2013-01-16

Shahadije Lohaj: “Në vargjet e mija poetike- Atdheu është heroi im lirik, i lidhur me ato fije ëndrrash”.


image


 Intervistë me poeteshën e dhimbjes e mallit për ATDHEUN, ish- luftëtaren e UCK- së Shahadije Lohaj,

Shahadije Neziri – Lohaj u lind në qytetin e Shkupit. Aty ka mbaruar vetëm dy klasa të shkollës fillore, pasi familja e saj u shpërngul në Ferizaj. Këtu ka mbaruar shkollimin fillor dhe ka filluar të mesmin. Në vitin 1983, pushteti serb e dënoi me 3 vite heqje lirie, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Pasi mbaroi burgun, Shahadia mbaroi shkollën e mesme dhe u regjistrua në ish-Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj. Për dy provime, komitetlinjtë e atëhershëm ia mohuan të drejtën për studime, duke e konsideruar “të papërshtatshme politikisht”. Në vitet e ’90 vazhdoi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë e Universitetit të Prishtinës. Pas një procesi gjyqësor në Ferizaj, më 1997, policia serbe kërkoi ta arrestojë me akuzën “ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Atë vit, gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me dy vite burg në mungesë, pasi ajo ishte detyruar të ndërpresë studimet dhe ka qëndruar ilegalisht në Prishtinë dhe Tiranë. Më 1999, kur u çlirua Kosova, Shahadija u kthye në Kosovë, ku i përfundoi studimet, më 2002.

Ajo tani është profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare në shkollën fillore “Gjon Serreçi” të Ferizajt, ku jeton me familje.

Shahadije Lohaj, grua, nënë, mësuese dhe poete, me shqisën e brendshme përjeton, gjendjen më të madhe, që mund të përjetojë njeriu i idealeve të mëdha për atdheun. Në opusin e saj poetik, i terë shpirti i saj njerëzor digjet flakë për një ideal të madh të gruas poete, për vendin dhe kombin e saj. Aty vargjet janë të skalitura me fjalë zemre, që burojnë si nga pushka e ish-luftëtares së UÇK-së.

Ka të botuar disa libra më i fundit, librin poetik “Ëndrrat për Atdheun”, Prishtinë, 2009. Tani ka në dorëshkrim edhe vëllimin tjeter poetik, i cili pritet shpejt të dalë nga shtypi.

Lohaj vlerësohet të jetë një rilindëse e shekullit XXI.



Bisedoi; Raimonda Moisiu



-Kam lexuar mbresa dhe mendime, komente të shumta rreth poezisë tuaj, vecmas për vëllimin poetik “Ëndrrat për atdheun”. Përpos urimeve për këtë libër dëshirojmë të dimë se si jeni ndjerë rreth këtyre vlerësimeve?

- Së pari, ju falënderoj shumë që më merrni intervistë për krijimtarinë time letraro-artistike. Por nuk do të doja që me këtë intervistë të plotësoj vetëm këtë punë. Po, janë shkruar shumë recensa e komente për poezinë time, veçmas për librin tim të parë poetik ”Edrrat për atdheun”. Veçmas me poezinë time është marrë redaktori im i parë, prof. dr. Emin Kabashi .Vlerësimet e tij kritike më kanë ndihmuar që t’i nisem rrugës së vështirë të artit poetik, ndërkohë që ka edhe vlerësime solemne, të cilat vërtet nuk më kanë bërë të ndihem mirë. Kritika duhet të jetë kritikë dhe t’ua tregojë vendin të gjithë krijuesve.

-Cfarë ju shtyhu ta titulloni me këtë titull?

- Eh!Patjetër se të jesh në atdhe dhe të jesh mysafir i tij, nuk ka si që në ndëgjegjen tënde njerëzore dhe krijuese të mos të vijë fjala e shenjtë “atdhe”, e keqpërdorur jo vetëm mijëra herë. Pra, në këtë gjendje patjetër se njeriu përplaset në botën e ëndrrave, sepse atdheun nuk e prek me dorë, sepse dheun e atdheut nuk e shkel me këmbë, prandaj në mos i fantaksur, është i lidhur me ato fije ëndrrash. Është, sepse atdheu nuk është si ti e do, prandaj e ëndërron ndryshe. Vërtet unë kam menduar që atdheu të jetë heroi im lirik dhe mbi figurën e personifikimit të ndërtoj tërë idenë time poetike. Pra, libri im duhej ta kishte titullin “Ëndrrat e atdheut”, të cilat janë ëndrra të të gjithë njerëzve të tij. Njëri nga ta kam qenë edhe unë. Dua të jem edhe tani. Dhe, këto ndjenja të bëhen supermaci të shpirtit, veçmas kur nuk je në atdhe, kur nuk je i lirë në të, kur vuan lirinë në errësirrën e ndonjë burgu të huaj, kur nuk mund të lash duart dhe shpirtin si me ujë si me dhe.

