ÇAMËRIA LËNGON, PREJ 70 VJETËSH, NGA DY “MULLARËT”


Nga Rasim Bebo



U përkujtuan masakrat e Çamërisë të qershorit 1944 dhe të 12 marsit 1945. Emri i Çamërisë u përflak në Prishtinë, në Tiranë në Parlament, kurse këtu në Amerikë u lëshua dhe nje deklaratë nga VATRA. “70 vjet nga tragjedia çame”,ku u shkrua në prozë dhe poezi, u fol me mallëngjim dhe me zemërim për shkaktarët e kësaj tërkuze 70 vjeçare, gjatë së cilës nuk u arrit ajo ombrellë mbrojtëse e “Rezolutës Çame” për të shkuar në OKB, BE, Konges Amerikan, ashtu siç e bëri fqinji jugor para 10-11 vjetëve, Rezolutën greke për të mohuar të vërtetën historike, se gjoja “Çamëria nuk ekziston”. O, Zot, sa armiq të mëdhenj ka prodhuar ky atdhe, tradhtarësh, sidomos në këto 23 vjetët e fundit. Si ka mundësi të mohojë Çamërinë ky “mullari” i kalbur grek, në një bashkim “Fe ortodokse + gjuha greke” ?… Kur ky kombi grek, është pa kombësi, pa racë, pa etnicitet. Boll të dish sado pak greqisht dhe të jesh ortodoks. Një“Mullar”, me 6 kombësi të ndryshme: Shqiptarë, sllavë, bullgarë, rumunë, turq, evgjitë etj. Pra, një konglomerat popujsh, që kisha greke i ka të grumbulluara dhe të lidhur me litarin e xhutës hindjane, (si të anijeve që i lidhin nëpër skela). Mbi këtë “mullar”në shtetin grek, sot sundon ligji nr. 1363, i vitit 1938, i kohës së diktaturës së Metaksait, që ndëshkon krimin e proselektizmit (konvertim fetar). Nëse në Greqi ndërron fenë ortodokse, menjëherë burgosesh. Çfarë vërehen prapa këtyre kodeve greke kishtare e shtetërore?

1. Shteti grek e ka të ligjshme të ndërhyjë në ndjekësit e fesë ortodokse kudo që të jenë, edhe jashtë Greqisë (!).

2. Të tërë ortodoksit shqiptarë konsiderohen greke dhe duhet të drejtohen nga shteti grek.

3. Vendet e ortodoksëve shqiptarë, qenkan greke e në fatet e tyre u dashka ndërhyrja e shtetit grek.

Grekut i është shtuar oreksi dhe kur nuk shikon pengesa, ka filluar kohë më parë për të krijuar “Mullarin e dytë” në Tiranë duke grumbulluar: PD, PS, LSI, PDIU, qeverinë, Akademinë e Shkencave. I kanë lidhur, po me atë litar dhe të kyçur me çelës të hallakatur dhe mbi këtë është Kisha greke që e komandon komisari i saj Janullatos. Pengesë kryesore për bashkimin natyral të trojeve shqiptare janë “të dy “mullarët”, i Athinës dhe i Tiranës”. Bile nuk duan as bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Është fatkeqësi për ne që të futemi në BE, vetëm Shqipëria Londineze, pa trojet e saj shqiptare. Kështu që Çamërinë, greku e ka të ligjëruar se nuk “EKSISTON”, me rezolutën që u ka dërguar forumeve ndërkombëtare, dhe tani i thellohet më shumë varri. Mullaristët e Athinës, influencojnë me prepotencë ndaj mullarit të Tiranës. Për këtë, shikoni faktet: Ministri i jashtëm grek, kur flet me plot kompetencë në qeverinë shqiptare në Tiranë: “Digjoni, ju, shqiptarë! …kujdes: mos bëni naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë kufiri detar, mohimi i çështjes çame, mos prekja e çështjes së ligjit të luftës, ngritja e varrezave të reja, përvetësimi i pushtimit të kishës ortodokse …”. (Eshref Ymeri, “24-10-2013, ministri i jashtëm grek u shfaq para shqiptarëve).

Kështu që Rezoluta Çame vazhdon të jetë e pamirtuar dhe e bllokuar me urdhër të Athinës. Në vitin 2004, ishte një shans, për të zgjidhur një padrejtësi historike, u njohëm në mënyre të detajuar me rezolutën dhe e mbështetëm menjëherë për ta miratuar nga të gjithë deputetët, thotë kryetari i parlamentit Servet Pëllumbi. Por kjo Rezolutë pengohej nga brenda prej Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët ishin dy barrierat kryesore që sabotuan rezolutën. Nano, me telefon nga zyra, tërhoqi deputetët socialist nga mbledhja në prag të votimit, ndërsa Sali Berisha me Xhozefina Topallin, e të tjerë, u larguan nga mbledhja në momentin para votimit. Në parlament ishin 108 deputetë për të votuar. Kryetari i parlamentit, Servet Pëllumbi, pas votimit jep përfundimin: Rezoluta Çame nuk u miratua, pse kishte marrë 53 vota pro dhe 55 kundra. Rezoluta Çame e pa miratuar shkoi në arkiv. Pas 9 vjetëve, përpara zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kryetarëve të PD dhe PS u duheshin pesë deputetët çamë për elektoratin e tyre dhe për t’i marrë me lajka, urdhëruan deputetin socialiste me detyrë, kryetar i Komisionit të jashtëm, Fatos Beja, që nxori nga arkivi i kuvendit votimin e datës 8 prill 2004, duke bërë diversion para deputetëve të këtij komisioni se, kjo rezolutë është miratuar, por nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Oh. Çfarë mashtrimi!… Kur vetë deputetët çamë bashkë me kryetarin e tyre e marrin rezolutën “gjoja” për miratim dhe nuk e nxjerrin në parlament për të vepruar me të kundra rezolutës greke, që ka 10 vjet dërguar Forumeve Botërore se “Çamëria nuk ekziston” … Pra, kjo është tradhti e deputetëve Çamë. Sot nuk duhen fjalët e bukura me oratori të zgjedhur të Shpëtim Idrizit, por duhet vepruar për miratimin e Rezolutës dhe dërguar OKB, BE, Kongresit Amerikan. Boll e ka bllokuar Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe tani në këto 23 vjetët e fundit nga Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama. Dhe si është filluar, kush e di sa do të vazhdojë akoma bllokohet, në qoftë se deputetët çamë nuk vënë kushte : “O, Rezolutën Çame ose largimin nga Parlamenti “. Por ju, zotërinj i jeni futur biznesit dhe spekulloni mbi plagët e gjakut që rrjedh për 70 vjet Çamëria martire, për fajin e bijve të saj që e tradhtojnë.


