Prof.dr. Eshref
Ymeri
Mirënjohje të
thellë për Enver Lepenicën
Në ditët e para të tetorit, në kafenenë
te kolonat e Pallatit të Kulturës, u takova me mikun tim, zotin Enver Lepenica.
Pasi bëmë një dorë muhabet, më tha se donte të takoheshim përsëri nesër, meqenëse
dëshironte të më dhuronte një libër interesant. U takuam të nesërmen. Për habinë
time të këndshme, ai më kishte sjellë jo një, por tre libra. Njëri titullohet“Kryetarët e Bashkisë Vlorë”. U kushtohet
20 kryetarëve të Bashkisë së Vlorës që prej vitit 1912 e deri tani. Këtë libër
e ka analizuar me profesionalizëm publicisti i mirënjohur Gëzim Llojdia, në
shkrimin me titull “20 kryetarë të
Bashkisë Vlorë për gjatë një shekulli në botimin e Lepenicës”, të botuar në
gazetën “Dielli” më 02 nëntor 2014.
I dyti mban titullin “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912-2012”.
Libri i tretë titullohet “Parti komuniste apo parti terroriste”.
Ky është një libër me të vërtetë befasues, në të cilin Enver Lepenica, pas një
pune hulumtuese shumëvjeçare të jashtëzakonshme, ka nxjerrë përfundimisht në
dritën e diellit të vërtetat tronditëse për përçarjen tragjike që Partia
Komuniste e Shqipërisë dhe personalisht Enver Hoxha, futën në radhët e popullit
shqiptar në vitet e luftës antifashiste.
Përmes një dokumentacioni të pasur
arkivor, Enver Lepenica u ka folur lexuesve me gjuhën e fakteve të pakundërshtueshme
për aktivitetin e çmuar atdhetar të formacioneve luftarake të Ballit Kombëtar
gjatë luftës antifashiste, të cilat patën luftuar përkrah çetave partizane kundër
trupave fashiste italiane. Por Partia Komuniste e Shqipërisë, që në ditën e
themelimit të saj, nën diktatin e shovinistëve serbomëdhenj, të përfaqësuar nga
Miladin Popoviçi dhe nga Dushan Mugosha, mbolli farën e antinacionalizmit dhe
popullin shqiptar e ndau në dy kampe armiqësore. Problemi që shqetësonte për
vdekje Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe kryeshovinistin Tito, ishte çështja
e Kosovës, të cilën komunistët shqiptarë duhej ta mohonin përfundimisht dhe ta
fshinin nga ndërgjegjja kombëtare e popullit shqiptar të Shqipërisë Londineze.
Që të arrihej ky objektiv madhor për shovinizmin serbomadh, duhej që shqiptarëve
t’u mësohej arti i vëllavrasjes, të cilin kryetradhtari Enver Hoxha, para
emisarëve të Titos, u angazhua ta përvetësonte mjeshtërisht dhe t’ua mësonte
edhe krerëve të tjerë komunistë se si shqiptari duhej të vriste shqiptarin.
Konsulentë të librit janë prof. Sherif
Delvina dhe dr. Kastriot Dervishi, recezent është dr. Bujar Leskaj dhe redaktor
- Petrit Bezhani.
Libri, pas parathënies së autorit, hapet
me dy studime mbresëlënëse.
I pari: “Forcat politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, me autor
prof.dr. Muharrem Dezhgiu. I dyti: “Marrëveshja
e Mukjes, shkaqet e prishjes së saj dhe pasojat historike”, me autor
prof.dr. Beqir Meta, akademik, drejtor i Institutit të Historisë, dhe prof.dr.
Muharrem Dezhgiu, Instituti i Historisë.
Ne shënimin që kanë vënë në fillim të këtij
studimi, autorët shkruajnë:
“Varrosja
e Mukjes jo vetëm ishte një fatkeqësi kombëtare që goditi në palcë popullin
shqiptar për 50 vjetët e diktaturës komuniste, por ajo ndihet e qartë si një
mallkim edhe sot, gjëma e të cilit u shfaq me gjithë forcën edhe në pranverën e
hidhur e të përgjakshme shqiptare të vitit 1997, e cila vazhdon ende ta mbajë
kombin të mbërthyer në një makth ogurzi”.
