Librat e spikatur të “Toenës” në këtë Panair: Mira Meksi “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – roman që i kushtohet mbretëreshës Teuta të Ilirisë; përmbledhja me ese e shkrimtarit Besnik Mustafaj, “Bishti i kometës”; Zija Çela me romanin e ri “Arkipelagu spiritus”; Paskal Milo me “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Nga përkthimet e rëndësishme kemi sjellë “Për Kinën”, e Henry Kissinger; “Me sytë ulur” të Tahar Ben Jelloun; “Në kafenenë e rinisë së humbur” të nobelistit të këtij viti, Patrick Modiano, “Nekropol” – kryeveprën e letërsisë sllovene nga Boris Pahor, “Druri pa emër” nga Drago Jancar e plot të tjerë.
- A ka TOENA politikat e veta të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?
Toena respekton me konsekuencë të gjitha etapat që bëjnë të realizueshëm, në çdo ndërmarrje të vetën, objektivin apo moton kryesore të punës së saj “Vlerësojmë traditën, promovojmë risitë”.
Në katalogun tonë do të gjesh të botuar autorë klasikë shqiptarë dhe të huaj, autorë të rinj të zbuluar rishtazi, kolana kushtuar visareve të letërsisë shqipe, tregimit të zgjedhur shqiptar, poezisë së zgjedhur shqipe, letërsisë së zgjedhur për fëmijë, librave utilitarë në fushën e historisë, gjuhësisë, studimit letrar, mendimit estetik, filozofik etj. Jemi të vëmendshëm ndaj kërkesave të lexuesve të shumtë, informacion që e mbledhim në mënyra dhe rrugë të ndryshme. Por më duhet të pranoj se, falë specifikës që ka puna që ne kryejmë, një ndërthurje mes synimeve kulturore dhe atyre ekonomike, ndryshe nga biznese të tjera, ne mundohemi t’i rezistojmë zërit të “sirenave”. Kërkesat e lexuesve shumë shpesh mund të të çojnë drejt zgjedhjeve të gabuara nga pikëpamja e vlerave që mbartin edhe pse mund të të sjellin fitimin e shpejtë ekonomik. Dhe kjo është një ndërmarrje me risk të madh në rastin kur ke ambicien për të qenë gjatë dhe me dinjitet në fushën e botimeve. Lojë sfiduese por që të fal një mijë e një kënaqësi, parë në këndvështrimin tim.
A ka një treg të librit në Shqipëri dhe sa i deformuar është ai?
Në Shqipëri ka botues seriozë. Janë të paktë, në fakt, në raport me numrin e madh të të licencuarve që kryejnë këtë punë. Ata, me idealizmin dhe dashurinë e tyre për profesionin që ushtrojnë, kanë krijuar një traditë të bukur dhe serioze në botimet shqiptare. Janë ata që sjellin vit pas viti botimet më të rëndësishme nga autorë të ndryshëm. Sa i përket tregut të shitjes, ai është shumë i çorientuar dhe konfuz, i pasigurt dhe i brishtë, i paparashikueshëm dhe me risk shumë të madh për investimet e botuesve që qarkullojnë e rivlerësohen nëpërmjet tij. Ky treg, thuajse informal, është handikapi më i madh që pengon zhvillimin në fushën e botimeve të librit fizik. Sa i përket tregut të shitjes online – ai është ende në fazën e vet empirike. Gati i pandjeshëm për financat tona.
Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar TOENA?
