Rune-t e Runikut...
Tashmë dihet se Runiku është emërtim i vjetër, karakteristik, krejt unik, i një vendbanimi pellazgo-iliro-shqiptar që nga Epoka e Gurit, me gjurmë civilizimi të vjetër, shumë herët me ujësjellës e shtëpi të banuara të ngjitura me njëra-tjetrën, i cili shtrihej nga Syrigana deri në Kopiliq të Drenicës së Epërme. Runiku me rrethinë, gjatë pushtimeve të ndryshme, u dogj shumë herë, për t’u ringjallur nga hiri po aq herë. U dogj i tëri edhe në luftën e fundit kundër pushtuesit serb për t’u ngritur sërish si feniksi.
Pak ndonjë trevë shqiptare apo qytet mund të mburret me erudit e luftëtarë, zejtarë, e intelektualë, të rinj dhe studentë të cilët dinë dhe guxojnë të dalin në skenë sa herë ka nevojë atdheu.
Emrat e eruditëve si Shaban Çitaku, Can Çitaku, Abdyl Ukë Dragaj, Daut Misiri, Ferat Isuf Sejdiu, Tahir Hazir Hysenaj, Qerim Kotorri, Daut Loshi, Ferat Cena, Istref Nimani, Hamit e Bajram Ajeti, Ajet Tahir Hysenaj, Ramë Misiri, Murat Uka, Smajl Dauti, Mujë Loshi, Lah Rama, Hazir Radisheva, Xhemail Fazlia, Ferat Cena, Adem Miftari, Fejzë Miftari, Halit e Kajtaz Dervishaj, Osman Halili, Idriz Shala, mbahen mend me dekada për mësimet e tyre.
Shënimi do të mbetej i zbrazët pa emrat e shumë zejtarëve të spikatur të cilët ndihmuan përmirësimin e kushteve të jetës në rrethana të vështira. Nuk harrohen lehtë mjeshtrit e qindvjeçarit të fundit si Sejdi Çitaku, Dan Sefer Nimani, Tafil e Sokol Bajra, Sylë Osman Beka, Salih Rexha, Nebih Kajtazi, Muhamet Kadriu, Rexhep Salih Haziri, Hasan Hoxhaj, Ramë Misiri, Sadri Shala, Riza Bellani, Ymer Spahiu, secili punëtor e zejtar më i përsosur se tjetri, trashëgimtarë të zejtarëve të vjetër të kësaj ane.
Runiku shumë herët u bë i njohur për shërbimet që ofronte. Edhe gjatë sundimit otoman, në Runikë kishte han, bujtinë, kafene, bukëpjekës, gjellëbërës, qerrtar, gurgdhendës, drugdhendës, këpucar e armëpunues, farkëtar, nallban, floktar, rrobaqepës e saraç, por edhe mjek popullor e gjeodet.
Gjurmë të një arti krejt autokton gjejmë në çdo vepër, me simbole të dallueshme pagane e kombëtare, me bimë e lule karakteristike vendore, me kalavesh rrushi, figurën e gjarprit, dardhë e mollë, por edhe fytyra hyjnore. Gjurmë arti të mjeshtërve të moçëm të Runikut hasim në vepra të ndryshme, në gur e argjilë, në dru e në hekur dhe në pëlhurë e shajak (zhgun).
Kur anashkalohen zejtarët, anashkalohet vetë kuptimi i jetës, të cilën ata e bënë më të lehtë e më fisnike. Zejtarët ishin flamurtarë të përmirësimit të kushteve të jetës dhe shoqëria i vlerësoi ata dhe punën e tyre. Kështu ishte me vite e dekada dhe mundi i tyre nuk shkoi huq. Asnjë stuhi, asnjë luftë, asnjë pushtim i të huajve nuk arriti ta asgjësojë shpresën dhe vendosmërinë e Runikut për të mbijetuar dhe për ta ëndërruar lirinë.
Shumë herë duke ndihmuar njëri-tjetrin, imituan njeri-tjetrin, por edhe avancuan zejen duke lënë gjurmë personale në çdo vepër. Njeriu i sotëm pak kujton si mund të jetë gdhendur një gurë, apo si është kalitur hekuri në kushte primitive.
Një përpjekje serioze e qytetarëve të Runikut për të bërë një muze do të dëshmonte se shumë vepra, të cilat sot gjenden vend e pavend, kanë vlera të jashtëzakonshme të një arti të lashtë. Atëherë kur bujku nuk mund të paramendohej pa një parmendë, pa një plug, një shati a lopatë, pa një sqepar a sëpatë, ishin zejtarët ata që i dhanë kuptim jetës në këtë anë.
Pse mos ta ketë Runiku një muze, kur e ka thuaja çdo fshat në Slloveni?
Pse sot Runiku nuk ka një muze plot me dëshmi, brezi i ri duhet të përgjigjet me vendosmëri, duke i zgjuar nga gjumi ata që flenë edhe ditën.
Runiku me shumë kërkesa për zhvillim
Runiku me rrethinë nga lufta doli i djegur, me shumë dëshmorë, martirë e të zhdukur. Nuk shpëtoi pa djegur asnjë shtëpi shqiptare. Prej aty u larguan shumë njerëz të shkolluar e punëtor. Runikut, disi të harruar e të izoluar, sot i duhet të dëshmohet vetë.
Në Runikë nuk është parë moti një organizim i duhur i një dite të shënuar. Ky lokalitet ka shumëçka të veçantë, andaj edhe duhet të ketë së paku një organizim qytetar vjetor. Është për lakmi iniciativa e Syriganës për ta shënuar 17 Shkurtin 2008, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Nismat e tilla me karakter gjithëpërfshirës duhen përkrahur, por u mbetet vendësve të dëshmojnë se dinë të organizojnë manifestime edhe më të mëdha e më simpatike. Vlerat e manifestimeve të tilla shihen vetëm atëherë kur ato kanë përmbajtje dhe kur bëhen tradicionale.
Një shtëpi kulture do ta ndihmonte zhvillimin e shumë aktiviteteve artistike. Runikut i duhet një muze, një arkiv, një qendër e urbanizuar zejtare, një grup muzikor siç i ka hije. Ka mundësi dhe rini për të pasur ekipe sportive për shumë gara. Runikut i mungon një monument lirie kushtuar gjithë atyre njerëzve të kësaj ane, të cilët kurrë nuk ia kthyen shpinën atdheut.
Runikut i mungon një muze nderi për gjithë ata mjeshtër dhe artistë popullorë e të shkolluar, të cilët nuk zëvendësohen lehtë.
Runiku nuk mund të thotë s’kam, por di dhe mundem.
Runiku ka faktorin njeri, i cili di dhe duhet të dëshmohet në çdo rast.
Runiku vetë duhet të dëshmojë se di të hartojë, të vizatojë e të realizojë projekte, dhe ka njerëz për këtë. Për të hapëruar me kohën, Runikut i duhet menjëherë një plan urbanistik.
Runiku me një manifestim gjithëkombëtar
Një ditë e shënuar në vit, në Runikë do të thoshte shumë, për një tubim kulturor, kreativ e përkujtimor. Në këtë ditë do të ftoheshin patjetër gjithë veteranët e gjallë të arsimit të cilët punuan në shkollën e Runikut. Ata nuk duhet të harrohen asnjëherë. Atë ditë duhet të ftoheshin gjithë ata eruditë të gjallë të cilët kanë çka të thonë ende për brezin e ri. P.sh., manifestimi “Ditët e alfabetit” mund të organizohej jo vetëm një ditë, por ndoshta më shumë. Runiku ka potencial dhe nuk duhet t’i mungojë realizimi i një iniciative të tillë. Runiku ruan një fshehtësi dhe ka ardhur koha ta zbulojë atë me krenari. Një manifestim i tillë do ta nderonte përherë Kongresin e Manastirit, ku u themelua Alfabeti ynë, i cili shpejtoi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kush mund të paramendojë sot se si mund të shpallej pavarësia pa alfabet unik që nuk e kishim deri më 1908. Jorastësisht Runiku ruan rune-t sekret, gjurmët më të lashta të alfabetit shqip, andaj atij i takon një organizim i tillë.
Runiku Komunë
• Runiku e meriton statutin e komunës sepse është ndër trevat më strategjike të Kosovës.
• Statuti i komunës i takon Runikut sepse ka resurse të nevojshme njerëzore dhe natyrore për të jetuar dhe për t’u zhvilluar më shpejt.
• Runiku në të gjitha periudhat e historisë ishte qendër e njohur më zejtari më të zhvilluar se shumë qytete të Kosovës.
• Runiku ka burime të mjaftueshme uji, por për shkak të mungesës së investimeve, shumica e popullatës vuan për të.
• Me aktivizimin e Komunës së Runikut brenda pak vitesh do të mund të punësoheshin shumë të rinj të cilëve do t’u hapej perspektiva për të qëndruar aty.
• Runiku me rrethinë i dha tokës mëmë shumë emra të cilët i bëjnë nder historisë mbarëkombëtare shqiptare.
• Runiku me rrethinë ka potencial njerëzor profesional që me punë do ta arsyetonte statutin e komunës.
• Ka ardhur koha që Runiku me rrethinë të marrë përgjegjësi për zhvillimin e vet.
• Runiku duhet ta ketë statutin e komunës sepse ashtu i duhet më shumë vetë Kosovës.
Fundi i pushtimit sllav
Pushtimi i trojeve shqiptare vazhdoi shkallë-shkallë, edhe dhuna e armikut po ashtu. Shkallët e pushtimit dhe të dhunës kanë fund. Në foto shkallët e stacionit të dikurshëm të xhandarmërisë dhe policisë serbe në Runik. Një kujtim tepër i hidhur nga historia. (foto: A. J. Sh.)
Në të djathtë të rrugës Mitrovicë - Pejë, që nga ditët e para të pushtimit serb ishte ndërtuar stacioni i xhandarmërisë serbe, nga i cili mbikëqyrej rreptë Runiku me rrethinë. Këtu ishin torturuar me qindra shqiptarë. Shumë prej tyre ishin likuiduar. Këtu, në këto shkallë, Rrustem Birinxhiku në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare ia doli ta vrasë zëvendëskomandantin e xhandarmerisë serbe, Nikollën. Ndërtesës më nuk i gjendet as themeli.
Shumë herë nga ajo ndërtesë janë nisur ekspeditat ndëshkuese mbi shqiptarët e kësaj ane. Ajo ndërtesë shumë herë u gjend e rrethuar nga pushkët e lirisë, që kur u ndërtua diku pas vitit 1912. Ndërtesa, simbol i dhunës, më nuk ekziston dhe prej saj, siç shihet, kanë mbetur vetëm pak shkallë tashmë të përmbysura.
Gjurmë të gjalla të lashtësisë - Skamna e Runikut
S’është në Afrikë, por në Runikë
Kjo pemë e quajtur Skamna nuk dihet sa është e vjetër. Vetë pamja e saj dëshmon gjithçka. Ajo ka përjetuar shumë furtuna, shumë lufta, shumë ndryshime, shumë pushtime. Kësaj peme nuk i mungon asgjë që të shënohet në librin e monumenteve të mbrojtura me ligj dhe të sigurohet menjëherë. Mund të imagjinojë njeriu shumëçka për të, por ajo vazhdon ta shkruajë historinë me fakte, me fruta që ushqejnë dhe shërojnë. (Foto: A. J. Sh.)
Skamna e Runikut ka parë shumë trima e eruditë që nuk u dihet emri as nishani. Edhe sot ajo duket e vendosur të presë vizitorë nga katër anët e botës. Ajo u ka bërë ballë të gjitha stuhive të kohës, ndërsa qytetarëve të Runikut dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës u mbetet ta mbrojnë si duhet, as më mirë as më keq, as më pak as më shumë, vetëm ashtu si u ka hije popujve të civilizuar.
Emra që i japin kuptim lirisë
Çdo shënim për Runikun me rrethinë është i mangët pa emrat a atyre të cilët tash e njëqind vjet janë bërë pjesë e historisë së lavdishme gjithë shqiptare. Luftëtarët e lirisë, si Shaqir Smaka nga Kastrioti, Kamer Loshi nga Pemishtja, Shote Galica nga Radisheva, Rrustem Birinxhiku nga Çubreli, Sinan Shala nga Leçina, Sinan Çitakun nga Banja, Zenel Ujkani nga Syrigana, meritojnë të përkujtohen përherë.
Fotografitë e vjetra, pa një legjendë, janë dëshmi e dhimbshme për të ilustruar një ngjarje apo një hero, por duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat kur janë bërë, ato kanë vlerë të pakontestueshme. U mbetet njohësve eventualë të përcaktojnë kush, përveç Shaqir Smakës dhe Azem Bejtës, gjendet në foton majtas.
Ishte guxim kur u bë një fotografi e trimave me armë. Duhej besnikëri dhe guxim për të ruajtur një foto të bijve më të çmuar të atdheut. Edhe fotoja e Shaqir Smakës e publikuar në internet dëshmon se si është ruajtur me vendosmëri e dashuri nga dikush, tash për tash anonim. Askush nuk ka të drejtë ta pretendojë uzurpimin e autorësisë se një fotoje si kjo, kur dihet si është bërë e ruajtur ajo si dëshmi e kohës. Edhe biografitë e luftëtarëve të njohur si Azem Bejta, Nak Berisha, Sadri Shala, Xhemë Gllareva dhe së fundi, edhe Shaban Jashari, kanë lidhje të forta me këtë anë.
Origjina e emrit Runik - Runiku ruan sekretin e rune-ve
Supozohet se emri Runikë ka origjinë nga fjala rune-t (që dmth. fshehtësi, sekret).
Fjalën RUNE e gjejmë në Fjalorin e fjalëve dhe shprehjeve të huaja të Mikel Ndrecës. Sipas autorit, shprehja RUNE është fjalë gotike, që do të thotë fshehtësi. Shkronjat e para, pra RUNE-T, më vonë gjermanët i zëvendësuan me alfabetin latin. (Fjalori i M.N., fq. 615)
Të njëjtin shpjegim, si Mikel Ndreca, e ka edhe autori serb i Leksikonit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja, Milan Vujaklia (fq. 846).
Një shesh i lashtë me gurë varresh apo shesh tubimi, me plot simbole të alfabetit RUNIK gjendet edhe sot në Turqi.
Shtrohet pyetja se si dukej një shesh gurësh me plot shkronja të alfabetit RUNIK në Runikun e dikurshëm?
Autori turk, Dr. Erhan Hajdin, ka doktoruar në shkencat gjuhësore duke studiuar pikërisht alfabetin RUNIK. Albanologët tanë janë marrë pak me alfabetin RUNIK, i cili ende ruan shumë sekrete të një gjuhe të koduar. Se për çfarë arsyesh shënoheshin ato simbole në pllaka druri apo guri në vende publike apo mbi varreza ende nuk dihet saktësisht. Rune-t e Runikut në kohën e pellazgëve shënoheshin në dërrasa druri. Barbaria shumë shekullore, Runikut i la vetëm emrin, ndërsa nëntoka e kësaj treve pret me padurim arkeologët shqiptar e të huaj për të dëshmuar të vërtetën e madhe se Rune-t, e para ishin gjetur këtu dhe prej tyre u modeluan alfabetet e shumë gjuhëve të sotme të Evropës. Ketë e dëshmon transkriptimi i mbishkrimeve të vjetra i cili në shumë raste po bëhet me ndihmën e gjuhës shqipe. Rune-t e Runikut dëshmojnë se kishim alfabet para shumë popujve të botës por për shkak të pushtimeve, u deshtë të presim vitin 1908 që kolosët e kombit të tubohen në Manastir për të zyrtarizuar abc-në tonë.
Deri sot dihet pak për origjinën e alfabetit RUNIK i cili në vendet Skandinave njihet tradicionalisht si futhark, pas gjashtë shkronjave të para.
Në nordishtën e vjetër fjala rune kishte kuptimin “shkronjë”, ”tekst”(përmbajtje) dhe inskriptim (përshkrim). Në gjuhën e vjetër gjermane, kjo fjalë ka kuptimin e sekretit ose misterit ,ndërsa vet fjala rune kishte një rol të rëndësishëm në rituale dhe magji.
Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e Runëve, ndër të cilat veçohen:
Besohet se ky alfabet është krijuar në mënyrë të pavarur, jo nga evoluimi prej një alfabeti tjetër.
Shkrimi Runik besohet se është përdorur për herë të parë në Evropën Jugore dhe është bartur nga fiset gjermane në veri.
Nga modelimi i alfabetit Runik dolën alfabeti latin dhe ai etrusk
Sipas studiuesve nordik dhe gjerman, ky alfabet daton nga shekulli i I-rë (parë) para Krishtit, ndërsa shumica e inskriptimeve RUNIK kanë origjinë nga shek. XI (njëmbëdhjetë).Shumë inskripte RUNIK janë bartur nga Ballkani në Gjermani, Skandinavi dhe në ishujt Britanik.
Run-away = vrapo-ik
Foljet angleze run-vrapo dhe away - ik, shqip do të tingëllonin mirë dhe bindshëm kur përkthehen ik-shpejt, ik me vrap apo ikni vrap. Këto dy shprehje jetojnë pranë njëra tjetrës si besa dhe tradhtia, apo siç thotë populli: si engjëlli dhe djalli. I mbetet njeriut të zgjedh. Edhe në rastin e fjalës Runik, tash për tash, studiuesit duhet të zgjedhin dhe të përcaktohen se me cilën fjalë mund të ketë lidhje, apo nga cila fjalë e ka origjinën vet fjala RUNIK(Ë).
Nëse fjala rune do të thotë fshehtësi, sekret, atëherë vetvetiu mund të konstatojmë se fshehtësia apo sekreti ruhen, dhe njëkohësisht fjala fshehtësi ruan një sekret brenda saj. Ka shënime se trevën e Runikut e kanë vizituar edhe studiues gjerman e anglez, por janë tërhequr shpejt për shkaqe të panjohura.
Lidhur me fjalën rune, serish mund të shtrohen pyetje të tjera.
A ishin shkronjat e shënuara mbi pllaka druri vetëm simbole dekori apo ato ruajnë në brendi një kuptim të caktuar.
Në ketë aspekt, studiuesit ndahen në dy grupe:
studiues që besojnë se simbolet e alfabetit, tashmë edhe të emërtuar RUNIK, kanë një kuptim të caktuar dhe grupi tjetër mbron idenë se ato nuk janë asgjë më shumë se një dekor.
Ato simbole, në shumë vende të përparuara, janë zbërthyer dhe transkriptuar në alfabete përkatëse.
Në trojet shqiptare, rune-t janë gjetur moti, por nuk ka pasur ndonjë përpjekje për të evidencuar e transkriptuar ato, siç kanë bërë gjermanët, anglezët ,popujt e vendeve skandinave apo turqit.
Derisa shqiptarët, pas pranimit të konfesionit islam, asnjëherë nuk u morën me studimin e gjurmëve të vjetra, qofshin ato pagane apo të krishtera, kështu iu dha mundësi Kishës Ortodokse Serbe që të bëjë edhe tregti më dokumente pellazgo-ilire. Për këtë përfitim flet bindshëm disidenti serb Bogdan Bogdanoviq i cili për Vuk Karaxhiqin thotë se ishte një matrapaz, njeri komik, i cili diti të përfitojë shumë nga shitja e mbishkrimeve të vjetra të Ballkanit, të cilat i trafikoi në Austri dhe Gjermani. Për një trafikim të tillë flet edhe vet Vuk Karaxhiqi por që nuk i jep emrat e vendeve nga i mori ato mbishkrime, qofshin nga kishat apo pllakat e gurëve të varreve.