Por si shpjegohet fakti që, megjithëse
fara e antinacionalizmit dhe e luftës vëllavrasëse u hodh që më 08 nëntor 1941,
Partia Komuniste e Shqipërisë pranoi të ulej në bisedime me forcat nacionaliste
në Konferencën e Mukjes? Përgjigjen kësaj pyetjeje, Enver Lepenica e jep në
faqet e këtij libri përmes dokumenteve arkivore.
Në kujtimet për Kuvendin e Mukjes, Zef
Pali ka lënë me shkrim mbresat e veta:
“…
Komunistët në Mukje kishin grumbulluar disa çeta. Mendojshin se lufta po merrte
fund dhe dojshin të mos liheshin mënjanë, kur të zbrisnin aleatët. E dijshin se
amerikanët dhe inglizët do t’u epshin dorë ma tepër fuqive demokratike të
Ballit Kombëtar, prandaj kërkuen marrëveshjen e Mukjes” (f. 360).
Simpatia e amerikanëve për forcat
demokratike të Ballit Kombëtar, dëshmohet në një letër-dokument të gjeneral
major Ralf Roisit, Komandant i Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme. Ky
dokument i drejtohej Ballit Kombëtar në Vlorë, i cili pati siguruar me ushqime
dhe i nisi shëndoshë e mirë nga gadishulli i Karaburunit 20 infermiere
amerikane dhe dy pilotë që kishin rënë aksidentalisht në Dumre të Elbasanit.
Dokumentiështë shkruar në Kajro dhe mban datën 20 janar 1944:
“Si
komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Amerikane në Lindjen e Mesme,
dua të shpreh mirënjohjen time për ndihmën që dhatë në evakuimin e grupit të
infermiereve dhe aviatorëve amerikanë, të rënë aksidentalisht në vendin tuaj.
Evakuimi i sigurt i tyre ishte një mbështetje e bashkëpunimit të popullit tuaj
me forcat amerikane, për të cilën ju jemi mirënjohës” (f. 326).
Në Konferencën e Mukjes u vendos që të
arrihej në“realizimin e bashkimit me
atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të
përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe të
garantuar prej Kartës së Atlantikut” (f.
351).
Balli Kombëtar kishte vendosur
paraprakisht që, në Konferencën e Mukjes, Ali Këlcyra dhe Skënder Muçua do të
mbronin temën që Çamëria të njihet si Kosova, pjesë e Shqipërisë Etnike. Në
pasdreken e 31 korrikut 1943, sipas dokumentit që citon Enver Lepenica, “propozimi i Isuf Luzaj ishte ky:
“Kosova
do të jetë pjesë e pandarë e Shqipërisë, do ta mbronte Isuf Luzaj… Çamëria të
trajtohej si pjesë e pandarë e Shqipërisë Etnike, teza do të mbrohej nga Ali Këlcyra”
(f.
358).
Sipas kujtimeve të Zef Palit, Enver
Hoxha, një muaj pas Marrëveshjes së Mukjes, “mblodhi
në Labinot shtabin e kuq. Kërkoi të prishej marrëveshja e Mukjes. Arsyet nuk i
mungojshin. Pëfaqësuesit e Titos shifnin në çdo radhë të dokumentit të nënshkruem
“grackën” ku kishin rënë të kuqtë dhe fitimin e Ballit! Kosova i tronditi tepër!!”
(f. 362).
