Studentë kryesisht, por dhe lexues të të gjitha moshave këtë panair kanë shfaqur interes të veçantë për botimet shkencore, kryesisht ato që vijnë nga bota akademike.
Panairi i Librit nuk është vetëm një panair i letërsisë. Librat shkencorë, libra universitarë, revistat shkencore apo studimet e studiuesve shqiptarë e të huaj mbi fusha të caktuara janë ato që tërhiqen nga lexuesi në heshtje pa bujë, pa autografe. Studentë kryesisht, por dhe lexues të të gjitha moshave këtë panair kanë shfaqur interes të veçantë për botimet shkencore, kryesisht ato që vijnë nga bota akademike. Dhe ku më mirë se në stendën e botimeve të Shtëpisë Botuese UET-Press do të kishin mundësinë për të gjetur gjithçka që kërkonin që nga ekonomia, jurisprudenca dhe shkencat e komunikimit. Ana dhe Ervisi janë studentë në fakultetin Ekonomik në Universitetin Publik. Kur i pyetëm pse e blenë librin “Shteti apo Tregu”, të Prof. Dr. Adrian Civici, ata sqaruan se u duhet për shkollë. Nuk e kanë si lëndë të veçantë universitare, por për ata studentë që kërkojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej leksioneve bazë që merren në auditorë, UET-Press ofron një gamë të gjerë botimesh shkencore nga emrat më të njohur në vend, siç është ekonomisti Civici, por dhe përkthime të autorëve më të mirë të huaj, që jepen si lëndë në universitetet më prestigjiozë në botë.
Libri më i ri studimor që ka tërhequr vëmendjen, i prezantuar në këtë stendë, ishte ai i studiueses së re Dr. Belina Budini, me një titull grishës dhe me një konceptim po aq grishës për lexues të të gjitha kategorive e moshave. “Tri kohë të Shqipërisë në TIME (1923-2013) nga Ahmet Zogu te Enver Hoxha dhe Sali Berisha”, është një ftesë për të udhëtuar në kohë dhe për të parë me sytë e një prej revistave më prestigjioze në botë një tablo nga një shekull histori të Shqipërisë. Çdo lexues do të donte ta kishte në bibliotekë një libër të tillë, ndërsa ai është një studim i mirëfilltë në Shkencat e Komunikimit.
Tekstet në fushën e jurisprudencës janë tërhequr gjithashtu shumë gjatë dy ditëve të para të këtij panairi, “E drejta Kushtetuese”, “E drejta publike e krahasuar, “E drejta penale” dhe të tjerë libra të kolanës së juridikut janë kërkuar shumë nga lexuesit në panair”, – thotë përfaqësuesja e UET-Press, Drejtoresha e kësaj Shtëpie Botuese, Valbona Nathanaili. Dhe për çudi nuk janë vetëm studentët ata që janë të interesuar për këto botime, e përligjur kërkesa e tyre për shkak të rëndësisë që paraqesin këta libra, pasi janë shumica e këtyre teksteve jepen në Oxford University, por dhe lexues të ndryshëm që i duan për interesa të tyre profesionale apo akademike.
Revistat shkencore gjithashtu kanë rezultuar se nuk janë vetëm një konsum akademik brenda dyerve të Universitetit Europian të Tiranës. Në panair ka pasur një kërkesë relativisht në rritje çdo ditë për këto revista. Ka nga ata lexues që kërkojnë botimin e fundit të kolanës pasi i kanë numrat e mëparshëm. Universiteti Europian i Tiranës boton disa revista shkencore, përmes të cilave studiuesit dhe akademikët kanë mundësi përdorimi të informacioneve të rëndësishme rreth zhvillimeve të fundit në fushat e tyre: ato janë Jus&Justicia, Economicus, Polis, Sociological Analysis dhe Educatio. Këto revista janë në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, të studentëve si dhe të gjithë të interesuarve në fushat e drejtësisë, ekonomisë, shkencave sociale dhe të edukimit. Krahas përkthimeve dhe literaturës studimore, pjesë e tyre janë dhe punimet shkencore të studiuesve të ndryshëm, si dhe të pedagogëve të UET-it.
“Economicus”, revista shkencore e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës botohet prej vitesh nën kujdesin e kryeredaktorit të revistës, një prej ekonomistëve më të shquar shqiptarë, Ardian Civici dhe në të vijnë të pasqyruara realitetet, arritjet, zhvillimet dhe sfidat e reja në fushën e ekonomisë, financave dhe shoqërisë në Shqipëri e në botë.
“Sociological Analysis” (Analiza sociologjike) me kryeredaktor Rektorin e UET-it, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, u themelua si përgjigje e zhvillimeve të Shqipërisë në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës në shek. XXI.
“Jus &Justicia”, periodiku i së Drejtës u konceptua për të shërbyer si periodik në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, studentëve, por edhe të punonjësve të praktikës, lindi në vitin 2008. Prej katër vitesh tashmë ajo botohet 2 herë në vit dhe ka fituar fizionominë e një revistë prestigjioze.
Polis është revista shkencore e Fakultetit të Shkencave Sociale në UET, e themeluar që në fillimet e Universitetit Europian të Tiranës. Në faqet e saj “Polis” ka përjetuar dhe reflektuar ndryshimet e mëdha në shkencat sociale shqiptare, në futjen e risive teorike dhe praktike në këto shkenca, hapjen e ciklit të dytë dhe të tretë së studimeve në UET etj.
Educatio; burim akademik mbi çështjet e edukimit. Kjo revistë vjen si një revistë profesionale, me akses të hapur, “peer-review”, e cila boton artikuj shkencorë me cilësi të lartë. Revista ka një bord të shquar editorial dhe siguron mbajtjen e standardeve të larta shkencore dhe një mbulim të gjerë ndërkombëtar. Botohen artikuj të lidhur me të gjitha degët e edukimit.
No comments:
Post a Comment