I ashtuquajturi themelues i gjuhës serbe me kapelë (fes) turke në kokë, trafikoi edhe një mori këngësh kreshnike shqiptare duke i përkthyer në gjuhën serbe dhe duke i falsifikuar dhe duke i shitur në Vjenë si thesar serb.
Nëse janë shitur këngët kreshnike, si nuk mund të jenë shitur edhe shumë punime artizanale të kohës, të cilat kanë ruajtur në brendi një gjuhë të koduar me plot simbole të alfabetit RUNIK.
Duke biseduar me zejtar të dalluar e me përvojë, është kuptuar e vërteta se ata në çdo punim të tyre lënë gjurmë karakteristike. Gurgdhendësi dhe drugdhendësi e kanë dalluar murin dhe gurin që kanë skalitur vet. Qerrtari ka punuar qerre me nuanca të theksuar estetike që e dallojnë nga tjetri. Ka dalluar farkëtari nga farkëtari, mjeshtri nga mjeshtri tjetër. Ka dalluar thurja e një çilimi nga një tjetër, si edhe qëndisja e një pëlhurë nga një tjetër. Kushdo që nesër mësynë të analizojë runë-t e Runikut, ka për të parë se ato, vërtet, ruajnë gjurmë të një civilizimi të lashtë.
Drejtshqiptimi vendës i emrit Runik(ë)
Drejtshqiptimi i fjalës Runik(ë) në gjuhën shqipe nga popullata vendëse ka përparësi në çdo rast kur dikush nisë ta zbërthejë shkencërisht këtë emër. Së pari, vendësit kur e shqiptojnë emrin RUNIK(ë), theksi bie mbi rrokjen e fundit. Nëse është kështu, atëherë ky emër merr Ë në fund si, p.sh.: RUNIK(Ë). Nëse pretendohet se emri ka origjinë më të lashtë, dhe nëse me rastin e shqiptimit të tij (gjithnjë sipas vendasve), theksi bie mbi U të rrokjes së parë, atëherë ky emër në asnjë rast, në trajtën e pashquar, nuk do të duhej të shkruhej me shkronjën Ë në fund. Më sa është vërejtur nga gjuhëtarët, kur dikush flet me runikasit dhe kur shqiptohet kjo fjalë (emri Runikë), theksi bie në rrokjen e fundit R U N I K (Ë)-U.
Për të mos lënë dilema, do të ishte e udhës që ky emër (toponim) të shkruhej ashtu siç shqiptohet nga vendasit R U N I K Ë (trajta e pashquar) dhe R U N I K U (trajta e shquar). Janë hasur edhe përdorime të këtij emri si RUNIK-A, por edhe ndonjë formë tjetër, si ajo sllave RUDNIK, e cila në asnjë rast dhe asnjëherë nuk ka bazë shkencore dhe nuk ka të bëjë me emrin real Runik(ë)-(u).
Rune-t e Runikut janë rast i mirë për studentët e filologjisë dhe ata të institutit albanologjik të Prishtinës, të Tiranës e Tetovës, që të zhvillojnë një hulumtim shumë të hollësishëm. Tash kur të rinjtë tanë njohin edhe shumë gjuhë të huaja mundësitë janë shumëfishuar.
Drejtshkrimi i emrit Runik-u ka rëndësi të veçantë kur dihet se sot ka mundësi të shumta hulumtimi përmes internetit dhe studentët do të mund të njihen me argumente shkencore që flasin për runë-t dhe gjuhën sekrete të tyre.
Origjina e emrit Runikë
Shkencat e gjuhësisë në botë kanë vërtetuar se shumë shkrime të lashta po zbërthehen me ndihmën e gjuhës shqipe. Ky fakt dëshmon për lashtësinë e gjuhës shqipe por edhe vërtetësinë e teorisë se alfabeti latin mund ta ketë origjinën nga një alfabet RUNIK i shqipes.
Teza e Ndre Mjedës e paraqitur dhe e argumentuar në Kongresin e Manastirit më 1908, për abc-në e gjuhës shqipe me 36 shkronja njëshe, dëshmon se ai, si askush tjetër, kishte dituri për të themeluar një alfabet krejt origjinal i cili nuk do të kishte shkronja dyshe si (dh, gj, th, sh, xh, zh), por nga një shkronjë për secilin tingull. Kishte ide se edhe zanorja Ë, kudo të zëvendësohet me shkronjën E dhe ajo të dallohet nga theksi, siç ka raste në gjuhët e ndryshme të botës.
Duke pasur parasysh ekzistimin e shkronjave rune, të cilin fakt Mjeda e kishte të njohur, teza e tij për një alfabet krejt origjinal kishte mbështetje të fortë.
Askush, asnjëherë nuk e kishte theksuar se arkitekti i alfabetit të gjuhës shqipe Ndre Mjeda kishte në mendje të modelonte abc-në nga rune-t.
Teza e tij, për një alfabet tërësisht me shkronja njëshe dhe mu për ketë nga biografia e Mjedës është mësuar se ai mbajti një xhelozi të fortë duke mos e nënshkruar deklaratën e Manastirit plot gjashtë muaj. Siç dihet, teza nuk u pranua duke pasur parasysh se edhe popujt tjerë si gjermanët, anglezët, francezët etj, në alfabetet e tyre kishin pranuar dyshkronjëshin për një tingull, andaj edhe alfabeti ynë mori formën që ka edhe sot.
Më parë do të marrim guximin për të shtjelluar foljen ruaj (folje, normë letrare), (toskërisht-ruaj, gegërisht- paskajore-me ru-jt, me ba rojë, me ru). “Kam kujdes për një njeri, për një gjë, për një vend, që ta ruaj e mos t’i ngjajë gjë e keqe; bekçiu ruan vreshtat; qeni ruan shtëpinë; ruaj të burgosurit, shikoj të mos ikin; ruaj një gjë që të mos humbasë, mos të prishet; m’i ruaj këto pare; ruaju prej tij, ruhu!, ki kujdes, hap sytë!”, etj.
Nga ky shpjegim në FJALORIN E GJUHËS SHQIPE mund të nxjerrim edhe konstatime të kujdesshme se fjala Runik, përkatësisht alfabeti i cili tashmë nga studiuesit e shkronjave të para(të cilat dikush ende i konsideron vetëm simbole) Simbolet e alfabetit RUNIK skaliteshin në pllaka druri, e më vonë dhe në gurë si shenja, rojë e shenjtë pagane, ndoshta për të ruajtur identitetin e të vdekurit, ndoshta ishin lutje drejtuar perëndisë apo hyjnisë se kohës, apo ishin një kod sekret.
Dilema ka mbetur e pazbërthyer edhe nga studiues eminentë, të cilët ia kanë kushtuar gjithë veprimtarinë pikërisht zbërthimit të këtyre kodeve të një gjuhe të lashtë. Runiku i sotëm, padyshim është një prej lokaliteteve me gjurmë të lashta të një gjuhe të koduar.
Pas çlirimit të Kosovës, rruga për të gjurmuar lashtësinë e Runikut dhe të gjuhës, përkatësisht alfabetit të tij të koduar, është e hapur. Kur kësaj ia shtojmë edhe të vërtetën e madhe se shqiptarët nëpër epoka, të gjitha varret pa përjashtim i kanë konsideruar të shenjta, atëherë gjasat që ato simbole (shkronja të kohës) të jenë mbrojtëse (rojë, rojtar-ët) të varreve, bëhen edhe më të besueshme.
Rune-t e Runikut i ka përmendur në një studim të saj Nermin Vlora Felasci, studiuese nga Italia, me origjinë shqiptare nga familja e Ismail Qemalit.
Profesori shqiptar Muhamet Pirraku në studimet e tij ka prekur dhe analizuar këtë toponim, dhe nxjerr konstatimin se origjina e emrit Runik(ë) buron nga folja ruaj (norm. let. ), (me rujt, me ru, -geg., folje).
Çka thotë fjalori i gjuhës shqipe?
Në trojet shqiptare ekzistojnë një grup emrash-toponimesh, që në trajtën e shquar marrin mbaresën U, si p. sh: Junik-u, Rubik-u, Runik-u etj.
Këta emra, në trajtën e pashquar nuk marrin Ë, ndërsa kur shquhen marrin U. Së këndejmi, edhe toponimi Runik do të duhej të shkruhet pa Ë në fund. Gjithnjë kur kemi parasysh shqiptimin vendor atëherë shtrohet dilema pse ndryshe shqiptohet emri Junik e Rubik nga vendasit dhe ndryshe emri Runik(ë) nga anasit. Dihet se dialekti gegë ka aq shumë diftongje të cilat dallojnë nga fshati në fshat apo edhe nga një lagje në tjetrën, atëherë mund të konstatojmë se emri Runik duhet të shkruhet pa Ë në fund. Në dokumentet zyrtare të pushtuesit serb toponimi Runik ishte sllavizuar dhe në evidencat zyrtare të kohës shënohej Rudnik (Kosovski), për dallim nga një Rudnik tjetër diku në Serbi.
Prandaj, sipas rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe, toponimi Runik duhet të shkruhet pa Ë në fund.
Kur kemi parasysh rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe ku ka edhe përjashtime, edhe me rastin e emrit Runikë do të duhej vepruar në të njëjtën mënyrë, ngase fjala është për një emërtim tepër të vjetër dhe unik shqiptar, i cili do të duhej respektuar.
Gjatë gjithë pushtimit otoman por edhe kur Runiku ishte i pushtuar e administruar nga sllavët, emrin Runik(ë) vendasit e kanë shqiptuar përherë si sot: R U N I K Ë.
Toponimi Runik është përmendur nga studiues të ndryshëm. Këtë emërtim e gjejmë edhe në librin e njohur mbi toponimet shqiptare të dr. Rexhep Doçit, në të cilin autori me kompetencë shkencore flet për origjinën e emrit nga disa shkronja të lashta- RUNE, të cilat nga studiuesit e huaj janë emërtuar alfabeti RUNIK, dhe ato tashmë merren si bazë e modelimit të alfabetit, si atij latin apo skandinav.
Sot ka shumë rëndësi edhe drejtshkrimi i një emri të një vendi të caktuar kur dihet se çfarë përparimi ka arritur teknologjia e komunikimit. Kushdo që dëshiron të kërkojë në internet ndonjë informacion, së pari duhet të di se çka kërkon dhe të shënojë drejt fjalën-emrin, për të marrë përgjigje të duhur.
Alfabeti Runik u bë gradualisht bazament i të gjitha shkrimeve të mëvonshme të gjuhëve të vendeve skandinave, si në Suedi, Norvegji, Finlandë e Danimarkë, por edhe i të gjitha gjuhëve anglosaksone, si gjermanishtes, anglishtes, irlandishtes e holandishtes.
Megjithëse me alfabetin RUNIK janë marr shumë gjuhëtarë të njohur evropianë, ky shkrim ende ruan shumë sekrete.
Alfabeti i vikingëve, sipas studiuesve, del të jetë i ngjashëm, moshatar apo më i ri se alfabeti RUNIK i Runikut.
Më shumë se varrezat e Runikut askush nuk mund ta dëshmojë për origjinën e emrit dhe lashtësinë e një kulture. Për fat të keq, pushtimet e njëpasnjëshme, dhe më vonë islamizimi i popullatës shqiptare, bënë që shumë elemente të rëndësishme për studiuesit të zhdukeshin. Në shumicën e rasteve, vetëm Kisha Ortodokse Serbe grabiti shumë artefakte që gjeti mbi tokë, e shumë herë edhe përmes gërmimeve, si në rastin e instrumentit muzikor frymor Okarina, në vitet gjashtëdhjetë(1968).
Runikasit, përkatësisht popullata e lashtë pellazge-ilire e Runikut me rrethinë, kanë merita të mëdha se si gjetën rrugën, ditën dhe ia dolën ta ruanin së paku toponimin e tashëm, të cilin nuk arriti ta ndryshojë asnjë pushtues, megjithëse pati tentativa administrative e ligjore të tyre.
Ky shënim nuk ka pretendime të tepërta për të nxjerrë edhe konstatime shkencore të prera, por duke u marrë seriozisht me historinë e vjetër, të mesme e të re të Runikut me rrethinë, kemi marrë guximin që të shtrojmë edhe disa çështje, të cilave kur dikush përpiqet t’u përgjigjet me kompetencë, gjithsesi duhet të djersitet për të demantuar me fakte origjinën e emrit të këtij lokaliteti.
Më parë, secili që pretendon se di diçka për Runikun duhet të ketë njohuri se në pllakat e shumë varrezave të vjetra janë gjetur RUNE, përkatësisht shkronja të të ashtuquajturit alfabet RUNIK.
Të gjithë ata që kanë prekur në çfarëdo mënyre historinë e Runikut kanë mundur të lexojnë shënime se ky lokalitet është ndër vendbanimet më të lashta, jo vetëm në Ballkan, dhe daton që nga koha e NEOLITIT të mesëm, përkatësish Epoka e Gurit.
Runiku nga ekspertët e arkeologjisë, jo vetëm nga ata shqiptarë të Kosovës, por edhe të huaj, llogaritet ndër qendrat e banuara, më të lashta.
Pse sot Runiku nuk ka një muze me artefakte, një bibliotekë me shumë libra të vjetër, dhe një arkiv me dokumente që do të dëshmonin historinë e këtij vendbanimi, fajtorë janë pushtuesit e njëpasnjëshëm, të cilët në shumicën e rasteve plaçkiten dhe dogjën gjithë çka gjetën përpara.
Edhe vetë shqiptarët bartin një pjesë të madhe të fajit, sepse shumë herë edhe duke mos ditur, por herë-herë edhe nga inatet, kanë asgjësuar shumë artefakte dhe dokumente të rëndësishme.
Ka ardhur koha që ato pak relikte që u kanë shpëtuar pushtuesve të mos mbahen më nëpër gardhiqe, oborre, shtëpi e dollapë individual, por të ruhen në një muze, aty ku do t’i shohin të interesuarit vendas apo të huaj.
Nëse nuk dihet si u dogj Runiku nga romakët, turqit apo sllavët, dihet mirë si u dogj nga serbët në luftën e fundit.
Runiku është rast unik për ta demantuar çdo gënjeshtër serbe.
Edhe pyetjet e shtruara më poshtë ndihmojnë përgjigjet e pritshme për lexuesin.
A pati Runiku alfabetin më të hershëm që njohim deri sot dhe a mund të shtrohet teza se: rune-t e Runikut janë paraprijëse të alfabetit të parë?
Sa pllaka me mbishkrime me alfabetin RUNIK u vodhën nga pushtuesit?
Si e gjetën romakët Runikun gjatë pushtimit?
Çka ndodhi me Runikun dhe runikasit në periudhën bizantine?
A gjeti pushtuesi turk pllaka me mbishkrime me alfabetin RUNIK?
Dihet mirë se Kisha Ortodokse Serbe vodhi e përvetësoi shumë objekte kulti të popullsisë vendase në Runik, kështu që, askush nga shkencëtarët eminent botëror të kësaj fushe, më nuk u beson gënjeshtrave serbe.
Duke pasur parasysh argumente të mjaftueshme, studiuesit tanë duhet të punojnë shumë, për të zbardhur çdo falsifikim të origjinës së tyre.
Në të ardhmen, veçanërisht brezin e ri, e pret një punë e madhe dhe e mundimshme, mirëpo, ata do të kenë mjaft fakte për të ndriçuar historinë dhe të kaluarën e Runikut me rrethinë në përgjithësi.
Gjurmë lashtësie
Meqenëse sot Bashkësia Lokale e Runikut përfshinë fshatrat Runik, Radishevë, Kotorr, Kastriot (Kostërc), Vitak, Leçinë, Pemishte (Padalishtë), Banjë e Syriganë, shumë herë, cilido shënim është përqendruar vetëm në këto lokalitete, por historia e këtyre vendbanimeve nuk mund të studiohet ndaras nga fshatrat e tjera fqinje që i përkasin Komunës së Burimit. Fshatrat Syriganë e Pemishte kanë pjesët përkatëse me të njëjtin emër, por që i takojnë Komunës së Burimit së bashku me fshatin Cërkolez.
Syrigana e Burimit ka një shpellë dhe afër saj rrënojat e një kishe të lashtë. Po në Syriganën e Burimit gjendet edhe sot e kësaj dite një lloj peme, e cila nga vendasit quhet Skamna. Është me interes për studiuesit pse ajo pemë nuk gjendet askund tjetër dhe pse nuk është gjetur metodë për shtimin e saj. Në Cërkolez gjenden disa shpella të pa hulumtuara asnjëherë, për të cilat ekzistojnë mjaft legjenda. Sipas gojëdhënave, zagari (qeni i gjahut), duke ndjekur lepurin ka hyrë në shpellë dhe ka dal më tepër se dhjetë kilometra, tutje në bjeshkë.
Fëmijët duke i ruajtur bagëtinë i kanë quajtur Shpellat e Gjanës.
Gjurmë lashtësie ruajnë edhe VARRET E KRUSHQVE NË VITAK, të cilat janë dëshmi e rrallë për legjendën e njohur shqiptare për duelet luftarake mes krushqve. Ato si të tilla ruajnë shumë sekrete. Konfiguracioni i relievit ku gjenden edhe sot Varret e Krushqve, ruajnë dëshmi të pamohueshme për legjendën. Megjithëse fshati Vitak ka qenë i banuar në vazhdimësi, popullata shqiptare, këto varreza i ka trajtuar përherë si të shenjta dhe afër tyre nuk janë varrosur as të vdekurit e mëvonshëm.
Duke qenë fqinjë dhe duke pasur lidhje të shumta farefisnore, asnjë shënim për trevën e Runikut nuk mund të dalë i shkëputur. Edhe fshati Izbicë dhe një pjesë e madhe e fshatit Klladërnicë, sidomos Tërrnova, gjithmonë gravitojnë në Runik, dhe gjatë gjithë historisë kanë pasur fatin dhe fatkeqësinë e përbashkët me këtë lokalitet.
Historia e Runikut mund të konstruktohet lehtë e bindshëm, qoftë edhe vetëm nga gojëdhënat që i kanë mbijetuar kohës. Ka indikacione të mjaftueshme se edhe dheu ka ruajtur të paprekura shumë monumente dhe varreza.
Besëtytni dhe fakte
Në Kastriot (Kostërc) ekziston “Varri i Maxhupit”). Rreth atij varri, pa ndonjë shenjë të veçantë, popullata vendase përherë ka kërkuar shërim për bagëtinë e sëmurë, veçanërisht kur ato kishin problem me “derdhë ujë”.
Lisi i Shtrigut në Leqinë
Një përrua i rrezikshëm dhe një lis përbri kanë ekzistuar deri vonë, jo fort larg lagjes Dërvishaj të Leqinës. Tokën, arat e malet përgjatë përroit i patën bërë prona të tyre kolonët serbë. Të moçmit i kanë ruajtur mirë toponimet e vjetra, por brezi i ri nuk ka pasur kujdes të duhur.
