1. MEDITIM
Bora shkrinte orteqet,
e marsi linte lamtumirën;
ndërsa rudinës, buzë përroit,
kishin çelur lulebore.
Me sy zgjodha njërën prej tyre,
Për ta këputur me gishtat e erës…
Përkundruell gruri jeshilonte,
Unë ecja drejt parcelës me lulen në dorë…
Era e mendimeve lulen e mori,
E uli ndanë parcelës me grurë.
Vërtet të bukurën e krijon dashuria e sinqertë,
Leitmotiv i hershëm,
E gishtat i shkova mbi ballin e sertë…
2. PEIZAZH DIMËROR
Fluturzat e borës qëndisin tokën,
bujarisht me të bardhat kristale;
Një gushëkuq hapërdahet në përroin e mullirit,
E zogu i borës cicërin majë një dardhe…
Bora bie,
qilimi i bardhë shtrihet,
për ta mbrojtur nga të ftohtit grurin,
në netët e gjata të dimrit.
Bora bie…
3. VAJZAT E FSHATIT TIM
Në sytë e shkruar u rrezon rrezja e dielli,
Ne flokët e lëshuar tufalakët e ahave në Kaki.
Kur qeshin,
qukat në faqe kuqëlojnë si petalet e shebojës;
Buzët e tyre kokrra bojliash në majë të qershive.
Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat,
Ndonëse gjithë ditën mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes.
4.
Unë, Robinson i vetmuar mbeta,
Në jetën e pasosur të këtij fillimshekulli;
Ndonëse në metastazat kanceroze të njerëzimit,
Kam klithur me gjithë forcën shpirtërore prej njeriu,
Nëpër katakombet e çjerra dhe marramendëse të mjerimit…
Kur linda, isha i varë dhe zemrën e kisha të copëtuar,
( ndonëse e dhimbshme, sapo kish filluar të rrahin),
Doçkat e vogla ngrita përpjetë drejt qiellit, drejt Zotit,
Për të qenë i përjetshëm në këtë shekull të vetmuar.
E përpara se të mësoj për të folur,
Recitova pjesët e Ungjillit dhe kujtova Krishtin e kryqëzuar,
“ Në këtë shekull plot me lot”,
Vajtova në thellësitë e shpirtit,
Po zemra, e mjera zemër,
rrihte papushuar në gjoksin e njomë vazhdimisht kot…
Që kur linda, pra i vrarë në zemër isha,
por i vdekur nuk isha kurrsesi;
se doja të jetoja,
e në brendësinë e shpirti fëminor
të jetoja me shpresë, me fjalët përpëlitëse,
posi, posi…
5. TE GURRA E KROIT
(motiv popullor )
Në burimin e akullt bora e janarit,
Lëshonte flokëzat mbi gërshetin e zi.
Delet çobanit të bardha si bora,
I shkonin prapa ujë për të pi.
Çika bucelën mbushte nën gurrë,
Delet pinin në lugjet ujëborë;
Çobanit në fytyrë iu zbardhte një nur,
Kur shihte te burimi një lulemollë.
Dhe lëng i shkonte çobanit nga goja,
Natyra i bëhej gusht a shtator;
Kish droje të kafshonte dy kokrra molla,
Ose të paktën t’i prekte me dorë.
6. NIKAJ MËRTURI
Në lartësitë e bjeshkëve të tua,
kam mat dashurinë për ty…
Tek unë nuk ke fund, as skaj,
zemra ime këngë,
shpirti im mall.
7.QERPIK I PËRLOTUR
( në kujtim të prindërve të mi )
Dielli lëshoi rrezet
mbi kullën time
Në Mserr.
Visari akoma flinte…
Syri i diellit rrezatonte
mes përmes një reje.
Unë sapo isha zgjuar,
e në vegimet e fëmijërisë,
prindërit e mi kërkoja
rreth e rrotull.
Qerpiku im,
i njomë, i përlotur…
8.ZHGËNJIM
Edhe pse lindëm (siç mendon njerëzia),
për të qenë të përjetshëm,
vdekja na sillet si fantazmë çdo ditë
pranë vetes.
Kjo poezi (pa poezi !) për mua
e të gjithë,
Qoftë gënjeshtër !…
9.S’JE MË…
Puthje e ëmbël që vjen natës gënjeshtare,
Puthje e ëmbël prej ëndrrës e gatuar,
Puthje që të shijoj deri në mëngjes,
Pastaj më tretesh e më len të vetmuar.
10.KAM LEJE…
Kam leje për të shkruar poezi,
Kam leje për t’u mahit me djalin tim,
Kam leje për të dashuruar.
Jeta është për t’u jetuar.
11. ÇBURRËRIM I VONË
Termopile në jetën me standarde absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne, bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash dymijë vjet.
Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.
Gjon Neçaj u lind me 17 qershor 1951 ne fshatin Peraj te krahinës se Nikaj-Merturit, Tropoje. Ka mbaruar studimet për finance ne Tirane. Me krijimtari letrare është marre qe herët, duke botuar ne shtypin letrar te kohës poezi, proze e publicistike. Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me disa te përditshme ne Tirane, duke botuar here pas here shkrime kulturore. Bashkëpunon edhe me shtypin kosovar. Është përkthyer ne disa gjuhe te huaja dhe krijimtaria e tij poetike është e përfshirë ne disa antologji. Gjithashtu është fitues i shume çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit,si dhe redaktor dhe recensues i shume veprave ne poezi,proze e publicistike.
Opusi letrar i poetit Gjon Neçaj:
1. Në hijen e mrizave – poezi, Tiranë, 1994
2. Në folezë të këngës – poezi për fëmijë,Tiranë, 2003
3. Hijet e shpirtit – novelë, Tiranë, 2005
4. Ju që më shihni çdo ditë – poezi, Tiranë, 2006
5. Pezull-haiku, shqip-anglisht, Elbasan, 2007
6. Tropoja – vendlindja ime – tekst mësimor, Tirane, 2008
7. Hëna pikon mbi Alpet e mia – poezi,Tiranë, 2008
8. Haiku i bjeshkëve,shqip-anglisht,Elbasan,2009
9. Sinus,poezi,shqip, anglisht, italisht,greqisht,Tiranë,2011.
Etj.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve, dega Tropojë dhe i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar dhe sekretar për degën në Tropojë te “Pegasit” si dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohore të Globit (W.P.S.).
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Gjon Neçaj, jeton dhe punon ne Bajram Curri, Tropoje.