Në të vërtetë, Komunikatën e Marrëveshjes
së Mukjes e hodhi poshtë menjëherë Miladin Popoviçi, sapo ajo i ra në dorë fill
pas përfundimit të saj. Kur ai e mori në dorë në Panarit të Korçës, e lexoi, e
zhubraviti dhe ia përplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe ky “trim i madh i Shqipërisë”, për turpin e vet,s’guxoi të hapte gojën
para tij, tamam si shërbëtori para agait. Prandaj Enver Hoxha, së bashku me
Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, nga Vithkuqi, urdhëron Komitetet Qarkore
të Partisë Komuniste në Rrethe:
“Lajmëroheni
se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej
Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë, arritur
në mes të Këshillit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në
kundërshtim me vijën e nacionalçlirimtares dhe disaprovohet nga Komiteti Qëndror
i Partisë. Prandaj, në rast se nuk e keni shpërndarë, çirreni dhe të mos flitet
më për të” (f.
369).
Me këtë urdhër, Miladin Popoviçi, Dushan
Mugosha dhe, për fatkeqësinë tonë kombëtare,argati i tyre Enver Hoxha, dhanë
sinjalin për fillimin e luftës civile në Shqipëri, e cila solli pasoja tragjike
në vendin tonë dhe që pas 28 nëntorit të vitit 1944 mori trajtat e përbindshme
të luftës së klasave.
Në këto kushte, Komiteti Qëndror i Ballit
Kombëtar mori vendimin e mëposhtëm:
“Sot
më 7 nëntor 1943 me pikëllim dhe me hidhërim të madh Komiteti Qëndror i Ballit
Kombëtar aprovoi me pikëllim luftën civile, tue mos ba asnjë ritiratë
(tërheqje) më, përpara provokacioneve, pse këto ritirata u konsideruan frikë e
dobësi dhe sollën këto ditë të zeza të kombit tonë. Shtojmë se para këtij
aprovimi fatkeq, Balli bëri një thirrje të fundit, duke lënë 15 ditë afat, ku
lutet për marrëveshjen, por më kot”(f. 331).
Partia Socialiste e Shqipërisë, si trashëgimtare
e Partisë së Punës të Shqipërisë, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të
Shqipërisë Londineze nga nazifashizmi, ka rastin që të dalë me një pendesë
publike para mbarë popullit shqiptar për luftën civile që Partia Komuniste e
Shqipërisë shpërtheu kundër Ballit Kombëtar, luftë kjo që solli si pasojë përçarjen
më të rëndë në historinë e kombit shqiptar dhe që u shoqërua me shumë viktima
të pafajshme si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë 46 vjetëve të diktaturës së egër
komuniste. Kjo pendesë publike bëhet edhe më e domosdoshme për faktin se të
vërtetën për shpërthimin e asaj lufte civile e ka pranuar që para shumë vjetësh
vetë zoti Edi Rama, i cili tani është kryetar i Partisë Socialiste dhe
kryeministër i vendit. Në një libër me bashkautorësi, të botuar në vitin 1992,
ai, me shumë të drejtë, ka deklaruar:
“Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në
një luftë të përgjakshme civile... shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste
Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë…” (Edi
Rama & Ardian Klosi, “Refleksione”, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992,
f. 180-181. Citohet sipas: Kastriot Myftaraj. “Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”.
Marrë nga faqja e internetit “opozita.com”.
18 nëntor 2014) .
Dhe më poshtë
bashkautorët vazhdojnë:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të
origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një
parti e ligjshme” (Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 184.Citohet
sipas: Kastriot Myftaraj. “Letër e hapur
Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”. Marrë nga faqja e
internetit “opozita.com”. 18 nëntor
2014) .