Kodra e gjarpërinjve
Një kodër e madhe mes fshatrave Leqinë e Pemishtë quhet “Kodra e Gjarpinjve”. Miti mbi gjarprin rojë të shtëpisë jeton ende. Toponime shqip ka edhe në shumë fshatra të Runikut, mirëpo kjo nuk është temë e shënimit. Gjarprin si simbol e gjejmë të vizatuar paralel me rune-t (shkronjat).
Përroni i Dreqollit
Mes fshatit Vitak e Runik, vizitorit i bie në sy një kthesë e fortë e rrugës magjistrale Mitrovicë-Pejë. Vendi ku gjendet ky lakim rruge quhet “Përroi i Dreqollit”. Megjithëse ka pasur mundësi të shkurtohet rruga në atë vend, kjo nuk është bërë për shkak të pozitës strategjike, dhe ashtu është ruajtur deri sot.
Varri i Mustafë Agës
Nëse mësynë fshatrat Leqinë, Kastriot dhe Izbicë e Mirushë, duke udhëtuar nga Mitrovica në drejtim te Pejës, më ta kaluar Runikun, te vendi i quajtur Dardha e Çitakut merr drejtimin në krah të majte dhe për pak minuta arrin te varri i Mustafë Agës. Mustafë Begolli i Pejës gjatë pushtimit osman posedonte çifligje të mëdha. Edhe fshatrat si Kastriot, Izbicë e Lëpinë ishin prone e tij. Gjate një vikendi me pajtan ai vdiq mes fshatrave Leqinë, Kastriot e Terrnovë. Sipas amanetit të tij, ai u varros aty ku vdiq dhe fshatarët e kësaj anë kanë vazhduar t’i varrosin të vdekurit aty pranë dhe vendin gjithmonë e kanë quajtur “Te varri i Mustafë Agës”.
Një shpatinë aty pranë quhet “Babagjyshi” ndërsa një pjese e madhe arash e lëndinash aty pranë edhe me tutje quhen “Haxhi Zabel”.
Shkëmbi i Syriganës
Vend karakteristik me emërtimin “Gjyteti” quhet një shkëmb i madh aty mbi fshatin Syriganë. Shkëmbi, me shekuj është simbol për shumë veçori të tij. Për të janë thurë e kanë mbijetuar shumë legjenda.
“Guri i gjakut”
Ekzistonte deri vonë edhe “guri i gjakut”, i cili përdorej nga fshatarët për shërimin e bagëtisë, atëherë kur sipas tyre një kafshë kishte dhimbje zemre. Gurin e tillë e ka mbajtur një familje, por pa marrë parasysh se kush e ka përdorur, ai iu ka kthyer titullarit. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që ky gur të mos i jepej dikujt që ka pasur nevojë. Mjekësia popullore ishte shumë e zhvilluar, por fatkeqësisht është trashëguar fare pak nga pasardhësit. Ndoshta sot do të mund të shkruhej edhe për shumë bimë e lule shëruese. Në mesin e atyre që kanë njohur, ditur e përdorur shumë bimë mjekuese kanë qenë Murat Uka nga Syrigana, Ramë Misiri nga Runiku, Rexhë Hetemi nga Kastrioti. Përdorimin e bimëve mjekësore sot e vazhdon Halil Kajtazi nga Vitaku, i cili jeton në Prishtinë. Numri i familjeve që kanë njohuri për vetitë shëruese të bimëve sot është shumë i vogël.
Eruditët u lanë trashëgimi breznive për shumë shekuj gojëdhëna që po të studioheshin mirë, pa asnjë dyshim do të ndihmonin konstruktimin e shumë të vërtetave të kohës që përjetoi Runiku me rrethinë gjatë shekujve të kaluar.
Pushtimet e njëpasnjëshme dhe luftërat shfarosëse, shumë herë e kanë detyruar popullatën autoktone shqiptare të Drenicës së Epërme që të ngrihej nga hiri, andaj meritat e eruditëve për mbijetesë janë të mëdha.
Vetëm atëherë kur shkronjat e Alfabetit të Manastirit filluan të rreshtonin fjalët dhe të rithurnin me shkrim shumë të dhëna të pashkruara, historia e Runikut filloi të zinte vend edhe në letër.
Megjithëse për Runikun me rrethinë gjenden sekuenca të shkruara edhe në librat më të vjetër të historisë shqiptare, biografia e zhvillimeve të mëdha në këtë anë u plotësua sidomos në shekullin e kaluar.
Shumë patriotë, letrarë, historianë e poetë të kësaj ane, por edhe nga treva të tjera të shqiptare që patën kontakt me Runikun u morën edhe me të kaluarën e kësaj treve. Ka gojëdhëna se trevën e Runiku e kishin vizituar edhe Pjetër Bogdani e më vonë edhe Ndre Mjeda e Fan Stylian Noli. Dihet mirë se vizitat e tilla janë ruajtur sekret për shkak të persekutimeve të mundshme nga pushtuesi otoman, aq më tepër kur dihej se gjuha shqipe ishte shpallur e mallkuar edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila veproi e lirë gjatë gjithë sundimit të Portës së Lartë.
Në të ashtuquajturën përudhë të gjysmë autonomisë së Kosovës sidomos pas Luftës së dytë Botërore, megjithëse Kosova mbeti nën pushtimin serb, interesimi i studiuesve shqiptar për ketë trevë u shtua.
Intelektualët shqiptarë të kësaj ane, por edhe më të largët, dr. Skënder Riza, dr. Ibrahim Çitaku, dr. Ahmet Maloku, dr. Rexhep Doçi, Bedri Tahiri, Nebil Duraku, Nezir Çitaku, Mehmet Kajtazi, Halil Kajtazi, Rrahim Gashi, Mehmet Haziri, e ndonjë tjetër, me një vepër historie, një libër, me një artikull të shkruar, me një shkrim rasti, përmes krijimtarisë artistike, prozës dhe poezisë, si dhe këndit të tyre të vështrimit hodhën dritë mbi të kaluarën e pasur e të lavdishme të kësaj treve. Kushdo që sot interesohet për historinë e kësaj ane, në veprat historike dhe letrare të këtyre autorëve do të gjejë shumë të dhëna e shënime, të shtruara në mënyra të ndryshme, por me qëllim të afirmimit të vlerave më të mira të kësaj pjese të Drenicës, dhe të gjitha këto bartin në vete vulën e kohës.
Edhe pse shumë shkrime ndonjëherë dalin të mangëta, për njohësit e rrethanave shkak për këtë janë presioni dhe dhuna e pushtuesit. Krijuesi i kësaj ane u përpoq që nëpërmjet një anekdote, kënge epike apo lirike, një shkrimi artistik, letrar apo historik, nëpërmjet një romani, një humori, një satire, apo nëpërmjet një poezie ta dokumentojë së paku një segment të atyre zhvillimeve të kohës, të cilat kur shihen edhe nga prizmi i sotëm kanë vlera të pakontestueshme.
Duke lexuar shënimet e kohës vërehet se nuk janë përfshirë shumë fakte, ngjarje e personalitete reale me rëndësi, por të gjitha këto shënime në letër, janë bazë e mirë për studime më të thella. Runiku me rrethinë ka një histori krejt të veçantë të një civilizimi të lashtë, me të cilën do të mburrej secili qytet. Sa herë që dijetarët e kohës kanë filluar studimin e gjurmëve të civilizimit ilir në trojet shqiptare, shumë herë, është zënë në gojë emri i Runikut.
Në cilindo katalog zbulimesh arkeologjike të periudhave të ndryshme historike, pa dyshim shihet se instrumenti muzikor OKARINA e zbuluar në Runik zë vend në rreshtat e parë. Fatkeqësisht, edhe sot, pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, në Runik nuk ka ndonjë gjurmim arkeologjik, i cili me fakte do t’u përgjigjej shumë dilemave e rrëfimeve “fantastike” që i mbijetuan kohës.
Sekretet e nëntokës së Runikut
Derisa nëntoka e Runikut ruan gjurmë civilizimi që nga koha e neolitit, gojëdhënat flasin se vendbanimin më të madh të kohës që shtrihej nga Banja e Syrigana, Runiku e Kastrioti i sotëm, Klladërnica e deri në Kopiliq e shkatërroi kataklizmi i madh.
Hulumtimet e ardhshme në fshatin Syriganë, një ditë para shkencëtarëve mund të zbulojnë se çka vërtet ngjau dikur moti, në një vendbanim të lashtë si Runiku. Në bazë të studimeve që janë bërë herë pas here, lashtësia e Runikut krahasohet me lashtësinë e qytetit të Beratit në Shqipëri.
Burimi i ujit të ngrohtë në fshatin Banjë mund të ketë lidhje shumë të afërt dhe reale me ndonjë vullkan të fjetur.
Syri i vrojtuesit të mirë, pa gërmuar fare, vetëm duke shikuar rrafshin e Runikut deri në Banjë e Syriganë, nga kodrinat përreth, mund të shohë një fushë të gjerë arash e fushash pjellore dhe shumë shkëmbinj të shkapërderdhur gjithandej, por që sot janë rralluar gradualisht nga dora e njeriut. Edhe gjatë hapjes së puseve (bunarëve) për ujë të pijshëm, në shumë raste në fshatra të caktuara, është mihur një tokë e djegur që mund të ketë origjinë nga vullkani, dikur shumë aktiv, i cili mund ta ketë shkatërruar vendbanimin që shtrihej në anën veriore të Rrafshit të sotëm të Dukagjinit (dikur liqenit të Dukagjinit).
Përbërja ranore e një varg kodrinash që shtrihen paralel me Rrafshin e Dukagjinit mund të merret si dëshmi jo pak bindëse, se dikur moti, afër tyre shtrihej liqeni. Gojëdhënat flasin qartë për liqenin, por edhe për tharjen e tij, që mori epilog në kohë e pushtimit romak. Gojëdhënat thonë se rrjedha e Drinit të Bardhë, atje në kufi me Shqipërinë, u zgjerua nga dora e njeriut dhe kështu u tha liqeni.
Kjo trevë nuk u ka shpëtuar lëvizjeve të mëdha tektonike të tokës deri në ditët e sotme. Ketë rajon e kanë goditur herë-herë dridhje toke që kanë shkaktuar edhe dëme materiale. Shumëkush nga banorët e fshatit Kastriot mban mend mirë kur në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX-të, ka ndodhur një plasaritje toke e fshatit me gjatësi mbi një kilometër dhe me zbritje nga ana jugore rreth 30cm.
Çarja e tokës në Kastriot fillonte nga Shtëpitë e Lagjes Spahiu në kufi me fshatin Vitak në drejtim të lagjes Dervishaj, nëpër oborrin e dikurshëm të Azem Dervishajt duke kaluar tejpërtej livadhet e Kastriotit deri në anën tjetër të fshatit në Lagjen Nimanaj (Autori këtë e ka parë vetë me sytë e tij). Sipas pleqve, kjo lëvizje tektonike ka shkaktuar shterjen e bunarëve gjë që ka vështirësuar jetën e popullatës.
Askush, asnjëherë nuk është marrë me matjen e lëvizjeve tektonike të tokës në ketë anë, dhe ato ndodhin në vazhdimësi.
Përmasat e kësaj lëvizjeje të tokës kanë qenë kolosale atë kohë, mirëpo për fat që nuk pati ndonjë panik eventual tek popullata.
Ka edhe gojëdhëna të tjera mbi gjoja shfrytëzimin e ndonjë miniere ari të kohës atje në Syriganë, por vetëm gjurmuesit e ardhshëm do të mund t’i vërtetojnë edhe shkencërisht gojëdhënat që i mbijetuan kohës.
Po ashtu, thuhet se toka pjellore e kësaj ane ka origjinë nga hiri vullkanik.
Lashtësia e Runikut në asnjë rast nuk do të duhej të merrej ndaras edhe nga fshati Cërkolez, që tash i takon Komunës së Burimit (Istogut). Me interes për studiuesit janë shpellat e Cerkolezit dhe Syriganës, të cilat ende janë të pa eksploruara. Shpellat e Cërkolezit më sa dihet nuk janë prekur deri sot nga studiuesit, apo thjesht kanë mbetur sekret. Shpellat ekzistojnë edhe në gojëdhëna, por ato mund të shihen edhe sot, dhe ky fakt mjafton që ta bindë secilin se fjala është për vendbanime të lashta që dikur strehonin njerëz, dhe ato vazhdojnë të mbesin mister.
Gjurmimet arkeologjike
Në vitet shtatëdhjetë një ekspeditë arkeologjike e pushtuesit serb filloi disa gjurmime në qendër të Runikut, por ato i mbylli shumë shpejt. Zbulimi i fakteve të pamohueshme i shtyri ekspertët serbë të mos punonin asgjë më tutje.
Në vitet e pasluftës çlirimtare ndërtimet e shtëpive të djegura dhe të reja vazhduan pa asnjë pengesë, pa kriter dhe plan, dhe me ketë rast u prek edhe zona më e rëndësishme arkeologjike në Runikë. Deri sot nuk është ndërmarr asgjë për të hulumtuar, apo së paku për të përcaktuar sipërfaqen e zonës së supozuar të vendbanimit të lashtë, dhe të evidencohej se paku ndonjë e ashtuquajtur “SONDË”, me një gërmim qoftë edhe simbolik, që do të dëshmonte padyshim gjithë atë që është shkruar deri tash vetëm nga rrëfimet dhe gojëdhënat.
Derisa edhe sot flitet e shkruhet vetëm për gojëdhëna, nëntoka e këtij lokaliteti të banuar që nga koha e Neolitit vazhdon ta ruajë sekretin.
Graniti cilësor i zbuluar pas luftës në Syriganë, në Kosovën e lirë, dëshmon se përbërja e këtyre shkëmbinjve ka origjinë vullkanike.
Runiku - gjurmë të civilizimit të lashtë. Krishterimi i hershëm dhe ortodoksizmi
Treva e Runikut ka mjaft gjurmë kështjellash e monumentesh të kultit, të cilat datojnë edhe para pushtimit romak. Ndërtimi i kishave dhe i manastireve katolike dëshmon një prezencë të pakontestuar të një civilizimi të lashtë në këto troje. Pushtuesi sllav mbi themelet dhe gërmadhat e kishave dhe të manastireve ndërtoi kisha të reja, duke u përpjekur të fshinte të gjitha gjurmët ilire-shqiptare. Deri vonë ka pasur familje shqiptare ortodokse, të cilat nga Kisha Ortodokse Serbe janë regjistruar “serbe”, por ato e kanë ruajtur mirë gjuhën e folur në mesin familjar.
Ka pasur “serbë” që brenda familjes kanë komunikuar shqip, dhe vetë kanë deklaruar se dikur ishin shqiptarë. Duke jetuar në fqinjësi në këtë anë, është parë e dëgjuar sesi dy gra, një shqiptare dhe një serbe, moshatare, kanë komunikuar mes tyre pa e ndryshuar gjuhën. Derisa njëra grua ka folur serbisht e tjetra shqip, ato janë kuptuar pa asnjë problem. Aty-këtu ka pasur edhe martesa të përziera, por kur është studiuar mirë rasti, është qartësuar se fjala ka qenë për martesa mes shqiptarësh të dy konfesioneve dhe asgjë më shumë. Serbët e vjetër gjatë gjithë pushtimit osman janë quajtur “raja”, gjë që është dëshmuar më shumë se një herë se të gjithë ata kishin origjinë shqiptare, por i përkisnin konfesionit ortodoks.
Të tillë ka edhe sot në trevën e Runikut. Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dikur katolikë e ortodoksë e me vonë myslimanë me “serbët” e kohës kanë qenë përherë fqinjësore. Prishja e marrëdhënieve “ndëretnike” ka ndodhur vetëm pas fillimit të kolonizimit serb. Ardhja e kolonëve nga vise të ndryshme të ish-MSKS-së çrregulloi deri në themel marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e ”rajës” në njërën anë dhe kolonëve serbë në anën tjetër. Pasi që nga pala shqiptare pakkush u mor me këtë dukuri, KOS-i kreu punën e tij, duke ia dalë të shkatërronte raportet ndëretnike e ndërkonfesionale deri në themel.
Më së shumti ndikim në asimilimin e shqiptarëve ortodoksë të kësaj treva pati Kisha Ortodokse Serbe, e cila keqpërdori autonominë që gëzonte nga Porta e Lartë në Stamboll për të realizuar planet e saj djallëzore. Mbi të gjitha, pushtuesi serb në regjistrat e Kishës Sllave përfshiu gjithë shqiptarët ortodoksë. Historia e mesjetës sa u përket dokumenteve është falsifikuar në tërësi nga KOS-i. Nisur nga studimet e mbështetura ekskluzivisht në dokumentet origjinale të kohës së pushtimit otoman, historiani i shquar shqiptar prof. dr. Skënder Riza ka arsyetuar me fakte shumicën e teorive mbi popullimin shqiptar të Kosovës, pra edhe të trevës së Runikut, në të gjitha periudhat e historisë. Edhe po të shikohen burimet serbe të kohës, për popullatën shqiptare të kësaj ane shihet e dëshmohet se shqiptarët autoktonë përherë përbënin shumicën absolute të popullsisë.
Kisha e sotme e Runikut, mu pse ishte kishë katolike dhe mu pse popullata vendase u konvertua në fenë myslimane, u shfrytëzua nga pushtuesi serb vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo kishë mbante emrin e “Shën Nikollë Arbrit”. Edhe kishat e sotme ortodokse në Banjë e Cërkolez, dy kisha në Leqinë dhe një në Mirushë(Belicë), u ndërtuan mbi themelet e faltoreve të vjetra shqiptare. Kishat në Leqinë e Mirushë (Belicë) u rindërtuan në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar mbi gërmadhat e kishave të vjetra shqiptare, pikërisht në periudhën kur Aleksandër Rankoviqi po bënte çmos për të detyruar shqiptarët vendas që të shpërnguleshin në Turqi. Për temën e natyralizimit të kishave katolike ka aq shumë fakte, sa nuk ka nevojë për ndonjë studim të ri nga ai me të cilin është marrë me kohë dr. Skënder Riza. Kisha Ortodokse Serbe e di mirë edhe pjesën tjetër të historisë së pashkruar të objekteve fetare që ka përvetësuar.
Gjatë rindërtimit të kishave në Leqinë e Mirushë (Belicë) në vitet gjashtëdhjetë, një grup ekspertesh serbë të ardhur nga Beogradi, morën dhe paguan me mëditje edhe punëtorë fizikë shqiptarë vendas. Ata shqiptarë që punuan në ndërtimet e këtyre kishave kanë vërejtur se gjatë mihjes së themeleve janë gjetur artefakte me rëndësi, dhe ato menjëherë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer asnjëherë. Megjithëse kleri ortodoks i rindërtoi dy kisha në Leqinë, ato nuk u shfrytëzuan asnjëherë. Varrezat përreth këtyre kishave ruajnë plot sekrete, dhe një ditë arkeologët shqiptarë do të mund të zbulojnë të vërtetën.
Ashtu siç e di çdo kolon serb se si është vendosur në tokat e shqiptarëve, ashtu edhe KOS-i e di mirë ku i ka ndërtuar themelet e kishave të sotme, duke filluar nga Graçanica, Deçani, Patriarkana e Pejës, Deviqi e deri tek kishat më të vogla e më të parëndësishme si këto në Runik(ë) dhe rrethinë
.
Gjurmët e para të islamizmit në Runikë
Sa i përket konfesionit islam, dihet se gjatë pushtimit osman në këtë trevë u ndërtuan dy xhami, njëra në Syriganë e tjetra në Klladërnicë. Një kohë pati një xhami edhe në Runik. Dy xhamitë, njëra në Klladërnicë e tjetra në Syriganë në vazhdimësi, gjatë disa shekujve, i shërbyen komunitetit islam. Imamët e këtyre xhamive në fillim ishin të ardhur, ndërsa më vonë, me islamizimin e shqiptarëve, disa familje i shkolluan fëmijët e tyre nëpër mejtepe dhe medrese të ndryshme të kohës, dhe ashtu u ruajt dhe u zgjerua komuniteti religjioz islam.
Në ketë trevë, gjithnjë sipas gojëdhënave, familja Çitaku u islamizua më herët se të tjerat. Sipas gojëdhënave, Çitakët ishin islamizuar menjëherë pas pushtimit osman. Ka edhe rrëfime se qysh kur erdhën turqit i gjetën Çitakët aty të islamizuar, dhe ata i përkisnin këtij konfesioni para pushtimit osman.
Lidhur me origjinën e Çitakëve, në një anekdotë, flitet se si kur turqit kishin arritur në fshatin Banjë kishin gjetur shtëpi të rrethuara me avlli të thurura me thupra të zbardhuara, dhe ata i kishin quajtur: çit-gardh, muri, rrethojë, dhe ak-bardh (d.m.th. muri, rrethojë, gardh i bardhë). Qysh atëherë ato shtëpi dhe familje nga otomanët u evidencuan çartë si shtëpi të komunitetit islam.
Meqenëse gjatë gjithë pushtimit osman nuk kishte shkolla shqipe, pak ndonjë individ arriti të mësojë shkronjat arabe në të ashtuquajturat mejtepe dhe medrese të kohës. Nga kjo anë u shkolluan shumë vonë hoxhallarët si mulla Ali Shala nga Pemishtja (Padalishta), mulla Ilaz Broja nga Kastrioti (Kostërci), por që shërbeu si imam në fshatin Burojë, si dhe Rexhep Bilall Spahiu nga Vitaku e mulla Kadri Dragaj nga Leqina.
Hoxha i njohur mulla Qamili, i cili erdhi këtu nga Gjakova, kreu të gjitha shërbimet fetare , sidomos në fshatrat Leqinë, Kastriot e Çitak për më shumë se 40 vjet, deri para vdekjes. Njihej si hoxhë shumë i ditur, por edhe patriot i shquar. Duke krijuar raporte të mira me fshatarët e Runikut dhe të rrethinës, ai ndikoi në bashkimin e tyre dhe i pajtoi ata sa herë pati nevojë.
Mulla Ilaz Broja i Kastriotit ishte ndër bashkëluftëtarët më të dalluar të Shaban Palluzhës. Ai shërbeu imam në fshatin Burojë prej nga edhe mori nofkën përkatësisht mbiemrin i cili do ta shoqërojë deri në vdekje. Ai u vra nga komunistët sllavë dhe nga shërbëtorët e tyre menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte dhe mbeti ndër patriotët më të dalluar shqiptar. Gjithë jetën ia kushtoi edukimit patriotik të masave të gjera dhe asnjëherë nuk u frikua nga vdekja.
Në Xhaminë e Syriganës imamët janë ndërruar shumë herë, aty ka pasur mungesë kuadri në periudha të konsiderueshme kohore.
Ne xhaminë e Syriganës imam për një kohë të gjatë shërbeu Bislim Avdi Zeqiraj nga një familje e njohur e fshatit. Të rinjve të Syriganës ai ua mësoi shkrim leximin arabisht dhe shqip për disa vite rresht.
Mulla Ali Shala nga Pemishtja njihet si hoxhë i dalluar i kësaj ane, që ka filluar shumë herët përkthimin shqip të Kuranit, për t’ua mundësuar bashkëkombësve që sado pak të kuptojnë përmbajtjet fetare islame në gjuhën amtare. Një kohë ishte imam në xhaminë e Syriganës. Shquhej për urtësi dhe mençuri në të gjitha kontaktet me popullin. Ishte edhe erudit i dalluar, ndaj shumëkush mori mësime të dobishme prej tij.
Mulla Rexhep Bilall Spahiu nga Vitaku, erudit, personalitet i urtë e fjalëpakë, në ballafaqime të drejtpërdrejta, shfaqi dije të thellë, jo vetëm fetare, por edhe kombëtare. Ai nuk u imponua asnjëherë dhe përherë ua lëshonte rrugën edhe të paditurve vetëm për të mos shkaktuar konflikte, por kur dikush e provokonte për dije islame, ai i përgjigjej me gjuhë të denjë shqipe për gjithë përmbajtjen e Kuranit.
Mulla Kadri Dragaj nga Leqina ka shërbyer kryesisht në fshatin e tij dhe njihet si njeri i urtë e patriot. Të gjitha mësimet e tij arabisht i përkthente shqip dhe ka pasur ndikim të fortë tek bashkvendasit në planin e edukimit atdhetar. Kurr nuk është hidhëruar nga bashkëfshataret megjithëse shumë herë është ballafaquar edhe me pyetje provokative. Ia doli të mbetet faqebardhë deri në fund të jetës.
Në xhaminë e Klladërnicës kanë shërbyer imam nga e njëjta familje për një kohë të gjatë. Megjithëse ky fshat në planin e rregullimit administrativ territorial asnjë herë nuk i takonte Bashkësisë lokale të Runikut, imami nga Klladërnica në aspektin fetar u shërbente pesë fshatrave të këtij lokaliteti. Mbahen mend imamet Mulla Fetahu, i biri i tij Mulla Rifati, dhe i biri i Rifatit, Mulla Fetah Hoxhaj ( i dytë) i cili jeton ende.
Origjina fisnore e popullatës shqiptare të Runikut
Popullata e kësaj treve ka origjinë nga disa fise si: Gash, Shalë, Kelmend, Hot e ndonjë tjetër. Meqenëse Kanuni i ndalonte martesat brenda fisit, shumë familje nga Kastrioti, Runiku, Radisheva dhe Syrigana nuk kanë lidhur krushqi mes tyre deri vonë, mu për shkak të lidhjeve shumë të afërta fisnore. Madje, edhe në ato raste kur brenda fshatit ka pasur ndonjë familje të fisit tjetër, shumë herë janë lidhur kumbari e forma tjera afërsie për të evituar edhe martesat brenda fshatit, pa marrë parasysh fisin. Në trevën e Runiku u vendosen edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të shpërngulur me dhunë nga rajoni i Toplicës. Ata dallohen edhe sot me mbiemrat e tyre, si Muhaxheri, Vanja, Konjuhi etj.
Mbiemrat më të përhapur janë;
Çitaku, Miftari, Spahiu, Loshi, Misiri, Sejdiu, Rama, Dautaj, Ahmeti, Hysenaj, Nimani, Dervishaj, Smakaj, Halilaj, Halitaj, Dragaj, Demiraj, Haziraj, Qelaj, Shala, Konjuhi, Hoti, Topalli, Teraku, Prokshi, Bajra, Kajtazi, Çollaku, Suhogërlla, Rrustemaj e Malaj etj.
Pas luftës çlirimtare të UÇK-së në Runikë janë vendosur edhe familje nga fshatrat më të largëta, kështu që sot ka edhe shumë mbiemra të tjerë.
Dikur toka e shumicës së fshatrave të Runikut me rrethinë i përkiste familjes së bejlerëve Begolli të Pejës. Këtë e dëshmon edhe varri i Mustafë Begollit, i cili gjendet në mes fshatrave Tërrnovë, Leçinë dhe Kastriot. Beu nga Peja i vizitonte tokat e tij, dhe gjatë një pikniku, ai vdiq në trekëndëshin e përmendur, ku e ka varrin edhe sot. Shqiptarët autoktonë edhe sot atë vend e quajnë “Te varri i Mustafë Agës”.
Porta e Lartë, një pjesë të tokave të këtyre fshatrave, ia kishte dhuruar edhe familjes së madhe Boletini. Kështu sot në fushat e Tërrnovës gjenden themelet e shtëpisë se Vesel Boletinit me kopshtin dhe bunarin në oborr.
Në pllaka guri janë ruajtur emrat e atyre që meremetuan kronin në periudha të ndryshme kohore. Meremetimi pa mbikëqyrje të ekspertëve të fushave përkatëse shumë herë dalin të mangëta dhe nuk ruajnë elemente të rëndësishme nga historia.
Në plan të parë, kroi i meremetuar, bliri dhe objekti i xhamisë në gjendje jo të mirë. Janë ruajtur të shkruar emrat e tre shqiptarëve të cilët meremetuan kroin në periudha të ndryshme kohore
.
.
Kolonizimi i Runikut dhe rezistenca shqiptare
Sa herë flitet për rezistencën kundër pushtuesit nuk mund të mos përmenden emrat e luftëtarëve si Shaqir Smaka, Kamer Loshi, Shote Galica, Rrustem Birinxhiku, Sinan Shala, Sinan Çitaku, Hashim Çeli, Adem Miftari, Mullah Ilaz Spahiu (Buroja) e shumë të tjerë, të cilët tash e një shekull u bënë gurë themel i historisë shqiptare.
Eruditët nuk harruan asnjëherë kujtimin për heronjtë dhe ua transmetuan brezave të rinj. Rapsodi popullor anonim i përjetësoi ata me zërin e lahutës dhe të çiftelisë për t’i bërë të pavdekshëm. Ata zunë vend nderi në çdo tregim të kësaj ane edhe atëherë kur nuk pati shkronja shqipe.
Kolonizimi i Runikut sipas planit të Qubrilloviqit
Runiku me rrethinë është shembull më tipik i zbatimit të të gjitha metodave të planit të Vasa Qubrilloviqit për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptareve nga trojet e tyre. Kushdo qe ka lexuar planin famëkeq te Qubrilloviqit është bindur me fakte se si u kolonizua Runiku me rrethinë. Më herët u kolonizua Bernjaku, Drethi, Banja, Syrigana, Kotorri e Radisheva. U kolonizuan pikërisht ato fshatra që kishin male e kullosa të mira, me burime të shumta uji e pyje të pasura dhe shtriheshin në grykat strategjike, prej nga mund të kontrolloheshin pjesët tjera të Kosovës. Këto fakte i di dhe njeh çdo serb kolon, i cili ka mësuar saktë kur dhe si është vendosur në tokat e shqiptarëve. Shqiptarët, edhe në ketë pjesë të atdheut bënë luftë të armatosur kundër kolonëve, por në të shumtën e rasteve kjo rezistencë ishte individuale. Kështu, fshatrat Bernjak, Dreth e Banjë u kolonizuan thuaja në tërësi dhe popullata shqiptare u dëbua me dhune nga trojet e tyre. Radisheva, Kotorri, Syrigana e Kastrioti po ashtu u kolonizuan në pjesë të madhe. Me pak kolon u vendosen ne Padalishtë, Vitak e Leqinë.
Për kolonizimin e Runikut me rrethinë ka fakte të mjaftueshme edhe në dokumentet serbe, por edhe mjaft dëshmitarë të gjallë shqiptarë të cilët e panë dhe e përjetuan se si u merreshin tokat e punueshme, arat e livadhet, pyjet e burimet e ujit deri në pragun e shtëpisë, por shumë herë edhe shtëpitë e banimit. Në të shumtën e rasteve, shqiptarët, duke pasur prona tokash më larg qendrës së Runikut, u vendosën përreth.
Fakte të pamohueshme flasin se si më parë u kolonizua fshati Dreth, i cili një periudhë kohore i përkiste Komunës së Istogut (dikur pronë e familjes së madhe Balaj), pastaj Banja, Syrigana e Runiku, ku tokat më të mira iu morën familjeve Çitaku, Misiraj, Dautaj, Miftaraj, Rama, Demiraj, Spahiu, por edhe disa familjeve nga Kotorri e Radisheva, të cilat kishin pasuri edhe në rrafsh, edhe në bjeshkë, ku gjatë verës i kullotnin bagëtinë, ndërsa gjatë dimrit ktheheshin në shtëpi.
Kolonizimi i Runikut vazhdoi edhe në periudhën e komunizmit.
Të gjithë e mbajnë mend vendosjen e dhjetëra shtëpive të kolonëve malazez edhe pas Luftës së dytë Botërore, në një lagje të Runikut, kryesisht në fushat dhe arat e familjeve Çitaku.
Kolonizimi serb vazhdoi deri në rënien përfundimtare të Aleksandër Rankoviqit, në vitin 1965. Në këtë anë ka pasur rast kur fshatari shqiptar e ka blerë tokën stërgjyshore deri tri herë, si p. sh në Runikë, në Kastriot, Syriganë, Leçinë etj. Kotorri e Radisheva, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës, u bënë rezistencë të armatosur kolonëve serbë. Fshatrat Radishevë e Kotorr u dogjën shumë herë rrafsh me tokë nga pushtuesi serb. Shumë herë janë djegur pjesërisht e krejtësisht edhe fshatrat Çitak, Kastriot, Leçinë, Pemishte e Syriganë. Pas kolonizimit (thuaja të plotë) të Kastriotit filloi kolonizimi gradual i Pemishtes (Padalishtës) dhe i Leçinës, por pushtuesi hasi në rezistencë të fortë të vendasve. Edhe shqiptarëve të Padalishtës, një pjesë të madhe të tokave të bukës dhe të kullosave ua mori sistemi komunist që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore.
Shaljanët, Konjuhet Dragajt, Qelajt e Hotët e Leqinës i rezistuan dhunës dhe rrethimit të kolonëve serb për njëqind vjet me radhë. Derisa tek kolonët e Mirushës (Belicës ) defilonin paramilitar nga treva të ndryshme të Serbisë, Leqina u bëri konak trimave shqiptar të rezistencës si Nak Berisha, Sadri Shala, Xhemë Gllareva. Azem Galica, Shaqir Smaka e shumë të tjerëve deri edhe në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së.
Megjithëse kolonizimi vazhdoi në faza të ndryshme, rezistenca e popullatës shqiptare nuk u shua asnjëherë. Për të dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre pushtuesi përdori metoda të llojllojshme të dhunës, që nga vrasjet, dëbimi me dhunë nga tokat stërgjyshore, shpronësimet, dhunimet e plaçkitjet e pasurisë. Në trevën e Runikut operuan njësi paramilitare dhe emisar të posaçëm të Kishës Ortodokse Serbe siç është rasti i Popit të njohur me nofkën Pop Topuzi (turqisht-guxhumi) i cili pati për detyrë dhunën fizike mbi fshatarët shqiptar. Deri vonë ka pasur dëshmitar të gjallë që kanë përjetuar dhunën nga Pop Guxhumi. Armiku shekullor asnjëherë nuk kurseu edhe metodat më të ndyta për të përçarë shqiptarët, por megjithatë nuk ia doli. Propagandës përçarëse të pushtuesit, popullata shqiptare e Runikut me rrethinë iu përgjigj me unitet edhe më të madh. Atëherë kur pushtuesi ua mori arat dhe kullosat shqiptarëve, vendosi rojtar fushe (polar) e po ashtu edhe rojtar pylli (shumar).
Duke ditur mirë traditën shqiptare dhe vendosmërinë e njerëzve për të mos i shërbyer pushtuesit, për punë të rojës së fushës apo pyllit, zakonisht u rekrutua ndonjë shqiptar i lig, pasi që familjet atdhetare kurrë nuk pranuan t’i shërbejnë armikut as me pagë.
Eruditet e trevës së Runikut, kurrë nuk u luhaten nga toka stërgjyshore. Gjatë pushtimit të parë serb, gjatë pushtimit austro-hungarez por edhe gjatë pushtimit të dytë e të tretë serb, runikasit me dekada jetuan pak më larg qendrës së Runikut, por pa humbur asnjëherë shpresën se një ditë do të kthehen serish në tokat e tyre. Shqiptarët e kësaj treve blen më shumë se një herë tokat e tyre nga kolonët.
Runiku gjatë pushtimit austro-hungarez, si vendbanim i madh dhe me pozitë shumë të rëndësishme strategjike, ishte qendër komunale. Gjatë gjithë pushtimit serb, zakonisht i pari i komunës ishte një kolon si Zhivko Vasileviq apo Makarije Lazoviq. Vetëm gjatë periudhës katër vjeçare të pushtimit austro-hungarez, kryetar i komunës ka qenë shqiptari Fejzë Miftari, nga Runiku. Në po ketë periudhë, austro-hungarezët ndërtuan një kamp robërish në qendër të Runikut, përkatësisht lloj burgu në të cilin qëndruan shumë shqiptar të arrestuar të cilët bënë punë të detyrueshme derisa përfundoi se ndërtuari rruga Mitrovicë Pejë deri në Grykë të Rugovës si dhe rruga nga Mitrovica deri në Leposaviq. Në burgun e Runikut kishin qëndruar të arrestuar edhe emra të njohur të luftëtarëve si, Shaqir Smaka, Azem Bejtë Galica e Mehmet Delia por edhe shumë luftëtar të tjerë shqiptar të rezistencës.
Atëherë kur filloi të mësohet Alfabeti i Manastirit
Alfabeti i kolosëve të Manastirit arriti ngadalë në Runikë por shumë shpejtë u përhap në të katër anët. Për një periudhë relativisht të shkurtër në shkollat shqipe të kësaj ane u arsimuan gjenerata të njëpasnjëshme.
Runiku me dymbëdhjetë fshatra ua dha bazën e shkollimit shumë kuadrove të profileve nga më të ndryshmet. Shumë prej tyre bënë emër në Runikë por edhe ata i dhanë emër këtij lokaliteti. Të gjithë ata mësues, arsimtar e profesor, mjek e inxhinier, agronom e veterinar që punuan në Runikë, janë mburrur me përvojën që morën këtu. Ata që shijuan bukën dhe ujin e Runikut nuk e kanë harruar asnjëherë. Mësimdhënësit që punuan në Runikë morën me vete edhe pjesë të kulturës së kësaj ane dhe u dalluan kudo që punuan.
Nuk duhet harruar asnjëherë eruditët dhe rapsodët popullor, shumë herë anonim, të cilët mbajtën gjallë fijet e jetës. Derisa eruditet ua mësuan brezave filozofinë e jetës dhe dashurinë ndaj tokës stërgjyshore, rapsodët më të mirë përjetësuan heronjtë e kësaj ane përmes këngës. Këngën kreshnike nder breza e kanë përcjellë Ajet dhe Sahit Dervishaj nga fshati Leqinë. Në biseda rasti, Bajram Ajet Dervishaj rrëfente se si këngët kreshnike janë kënduar ndër dekada, ndërsa kënga epike për Betejën e Kosovës është kënduar nga shumë breza vetëm në lagjen Dervishaj të Leqinës. Teksti i këngës së Betejës së Kosovës i ka mbijetuar kohës i padëmtuar për as një fjalë dhe rresht. Rapsodët e Leqinës ende mbajnë gjallë shumë këngë të vjetra kreshnikësh e heronjsh. Më zërin e tyre edhe sot mbushin zemrat dhe odat e atdheut rapsodët Rifat Dragaj me djem dhe Isuf Dervishaj me vëllezër. Zëri i këngëtarit popullor lëshoi rrënjë thuaja në çdo fshat të kësaj ane. Sot dallohet edhe grupi i rapsodit Fatmir Bajra nga Terrnova, i cili trashëgoi dashurinë për këngën nga Tafil e Abdyl Bajra, Xhevat, Gani e Muhamet Bajra. Kënga u kultivua brez pas brezi, sidomos në Leqinë. Kënduan e këndojnë edhe sot edhe Qelajt, Shaljanet e Hotet e këtij fshati.