Toena ka botuar në 22 vjet mbi 2500 tituj të rinj që u përkasin gjinive të ndryshme. Janë mbi 2000, autorët që kemi botuar, shqiptarë apo të huaj. Shumë prej tyre kanë prekur suksesin në momente të ndryshme e me vepra të ndryshme. Shumë të tjerë janë qëndrueshëm e në mënyrë konstante të tërhequr dhe të lexuar prej shumë vitesh. E kam fjalën këtu për prurjet nga letërsia. Midis tyre do të veçoja nga letërsia shqipe, si një nga arritjet tona më të mëdha, botimin e çdo romani të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli, që pa dyshimin më të vogël është autori më i botuar dhe më i suksesshëm që ne kemi në katalogun tonë; Diana Çuli dhe romani i saj “Engjëj të armatosur”; Ben Blushi dhe romani i tij “Të jetosh në ishull”; Paulo Coelho me çdo roman të tij të botuar nga ne, “Alkimisti”, “Zahiri”, “11 minuta”, “Djalli dhe zonjusha Prym” etj.; Paulina Simons dhe romani i saj “Kalorësi i bronztë” e shumë e shumë të tjerë. Suksesi në punën tonë lidhet pazgjidhshmërisht me suksesin e secilit prej tyre.
Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?
Për shumë shumë pak zgjedhje në jetë jam penduar dhe asnjëra prej tyre, ju siguroj, s’ka pasur të bëjë me punën që kryej.
Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për një mijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?
Nuk ka ndodhur që deri më sot të kem pëlqyer një libër dhe të mos kem gjetur herët a vonë mënyrën për ta botuar.
Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj? Apo autorët shqiptarë janë një peizazh i cunguar?
Te Toena prej 22 vjetësh, garën letërsi e huaj/letërsi shqipe e ka fituar letërsia shqipe. Mbi 60 % të botimeve tona e përbëjnë autorët shqiptarë. Ka qenë një linjë editoriale që e kemi ruajtur me fanatizëm dhe me devotshmëri në shërbim të kulturës sonë kombëtare.
Dhe kemi qenë po aq të suksesshëm, në shumicën e rasteve me bilance vjetore më pozitive se shumë prej kolegëve tanë. Dhe ky fakt është përforcuar me kalimin e viteve, edhe sepse gjithmonë e më shumë shqiptarët preferojnë të lexojnë në gjuhët origjinale autorët e tyre të preferuar. Ky është konstatimi ynë.
Panairi i Librit është duke u zhvilluar. Cilët janë disa nga titujt dhe autorët me të cilët TOENA po mundohet të lërë gjurmë?
Për Botimet Toena dhe mendoj për shumicën e botuesve shqiptarë, Panairi i Librit është një traditë e bukur por edhe një stacion i rëndësishëm për bilancet e punës njëvjetore me dhe për librin. Duke e vlerësuar me seriozitetin e duhur këtë ngjarje të përvitshme, ne kujdesemi që të sjellim prurje dhe arritje të reja nga autorë vendas dhe të huaj. Lista e botimeve tona nga Panairi në Panair është e gjatë dhe i kalon të 100 titujt, por unë do të desha të veçoja mes tyre ata që besoj përbëjnë dhe bërthamën e suksesit tonë të përbashkët autor-botues në këtë Panair.
Një nga librat që dua të veçoj që në krye, është romani i ri i shkrimtares Mira Meksi “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” – roman që i kushtohet mbretëreshës Teuta të Ilirisë, me bazë historike, me personazhe sa realë po aq edhe mitikë që evokohen nga shekulli III para Krishtit dhe që vijnë po aq të gjallë dhe dramatikë e plot hijeshi si në atë kohë; përmbledhja me ese e shkrimtarit Besnik Mustafaj, “Bishti i kometës” – një libër që vjen vetëm një vit pas botimit të romanit të tij “Autoportret me teleskop” dhe që vulos rikthimin e tij me kohë të plotë te krijimtaria letrare, pas rreth 15 vitesh heshtjeje; Zija Çela sjell në këtë Panair romanin e tij të ri “Arkipelagu spiritus”. Historiani Paskal Milo, librin e tij të ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Nga përkthimet e rëndësishme kemi sjellë “Për Kinën” e Henry Kissinger. Nga letërsia e huaj “Me sytë ulur” të Tahar Ben Jelloun, “Në kafenenë e rinisë së humbur” të nobelistit të këtij viti, Patrick Modiano, “Nekropol” – kryeveprën e letërsisë sllovene nga Boris Pahor, “Druri pa emër” nga Drago Jancar e plot të tjerë.
No comments:
Post a Comment