2014-11-17

“Corriere della sera” shkruan për romanin e Visar Zhitit

Në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera” u botua dje një shkrim nga gazetari i njohur Sebastiano Grasso, për romanin e Visar Zhitit “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, i sapobotuar në Itali.
Libri gjendet në Panair në stendat e Omsca-1 dhe italisht në stendën e Institutit Italian të Kulturës me titullin “Il visionario alato e la donna proibita”…
Një roman që shijohet si vera e mirë
Nga: Sebastiano Grassovisar zhitiNuk “lexohet me një frymë” Perëndia mbrapsht dhe e dashura i Visar Zhitit, i porsapërkthyer në Itali nga Elio Miracco (Rubbettino, fq 562, 10 euro). Duhet një javë e mirë. Është një roman që shijohet si vera e mirë. Bën që të mendohesh, të përfshin deri në mallëngjim. Është Kafka dhe është Xhojsi, është modernizmi letrar dhe realizmi magjik, trillimi dhe realiteti. Por është dhe një libër i vështirë, i thellë dhe errët, në shumë rreshta dhe i tmerrshëm, i pazakonshëm, marramendës. I jashtëzakonshëm. Çdo kapitull një tregim më vete, një lloj preludi i një tragjedie të pandërprerë në vendin e shqiponjave. Filluar në Vjenë, dorëshkrimi i mbaruar në Tiranë. Dy personazhet kryesorë: Fotografi diletant Feliks Kondi dhe Ema Marku, e reja gjimnaziste arrestuar sepse mban në qafë një varëse me kryq dhe lexon Biblën dhe libra të tjerë të ndaluar nga regjimi shqiptar i Enver Hoxhës. E liruar, gruaja çohet përsëri në internim, ndërkaq kur nisin gazetat e opozitës, denoncon dhunën dhe torturat e pësuara në burg dhe “shndërrimet” në demokraci të xhelatëve politikë e burokratë.                                                                                                            Feliksi, që do të jetë i pranishëm në gjyqin farsë, mrekullohet nga logjika dhe bukuria e gruas dhe dashurohet. Por policia sekrete vendos ta vrasë. Feliksi luan mendsh, rrëmben arkëmortin e vendos mbi shpinë. Një delir. Në sfond, diktatura. Në realitet kemi të bëjmë me një libër të kujtesës. Pas personazhit të Feliksit është Visari, shtatë vitet e burgut e të punës së detyruar ngaqë kishte shkruar një libër me poezi hermetike “kundër kanoneve të realizmit socialist”. Përshkrimi i burgut të Emës nuk është prodhim i fantazisë, Visar Zhiti e di se për çfarë flet duke e jetuar ashtu si i ati i tij, Hekurani, poet dhe komediograf, të cilit i ishte ndaluar botimi përgjithmonë, ndërsa sot është bërë i njohur si autor.
*   *   *
Feliksi vendos të vijë në Itali. Ndalesa e parë Bari, ku harron valixhen e vjetër për të shëtitur në qytet, që ta krahasojë me Durrësin dhe Tiranën. Pastaj shkon në Romë, në shtëpinë e një miku shqiptar, i arratisur. Në krah të tij fantazma e Emës, me të cilën flet, bën dashuri, viziton vendet që i kishin parë në televizionet italiane. Shpesh nuk kujtohet se ku është: ëndërron të jetë në Francë, në Greqi, në vendet nordike, në Kosovë. Në Bolonjë hyn në një bar, por përplas dhunshëm kokën tek dera e xhamtë. I thotë kamerierit: “Vij nga një vend pis, pse i keni larë kaq mirë xhamat? S’kuptohet porta fare”.
Shqipëria kërkon Europën, por Europa është e pamëshirshme. Nga Roma në Vjenë, Feliksi njeh një librashitëse që i ngjan Emës, por ajo nuk pranon të bëjë dublanten e Emës dhe kështu ai e lë.
Udhëtimi vazhdon. Feliksi ka gjithnjë me vete një dosje me dëshmitë dhe provat e krimeve të diktaturës, përfshirë dhe vrasjen e Emës, që t’ i çojë në gjyqin e Hagës. E fsheh poshtë xhaketës, poshtë nënkresës ku fle, por nuk ia del ta dorëzojë. I dëshpëruar mendon që është nonsens të kërkojë të gjithë atdheun e vet. Kthehet në Vjenë në fundvit, qyteti është në festë dhe pret ardhjen e vitit 2000. Dita, borë, të dehur. Feliksit, të lodhur dhe të ligështuar, i duket se i shpërthejnë flatrat dhe e di veten gjysmë-perëndi, nis të vrapojë nëpër rrugë, në të kundërt me turmat. Makinat rendin. Mbi trotuare pengohet, përplaset me vitrinat, plagoset, përgjaket dhe shqyhet gazit e ia jep vrapit.
Kur ndeshet me një urë të Danubit, vendos të takojë Emën. “Kush i di flatrat e mia?”, pyet përpara se të hidhet në ujërat e ngrirë.
*Përktheu: Eda Agaj

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...