Pemishtja (Padalishta) e sotme e Drenicës së Epërme, pas largimit të pushtuesit shekullor osman, u përball me sulmin e pushtuesit serb. Derisa nga luftërat ballkanike populli shqiptar doli i copëtuar e i pushtuar, Lufta e Parë Botërore në trojet shqiptare solli pushtues të tjerë. Austro-Hungaria, megjithëse ndoqi ushtrinë sllave deri në Selanik e Korfuz, në tokat e arbrit nuk arriti ta konsolidojë pushtimin. Megjithatë, gjatë katër vjetëve të pushtimit austro-hungarezët piketuan ndërtimin e shumë rrugëve të rëndësishme që lidhnin trevat e Shqipërisë. Rruga që lidh Mitrovicën dhe Pejën edhe sot u ndërtua pikërisht gjatë pushtimit austro-hungarez. Rruga e re kësaj treve i solli edhe telashe të reja. Megjithëse ndërtimi i rrugëve përherë ishte vlerësuar si civilizim dhe lidhje më e fortë mes popullit, as kësaj radhe shqiptarët nuk po e shihnin këtë si shenjë të mirë në trojet e tyre. Për katër vjet të pushtimit austro-hungarez, familje të panumërta rrënuan shtëpitë e tyre kudo që kishin rastisur afër rrugëve dhe gradualisht u vendosën në distancë të mjaftueshme larg tyre. Jo pak krijues tanë, historian e shkrimtarë, kanë vërejtur mirë këtë dukuri, që për rrethanat e sotme duket e pazakonshme.
Se sa kishin të drejtë shqiptarët autoktonë që po vendoseshin larg rrugëve u pa shumë shpejt me të mbaruar Lufta e Parë Botërore. Aleanca anglo-franceze-ruse, që doli fituese nga kjo luftë shfarosëse, e shpërbleu Serbinë me territore të mëdha shqiptare e austro-hungareze. Serbia u zgjerua edhe deri atje ku nuk kishte imagjinuar asnjëherë me planet e saj më të errëta. Meqenëse Anglia, Franca dhe Rusia diktonin se kush çka fitoi shqiptarët, si zakonisht, të përçarë së tepërmi, edhe kësaj radhe dolën humbësit më të mëdhenj krahas Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë, e cila u nda në dysh. Prej saj dolën dy shtete të vogla: Austria dhe Hungaria e sotme. Turqia, e cila me shpresë se do të mbajë për vete trojet shqiptare, humbi edhe shumë territore që nuk i kishte paramenduar t’i humbiste asnjëherë.
Fillimi i menjëhershëm i kolonizimit serb të tokave shqiptare i paraparë nga Kisha Orttodokse Serbe dhe hartuesit e njohur të elaborateve antishqiptare vepruan rrufeshëm. Kolonizimi i Kosovës sidomos bri rrugëve, grykave strategjike, tokave më pjellore, burimeve të ujit, kullosave e pyjeve më të mira, filloi shpejt. Në fokus të kolonëve që në fillim ishte treva e Runikut e cila i përket Drenicës së Epërme dhe përherë është quajtur Koka e Drenicës. Pikërisht në ketë pjesë të Kosovës, Serbia filloi vendosjen e kolonëve të përzgjedhur me strategji të qartë. Ata, posa u vendosen, filluan zbatimin e planifikuar të të gjitha mënyrave të dhunës mbi shqiptarët. Së pari iu mor toka e punueshme familjeve të mëdha si Miftari, Dauti Misiri, Çitaku, Rama e kështu me radhë.
Ka fakte e dokumente të mjaftueshme se si u kolonizuan fshatrat e Drenicës së Epërme: Kalludër, Bërnjak, Dreth, Banjë e Syriganë dhe me radhë Runiku, Radisheva, Kotorri e Kastrioti.
Bërrnjaku dikur banohej nga shqiptarët e Prekazit të sotëm dhe sipas shënimeve pjesa e mbetur e popullatë se këtij vendbanimi që i përkiste konfesionit ortodoks shumë shpejt u asimilua dhe ata u regjistruan pa dashur serb. Fshati malor Dreth ishte pronë e familjes Balaj, të cilët u detyruan me dhunë të shpërngulen prej aty në Cerkolez, disa në Rakosh e disa në Syriganë por edhe më larg, deri ne Prishtinë. Familja e madhe Çitaku u dëbua nga Baja me dhunë. Gjithë fshati i sotëm Çitak dhe gjysma e popullatës së Leqinës kanë origjinë nga Banja dhe i përkasin të njëjtës familje dhe të njëjtit fis.
Kolonët serbë morën të gjitha arat pjellore, burimet e ujit dhe malet e kullosat e njohura të Radishevës e Kotorrit. Turri i kolonëve pati sukses edhe me rastin e fshatit Kostërc, sot Kastriot. Rezistenca e Shaqir Smakës nga Kostërci zvarriti vetëm për pak kohë kolonizimin e fshatit. Me vrasjen e Shaqirit, shumica e tokës pjellore e Kostercit u bë pronë e kolonëve. Rezistenca e armatosur shtyu përkohësisht vrullin e kolonizimit.
Sulmi i kolonëve mbi Padalishtë, sot Pemishte, fshat të cilin e ndan lumi në dy pjesë nuk dha rezultatet e pritura për pushtuesin serb. Padalishta e Kamer Loshit filloi rezistencën e armatosur. Kolonët e përkrahur nga xhandarmeria serbe ndërprenë përkohësisht kolonizimin e Padalishtës por edhe të Leqinës duke ndryshuar strategjinë për të kolonizuar më parë Mirushën(Belicën) në mënyrë që të ndërpriten lidhjet mes fshatrave shqiptare.
Të shkruash për qëndresën e leqinakëve kundër kolonizimit është goxha temë pasi që aty u vendosen disa shtëpi kolonësh por gjithçka u mbeti në fyt. Fatkeqësisht për temën e kolonizimit serb është shkruar e folur fare pak, kur dihet se çka ndodhi ne terren. Edhe sot kushdo që ka interes mund të vizitoje Leqinën dhe të bindet me fakte. Qëndresën heroike të Leqinës e transmetuan brez mbas brezi eruditet e kohës te cilët edhe në rrethanat më të vështira ia dolën të mbijetojnë në tokën stërgjyshore.
Familja e madhe Loshaj rrokën ato pak armë që kishin dhe në këtë drejtim priu Sylë Loshi me djem e pastaj edhe Kamer Loshi me vellezër dhe fqinjë. Në një situatë thuaja pa shpresë Sylë Loshin një ditë e arrestojnë dhe e dergojnë në stacionin e xhandarmerisë në Runikë, prej nga nuk doli i gjallë. Kamer Loshi me vëllezër dhe shokë mori malin i armatosur. Trimat e kësaj toke nuk ishin frikësuar asnjëherë nga vdekja. Duke qenë i përndjekur nga pushtuesi serb, Kameri me shokë kohën e kalonte nëpër male por një ditë ai gjendet i rrethuar në një kullë kolonësh në fshatin Mirushë(Belicë). Aty u zhvillua lufta e fundit e Kamerit.
Atë ditë kur pushka nuk kishte pushuar me orë, në mbrëmje të vonë me shi, xhandarmeria serbe kishte sjellë edhe topat. Nen zjarrin e pa ndërprerë të armëve Kameri ishte plagosur rëndë por krismat nuk kishin pushuar dhe xhandarmeria me ushtri duke parë se nuk ka fuqi për të nxjerrë nga kulla Kamerin, dërgon ndërmjetësues. Dëshmitë e kohës flasin se në mesin e xhandarmerisë ishte me uniformë edhe një shqiptar me emrin Ramadan Vinarci. Dialogu i Ramadanit me Kamer Loshin nga distanca dhe në errësirë të plot krahas shiut ishte dëgjuar larg. Derisa vazhdonte ndërmjetësimi me shpresë se të rrethuarit mund të dalin të gjallë, dikush duke dëgjuar mirë bisedën dhe zërin prej nga po vjen, shtie me pushkë dhe vret në vend Ramadan Vinarcin. Në ndërkohë me urdhrin e Kamer Loshit, shokët e çetës tërhiqen një nga një, krahas zjarrit të pandërprerë të Pushkës së Kamerit. Derisa jehona e pushkës vazhdonte në malet e Mirushës (Belicës) ,shokët e Kamerit ishin larguar të sigurt nga rrethimi.
Kameri i plagosur rëndë po godiste armikun me fishekët e fundit duke mos u dorëzuar deri në vdekje. Qëndresën e Kamer Loshit e përjetësoi rapsodi popullor me këngën tashmë të njohur, por e cila duke u kënduar edhe nga rapsod të tjerë ka humbur shumë nga përmbajtja e saj reale dhe artistike që kishte.
Vetëm pas largimit të ushtrisë austro-hungareze do të shihen pasojat e pastrimit etnik që filloi të zbatoi Serbia, nen firmën e të ashtuquajturës Mbretëri Serbo-kroate-sllovene, shkurt MSKS.
Kosova si vilajet i dikurshëm turk ,sipas organizimit serb u nda ne tri të ashtuquajtura banovina: Të Vardarit, Moravës dhe Zetes. Qe ne fillim Serbia shfaqi haptas pretendimet e saj për të likuiduar etnikumin shqiptar nga trojet e veta.
Drenica e Epërme më herët se pjesët tjera të Kosovës i nënshtrua terrorit të hapur të kolonëve serb që po vendoseshin bri rrugës strategjike që lidhte Mitrovicën dhe Pejën.
Pemishtja e Kamer Loshit
Sa herë përmendën fshatrat e Drenicës së Epërme, në Historinë shqiptare, lexuesi patjetër do has emrin e Pemishtes.
Nëse e quajmë Pemishtja e Kamer Loshit, nuk hidhërohet dot njeri. Historia e kësaj ane nuk paramendohet pa emrin e tij. Pemishtja ka edhe emra të tjerë që i bëjnë nder jo vetëm këtij fshati, por Kameri qëndron shkëmb graniti para të gjithëve. Ai i bënë roje nderi atdheut të tij, tash një shekull. Ai u bë shembull burrërie e trimërie në kohë të vështira.
Reportazhet e sotme janë vetëm një përkujtim në përvjetor pa numra e data. Reportazh për Pemishten mund të shkruaj kushdo që ka mësuar 36 shkronjat e arta të Kongresit të Manastirit, ngase ka për çka të shkruaj, dhe mund të shkruaj vetëm ai kalemxhi, i cili njeh mirë rregullat sintaksore të gjuhës shqipe, të cilat, këtu, nuk arriti t’i pushtojë e rrënojë asnjë armik gjatë shekujve. Vetëm duke respektuar rregullat drejtshkrimore shqipe dhe Alfabetin e Manastirit respektohet edhe për se vdekuri kushëriri i Kamerit, Jashar Loshi
Të shkruhet një reportazh për një fshat siç është Pemishtja është punë jo fort e lehtë. Jo me dy, por edhe me qindra faqe shkrimi nuk do mund të përfshiheshin, puna, heroizmi, kultura dhe vendosmëria e banorëve te këtij fshati, të cilët i mbeten besnik tokës stërgjyshore, si vetë jetës.
Heroi dhe rapsodi
Bashkëfshatarët e Kamerit ndiqnin lëvizjen e trimit me mençuri dhe e njoftonin shumë herë se kur dhe ku e kishin kërkuar armiqtë. Një natë kur kishte zënë vend në një shtëpi koloni, ne Mirushë (Belice), atë e rrethoi xhandarmeria serbe dhe prej andej nuk doli i gjallë.
Teksti i këngës për luften dhe qëndresën e Kamer Loshit saktësisht është hartuar e përpunuar ne Leqinë por si zakonisht me kohe rapsodët e kopjuan dhe e modifikuan. Megjithëse versioni i pare i këngës kishte dallim jo te vogël nga ai qe e këndoi me zemër Dervish Shaqa rapsodi, sot e kësaj dite identifikohet me vete heroin.
Duke kënduar Kamer Loshin, rapsodi i njohur Dervish Shaqa sikur personifikohej edhe vetë me trimin.
Këngëtari popullor anonim, Kamerin e bëri të pavdekshëm me vargjet:
“Kamer Loshi, Kamer Sejdia
Nuk dorëzohet pa u djeg shpija
Për pa marrë kulla flakë
Për pa i ra zharava në qafë
Thërret Kameri o Murat
Merr kutinë o me sahat
Merr sahatin e merr kutinë
Ma Kameri duhan nuk pinë”.
Kamer Loshi nuk ka as varr, as pllakë, as muranë
Kamer Loshi nuk ka varr siç nuk ka as Shaqir Smaka i fshatit Kastriot.
Ai u dogj në kullë, aty ku luftoi deri në vdekje. Çeta e tij çau rrethimin me ndihmën e pushkës së Kamerit, gjëma e së cilës nuk pushoi derisa u shemb kulla nga zjarri. Është koha të kemi edhe muze edhe monumente kulture. Është koha për të bërë diçka që mund të bëjmë e duhet ta bëjmë. Ndryshe historia nuk do e na falë kurrë.
Sahati, (ora e xhepit) kutia e duhanit dhe çibuku i Kamer Loshit thuhet se kanë ekzistuar deri vonë dhe janë ruajtur nga dikush, po vallë sot ku janë?
Për këtë duhet Muzeu në Runikë.
Historia jonë tashmë ka truall. Dokumentet dhe faktet duhet të vendosen atje ku e kanë vendin dhe ku mund t’i shohin të gjithë. Dëshmitë, më nuk ka nevojë të ruhen nëpër xhepa e nëpër dollap personal.
Historia jonë tashmë ka truall. Dokumentet dhe faktet duhet të vendosen atje ku e kanë vendin dhe ku mund t’i shohin të gjithë. Dëshmitë, më nuk ka nevojë të ruhen nëpër xhepa e nëpër dollap personal.
Mujë Loshi i Drenicës dhe i Podgurit
Plaku i urtë Mujë Loshi (sikur fshati i tij Padalishta) u përket dy komunave: Skenderajt dhe Istogut. Ky problem jo pak herë e vuri në siklet Mujë Loshin, por në asnjë ndeje a pajtim nuk është vërejtur tek ai kurrë. Dy fshatra: (Padalishta) Pemishtja dhe (Suhogërlla) Syrigana ndahen në dysh nga një lum i vogël. Ato u përkasin dy komunave: Istogut dhe Skenderajt. Sa herë kujtojmë Anton Çetën dhe pajtimin e gjaqeve në Kosovë, me siguri auditorit i kujtohen edhe shumë fytyra pleqsh me plisa, me trup vital, të mençur e të urtë që bënin kolonën e gjatë e të pa fund të krushqve të pajtimit kombëtar. Në mesin e tyre pleqve të urtë, me një fizik të drejtë linte përshtypje një njeri që ia dinte rendin fjalës për të zbutur edhe gurin e për të pajtuar zemrat. Ai ishte vetë Mujë Loshi.
Pak kujt i kishte thënë Mujë Loshi se kur e kishte ndier vetën në siklet. Për këtë duhet shkruar me parë se prej nga ishte ai, apo siç thotë populli prej nga mbahej. Ai ishte lindur e rritur në fshatin Padalishtë (tash Pemishte) të Skenderajt. Po Padalishta nuk është e tëra e Skenderajt, ngase zoti e ka krijuar aty ku një lumë (përroskë) ndanë fshatin në dysh. Gjysma tjetër e Padalishtës i takon komunës së Istogut. Po, Muja ishte brenda kufirit administrativ të Drenicës, përkatësisht Skenderajt. Sa herë që rastiste të gjendej nëpër odat e Dukagjinit atë e quanin plaku i Drenicës ndërsa kur gjendej në territorin e Drenicës e quanin plaku i Dukagjinit. Muja, siç ishte, i urtë e i ditur, para çdo ndeje, kudo që gjendej, e studionte mirë odën dhe përbërjen e saj. Kështu urtësia e nxori faqebardhë përherë. Kudo dhe kurdo, kur kishte zënka e mesele të rënda, ai i zbuste me mjeshtri.
Nëse shkruan dikush për mua, thoshte Mujë Loshi, mos të harrojë të shkruaj edhe për sikletin që me ndoqi, në të dy anët e lumit që ia ndante fshatin. S’mund t’i harroj asnjëherë fjalët provokuese që më drejtoheshin, varësisht nga treva se ku gjendesha, thoshte Muja. Kur udhëtoja për Istog e dija që më parë se atje më presin me njëfarë ironie: “O plaku i Drenicës”. Shpesh i dëgjoja të thoshin edhe prapë si me njëfarë ironi; shihe atë plakun e Drenicës. Ngjante edhe për ta provokuar e pyesnin, nga ishte. Asnjëherë nuk ishte prekur si të tjerët Muja ngase kudo që ka kalëruar mendonte vetëm shqip. Asnjëherë ai nuk i ndau njerëzit me treva, fise e bajraqe. Kjo dukuri më ka trazuar shpirtërisht, thoshte Mujë Loshi. Po janë shumë fshatra të fundit të krahut verilindor të Dukagjinit të cilat vetë rrafshi i thërret Drenicë; si Rakoshin, Kerrninën, Shushicën, Zhakovën, Uçën e Cëkolezin. Këto fshatra shumë herë, edhe sipas nevoje a për ironi, ana e Istogut i quan Drenicë. E njëjta gjë vlen edhe për fshatrat; Runik, Kostërc, Leqinë Padalishtë, Çitak e Syriganë, të cilat Drenica qendrore i quan po ashtu me ironi fshatra të Podgurit - Dukagjinit. Po Mujë Loshi mbetej gjithnjë në mes. Shpeshherë vihej në siklet, por shumë më shpesh i bëhej nderim i posaçëm.
Pse binte në siklet Mujë Loshi?
E ndiente vetën në siklet ai kur përkatësia rajonale merrej si nënçmim apo shumë herë edhe për të poshtëruar njërën apo palën tjetër. Jam ndier ndonjëherë si në ferra, thoshte Mujë Loshi. E po të çuditshëm jemi, vazhdonte ai. Ama ndarjen e bëjnë të ligjtë, jo burrat. “Ne shqiptarët jemi pak, e nuk ndihesha mirë”, thoshte ai. Po, mençuria e nxori Mujë Loshin shumë herë nga sikleti. Kurdoherë që pati rastin të merrte pjesë në pajtimet e ndryshme të gjaqeve nëpër Kosovë doli faqebardhë. Ai nuk dorëzohej e as nuk bënte dallime lidhur me përkatësinë rajonale, gjë që shumë herë bëhej temë e intrigantëve. Jo një herë, ai ishte mburrur me Xhemail Abrinë dhe me krenari kishte përdorur mendimet e tij për të zgjidhur probleme të ndryshme duke pajtuar gjaqe e ngatërresa.