-Si u gjendet poete? Emocionet e para në krijimtarinë tuaj letrare?

- Kjo pyetje më kthen në adoleshencën time letrare. Ju thoni “poete”, ndërkohë që më frikëson shumë kjo fjalë, pasi nuk mund t’i thuhet një njeriu që ka mbledhur një buqetë poezish dhe me të ka bërë një libër. Ky emër është tepër i shenjtë dhe mendoj se nuk u takon njerëzve që bëjnë kaq punë në art, ndërkohë që di se qoftë me një poezi, një krijues mund të quhet poet. Dhe, po them prapë se vëllimet e para krijuese të mia natyrisht, nuk më bëjnë të ndihem shumë ngrohtë në këtë kohë, kur më duket, po e them pa modesti, se ndonjëherë më shkon mendja të them se kam hapur derën dhe kam hyrë në shtëpinë e huaj. Megjithatë, kritika le ta thotë fjalën e saj!

-Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit poete? Kush ka qënë dashuria tuaj e parë, për c’ka theksova më lart?

- E thashë edhe më lart. Këtë shprehjen tuaj ‘poete” po e marr prapë me rezervë. Ju gazetarët nuk keni nevojë të jeni solemnë. Nëse kam mundur të ëndërroj për atdheun, nuk kam dashur të ëndërroj për veten time se një ditë do të bëhem poete. Një poezi imja e mirë, nëse mua më është dukur e tillë, më ka bërë të ndihem mirë me të. Tani ma kujtove Bajronin, i cili pasi ishte zgjuar në një mëngjes dhe kishte lexuar atë që kishte shkruar në mbrëmje, i paska thënë vetes: Ja, qenkam bërë poet! Tash më bërë të mendoj. Nuk e kisha mendjen për këtë dashuri ose nuk e kisha formuluar kështu. Por, ato vargje që i paskam ndjerë të bukura, paskan qenë dashuria ime e parë.



-Kush ka ndikuar në mënyrë të vecantë që ju ka frymëzuar apo inkurajuar për të shkruar poezi?

- Edhe kjo pyetje më dërgon te një klithje tjetër. Por, pa u marrë me jetën time nëpër kazamatet serbe, ma thotë mendja se asgjë nuk është e bukur pa dalë thellë nga shpirti, pa u shtrydhur pikë e pikë prej tij. Dhe, ky shpirt sa më shumë që të jetë i ndaluar, aq më shumë nxjerr xhevahirë prej thellësisë së vet. Ashtu si e bukura që të trimëron që të jesh artist, po ashtu edhe e shëmtuara të bën artist. Ashtu si liria që të bën lirik të mirë, shumë më lirik të mirë të bëjnë edhe epika, edhe robëria.



-Cilat janë shprehitë tuaja kur shkruani një poezi, meditim… . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

- Ndoshta pse jeta ime nuk ishte e lirë, unë dua një rrëmujë brenda shpirtit tim që të shkruaj. Kur meditoj e nuk shkruaj, atëherë ndihem shumë keq. Vërtet nuk meditoj kurrë që të shkruaj. Por, kur nga sfondi më vjen ndonjë muzikë, atëherë vargjet e mia dalin dhe thonë se ka ardhur një kohë e keqe për lirikën. Prandaj ulem të shkruaj, vertet shkruaj edhe në kembë, kur vargu më merr për shpirtit e më urdhëron të shkruaj. Vetëm këtij gjenerali i përgjigjem, duke u bërë ushtari më i mirë i tij.



-Cfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

- Po ju them se ndonjëherë poetët thonë se i kanë thirrur muzat, ato qeniet mitologjike të vargjeve, që të bëjnë poezi. Thirri sa të duash ato dhe po erdhën edhe me një ushtri të tërë, nëse nuk ke prirje të natyrshme për të shkruar, nuk mund të shkruash, vërtet shkruan, por shkruan broçkulla. Të shkruash mirë, vërtet të jesh poet, është dhunti e shpirtit që të fal Zoti. Poezia e ka vendin vetëm në shpirt. Dhe, vetëm kur del prej kësaj foleje, ajo është poezi. Pra, atdheu i këtij arti sublime të shpirtit, vërtet i këtij mbiarti, është vetë shpirti, gjaku i njeriut, pra. Poezia del edhe nga truri, pasi ajo të hyjë nëpër laboratorët krijues, por kjo poezi në trupin e saj nuk ka gjak, por ka ujë.

-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?

- Më shumë se çdo kush tjetër, ka ndikuar dhe po ndikon jeta ime dhe jeta në të cilën po jetojmë. E veçanta e frymëzimit tim mbetet atdheu. Kjo muzë imja krijuese sot vjen më ndryshe, krejt ndryshe si u vjen frymëzuesve të tjerë. Ai bëhet kryepersonazhi im lirik, portretin e të cilit do ta paraqes në libra të tjerë.

