Kështu e ka titulluar librin e tij dr. Luan Zyka, dhe brenda 150 faqeve të tij dialogon me të birin, me veten, me shoqërinë shqiptare, me atë greke, me politikën, me kulturën.
Arbër AHMETAJ
Dr. Luan Zyka bën pjesë në ata pak njerëz që arritën të studiojnë jashtë Shqipërisë. Ai ka diplomuar në lëminë e gjenetikës Universitetin Aristotelis të Selanikut në vitin 1987. Doktoron në fushën e gjenetikës, në po të njëjtin universitet, në vitin 1998. I vetmi shkencëtar shqiptar i përfshirë në grupin e punës për deshifrimin e genomit njerëzor, dr. Zyka është dhe mbetet kryesisht shkencëtar dhe pedagog. Por, pasioni i tij i hershëm për letërsinë e shtyn atë në sferat publike të përkthimit dhe menaxhimit të kulturës. Pasi punon pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Selanikut, ai për një periudhë i kushtohet drejtimit të kulturës në Shqipëri, si sekretar i përgjithshëm i ministrisë përkatëse. Përkthen në greqisht poezi nga kolosët e letërsisë shqipe: Lasgushin, Naimin, Fishtën, Camajn, Kadarenë etj. Nga greqishtja shqipëron me shumë sukses poetët e famshëm Kavafis, Ricos, Elitis etj.
Ky është me pak fjalë jetëshkrimi i dr. Zykës, por subjekti i këtij shkrimi është libri i tij mbi kulturën që e përmendëm më sipër. Në këtë sprovë, autori ngre qindra pyetje të cilave në të shumtën e rasteve edhe u jep përgjigje. Autori gjithënjë fton për reflektim dhe angazhim qytetar akterët e kulturës, artistët, krijuesit, qytetarët që konsumojnë kulturë, që kanë kërkesa ndaj saj. Ajo që e bën me peshë librin është dimensioni i tij gjithëpërfshirës, jo vetëm në rrafshin e arteve të veçanta, si filmi, teatri, muzika, piktura, libri, shtypi kulturor, aktivitetet folklorike, traditat, pasuritë e trashëguara arkeologjike e etnokulturore, por edhe ndërthurja e tyre, implikimi i aktorëve shtetëror, privat, decentralizimi i kulturës, rikthimi i saj tek «konsumatorët», pastaj përqendrimi dhe paraqitja para botës, implikimet e globalizmit, të integrimeve dhe identiteteve specifike. Të gjithë këta elementë merren në analizë, dëshmohet gjendja reale, shtrohet ftesa për reflektim, jepen zgjidhje dhe kërkohet angazhim politik e qytetar për të ruajtur e çmuar ato që kemi krijuar, për të pasuruar parreshtur fondin kulturor, jo thjesht si fytyra individuale e kombit, por edhe si «mall» shkëmbimi me kulturat tjera. Dr. Zyka nuk është thjesht teoricien i kulturës, ai është organizator i aktiviteteve të mëdha kulturore. Për vite me radhë e ka bashkëorganizuar «Sheshin Ballkanik», në të cilin kanë marrë pjesë Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve, këngëtarët Ardit Gjebrea, Manjola Nallbani, motrat Libohova, ansamblet e Elbasanit, Tropojës, Dropullit, artistët e rinj të shkollës së muzikës «Jordan Misja», ka hapur ekspozita librash e pikturash, kostumesh dhe të artit të kuzhinës shqiptare. Ka shkruar dhjetëra artikuj për kulturën shqiptare e greke, ka polemizuar e mbrojtur vlerat dhe të drejtat e shqiptarëve, ka mbrojtur e argumentuar luftën për liri në Kosovë, të drejtën e kombeve të vjetra të Ballkanit për të jetuar në paqe në shtëpitë e tyre, në fqinjësi e marrëdhënie dinjitoze ndërmjet të barabartësh.
Ky shqetësim fondamental për kulturën e bën librin e dr. Zykaj një perlë rreth së cilës duhet të kristalizohen shqetësimet, idetë dhe kontributet e njerëzve të shquar në fushën e kulturës dhe menaxhimit të saj modern.
Dr. Luan Zyka ka profil të lartë prej shkencëtari, intelektuali, e humanistit modern shqiptar. Sot punon si drejtor në një holding ndër më të rëndësishmit në veri të Greqisë, Porto Carras. I njëjti njeri, i qeshur, i çiltër, i ditur e i virtytshëm. Pasioni i tij është letërsia shqipe e botërore, kultura dhe sfidat e saj. Përkundër Zvicrës, thot dr. Zyka, «Greqia nuk ka mentalitetin e hapjes dhe pasurimit të kulturës kombëtare me prurjet e kulturave tjera, klima e përgjithshme është mohuese, refuzuese shpesh dekurajuese». Por, «shkurajimi» është fjalë e huaj për dr. Zykajn. Ai vazhdon…