Ai nuk u pajtua asnjëherë me ata që përçanin dhe përherë ishte në anën e atyre që mbillnin shpresë pajtimi e bashkimi. Nuk do të përdorte meseletë e tij asnjëherë pa rend e vend. Mu për këtë ai u bë shumë i dashur dhe përherë ishte me suitën e Anton Çetës për të pajtuar njerëzit në situatat të rënda. Moti kish kuptuar pasojat e fjalorit e të retorikës poshtëruese, andaj i shmangej me mjeshtri e urti. Kush ka pasur rastin të dëgjonte Mujë Loshin ka regjistruar edhe mendime të arta nga ai. Nuk i vinte keq edhe të rrëfente me mjeshtri mendime të urta e mesele të këndshme prej të cilave gjithmonë mund te nxirrej mësim...
Mujë Loshi zihet peng me fjalët e tij
Njëherë, Mujë Loshi, në një ndejë rasti duke biseduar me Ramadan Kodrën nga Leçina i thotë: Ramadan, ti nuk po din me fol nëpër oda e as mesele, prandaj sa herë që nuk din diçka eja e më pyet mua. Ramadani një fshatar i urtë, punëtor e i ditur, pak kohë më vonë, pas të korrave, pasi e kishte fshirë grurin, nuk kishte mullar për ta rregulluar kashtën. Mendoi bukur gjatë dhe tha me vete, po shkoj e po e pyes Mujë Loshin. Ai më ka thënë me e pyet kurdoherë që nuk di ndonjë punë. Shkoi në shpi të Mujë Loshit e po i tregon pse ka ardhur: Grurin e fshiva, po tash nuk po kam mullar ta rregullojë kashtën, tha Ramadani. Nuk kam zabel timin, e thash me shkua e me pre ndonjë lis në zabel të huaj mund të gjej belanë. Erdha me të vetë se çka të bëjë. Muja u zu ngushtë dhe s’kishte më fjalë. Ashtu ishin marrë vesh edhe më herët.
-A din çka Ramadan, tha Muja. Shko në zabel timin e prej mullarin, dhe mos eja të me pyesësh më asnjëherë.
Mujën, njëherë e kishin zënë ngushtë disa fëmijë
Një ditë, fëmijët në rrugë, kishin parë plakun teksa po udhëtonte në drejtim të qytetit dhe e kishin ndaluar për ta pyetur për një çështje krejt banale: “Kur është lopa më e rëndë”, a mund të na tregosh o plak, se po dukesh me qenë i mençur, i thanë ata.
- Po! Kishte qeshur Muja. Pas kishte thënë shumë mendime, e kishte parë se nuk ia kishte qëlluar. Përgjigjen e kishte marrë po nga fëmijët.
- “Po kur të shkel lopa në këmbë, është më e rëndë, iu kishin përgjigjur fëmijët.
- Ia kanë qëlluar, thoshte Muja. Edhe pse ishin të vegjël, mirë e kishin zgjidhur problemin, tregonte duke qeshur plaku i urtë, Mujë Loshi.
Përpara i merr mendtë apo paratë (parët)
Teksa një ditë po udhëtonte në fshat, në rrugë e takon një djalosh. Me të hyrë në fshat, Muja po shikonte dy lisa të vjetër. E pyet djaloshin, duke drejtuar dorën, kah lisat. Me e pa, në njërin lis një thes pare, dhe në tjetrin një thes mend; në cilin lis ishe ngjitur. Djali pa menduar shumë iu kishte përgjigjur se do të ngjitej në lisin ku ishin mendtë. Muja, pa një pa dy, po i thotë djaloshit: Po, e pash që nuk e ki asnjë kokërr (mend). Djaloshi ishte prekur goxha mirë duke menduar se me mend mund të arrihej çdo gjë. Po, plaku, e kishte pajtuar. Po të kishe mend or djalosh, nuk do të ngjiteshe fare në lis, e mbyll bisedën, Mujë Loshi.
Një herë disa të rinj kishin kërkuar nga Muja t’ua mësojë do mesele. E mor djem, ishte përgjigjur ai, meseletë duhet ditur se kur dhe ku të përdorën. Përdorimi i tyre pa vend shkakton bela e mund të ndodhë edhe të hani dajak.
Materialisht nuk qëndronte edhe aq mirë. Për të ruajtur dinjitetin njeriut i duhet edhe baza materiale. Këtë problem Mujë Loshi e shpjegonte me pak fjalë; Nëse më pyetni a jam i mençur: unë, do të përgjigjesha: Unë jam i ditur. “Unë di për gjithë dynjanë por nuk di për veti”. Vetëm ai që di për veti është i mençur, thoshte pa u ngushtuar fare.
Mujë Loshi te mjeku
Pak ditë para vdekjes Muja shkoi për vizitë te mjeku Agim Haliti (nuk është gjallë) në Runikë. Gjatë vizitës Muja po i thotë mjekut: A e sheh se çfarë koke po vdes?
Agimi një mjek i vërtetë e kishte diktuar se Muja po numëronte ditët e fundit dhe ashtu siç ishte kishte nevoje për kuraje njeriu i tha: O baca Mujë edhe nëse vdes kokën do ta lëmë jashtë dhe zëri yt s’ka për t’u fikur kurrë. Dhe vërtet emrat dhe mësimet e eruditeve si Mujë Loshi nuk mund të harrohen lehtë
.
.
Fletëza jete e historie nga Leçina
Në Leçinë sot mund të shkosh në çdo kohë e në çdo stinë përmes rrugëve të asfaltuara. Nëse nisesh nga Mitrovica në drejtim të Pejës, në hyrje të fshatit Çitak, aty ku dikur zbrisnin udhëtarët nga autobusi, tash nga larg vërehet rruga e asfaltuar, e cila lidh Leçinën Kastriotin, Terrnovën dhe Mirushën (Belicën), e prej andej edhe Kerrninën.
Rrallë ndonjë fshat i kësaj ane ka pasur shtëpitë e shkapërderdhura ashtu si Leçina.
Dikur 400-500 metra distancë dukeshin si 500 kilometra. Sot gjithçka frymon ndryshe. Mund t’ia mësynë Leçinës edhe përmes rrugës së dytë, aty në Padalishtë, dhe për pak minuta, këmbë apo me veturë, arrin tek shkolla e fshatit, i cili dikur dukej i pa arritshëm. Andej dikur mund t’i shihje vetëm vendasit, të cilët ishin të lidhur me atë tokë si me vetë jetën.
Njerëz mikpritës ka pasur përherë Leçina, ndërsa puna për ta ka qenë shkronjë dhe fjalë e parë. Shënimet e rastit nuk mund të përfshijnë gjithçka, por shkrimi është mirënjohje morale për ata njerëz që ia dolën të ngulitën aty përballë pushtuesve të egër të cilët u ndërruan shumë herë gjatë historisë. Edhe fshatrat për rreth kanë më shumë fjalë të mira për Leçinën se për vetveten. Zënkat ndër vëllazërore në Leçinë janë të pa njohura, ndërsa fshati merret si shembull i mirë për dhjetë fshatrat e rajonit të Runikut.
Dikur dihej sa shtëpi ka fshati, por tash statistikat ndërrojnë për ditë dhe kryeplaku i Leçinës e ka zor të thotë një shifër. Dikur çdo shtëpi-oxhak numërohej e gjallë dhe me njerëz që bënin jetë, ndërsa sot shumë familje ia kanë mësy qyteteve, por edhe Runikut, i cili po rritët përditë.
Megjithëse, ky fshat tashmë është lidhur shumëfish me rrugë të asfaltuara, Leçinakët rrallë e për mall shohin ndonjë gazetarë t’ia ketë mësy këtij vendbanimi të dalluar dhe shembull qëndrese. Të shkruash për Leçinën, e të mos e përmendesh shkollën gjithçka do të mbetej mangu. Dikur, pas të ashtuquajturës Luftë e Dytë Botërore, kur po propagandohej se liria kishte ardhur në Leçinë, kjo nuk ishte vlerësuar ashtu nga fshatarët e këtushëm. Kur u hap shkolla e dikurshme katërvjeçare, ishin përfshirë një numër i vogël nxënësish, ndërsa anasit, lirinë e ëndërruar nuk po e shihnin. Tani fshati ka dy shkolla fillore dhe kuadër të nevojshëm për mësim.
Puna dhe kënga kanë mbajtur gjallë leçinakët
Në Leçinë nuk ka pasur asnjë rast kur njerëzit të jenë rrezikuar nga thatësia dhe ajo tokë ka dhënë bukë për ekzistencë edhe në kohën e pushtimit austro-hungarez, atëherë kur nuk kishte rënë shi tre vjet rresht, tregonte dikur plaku i urtë Bajram Ajeti. Nuk ka lloj drithi a j peme të cilën nuk e bënë toka e Leçinës.
Sido ta hedhësh farën në ketë tokë ajo mbinë mbarë theksonte përherë Bajrami. Arat tona gjithherë na e kanë shpaguar punën., thoshte bacë Bajrami. Banorët e vyeshëm të këtij fshati, një kohë kanë prodhuar më shumë grurë e misër, se sot disa fshatra së bashku. Leçinakët ishin punëtorë të dalluar, ashtu si toka e tyre për bereqet.
Jo fort moti fshatarët e këtushëm duke hapur toka të reja ruajtën çdo fidan peme të egër të cilat i shartuan dhe Leçina jo vetëm që nuk pati nevojë të lakmojë fshatra të tjera për prodhimin e pemëve, por u bë prodhuese e shumë llojeve të frutave cilësor, që dalloheshin në tregjet e Mitrovicës e të Pejës. Tregimi popullor për pemë frutore të jashtëzakonshme rrënjët i ka në Leçinë. Këtij fshati, jetën mund t’ia kthejnë vetëm njerëzit e vetë, të cilët ia njohin mirë zemrën asaj toke. Zbrazja e heshtur e fshatit që po ndodhë tash nuk po i pëlqen askujt.
Serbët nuk ia dolën ta kolonizojnë Leçinën
Pas kolonizimit të Runikut si pikë neuralgjike ku gravitojnë edhe sot dhjetë e më shumë fshatra të Drenicës së Epërme, pushtuesi solli kolon edhe në zemër të Leçinës. Toka më pjellore, kullosat dhe malet që ishin baras me ekzistencën e fshatarëve, iu morën shqiptarëve dhe iu ndanë kolonëve serb. Vendasit nuk menduan për shpërngulje, hapen toka të reja dhe kështu me dekada lufta për mbi jetesë vazhdonte më vendosmëri. Shpresa e Leçinakëve se liria do të vjen një ditë nuk u shua asnjëherë. Largimi nga fshati, më herët nuk është imagjinuar kurrë. Kështu ishte edhe në luftën e fundit e cila këndej zgjati më shumë se dy vjet.
Trimërinë e Sinan Shalës e ndjek Hysen Shala
Mungojnë datat e shkruara për heroizmin e Sinan Shalës. Mungojnë shënimet më elementare për njerëzit e zot të kësaj ane. Mungon historia e shkruar ngase alfabeti ynë shumë vonë nisi udhëtimin nga Manastiri.
Sinan Shala, djalë më autoritet në Leçinë, kishte ditur mirë se një ditë do të përballët me kolonët dhe likuidimi i tij ishte bërë cak. Fallangat çetnike të kolonëve serb kishin liri të plot veprimi ndaj popullatës vendase shqiptare.
Një ditë u sulmua kulla e Sinanit, por trimi nuk u zu në befasi. Në përballje me armikun shekullor, përkrah tij qëndroi e ëma deri në çarjen e rrethimit.
Jo vetëm nata kur u sulmua, por gjithë jeta e Sinanit ishte luftë. Në të gjitha ato përballje, biri i Leçinës doli fitimtar. Pushka e asaj nate në krahun e trimit, la të vdekur një paramilitarë serb, ndërsa jehona e saj do të ruaj me vite si hije fshatin. Po atë natë, Sinani arratisët në Shqipëri. Historia e qëndresës së tij nuk u harrua asnjëherë nga bashkëfshatarët.
Këngën e Nak Berishës e vazhdon ajo e Hysen Shalës
Në lagjen Dervishaj, pesë brezni me radhë kanë ruajtur përmendësh tekstin e plotë të këngës (18 faqe tabak) për Betejën e Kosovës. Edhe sot thuhet se rapsodët e këtij fshati nuk kanë thurë këngë pa vepër. Lufta dhe kënga e Nak Berishes është e lidhur ngushtë me Leçinën, me njerëzit e saj, me jetën dhe vendosmërinë e tyre për të jetuar aty, në trojet stërgjyshore.
Edhe atëherë kur “fqinjët” kolon nga Mirusha(Belica) i vrasin djalin e vetëm Abdyl Ukës, në Leçinë nuk mbretëroi frika po vendosmëria për jetë.
Oda e Abdylit ishte konak i përhershëm për trimat. Nak Berisha aty kaloi shumë herë natën. “I pari i komites”, siç i thoshin vendasit, bëri planin. Gjithçka ishte përgatitur mirë. Vrasësit e djalit të Abdylit do të dënoheshin nga pushka e Nakut. Në Mirushë, “Kryqet e Belicës” ishin vend i duhur. Nak Berisha me shokë po hynte në histori. Këngëtari popullor, kësaj lufte i këndoi me zemër.
“Krisi pushka në Belicë te kisha
Po lufton o Nak Berisha.
Lufton Naku o me Sadrinë,
E vranë Tocën e Todosinë,
E vranë Spasën e Dimitrinë”.
Në atë përballje u vra Sadri Shala, një nga trimat më të mirë të çetës së Nak Berishës.
Kënga e trimërisë në Leçinë do të përtërihet më vonë me heroizmin e Hysen Shalës. Heroizmin e Hysen Shalës e përjetësoi rapsodi i sotëm Rifat Dragaj, nga i njëjti fshat.
Biri i popullit u bëri ballë me një sëpatë katër çetnikeve të armatosur deri në dhembë. “Loja” e tyre e planifikuar me birin e Leçinës dështoi. Shumë dëshmitarë edhe sot mbajnë mend heroizmin e Hysenit. Po ta këndosh trimin ishte punë e rrezikshme në atë kohë. U dënua, u izolua e u persekutua jo vetëm Hyseni, por edhe gjithë familja e tij në kohën e pushtimit sllavo-komunist. Hyseni vdiq i ri nga pasojat e torturave, menjëherë pasi u lirua nga burgu famkeq i Pozharevcit ku vuajti dhjete vjet.
Rapsodi Rifat Dragaj i këndoi trimit edhe atëherë kur ishte e ndaluar. I këndoi pa frikë se do dënohej. Kështu edhe ndodhi. Në një dasmë në komunën e Istogut, derisa Rifati po këndonte në gëzimin e një familje, atje e arrestojnë dhe e dënojnë me burg, pse ka kënduar këngë për Hysen Shalën.
“Leçina nuk i harron djemtë e vetë, o jaran”, thotë edhe sot Rifati.
Do t’i këndojmë ne gjithmonë ata që nuk ditën ç’është friga, ata që ndër shekuj mbajtën të gjallë shpresën për jetë, pa u frikuar dhe pa menduar kurrë për vdekjen. Lavdia e Hysenit i takon vetëm atdheut, shton rapsodi i Leçinës, Rifat Draga.
Siç dihet, Hysen Shala, me një sëpatë, u bëri ballë katër çetnikëve të Belicës, të armatosur deri në dhëmbë, duke dalë fitimtar ashtu si edhe pararendësit e tij.
Sot, kushdo që ka interes, mund të shkojë atje, në çdo kohë e stinë të vitit, dhe të bindet për çdo gjë.
(Sqarim; Historia e Sinan Shalës lidhet me social-demokratin serb Tomasheviq nga Syrigana. Falanga çetnike, trupin e pjesëtarit të vetë, të vrarë atë natë nga pushka e Sinanit, e bartë disa kilometra deri në Syriganë, për t’ia lenë në derë Maksim Tomasheviqi, vetëm pse ai kishte marrëdhënie të mira me shqiptarët. Ai akuzohet për vrasje pa ditur asgjë dhe vuan katër vjet burg në Shkup, derisa mësohet e vërteta për ngjarjen e asaj nate
)
)
Kur Kastrioti mësoi alfabetin e Manastirit
Burimin e fjalës Kostërc studiuesit e kanë nxjerrë nga fjala latine kastella, që do të thotë kështjellë. Kështjellë, jetë e punë, ishte Kastrioti i sotëm i Drenicës dhe ashtu mbeti. Jetën aty nuk arriti ta shuajë asnjë pushtues. Atëherë kur historia shkruhej pa shkronja, kur përrallat tregoheshin në heshtje, kur shkronjat e Alfabetit të Manastirit ende nuk kishin filluar rrugëtimin nëpër tokat shqiptare, ndërsa abetarja e parë ishte akoma ëndërr, në Kostërc këngët për liri këndoheshin në heshtje.
Megjithëse mungonin shkronjat, emrat e trimave, asnjëherë nuk mbeten anonim, si edhe vetë autorët e rrëfimeve për heronjtë. Edhe atëherë kur të rënëve nuk u dihej varri, këngët dolën nga dheu. Në përplasjet e mëdha me pushtuesit kurrë nuk pati ligështim. Çdo betejë i bëri më të fortë e më të vendosur. Datat e lindjes dhe vdekjes u munguan burrave atëherë, por nuk u mungoi guximi. Namin e tyre nuk e treti dheu me shekuj. Atyre, vetë toka ua thuri lavdinë.
Atëherë kur shkrim - këndimi shqip ende po bënte hapat e parë, pak kush kishte dëgjuar se diku në Maqedoninë shqiptare, në Manastir, kishte parë dritën alfabeti i gjuhës shqipe ndërsa kolosët e inteligjencës ishin pajtuar për këtë. Ikja e osmanlinjve, trojet e Skënderbeut i gjeti pa shtet, ndërsa fqinjët grabitqar kishin bërë hartat se si do të dukej Ballkani. Në fshatra e qytete, gojë me gojë po përhapeshin lajme për bashkim dhe rezistencë. Edhe kur zhvillimet ogurzeza kishin rrezikuar jetën, ëndrrat për liri, në Kostërc, nuk ishin shuar asnjëherë.
Rrëfimet e heshtura
U përsërit vesh më vesh heroizmi i Rrustem (Plakut) Dervishit i cili luftoi fyt për fyt me malazias në Luftën e Nokshiqit dhe me katër lira ari u shpërblye nga mbreti Zog në Tiranë. Kuranin mund ta bëni be si të doni, por pushkën mos ia dorëzoni pushtuesit, përsëriste Iliaz Spahiu (i njohur si Mullah Ilaz Broja) në të gjitha takimet me popullin. Në Kostërc, askush nuk e nxori nga goja vendqëndrimin e bashkëluftëtarëve të Shaban Palluzhës as emrat e luftëtarëve të betejës së Kolashinit, të cilët nga ky fshat, nuk ishin pak.
Kolonizimi i Kostërcit
Kostërci agonte e errej ballë për ballë me pushtuesin e ri. Në një lagje të Kastriotit të sotëm, kish filluar të dallohet trimi Shaqir Smaka. Kushdo që ishte spikatur si kryengritës kishte marrë malet. Pushtuesi burgoste këdo që vlerësonte se mund t’ia prishë rehatinë.
Pas kolonizimit të Runikut pushtuesi filloi të vendose ardhacak edhe në arat e Kostercit.
Ka ende dëshmitar të gjallë se si në mes të Kostërcit u vendos Dika Jovanoviq i cili u mori thuaja pjesën me te madhe dhe me të mirë të arave dhe kullosave familjeve Hysenaj. Madje fshatarët shqiptar, jo vetëm të Kostërcit por edhe të rrethinës u detyruan që kolonit t’ia ndërtojnë një kullë guri me avlli të fortë e të bukur. Gjithë puna e ndërtimit bëhej (kulluk )pa pagesë nga shqiptarët vendas.
Ashtu ndodhi edhe ne Runikë ku u ndërtua pa pagese kulla e gurit Makarije Lazoviqit. Deshmitarë kanë rrëfyer se si ishin te obliguar qe ta ndihmojnë hangari Lazoviqin edhe kur kishte nevoje për punë fushe, me mbjellë arat, me korrë, me kositë livadhet, me prashitë misrin apo me vjelë pemë.
Ndryshimet politike në ish MSKS dhe në ish RSFJ-në shumë herë ndryshuan edhe metodat e dhunës që u përdorën nga pushtuesi kundër shqiptareve. Pas luftës së dytë botërore, derisa po konsolidohej pushteti sllavo-komunist, ministri i PB të ish Jugo-Serbisë Aleksandër Rankoviq, përmes emisarëve, bashkëpunëtorëve e renegatëve po shtonte dhunën ndaj shqiptareve të kësaj ane. Edhe sot gjenden dëshmitarë të gjalle te kohës të cilët përjetuan “aksionin e armeve” dhe te ashtuquajturin “vishak’.
Jeta e popullatës ishte rrezikuar. Arat, kullosat dhe malet më të mira kolonët ua morën familjeve Hyseni, Nimani, Spahiu, Dervishi, Hetemaj, Halilaj. Shqiptarët qenë detyruar me dhunë edhe t’ua ndërtojnë shtëpitë fqinjëve kolonëve serb. Nëse shqiptari ndërtonte ndonjë shtëpi për jetesë ai evidencohej nga kolonët si cak sulmi. Kështu ndodhi edhe me familjen e Ukë Ali Nimanit. Një ditë Uka së bashku me Brahim Sadri Nimanin u vranë mizorisht nga kolonët, vetëm pse ishin shqiptar.
Në mesin e trembëdhjetë të vrarëve shqiptar për një ditë, Miliq Kerstiqi vret në Izbicë edhe Lam Hetemin e Kostercit. Në shtëpinë-kasolle të Selman Nimanit vritet Stanoja, jo nga shqiptaret, por nga kolonët. Jo rastësisht, ai ishte gjendur në atë familje për të kurdisur vrasjen e katër vëllezërve të familjes së Fekë Nimanit. Kështu vepronte pushtuesi ndaj vendasve. Platforma e përgatitur po zbatohej pikë për pikë. Strategjia e kolonëve ishte e qartë. Presioni ndaj popullatës vendase shtohej për ditë.
Sekuenca të pashënuara deri më sot. Shaqir Smaka, biri i atdheut
Pse Shaqir Smaka nuk mund të flinte në shtëpinë e tij dihej, por pse ai shumë herë kishte fjetur në Kastriot, por në shtëpinë e Selman Nimanit është kuptuar vetëm pas njëqind vjetësh. Shaqir Smaka pati konak të sigurt tek familja e Fekë Nimanit i cili kishte katër djem me të cilët jetonte në një shtëpi, kasolle. Për ketë rast nuk është folur e shkruar asnjëherë. Shtëpia e Besës i kishte ruajtur sekret takimet me Shaqirin deri në varr. Shumë herë gjatë natës djali më i madh i Fekës Selman Nimani, nipi i Kadri Jasharit nga Prekazi, ishte takuar me bashkëluftëtarët tek ‘molla e ngritë” pas shtëpisë, e cila ishte buzë mali.
Edhe kur u arratis Shaqiri nga Burgu i Shkupit ishte takuar me Selmanin tek Molla e cila sot nuk ekziston por, Mujë Nimani, i vëllai i Selmanit ka rrëfye vendin e sakt pak para vdekjes se ku ishin bërë takimet. Këto sekuenca që për dikë duken të pa rëndësishme nuk është thënë asgjë asnjëherë dhe po mos të ishte Xhemail Fazlia, nga Kotorri, bashkëluftëtar i Kapiten Hysni Rudit, autori i këtij fejtoni ndoshta nuk do të shkruante kurrë as vetë fejtonin. Shumë fakte flasin se dikush kishte informacion për takimet dhe konakun e Shaqirit. Vetë fakti që një ditë Selmani do të gjendej i rrethuar me gjithë familje nga xhandarmeria serbe flet për ketë. Disa ditë më herët kur Selmani po përgatitej që edhe me armë t’i bashkëngjitej Qetës kryengritëse të Shaqirit, bleu pushkë të re me treqind fishek. Meqenëse ishte edhe shumë i varfër, Selmani nuk pati mundësi t’ia paguaj të gjitha të hollat shitësit ilegal. Selmani mori pushkën me municion dhe e solli në shtëpi. Pa menduar fare se blerja ishte dekonspirua menjëherë, të nesërmen, Selmani u gjend i rrethuar. Thirrjes së komandantit të xhandarmerisë serbe, Selmani iu përgjigj drejtpërdrejtë dhe doli në oborr.
Muja, vëllai i Selmanit i cili ishte prezent në ngjarje gjatë gjithë kohës, për së gjalli, me dhjetëra herë ka rrëfyer fjalët e komandatit të xhandarmerisë, Millanit i cili tha:
“Selman, nëse pushka që ke blerë dje nuk i përgjigjet të dhënave që kam, mbaje armën dhe pushteti s’ka me kërkua atë prej teje kurrë. Mos u torturo kot Selman se i kemi të dhënat e sakta. ”
Millani ia numëroi një nga një faktet që kishte marrë, me numrin serik të pushkës së re dhe 300 fishekët e paketuar dhe se ende nuk kishin provuar armen. Ashtu si ishte, Selmani besnik, siç e njihnin edhe pushtuesit, e solli dhe e dorëzoi pushkën. Nuk u torturua askush. Në atë situatë as xhandarmerisë e as Selmanit nuk i shkoi mendja tek municioni i cili ishte fshehur nga Muja dhe mbeti aty deri në asgjësim. Edhe pas pushtimit të parë e të dytë serb municioni qëndroi i paprekur. Kur mbaroi Lufta e dytë Botërore në periudhën e mbledhjes së armëve, Muja u torturua për vdekje mu pse serbet kishin informacion edhe për fishekë. Se kush e dekonspiroi nga shqiptarët, siç thoshte Selmani, nuk e mësoi kurrë, por dihet saktë se pushtuesi pati edhe informator vendas. Selmani, megjithatë iu bashkua më vonë haptazi Qetës së Azem Bejtës dhe në luftën e njohur të Kerrninës u plagos në fyt dhe u shërua ilegalisht në Prizren plot gjashtë muaj. Gjatë gjithë asaj kohe familja e tij e kishte konsideruar të vrarë. Selmani jetoi më shumë se 90 vjet dhe vdiq në Pejë ku kishte shkuar për të kaluar ditët e pleqërisë
Murat Loshi me shokë çau rrethimin krahas zjarrit të pandërprerë të pushkës së Kamerit. Lirinë e atdheut e pati cak deri në fund të jetës. Nga Murat Loshi është shpërndarë rrëfimi autentik i luftës që u zhvillua në Belicë. Murati deri vonë ka bartë me vete kutinë e duhanit, çibukun, dhe orën e xhepit të Kamer Loshit.
Mulla Ali (Avdi) Shala nga Padalishta i shërbeu me vite popullit të tij me urtësi e mençuri. Ai nuk hidhëroi kurrë asnjëri. Shpërndau dituri fetare e atdhetare sa here iu dha rasti. Të kultivosh kulturë në familje ishte atdhetarizëm, dhe kësaj detyre ai ia doli me sukses.
Mulla Aliu u dallua si edukator i pashoq i popullit të tij. Ai kuptoi herët se dija dhe trimëria kur bashkohen liria nuk është larg.
Azem Galica, dy herë dhëndër i Runikut
Azem Bejta qe martuar dy herë dhe të dy gratë e tij ishin nga treva e Runikut. Shote Galica ishe nga Radisheva, ndërsa gruaja e dytë Zoja Hysenaj nga Kastrioti (Kostërci). Me Shotën Azemi nuk pati fëmijë, ndërsa me Zojën la një vajzë. Pse Azem Galica zgjodhi të jetë dhëndër i kësaj ane ka mund ta thotë vetëm ai. Asnjë vlerësim tjetër nuk merret parasysh. Kjo trevë njihej për vasha të bukura dhe atdhetare. Dihet se edhe Shota edhe Zoja qenë të martuara në vende të caktuara pa dëshirën e tyre, por pse vendosen shkurorëzimin për një trim si Azemi, edhe ky fakt do të mund të shpjegohej dhe pranohej vetëm nga goja e tyre. Sipas dëshmitarëve të kohës, thuhet se ato ishin vërtet atdhetare të vendosura, të cilat, duke iu bashkuar Azemit, njëkohësisht patën rast të japin edhe shembull se si edhe femrat duan dhe mund të luftojnë krah për krah me burrat.
Si shpëtoi kryeçetniku Jorge Jabuka nga prita e Azemit?
Përgatitja konspirative katër vjeçare për likuidimin e bandës çetnike të Jorgë Jabukës dhe tridhjetë çetnikëve dhe dështimi i pritës në Radishevë, thuaja se nuk është përfolur asnjëherë nga dëshmitarët e kohës.
Dika Jovanoviq kolon serb nga Kosterci, ka shpjeguar çdo insert të kësaj prite dhe si shpëtuan tridhjetë çetnik nga prita e Azemit. Të ftuar në një festë familjare nga një kolon serb i Radishevës, çetnikët në krye me Jorgë Jabukën, të armatosur deri në dhëmb dhe me kuaj, një mbrëmje nisen për aheng. Ne hyrje të Radishevës, Azemi vendos tri prita në mënyrë që t‘i fus në kurth të gjithë. Një bashkëluftëtar i Azemit, i vendosur në pritën e parë nuk mundi të përmbahej nga emocionet dhe kur sheh me sytë e tij në krye të kolonës çetnike Jorge Jabukën hap zjarr, por fatkeqësisht, vetëm tremb çetnikët të cilët kthen me shpejtësi andej nga kishin ardhur duke i shpëtuar dy pritave të tjera të Azemit. Kalorësit serb, ashtu siç ishin, kthehen prapa dhe shpëtojnë nga prita. Një papjekuri e një bashkëluftëtari bëri që nga breshëria e armëve të bashkëluftëtarëve të Azemit të shpëtojnë tridhjetë vrasës të dalluar të shqiptarëve.
Plaçkitja e postës serbe në Përroin e Keq
Azem Galica kishte ne shume raste edhe informacion te duhur për lëvizjen e postes serbe. Kështu ne një rast kur ndaloi kamionin e postës, preja ishte e plotë. Gjithë shuma e të hollave që po dërgohej në Pejë u sekuestrua nga Azem Galica. Meqenëse u rrezikua posta dhe dërgesat që bëheshin përmes saj, në atë kohë, herën e dytë prita e vendosur e Azem Galices nuk dështon, por të holla nuk kishte në kamion. Në këtë rast shoferi kishte shoqërues një epror të lartë ushtarak serb të cilin e marrin peng shokët e Azemit dhe për këmbimin e tij marrin shumën e plotë të të hollave që ishin planifikuar më parë dhe atë pasi e mbajnë plot gjashtë muaj oficerin. Për këmbimin dhe lirimin e tij e kanë ditur të gjithë anasit.
Likuidimi i komandantit të xhandarmerisë serbe të Rakoshit tek Kryqet e Mirushës (Belicës)
Dihet nga dëshmitarët e gjallë se si u ballafaqua Azemi me komandantin e Xhandarmërisë dhe si e likuidoi atë me të gjithë xhandarët që i kishin zënë pritën te Kryqet e Mirushës (Belicës). Dihet saktë muaj pasi siç thoshin ata që dëgjuan gjithë të shtënat e asaj dite se si pasi kishin fshirë gjatë ditës grurin dhe po pastronin drithin, zëri i Azem Galicës ishte dëgjuar që andej deri në fshatin Kastriot. Rrëfenin me krenari të moçmit se si Azemi në atë kohë ishte bërë tamam komandant me përvojë dhe përpara çetës gjithmonë dërgonte kalorës vëzhgues. Ata ashtu siç ishin me të diktuar se po lëvizë diçka ne pyll, shkrepin armët duke alarmuar Azemin me shokë, i cili arrin të likuidojë komandantin e xhandarmërisë serbe me gjithë kompani, pa pësuar asnjë humbje.
Historia e postës së Runikut
Gjatë sundimit otoman megjithëse pati shumë njerëz te kësaj ane që shërbyen në ushtrinë osmane letrat e rastit që dërgonin ata në familje duhej të dërgoheshin te hoxha i fshatit për t’i lexuar. Gjate pushtimit serb në shumicën e rasteve letrat e rekrutëve shqiptarë në ushtrinë e kralit serb po ashtu lexoheshin te ndonjë serb apo shqiptar i rrallë i cili kishte mbaruar dy apo katër vite shkollim në gjuhën sllave.
Po ashtu Runiku ishte qendër postare me shërbimet përkatëse të kohës. Njihen me emër e mbiemër dy shqiptarë, postierë që i kishte zgjedhur pushtuesi dhe i kishte punësuar me qëllim që mos ta rrezikonte bartjen e postës nga Runiku në Deviq.
Shqiptarët si postier nuk mund të diktoheshin lehtë nga sulmuesit eventual të postës gjatë rrugëtimit që kryesisht bëhej këmbë nga Runiku në Deviq dhe anasjelltas.
Gjatë periudhës komuniste të pushtimit jugosllav, krahas serbëve, në postën e Runikut shërbyen postierët shqiptarë Mehmet Miftari dhe Zymer Smakaj, të cilët u përjashtuan nga puna nga pushtuesi në vitet e nëntëdhjeta si edhe mijëra punëtorë të tjerë shqiptar të Kosovës. Në Runikë, posta vazhdon të funksionojë me sukses edhe në Kosovën e pavarur, por tash vetëm me shumë punëtorë shqiptarë.
Kastrioti (Kosterci) me numër rekord intelektualësh
Në një reportazh të botuar në vitin 1974 në revistën mujore “Zëri” që botohej shqip në Prishtinë, Mehmet Kajtazi shkruante: “Kosterci fshat intelektualësh”.
Qysh në atë kohe Kastrioti i sotëm numëronte me shume se dyzet mësues, profesor, mjek e inxhinier, agronomë e gjeodetë.
Edhe gjatë pushtimit të parë dhe të dytë serb (Serbia e Parë 1912-1918 dhe Serbia e Dytë 1918 - 1941) kishte shkolle fillore në Runik, por në gjuhën e pushtuesit dhe me alfabet cirilik. Në këtë shkollë u përfshinë edhe pak shqiptarë, por që ishin të detyruar të mësojnë në gjuhën serbe.
Ne mesin e atyre që kryen katër vjet shkollim ishte dhe babi i Lah Nimanit, Istrefi. Ai kishte kuptuar herët rëndësinë e shkollimit. Në Runik, shkolla shqipe hapet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore.
Istref Nimani, me fillimin e shkollimit në gjuhen shqipe u kujdes shumë për përfshirjen sa më të gjerë të shqiptarëve në bankat shkollore. Ai, për t’i shkolluar fëmijët e tij shiti edhe tokën e bukës. Nga familja e Istrefit shkollimin e përfunduan me sukses: Lah Nimani, Razije Nimani Gani Nimani, Mustafë Nimani, Shukrije Nimani, Mal Nimani dhe Haki Nimani.
I vendosur për t’i arsimuar gjithë fëmijët u dëshmua edhe Osman Ajet Halili i cili arriti t’i shkollonte që të shtatë fëmijët e tij. Shkollimin e kryen me sukses katër vajza dhe tre djem të Osmanit. Shefkia, Afetja, Antigona dhe Mirvetja si dhe djemtë Hasani, Ganiu e Hamdiu.
Jo vetëm Istref Nimani e Osman Halili e kishin kuptuar rëndësinë e shkollimit. Për pak kohë Katroti i sotëm u bë fshat intelektualësh, ngase vetëm duke u arsimuar lufta për liri do të ketë sukses, thoshte me bindje Istrefi.
Në po këtë periudhë, shumë herët u shkolluan edhe Idriz Hyseni, ekonomist, Hysen Hyseni, mësues, Halil Dautaj, mësues, Hajrullah Spahiu, profesor, Aziz Haxhiu, mësues, Ismet Spahiu, arsimtar, Behlul Spahiu, profesor, Riza Dervishi, mësues, Ajet Halili, agronom, Beqir (Nimani) Dervishaj, profesor i muzikës, Riza Dervishaj, mësues (u vra nga serbet ne luftën e fundit), Halil Dauti, mësues, Zeqir Dervishaj (Nimani), doktor, Shkurte Dauti, doktoreshë. Të gjithë këta nga fshati Kastriot.
Dokument origjinal i vendimit të Gjykatës Agrare të Mbretërisë Serbe me seli në Shkup, për shpronësimin e familjes së Selman Kadri Spahiut nga fshati Kosterc (tash Kastriot) në vitin 1938, për shpërngulje në Turqi.
Hajrullah Spahiu, profesor i gjuhës shqipe, veteran i arsimit të Kosovës, rrëfen edhe sot se iu konfiskua e gjithë pasuria nga kolonët serbë. Atij, asokohe, iu kishin lëshuar të gjitha dokumentet për shpërngulje në Turqi. Si 11-vjeçar Hajrullahu në vitin 1938 dogji shumicën e dokumenteve dhe refuzoi të shpërngulej. U mor shumë herë në pyetje nga xhandarmëria serbe për revoltën që shfaqi kundër shpërnguljes.
Edhe si fëmijë i provoi me lëkurën e tij të gjitha metodat e represionit të pushtuesit serb. Më vonë ia doli të shkollohej shqip dhe ta kryente me sukses Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Lah Nimani
Lahu karrierën e mësuesit e pedagogut e ka filluar në Runik, më pas e ka vazhduar detyrën e profesorit të Edukatës Fizike në Mitrovicë. U bë pastaj trajner i njohur i boksit për t’i dhënë emër jo vetëm Kastriotit, por edhe të gjithë Kosovës.
Me ekipin e boksit “Prishtina” ai ia doli ta fitonte titullin e kampionit në boks në ish-Federatën Jugosllave për pesë gara vjetore kampionale rresht.
Rezistenca kundër pushtuesit serb
Vazhdimi i rezistencës kundër pushtuesit serb dhe austro-hungarez filloi menjëherë. Çeta e Shaqir Smakës me luftëtarë të dalluar si: Azem Bejta, Sinan Çitaku, Fekë Rakinica e të tjerë, u ballafaqua tri herë me austro-hungarezë. Burri i Kostercit ishte cak likuidimi nga Serbia, ndërsa ndërkohë ai u bë edhe cak i Austro-Hungarisë. Për qëndresën e Shaqir Smakës në Ticë, në Klladernicë dhe në Bajë afër Runikut, kanë folur dëshmitarët e kohës. Në dy betejat e para, Shaqir Smaka ia dha tmerrin armikut. Nga rrethimi i tretë Shaqiri nuk doli i gjallë. Në një kullë guri në fshatin Banjë afër Runikut, ushtarakët austriakë u përleshen fyt për fyt me Shaqirin. Luftimet nuk ishin ndalur tri ditë e tri net. Natën e tretë Shaqir Smaka u vra dhe trupi i tij u dogj në kullë.
