinqertë i imi, më ka “kritikuar” për modesti të tepruar. Kurrë nuk kam dashur as jam përpjekur të ngjitem në shkallët e karrierës. Më ka pëlqyer e më shkon për shtat barazpesha ose e “mesmja e artë”, si në punë dhe në jetë. Kjo, ndoshta, ka qenë “thembra e Akilit” në arritjet e jetës sime modeste. I nderoj dhe i respektoj pa masë gjithë autorët e shkrimeve për jetën, punën e librat e mi. Ndihem shumë mirë, kur e di që ata flasin e shkruajnë sinqerisht e shpirtërisht, me zemër të hapur për mua. Kjo më gëzon, më rinon (dikush më thotë: je ende djalosh-ha,ha) dhe më jep forca për të punuar e shkruar, sa më shumë e më mirë, për njerëzit e dashur të kësaj toke. Se nga kjo do të lemë pas vetëm emrin tonë të mirë ose jo, sipas shërbimit e përkushtimit, që kemi treguar e dëshmuar. Lum’ ai njeri i kësaj bote, që jeton duke mësuar dhe mësimet e fituara i vë në shërbim të të tjerëve!
23. Çfarë dëshironi të shtoni?….
- Sinqerisht, Mondë e dashur, më gëzuat e më emocionuat me pyetjet tuaja dhe me tërë këtë bisedë të ngrohtë, që është ndërmjet kolegësh. Pra, mirënjohje për ty dhe përherë ta dëgjofsha zërin e mirë, siç i themi ne, atje në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Falëmeshëndet edhe gjithë emigrantëve shqiptarë, kudo që ndodhen nëpër botë! Dhe i këshillloj ata, si prind ose vëlla, që kurrë mos ta harrojnë vendlindjen e tyre, Shqipërinë tonë të dashur e hallemadhe!
-Ju faleminderit, Prof.Gecaj! Shëndet të mirë dhe jetë të gjatë e të lumtur!
*Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë,Tiranë
Bisedoi Raimonda Moisiu
No comments:
Post a Comment