Antologjia, e para e këtij lloji në letrat shqipe, shpalos jetët dhe krijimtarinë e autorëve të vrarë, një pjesë e të cilave vijnë për herë të parë për publikun shqiptar.
Tragjizmi dhe nderimi ngrihen si dy emblema brenda një vepre, e cila vjen për herë të parë në llojin e saj në letrat shqipe, e ndoshta botime të tilla nuk gjenden as në vende të tjera, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.
Ishte pikërisht kjo ndjesi por edhe dëshira për të dokumentuar jetët dhe krijimtarinë e një shtrese intelektualësh të shquar, të pushkatuar apo të vdekur burgjeve e internimeve, një pjesë të mirë të të cilave ky libër i sjell për herë të parë, që e çuan shkrimtarin Visar Zhiti të botonte së fundmi librin e tij më të ri, të titulluar “Lajmëtarë të Europës”; një antologji e të vrarëve. Ky libër vjen si botim i dy shtëpive botuese,“Omsca-1” dhe UET PRESS, nga Universiteti Europian i Tiranës.
Të gjitha këto vijnë të paraprira nga një parathënie-studim dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të shkruar nga autori Zhiti. Antologjia shpalos vlera të larta morale të jetëve të autorëve të përzgjedhur dhe vlera të larta artistike nga krijimtaria e tyre; poezi, prozë, memuare, sentenca etj., një pjesë e të cilave dalin për herë të parë, të paraprira nga një parathënie-studim, si dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të punuar me dashuri e dhimbje nga ideatori dhe përgatitësi i antologjisë, Visar Zhiti.
Vepra ngërthen në vetvete etikë dhe estetikë së bashku, kujtesë, tragjizëm, drejtësi, nderim, por mbi të gjitha është një tekst letrar, një antologji mbarëkombëtare, e para e këtij lloji në letrat shqipe. Ndoshta as në vende të tjera nuk ka botime të tilla, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.
Autorët e përzgjedhur janë emra të shquar, intelektualë të lartë, një pjesë pak të njohur, të laureuar në universitete të ndryshme të Europës, në Austri e Itali, Francë, Gjermani, Greqi, në universitete amerikane si në Turqi, por dhe në Bashkimin Sovjetik, Jugosllavi etj., të gjithë kundërshtarë të diktaturave, fashiste, komuniste, të vrarë me gjyq dhe pa gjyq nga shteti i tyre në kohë paqeje gjatë sundimit të tiranisë dhe në luftën e fundit të Kosovës.
Antologjia tregon bindshëm se në Shqipëri, gjatë sundimit komunist nuk ka pasur vetëm viktima, por edhe disidentë, kundërshtarë dhe martirë të pavdekshëm, që i bashkon dashuria për liri e atdhe, kultura europiane dhe ëndrra europiane. Prandaj dhe janë mbiquajtur “Lajmëtarë të Europës”.
Po kështu, antologjia është hap i mëtejshëm i mendimit dhe i veprimit, që shpreh se shqiptarët janë të aftë dhe duhet që nga persekutimi i rëndë dhe vuajtja e madhe jo vetëm të përkujtojnë e të ndjehen krenarë për sakrificat, por të nxjerrim përvojë, vlera dhe ide, që i shërbejnë së tashmes dhe ardhmërisë.
Ajo që e bën më aktuale dhe ende më të çmuar antologjinë, është fakti se autorët e vrarë që përfshihen, shikohen si përfaqësuesit e lartë të të gjithë pararendësve të demokracisë të një Shqipërie europiane dhe ndjehen ende forcë vepruese.
Duke u botuar pikërisht nga Universiteti Europian i Tiranës, metafora e kësaj antologjie merr vlerën e përmbushjes shpirtërore të një testamenti për të gjithë shqiptarët, sidomos për të rinjtë.
No comments:
Post a Comment