Çeta pa Shaqirin, por me Azem Galicën në krye, tërhiqet nga Baja dhe në Kosterc kërkojnë strehim dhe darkë në familjen e Fekë Nimanit, meqenëse ky ishte mik i Sinan Çitakut. (Në asnjë rrëfim nuk është përmendur ky insert për shkak të frikës nga hakmarrja e pushtuesit). Po atë ditë, çeta kryengritëse darkoi në odën e Tafë Halitit, po ashtu në Kosterc, dhe aty kaloi natën.
Selman Nimani (edhe ky bashkëluftëtar i Azem Galicës, i plagosur në betejën e Kerrninës dhe i shëruar ilegalisht gjashtë muaj në Prizren) ka rrëfyer për se gjalli të gjitha fjalët e Sinan Çitakut lidhur me luftimet e Shaqir Smakës brenda dhe jashtë kullës në Banjë. Po ashtu, Sinani i rrëfeu mikut të tij se Shaqiri është vrarë dhe trupi i tij është djegur në kullë. Të vrarë kanë mbetur tre austro-hungarez. Tjetër humbje nuk ka pasur. Po atë natë, çeta ka emëruar komandant Azem Galicën.
Edhe gjatë të ashtuquajturës liri, pas luftës se dytë botërore në ketë trevë, pushtuesi serb vazhdoi zbatimin e dhunës për të detyruar shpërnguljen e shqiptarëve. Aksioni i armëve rrezikoi me jetë shumë anas të Runikut dhe të fshatrave për rreth. Ka ende dëshmitar të gjallë të asaj dhune si Osman (Ajet) Halili nga Kosterci. Në po këtë fshat me pretekst të posedimit të armëve u torturuan për vdekje Osman Ajet Halili, Dan (Sefer) Nimani dhe Mujë (Fekë) Nimani. Për këta flet edhe sot Osmani i cili edhe ende vuan nga pasojat. Mujë Nimanin, megjithëse invalid, e morën me dhjetëra herë në stacionin policor të Runikut. Një ditë ai u tha policëve se armë nuk ka dhe më me paterica nuk mund të shkojë në shtëpi, ndërsa njëri nga policet iu kërcënua se do t’ia thyej edhe tjetrën këmbë nëse nuk e sjellë pushkën. Me pasoja të dhunës nga UDB-ja mbeti për jetë edhe Ramë Nallbani Misiri nga Runiku. Ne fokus te dhunës se shërbimit sekret serb gjate tere jetës mbeti edhe familja e Daut Misirajt. Megjithëse i shkolluar dhe me fakultet të mbaruar Ali Daut Misiraj u persekutua deri në vdekje dhe nuk iu dha rasti asnjëherë të punonte në profesionin e tij. Ai u arratis në Shqipëri, por atë e kthyen prej andej. Aliu mbeti i pamposhtur si atdhetar i pashoq deri në fund. Shembulli i Ali Misirit nuk guxon të harrohet. Shqiptarët silleshin nga policia në Runikë edhe nga fshatrat e largëta si nga Turiqevci prej nga një ditë e sjellin Xhemë Lutanin. Pasi e torturojnë Xhemë Lutanin e hedhin buzë një rruge, ku për fat e gjen Ferat Isuf Sejdiu, i cili e sjellë në shtëpinë e tij dhe e shëron ditë më radhë ilegalisht.
Edhe në aksionin e njohur të mbledhjes së tepricave të drithit (vishakut) fshatarët e kësaj ane përjetuan dhunë të pa parë, duke mbetur edhe pa ushqim, ata mbijetuan vetëm falë idealeve liridashëse.
Vrasjet e shqiptarëve në trevën e Runikut
Pas pushtimit të Kosovës më 1912, Serbia filloi zbatimin e planeve të përpunuara dekada më parë. Vetëm po të shikohet harta e vendosjes së kolonëve serb në Kosovë atëherë gjithçka bëhet shumë e qartë.
Sipas platformës së Kishës Ortodokse Serbe dhe Elaboratit “Naçertania” të Garashaninit, kolonët serbë filluan të vendosën në tokat më të mira të shqiptarëve, afër burimeve të ujit, maleve më të mira dhe grykave strategjike. Kolonët vendoseshin edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve më të pasur apo të atyre që ishin më të vendosur karshi çështjes kombëtare. Ky kolonizim klasik nuk dha rezultatet e pritura menjëherë. Vendosmëria e shqiptarëve për të vazhduar jetën në trojet e tyre nuk po thyhej lehtë siç kishte planifikuar pushtuesi.
Temë e këtyre sekuencave të historisë së pa shkruar të vrasjes së shqiptarëve në këtë shënim janë fshatrat e trevës së Runikut dhe të Rakoshit. Këto dy bashkësi lokale me më shumë se njëzet fshatra kanë pasur fat e fatkeqësi të ngjashme dhe si të tilla përfshihen edhe në ketë shënim. Ndarja administrative e tyre kurrë nuk është marrë parasysh nga pushtuesi dhe ai ndaj shqiptarëve autokton pati një politikë: pastrimin etnik dhe shfarosjen e tyre. (VIJON)
Biblioteka e qytetit në Runikë
Nëse nuk shkruhet për bibliotekën e Runikut shkrimi do mbetet i mangët.
Shume herët Runiku pati një biblioteke te pasur librash nga me te ndryshmet. Aty punoi për plot katër dekada bibliotekisti Selim Miftari. Kushdo që ka qenë lexues i rregullt i kësaj biblioteke është bindur se pa lexuar nuk ka dije të mirëfilltë.
Selim Miftari mbante evidence të rregullt të lexuesve dhe nuk harronte asnjëherë që ta pyes lexuesin se a i kishte pëlqyer libri. Për ta vërtetuar se a e ka lexuar librin baca Selim me mahi kërkonte fakte se sa kishte mbajtur mend dikush nga leximi. Biblioteka ka pasur një fond të madh librash në gjuhën shqipe dhe serbo-kroate i cili është përtërirë shumë herë në periudha të caktuara kohore. Edhe sot Runiku ka Bibliotekë Qyteti, por ajo ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizim me literaturë. Shumëkush sot ka mundësi të ndihmojë ketë bibliotekë me traditë dhe mund ta bëjë menjëherë.
Anekdotë për grumbullimin e tepricave të bukës (vishakut)
Shumëherë Ali Spahiu nga fshati Kastriot kishte rrëfyer nëpër oda se si e kishin dënuar për të dërguar në qendrën e grumbullimit të tepricave 25 kilogram djathë, megjithëse ai nuk kishte as edhe një dhi para dere. Tregonte Ali Beqir Spahiu se si e kanë detyruar të shkojë për të blerë djath me dhunë në tregun e kohës në Zveçan.
“Shkova e bleva një bidon 25 okesh me djathë dhe e solla këmbë prej andej në shtëpi dhe te nesërmen e dërgova në qendrën e grumbullimit të tepricave. Aty më thanë: Djathi nuk pranohet sepse është të thërrmuar (troshitur) së tepërmi. Iu luta zotit që t’i dënojë këta katilë, shtonte për së gjalli Aliu. Jo shumë kohë, pas rënies se Aleksandër Rankoviqit doli e vërteta në shesh. Grumbullimi tepricave të bukës kishte qenë metodë e planifikuar dhune e pushtuesit mbi shqiptar, vetëm për t’i detyruar ata që të shpërngulen apo të vdesin nga uria. Aliu priti i gjallë edhe arrestimin e disa bashkëpunëtoreve të pushtetit te asaj kohe. Ai ngrinte duart lartë dhe falënderonte Zotin se si e kishte dëgjuar lutjen e tij dhe tash po shihte edhe sy të vet burgosjen e zullumqarëve të cilët i numëronte me emër e mbiemër.
Kastrioti, fshat intelektualësh
Alfabetin shqip, përkatësisht shkronjat e Kongresit të Manastirit, në Runik, nxënësve të Kostercit ua mësoi Ramiz Baraku, mësues nga Gjakova.
Vetëm kur ta mësoni shkrim leximin dhe kur lapsi do të zëvendësoi gjurmët e gishtit, ëndrrat për liri do të realizohen, thoshte Istref Nimani.
“Kostërci fshat intelektualesh” shkruante në një reportazh Mehmet Kajtazi, në vitin 1974, në revistën “Zani i Rinisë”.
Aq sa i dhanë emër Kostërcit pushkët çlirimtare, po aq e bën të njohur intelektualët që u shkolluan më vonë. Numri i burrave dhe djemve që iu bashkuan njësive çlirimtare në luftën e fundit është më i madh se i të gjitha periudhave të historisë së bashku.
Kastrioti (Kosterci) me numër rekord intelektualësh
Në nëntitullin “Kastrioti (Kosterci) me numër rekord intelektualësh”, nuk janë përfshirë pa dashur edhe këta emra: Sejdi Nimani, profesor i Gjeografisë, Ibrahim Nimani, mësues, Islam Nimani, profesor i Edukatës Fizike, Ramiz Nimani, mësues, Rifat Nimani, kontabilist, Rushit Haliti prof. dr. i Matematikës, Xhemile Nimani, mësuese, Shehrije Nimani, mësuese, Azemine Nimani, juriste, Afrim Nimani, teknik i Aviacionit, Rabishe Hajredinaj, profesoreshë e Gjuhës Frënge, Fatime Hajredinaj, gjeologe, Begishe Dervishaj, arsimtare.
Tek emrat e shkollarëve të familjes së Osman Halilit ka dal gabim emri Antigona Halili, duhet të jetë Bedrije Halili.
Koha kur kolonët serbë vrisnin shqiptarë për qejf
Mos harroni, shkruani emrat e atyre që u vranë nga kolonët serbë, thoshte Xhemail Fazlia i Kotorrit, njëri nga bashkëluftëtarët më të afërt të kapiten Hysni Rudit.
Qëndrimi afër trojeve stërgjyshore
Në rajonin e Drenicës së Epërme e të Istogut, e cila përfshinë rreth pesëmbëdhjetë fshatra, menjëherë pas pushtimit të parë serb, siç thonë edhe sot anasit, kolonët në masë të madhe u vendosën në fshatin Banjë, i cili deri atëherë ishte i banuar ekskluzivisht nga familja Çitaku që i përket fisit Shalë. Krahas Banjës u Kolonizua edhe Drethi, një fshat i cili shtrihet në lartësi të madhe mbidetare, atje ku përfundon kufiri midis Drenicës dhe Podgurit. Drethin deri atëherë e zotëronte familja shqiptare Balaj, të cilët më vonë do t’i shohim të vendosur në Rakosh, Syriganë e Cerkolez. U kolonizua pastaj pjesa më e mirë e Runikut dhe e Kastriotit (dikur Kosterc). Megjithëse kolonizimi i Leqinës kishte filluar, rezistenca e madhe e shqiptarëve të këtij fshati bëri të dështojnë planet e pushtuesit.
Mu për shkak të tokave shumë të liga dhe për shkak të mungesës së burimeve të ujit, një pjesë e kësaj treve mbeti e pakolonizuar, megjithëse edhe në disa fshatra të tjera ishin vendosur nga disa familje kolonësh serbë si presion mbi anasit.
Megjithëse të përballur me kolonë, me dëbim nga trojet stërgjyshore, anasit nuk merrnin rrugë të largëta emigrimi.
Shqiptarët nuk po largoheshin lehtë, as pas të gjitha atyre të zezave që po ua shkaktonin kolonët serbë.
Derisa Banja, Drethi, Runiku, Kosterci e Syrigana u kolonizuan në masë të madhe, në fshatrat Leqinë, Vitak, Radishevë, Kotorr e Padalishtë qenë vendosur shumë më pak kolon.
Synimi serb që përmes kolonizimit të detyrojë shqiptarët të largohen prej aty nuk po jepte rezultatet e pritura nga pushtuesi.
Shqiptarët, të cilët mbeteshin pa tokë të punueshme po vendoseshin tutje jo fort larg vendbanimit të vjetër dhe po hapnin toka të reja për të mbijetuar, duke mos u shpërngulur në Turqi. Kjo zhvendosje e shqiptarëve jo fort larg vendbanimeve të vjetra ishte shenjë e qartë për pushtuesin se spastrimi etnik i paraparë shumë më herët nuk do të jap rezultatet e duhura.
Megjithëse ua mori burimet e ujit, arat dhe malet më të mira, megjithëse po i dëbonte nga trojet shekullore, shqiptarët po ia dilnin të mbijetonin dhe ky veprim shkaktonte nervozë tjetër pushtuesit.
Gradualisht filloi zbatimi i aneksit tjetër të dhunës ndaj popullatës lokale shqiptare. Falangat paramilitare serbe të formuara shumë më herët me plan, filluan të veprojnë. Pushtuesi kishte paraparë që nëse shqiptarët nuk largohen nga pasojat e kolonizimit ata duhet të vriten.
Megjithëse Prekazi gjendet mbi 20 kilometra larg Runikut miqësia e kahershme e fshatarëve të kësaj treve me Prekazin por edhe me fshatrat tjera të Drenicës qendrore, në dukje të parë nuk ishte temë e pushtuesit por nga dhuna që filloi të ushtrohet mbi shqiptar do të shihet se gjithçka që pengonte zbatimin e planit serb ishte me rëndësi dhe duhej të shkatërrohej.
Vrasja e katër burrave të familjes Mahmutaj në Cerkolez.
Cerkolezi i takon komunës se Istogut dhe shtrihet jo fort larg Runikut. Realisht fshatrat e bashkësisë lokale të Rakoshit shumëçka, i lidhë më shumë me trevën e Runikut se me vetë Istogun. Edhe miqësitë e familjeve krijonin kushte e rrethana për gravitim andej nga Runiku.
Kryefamiljari Mahmut Hoti, i ndjekur nga treva e Hotit të Malit të ZI, ishte vendosur në një cep toke malore në grykën e Bjeshkës që shtrihet mbi fshatin Cerkolez. Pasi që kjo familje kishte fuqi të mirë krahu, ngulitja në atë truall, për ditë po bëhej më e dukshme. Mahmuti kishte djem të rritur, e disa edhe të martuar. Jo rastësisht djalin e madh Mahmuti e fejoi me një vajzë nga Fshati Kosterc.Vajza ishte mbesë e Kadri Jasharit nga Prekazi. Pas hyrjes së mbesës së Jasharajve, në shtëpinë e Mahmut Hotit gjithçka po vazhdonte rrugë të mbarë. Përveç familjes së ngushtë nga Kosterci, dajallarët kishin filluar ta vizitonin mbesën, gjë që ishte traditë, E gjithë kjo nuk po kalonte pa u vëzhguar nga kolonët e vendosur në pjesën më të madhe të Cerkolezit.
Dëshmitarët e gjallë kanë rrëfyer deri në ditët e sotme se si falanga çetnike e Jorgë Jabukës, kishte bërë plan të hollësishëm për të vrarë dhe shkatërruar familjen e Mahmutit.
Një mbrëmje vonë, të vëzhguar në hollësi nga fqinjët kolon serb, kur bie terri, atëherë kur burrat po prisnin darkën në odë, serbët rrethuan familjen e Mahmutit.. Ndaj urdhrit serb për të hapur derën e odës dhe për të dorëzuar burrat, katër burra reagojnë rrufeshëm për të dalë nga oda, mirëpo ata goditen nga pushkët çetnike serbe. Të vdekur në vend mbesin Ramadan, Mehë dhe Smajl Mahmutaj, ndërsa plagoset rëndë Osman Mahmutaj i cili vdes më vonë nga plaga. Atë natë serbet po ashtu plaçkisin gjithë gjënë e gjallë dhe pasurinë e kësaj familje të madhe.
Vrasjet në Kosterc
Kur kolonet kishin mbërthyer Kostercin fund e krye dhe kur ishte studiuar mirë edhe origjina e familjeve dhe e lidhjeve të tyre miqësore ,një grup i organizuar kolonësh, rrethon familjen e Fekë Nimanit me synim që të vriten të katër djemtë e tij të rritur. Natën kritike, Feka i cili po jetonte në një varfëri, gjendej në shtëpi me të gjithë djemtë. Atë natë, krejt me plan kishte ardhur kinse për ndejë, koloni fqinj, Stanoja. Me të marrë vesh për rrethimin, natën vonë, në errësirë e plotë, Stanoja përpiqet tua ndriçojë cakun sulmuesve, duke ndez zjarr brenda shtëpisë shqiptare. Për fat të mirë të familjes Nimani, drita e zjarrit nuk orienton si duhet sulmuesit, dhe plumbat godasin pikërisht Stanojen e jo djemtë e Fekës. Planifikimi i kolonëve ishte bërë me kohë. Një natë para se të sulmojnë Sinan Shalën në Leqinë, kolonët vrasin Kadri Jashar Spahiun në fshatin Kastriot. Sinan Shala i Leqinës merr lajmin me kohë se do të likuidohet dhe i pret çetniket i përgatitur . Jehona e pushkës së Sinanit u dha tmerr vrasësve, kështu që një kohë bukur të gjatë më nuk u sulmuan familjet shqiptare të kësaj treve.
Vrasjet në Izbicë
Meqenëse pushtuesi po ndiqte me vëmendje edhe çdo lidhje miqësie midis shqiptarëve, gjatë një ekspedite vrastare Miliq Kerstiqi nga Istogu, kryen masakrën e njohur në fshatin Bellopojë, duke vrarë dymbëdhjetë burra vendas dhe një mysafir që kishte qëlluar te miku. Ky ishte Hajredin Jashari nga Prekazi. Në orët e para të mëngjesit, serbët rrethojnë shtëpinë e mikut të Hajredinit dhe pasi e nxjerrin nga oda, e pushkatojnë para shtëpisë. Gjatë asaj ekspedite Miliq Kerstiqi , vetë i njëzeti, vazhdon ekspeditën deri në fshatin Vojnikë, duke vrarë cilindo shqiptar që has në rrugë.
Vrasja e Lam Hetemit në Izbicë
Atë ditë dimri kishin shkuar për të prerë dru në Izbicë, Mujë Nimani dhe vëllezërit Lam e Shaban Hetemi nga Kosterci. Derisa Banda e Miliqit vret në vend Lam Hetemin, Shaban Hetemi arrin të arratisët, ndërsa Mujë Nimani zihet nga falanga e Miliqit. Pasi banda çetnike e Miliq Kerstiqit vret ne vend Lam Hetemin, Miliqi, torturon Mujë Nimanin të cilin e lëshon të gjallë për të dërguar kufomën e Lam Hetemit në shtëpinë e tij. Muja ka rrëfye për së gjalli se si banda çetnike përbëhej nga kolon vendas prej të cilëve kishte njohur Radenkun dhe Jovanin nga Cerkolezi. Atë ditë Miliq Kerstiqi derisa mbërrin në fshatin Vojnik vret 15 shqiptar, duke filluar nga Istogu e deri në Izbicë.
Po atë ditë banda çetnike në krye me Miliq Kerstiqin vret në vend, në oborrin e tij edhe Sinan Bajramin nga Izbica. Edhe në luftën e fundit, masakrimi i mbi 147 burrave shqiptar në Izbicë, nuk ishte i rastësishëm.