Ja kush është megallomani Shpëtim Idrizi: “… Por, unë po ju garantoj në emër të 5 deputetëve të PDIU-së që nuk do ta lejojmë më këtë, duke filluar që nga kjo ditë. Ne për këtë jemi këtu në këtë parlament. Kemi heshtur kur ky parlament është kthyer në arenë përbaltjeje dhe denigrimi reciprok. E kemi parë këtë me shumë dhimbje se kauza jonë kombëtariste është përbashkuese. Ne ju duam bashkë për të bërë Punë të Mira për Shqipërinë, si kur jeni në kalë sikur jeni në këmbë, por ne për çështjen kombëtare, për çështjen çame e për t’i parë shqiptarët bashkë kudo që i ka vënë Zoti, nuk do të heshtim kurrë. Po ju garantoj për këtë që nga kjo séancë. Ne jemi një parlament, ku shumica e sotme në pushtet, propozoi një rezolutë, e cila e shpallte çështjen çame si çështje kryesore të diplomacisë sonë. Ajo rezolutë, ashtu si dhe rezoluta e 2004-ës, pra dy rezoluta që PDIU-ja i vuri në lëvizje, i imponojnë qeverisë, të vijë të raportojë periodikisht se çfarë është bërë për zgjidhjen e çështjes çame…”. (Shpëtim Idrizi, “Ftesë për reflektim …”, 26-6-2014).

Me sa mend thua, se pret të të vijë qeveria për të raportuar për zgjidhjen e çështjes çame, kur ajo të tërheq me kapistër për interesat e saj?!… Më mirë kërkoja grekut këtë raportim, se sa Sali Berishës dhe Edi Ramës, se këta janë më grek se greku. Jo z. Shpëtim Idrizi, ju duhet të shkëputeni nga gënjeshtra dhe hipokrizia, që luan sot qeveria shqiptare për ta humbur Çamërinë. Duhet patjetër të kërkoni miratimin e Rezolutës Çame, sa më parë dhe dërgimin e saj bashkë me dosjen e masakrave të bëra nga greku, Forumeve të Larta Botërore, për t’i thënë grekut, ndal, sepse ka gënjyer dhe manipuluar me rezolutën që ka dërguar para 11 vjetëve.

Deklarata e VATRËS ka rëndësi të madhe, kur akuzon grekun si zakonisht, si përpara 100 vjetëve dhe kurdoherë në vazhdim. Është kjo VATRA që hodhi themelet e Shqipërisë që kemi sot. “VATRA dhe DIELLI që në fillim shpallën se “Kryefjala e jonë është: Shqipëria për Shqipëtarët. Dielli u bë avokat për çështjen shqiptare. Ai i priu Vatrës në mbrojtje të çështjes kombëtare, u mësoi shqiptarëve të Amerikës patriotizmin dhe gjuhën e bukur shqipe. Editorët e parë të saj ishin Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, etj. Vazhdon për 106 vite, ( në atë rrugë sot sy patrembur vazhdon editori Prof. Dr. Dalip Greca. Shën. im). (D. Greca“DIELLI zeri I VATRËS, …” 18 qershor 2014). VATRA: Nënvizon: “70 vjet nga tragjedia çame, Greqia ende mban të ngarkuar ndërgjegjen e Kombit Helen me peshën e rëndë të krimit antinjerëzor, duke dhunuar, kështu, emrin “Djepi i lashtë i demokracisë”. Greqia refuzon njohjen dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes çame, vazhdon të njollosë historinë e vet. Shkel të gjitha normat e demokracisë dhe normat ligjore ndërkombëtare. Genocidi grek mbi popullsinë çame është plagë e hapur në trupin e Kombit Shqiptar, gjaku dhe borxhi nuk harrohen kurrë, por mund të paguhen ose të falen. Kjo është në dorën e Greqisë”. (DIELLI 25-6-2014). E nderuara Zonja Vatra “derri do plumbin”. Te dy mullarët në Athinë dhe në Tiranë kërkojnë vetë-eksplodimin, për vetë-shkatërrim. Greqia ia ka frikën Çamërisë, ose Thesprotisë, se është vatra më e lashtë e qytetërimit pellazg. Historianët kohën e fundit deklaruan: “E kemi sajuar Greqinë e lashtë”. (Prof. Gene Haddlebury).

“Prandaj në te vërtetë Greqia dhe Shqipëria duhet ta shohin njëri-tjetrin në sy, ata duhet në fillim të ulen në tavolinë të barabartë dhe jo duke ngritur kurthe. Është e vërtetë se Greqia gëzon një privilegj në BE edhe më gjerë, kjo falë mashtrimit historik që është bërë prej kaq shekujsh, por e vërteta vonon, por nuk harron”. (nga Arben Llalla).

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit