Meditime në kampin e shfarrosjes së Tepelenës


Nga Reshat Kripa


Së fundi mbërritëm në ish-vendin ku dikur ishte ngritur kampi famëkeq i Tepelenës. Një grumbull gazermash pothuajse të shkatërruara krejtësisht. Kërkova, më kotë, të gjeja ndonjë shenjë nga ajo e kaluar e hidhur e viteve 1949-1954, kur në këtë vend dergjeshin, e theksoj dergjeshin gra e burra, por më shumë fëmijë të pafajshëm që ishin të detyruar të pranonin kushtet më mizore të jetës që ekzistonin aty, por nuk gjeta asnjë shenjë. Nuk gjeta, të paktën, një tabelë përkujtimore. Si ka mundësi? Një gjë e tillë i ra në sy edhe drejtorit të zyrës për Shqipërinë të Fondacionit “Konrad Adenauer”, zotit Thomas Schrapel, që kishte organizuar këtë konferencë përkujtimore kushtuar kësaj ngjarje tragjike të së kaluarës.


Vështroja fytyrat e plakura të atyre që kishin mundur të mbijetonin nga ky gjenocid i regjimit komunist, Hyrije Dostit (Kupit), Tomor Dostit, Lek Previzit, Aziz Ndreut, Sokol dhe Simon Mirakajt, Bilbil Camit, Ilir Biçakut, Lek Shtias dhe plot të tjerëve që kishin kaluar nëpër të nëntë rrathët e ferrit komunist. Në sytë e tyre ndieja dhimbje për familjarët apo miqtë që kishin humbur në këtë kamp të tmerrshëm dhe para syve më shfaqeshin si në një ekran këto ngjarje:

Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, bija e Abaz Kupit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtë muajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me tre motrat dhe vëllezërit e saj, më i madhi i të cilëve nuk i kishte mbushur të dhjetë vjetët. Ishin të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.

A mund të ketë mizori më të madhe se kur dënon edhe fëmijtë e vegjël? Një mizori e tillë mund të ndodhë vetëm kur në krye të shtetit janë njerëz mizorë dhe të pamëshirshëm. Por ndryshe mendojnë disa të vetëquajtur historianë që pretendojnë se Shqipëria qenka “çliruar”. Nga cilët dhe për kë shërbeu kjo e ashtuquajtura “liri”? Mos vallë për këta fëmijë që i latë jetimë?

Aziz Ndreu më tregon historinë e Shega Frashërit që do të rezistonte për disa ditë e varur për duarsh në tavan, në mënyrë të atillë që vetëm pak majat e gishtërinjve të këmbës t’i preknin tokën? Dhe kjo bëhej me qëllimin e vetëm se torturuesi donte të eksperimentonte se sa do të mund të rezistonte një femër në kondita të tilla. Nëse ajo mbeti gjallë ishte merita e dy të dënuarve të tjerë në të njejtën qeli, Azizit dhe Pal Mirashit që shtriheshin me rradhë nën këmbët e saj në mënyrë që ajo të qëndronte mbi shpinën e tyre dhe kur dëgjonin çelsat që hapnin portën largoheshin që roja të mos kuptonte asgjë.

Dhe pseudohistorianët vazhdojnë të predikojnë se e ashtuquajtura Luftë NacionalÇlirimtare e tyre solli lirinë në Shqipëri. Mos vallë kjo është liria për të cilën paskan luftuar ata?

Një nënë mirditore vajtonte mbi kufomën e birit të vdekur gjatë natës. Ajo nuk kishte më qumësht për ta ushqyer. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër. Ai qante dhe qante me ngashërim. Donte gjirin e nënës që i mungonte. Pas pak edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën, e shkundi, por ai nuk përgjigjej. Nëna lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.

Mos vallë kjo ishte liria e kësaj nëne? Por pseudohistorianët e ardhur nga bota e krimit përgatiten të festojnë me madhështi ditën e lirisë së robëruar.

Trasportoheshin shtylla për në minierën e Memaliajt. Trasporti bëhej nëpërmjet lumit të Bënçës. Ishte dimër. Çdo gjë kishte ngrirë akull. Disa trungje kishin ngecur pa rënë në lumë. Reshter Kamberi i drejtohet Kec Grimcit pesëdhjetëvjeçar:

- Hej ti që më rri si hu gardhi, shtyji ato trungje.

Keci mori një degë druri dhe u mundua të shtynte trungjet. Reshteri nuk priti por e shtyu dhe e hodhi në lumë. Keci u drodh nga të ftohtit dhe në pak minuta mbeti i ngrirë me duart përpjetë. Shokët e kapën dhe e nxorrën nga lumi. Ashtu të ngrirë e çuan në kuzhinë ku u munduan që nga nxehtësia e ambjentit të atjeshëm ta sillnin në vete. Pak nga pak filloi të shkrijë dhe arriti t’u thotë shokëve:

- Mos harroni racionin tim të bukës!

Kjo është liria juaj zotërinj pseudohistorianë ku njeriu vdes nga uria? Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmomë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë.

Helena Beça, një franceze, e shoqja e Andon Beças, dëgjoi emrin e saj që e thërrisnin. Përgjegjësi i thotë se do të shkonin të ngarkonin dru në krah. Ajo e habitur i përgjigjet me një shqipe gjysmake:

- Pse mba dru nieri? Dru mba kala.

Kapter Selfua e dëgjoi, e rrëmbeu dhe filloi ta godasë ku të mundte. Shoqet e ngritën dhe e tërhoqën zvarrë deri në vendin e punës. Kështu vazhdoi disa ditë deri sa i mbaruan fuqitë. Ra pa ndjenja në tokë. E shtruan në infermieri ku mjeku që i vizitonte, Lluka Dhimolea, i sajoi një diagnozë falso dhe e nisi për në spitalin e Gjirokastrës. Mjekët e atjeshëm e kuptuan diagnozën, por heshtën. U vinte keq për francezen e ngratë. As që u shkonte ndër mend se mund të trajtohej ashtu njeriu. Helena qëndroi e shtruar deri sa e mori veten mirë dhe pastaj u kthye përsëri në kamp.

Mos vallë kjo është barazia e gruas me burrin, e propaganduar me aq forcë nga propaganda komuniste?A do t’i shkruajnë pseudohiatorianët që kanë marrë përsipër “rishkrimin” e historisë së Shqipërisë këto ngjarje makabre? Çfarë historie do te rishkruajnë atëherë? Ka kohë që ata janë bashkuar me korin e korbave të zinj që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo për rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, kriminelit më të madh të të gjitha kohërave. Përkrah tyre janë një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941. Kjo është historia e rishkruar prej tyre.

Në kamp kishte edhe disa të huaj. Midis tyre edhe një italian, një ushtarak i zoti i quajtur Mario Verdi. Një ditë kur dikush e pyeti nëse do t’i shkruante ndonjë ditë këto tmerre, ai u përgjigj:

- E para nuk e di nëse do të mund të kthehem gjallë apo jo. Por edhe po u ktheva nuk do t’i shkruaj sepse nuk do të më besojnë, do të më quajnë gënjeshtar.

Dhe këto fjalë i thoshte një person që i përkiste atij kombi që kishte provuar mbi shpinën e tij diktaturën fashiste. Një mendje e shëndoshë nuk mund të besojë tmerre të tilla. Ato duhet t’i kesh jetuar vetë.

Po kush qenka liria që na dhuruan “çlirimtarët“? Mos vallë ajo që na ndau nga bota perëndimore për të na degdisur në shkretëtirat ruse apo kineze?

Këto pamje më dilnin para syve ndërsa vizitoja gërmadhat e një vendi ku u martirizuan me qindra heronj.Më dilnin para syve sekuencat e nje filimi gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, që shfaqesh në ekranet e kinemave në fëmininë time, në ditët e para të të ashtuquajturit “çlirim”. Ishte historia e një mjeku nazist që eksperimentonte në laboratoret e tij format më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. Më ka mbetur e gjallë finalja e këtij filmi: Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut, duke thërritur:

- Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa nga prapa shfaqeshin krimet e kryera prej tij, dhomat e tmerrshme të gazit dhe

torturat e tjera. Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”.

Unë meditoja:

Po sot në vendin tonë çfarë po ndodh? Pseudodemokratët dhe pseudohistorianët, në një kor me korbat e zinj, po thërrasin si mjeku gjerman:

- Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!

Atëherë , kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi ynë? Mos vallë ne

që e paguam me jetët tona?

Do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen në koshin e plehrave, ndërsa emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i prêt vetëm një gjë, në mos ndëshkimi i drejtësisë shqiptare, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.

Kjo ditë do të vij!





Botuar në gazetën “55“ Nr. 303 (5921) datë 9 nëntor 2014

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)