-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe qindra poezi të përmbledhura në vëllime. C’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional, nivel e cilësi artistike- letrare?

- Përgjithësisht, të krijosh tërë jetën në art, njeriu nuk mund të bëjë përvojë, aq më pak ajo përvojë të jetë interesante. Një mundim është, madje i madh. Pak ndryshe, ngjan me atë mitin e Sizifit, sepse gurin e vargjeve e ngjitim deri lart, por ai prapë na bie poshtë, sepse nuk jemi të kënaqur me të. Dhe, është mirë për artin poetik, kur mundohemi kështu, sepse vetëm me këtë mundimin tonë, arti ndihet mirë. Edhe më lart këtë ide e ka cuar, shumë më para meje, ai Azemi i Shkrelit, me ato katër këshillat e veta. Jo vetëm mjer kush nuk vdes, por mjer edhe kush nuk dëshiron të vdes, nëse dëshiron të jetë poet.

Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

- As në studio, as në natyrë, as në atë natën pa gjumë të poetëve. Por, edhe në studio, edhe në natyrë, që thoni ju, por edhe në atë natën pa gjumë të poetëve. Poezia nuk kërkon vend ku mund të dalë nga shpirti. Ajo mund të dalë kur ajo është bërë gati të dalë dhe në këtë kohë mund të jesh kudo, qoftë edhe duke bërë dush…



-…që do të thotë se ju keni kaluar momente të dhimbshme, jeni persekutuar, arrestuar dhe dënuar disa herë;herën e parë që në shkollën e mesme, dhe që do të pasonte enë vitin ’99. Cili ishte kërcënimi që intelektualja, mësonjësja dhe poetesha Shahadie Lohaj i sillte sistemeve në fuqi?

- Ju falendëroj edhe një herë që nuk më mundoni të përgjigjem! E që thoni për kërcënime, jo jo nuk më kërcënon njeri i të gjitha sistemeve bashkë, as të gjithë njerëzit bashkë të një sistemi. Unë kërcënoj vetëm time kur nuk kam fuqi përballë këtyre kërcënimeve. Jo vetëm që kërcënoj, por veten time kam vrarë disa herë dhe jam prapë gati ta vrasë disa herë, sa herë që nuk jam e fortë të vras atë që më vret. Nuk di a e di që Agolli i madh, i cili u jep ujë me bisht të lugës pothuaj të gjithë poetëve që kanë rruzulli i tokës dhe i qiellit, ka thënë se poeti duhet të dijë edhe të rrahë. Kuptoje tani sa thellë shkon ideja: Njeriu me engjëllor i sojit njerëzor, pra që është poeti, duhet të dijë edhe të rrahë, pra po shtoj se ai duhet të dijë edhe të vrasë. Pra, ai rrah dhe vret veten e tij, duke lënë prapa rrahjes dhe vrasjes paqe. Nëse njeriu kujton helmin që pi një poet, ta zëmë, të jetë krimineli më i madh i botës, do të mendojë për jetën, jo për vdekjen.

-Dhjetra e dhjetra vargje lirika dashurie..Cfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

- Dashuria nuk është mëkat në asnjë moshë, në asnjë status. Mëkat është të ndalosh dashurinë. Vërtet nuk mud të jesh mëkatar i tillë, sepse dashuria nuk ndalohet. Ndalon dot një vullkan të mos shpërthejë llava e tij?

-A e keni provuar të shkruani në prozë? Po qe se po, a do të shkruanit një romancë dashurie rreth jetës intime të një gruaje?

- Të gjithë që shkruajnë, nuk kanë nevojë të shkruajnë në prozë, sepse në prozë flasin gjatë tërë jetës së tyre.

Pse shkruan Dije Lohaj…?

- Pse shkruan??? Shkruan që të mos flasë kot…

-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

- Edhe një mijë vite jetë po t’i bëjë një poet, ai kurrë nuk mund të arrijë në atë pikën ku duhet të arrijë ai. Ama, poezia e tij mund të arrijë atje, qoftë nëse ai jeton edhe një sekondë dhe brenda kësaj kohë mund të thotë shpirtin e vet.

-A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?

- Vetë jeta ime është ngjarje.

-Autorët tuaj më të preferuar…

- E thashë në një mënyrë se kush është autori im. Unë pi ujët e tij edhe kur ai nuk ma jep, që të mund të arrij, të paktën, shumë larg tij.

-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

- Sot kritika letrare është kthyer në promovime veprash letrare në thonjëza dhe pa thonjëza, pastaj në kokteje, një darka miq të letërsisë, në do “evinimente”, në të cilat, militantët e tyre shkojnë deri aty, saqë u japin edhe karakter mbarëkombëtar, ndërsa nuk kalojnë as kufijtë e lagjeve nga vijnë.

-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi.

- Poetët e poetet t’i përgjigjen shpirtit të tyre, ju faleminderit!

Intervistoi:Raimonda Moisiu

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...