2014-11-17

Merita Rexha Tërshana/ Në Pianodrom për të promovuar muzikën shqiptare


Pas koncertit duo për violinë e piano të mbajtur këto ditë  në Universitetin e Arteve, pianistja Merita Rexha Tërshana rrëfen emocionet e të luajturit muzikë dhome si një homazh për mjeshtrin e madh të violinës, Ibrahim Madhi. Një kënaqësi që e ndau me një prej violinistëve më të mirë në Europë, Klajdi Sahatçi. Ajo rrëfen se pjesëmarrja e saj në dy edicionet e Festivalit “Pianodrom” ka qenë për të promovuar muzikën shqiptare
merita rexhaNuk kishte mënyrë më të mirë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për një violinist të shquar si Ibrahim Madhi, sesa një duo koncertante për violinë e piano si ajo e mbrëmjes së 3 nëntorit. Një mbrëmje magjike e cilësoi publiku që kishte mbushur sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Një shenjë mirënjohjeje jo vetëm në emër të festivalit maratonë “Pianodrom” që ka nisur më 24 tetor dhe e ul siparin më 9 mars, por edhe një nderim personal i bërë nga një studente e pedagogut të shquar, si pianistja Merita Rexha Tërshana, e zhytur në emocionet e së shkuarës kur kujtonte 10 vitet si koncertmaestër në klasën e profesor Ibrahim Madhit. “Mund të them që shumë gjëra të rëndësishme se si të luash në muzikë dhome i kam mësuar nga ai. Ka qenë jo vetëm një violinist brilant, por dhe një pedagog shumë i përgatitur. E konsideroj si një nga themeluesit e shkollës së violinës në Shqipëri”, – thotë  Merita pas koncertit, duke shtuar se përveç kënaqësisë që luajti në krah të një prej violinistëve të shquar të Europës si Klajdi Sahatçi, dhe një shok i hershëm i Liceut, ishte edhe përgjegjësia për ta sjellë në mënyrë sa më dinjitoze, veçanërisht premierën  “Rapsodi koncertante” e kompozuar nga Aleksandër Peçi si homazh për Ibrahim Madhin. “Interpretimet e tij të koncerteve të Mendelsohnit apo të Brahmsit, regjistrimet me orkestrën e harqeve të Institutit të Arteve janë dinjitoze e koha nuk ua ka zbehur vlerën, përkundrazi. Është bukur të kujtosh një artist që ka dhënë për këtë vend, nëse e bën këtë me muzikë është edhe më bukur. Nga bisedat që kemi bërë, e di që edhe Klajdi ndan të njëjtin mendim me mua për prof. Ibrahimin”.
Publiku pati mundësi të shijonte gërshetimin e muzikës shqiptare me atë botërore, ndërsa mbrëmja nisi me “Romancë” nga Tonin Harapi, “Scherzo” nga Feim Ibrahimi, si dhe një premierë “Rapsodi koncertante” nga Aleksandër Peçi.
Në pjesën e dytë të mbrëmjes duoja luajti sonatën për violinë dhe piano të Richard Strauss-it, që siç e gjykon Merita, ishte një vepër shumë impenjative për të dy artistët. “Por që na dha shumë kënaqësi duke e luajtur dhe shpresoj dhe publikut. Mendoj se ishte vërtet një koncert shumë i mirë”, – vijon ajo.
Një koncert që e ribashkoi profesionalist me një shok të shkollës së mesme, me të cilin njihet kur ishte 14 vjeç, por që zgjedhjet e karrierës i vendosën në drejtime të ndryshme: Merita në Tiranë, ku përveç karrierës si pianiste jep mësim në Universitetin e Arteve, ndërsa Klajdi me një karrierë europiane, fillimisht në Itali si koncert-maestër në orkestrën e La Scala-s, dhe aktualisht koncert-maestër në orkestrën Tonhalle të Zurihut dhe njëherazi profesor në Konservatorin e Zvicrës italiane në Lugano.
“Jemi marrë vesh shumë mirë, që në provën e parë e deri në koncert. Puna me një koleg që i mendon gjërat si ty është shumë e kollajshme dhe sjell vetëm kënaqësi.
Koncerti u ideua nga prof. Peçi, president i Festivalit Pianodrom, që ka filluar më 14 tetor e do zgjasë deri në mars. Më vjen shumë mirë që përveç veprave të rëndësishme të repertorit botëror, Pianodrom promovon muzikën shqiptare, që luhet jo vetëm nga ne shqiptarët por dhe nga pianistët e huaj që vijnë të ftuar”, – tregon Merita, e cila ka qenë pjesë e këtij festivali që në edicionin e tij të parë ku ka luajtur solo në një recital “Stinët” e Çajkovskit, si dhe vepra të kompozitorëve shqiptarë.
“E veçanta sivjet qe futja e disa timbreve të tjera përveç pianos, duetet me violinë ose violonçel, si në rastin e duetit tim me Klajdin. Publiku i muzikës klasike është gjithmonë një publik i kultivuar. Më vjen shumë mirë që shikoj gjithnjë e më shumë njerëz të rinj, sidomos studentë që vijnë në koncerte. Kjo është optimiste”, – vijon ajo duke shtuar se nga puna me studentët në Universitetin e Arteve vëren talente që po lindin në fushën e pianos. “Kam studentë shumë të mirë që më japin sadisfaksion”. Merita zbulon se ka edhe një tjetër koncert në datën 24 nëntor në kuadër të këtij festivali, me Anita Tartarin, Eni Dibra Hoffmann dhe Ina Petrollarin, nën tingujt e  muzikës së kompozitorit Tonin Harapi.
Festivali maratonë i cili zhvillohet për të dytin vit në Tiranë, ka mbledhur në këtë edicion të dytë yje të pianos nga Gjermania, Italia, Austria, Rusia, Zvicra, Çekia, Malajzia, Sllovakia, Kroacia dhe Shqipëria. Janë gjithsej 28 premiera koncertale, 12 evenimente teorike dhe master class, 128 vepra shqiptare, 152 vepra të trashëgimisë botërore, me të cilat “Pianodrom” i prezantohet publikut deri më 9 mars.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...