Megjithëse me shumë vonesë, prapëseprapë
do të ishte mirë që klasa politike shqiptare dhe sidomos e majta shqiptare që
sot është në pushtet, të vendosë ta dënojë publikisht Partinë Komuniste të
Shqipërisë, Partinë e Punës së Shqipërisë
dhe Enver Hoxhën, për farën e mallkuar të përçarjes kriminale që mbollën në
radhët e kombit shqiptar me luftën civile që shpërthyen gjatë viteve të luftës
antifashiste, për luftën kriminale të klasave që praktikuan gjatë një periudhe
gjysmëshekullore, t’i heqë Enver Hoxhës titullin e heroit të popullit dhe, në këtë
mënyrë, të hapë faqen e re të pajtimit aq të dëshiruar mes shqiptarëve të
Shqipërisë Londineze, pajtim që ende mungon edhe gjatë këtyrë viteve të
pluralizmit politik në vendin tonë. Në këtëaspekt, bashkohem plotësisht me
pikëpamjen e zotit Frank Shkreli, i cili thotë:
“Fatkeqsisht,
pa një qartësi të vendosur morale, jo vetëm të klasës politike që ka udhëhequr
vendin për më shumë se dy dekada pas shembjes së komunizmit, por edhe në
mungesë të një vizioni moral nga shoqëria shqiptare në përgjithësi në
lidhje me trashëgiminë e vërtetë të sundimit komunist, kombi shqiptar ka shumë
pak mundësi që të mënjanojë një të ardhme të zymtë” (Frank
Shkreli. “Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit
të Enver Hoxhës”. Citohet
sipas: “Tribuna Shqiptare”. 21
nëntor 2014).
Mbi bazën e dokumenteve arkivore, Enver
Lepenica ka nxjerrë në spikamëdy figura emblematike të Ballit Kombëtar:
Kryetarine Ballit Kombëtar Mitat Frashëri dhe Komandantin o forcave të Ballit
Kombëtar, Hysni Lepenica. Në një letër që i ka pas dërguar kryeministrit Fatos
Nano më 14 mars 2003,zoti Rrahman Perllaku, gjeneral leitenant në pension, hero
i popullit, si njëra nga figurat e mirënjohura të kohës së luftës, jep vlerësime
mjaft objektive për figurën e Hysni Lepenicës, të këtij pionieri të shquar të
shqiptarisë.
Ky libër është një enciklopedi e vërtetë
e historisë së Ballit Kombëtar, e këtij formacioni politik që u krijua në Shqipëri
fill pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të cilit Partia Komuniste
e Shqipërisë, si zgjatim i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në kuadrin e luftës
civile, i shpalli luftë të pamëshirshme, ia pushkatoi me tërbim shumë figura të
njohura të tij në vitet e luftës dhe pas përfundimit të saj, duke e shndërruar
në objekt të luftës së egër të klasaeve gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore,
duke e zhveshur nga të gjitha pronat, duke e varfëruar në maksimum dhe duke e
katandisur nënjë kufomë mbi dhe. Pasojat e vajtueshme të këtij qëndrimi barbar
të Partisë Komuniste të Shqipërisë ndaj Partisë së Ballit Kombëtar, si një
parti me orientim demokratik perëndimor dhe nacionalist, e cila kishte në
programin e saj ribashkimin e trojeve tona etnike që nga Preveza deri në Tivar,
sot duken açik: sot s’ka më Parti të Ballit Kombëtar. Atë e shfarosën pothuajse
krejtësisht organet represive të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë
së Punës të Shqipërisë, në vitet e luftës me armën e luftës civile dhe pas luftës
me armën e luftës së klasave, duke i lënë të pashkolluar breznitë pasardhëse të
këtij formacioni politik. Në kohën e Luftës, Partia e Ballit Kombëtar dhe
Partia e Legalitetit përfaqësonin gati gjysmën e popullsisë, kurse sot këto dy
parti janë krejtësisht të rrëgjuara, madje deri në atë masë, saqë nuk janë në
gjendje të nxjerrin dot qoftë edhe një deputet të vetëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, ky libër është edhe
enciklopedi e urrejtjes komuniste që, si në asnjë vend tjetër të botës, u shfaq
me gjithë tërbimin e saj kundër nacionalizmit, kundër ideologjisë nacionaliste,
e cila kombit shqiptar i duhej dhe vazhdon t’i duhet edhe sot si buka e përditshme,
për shkak të copëtimit të trojeve të tij etnike prej shovinizmit evropian, me
shovinizmin rusomadh në krye.
Që lexuesit e nderuar të binden për
natyrën egërsisht terroriste të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë
së Punës të Shqipërisë kundër forcave nacionaliste, le të lexojnë citatet mjaft
kuptimplote që autori ka radhitur në faqen e pasme të kopertinës së këtij
libri. Këtu unë po citoj vetëm dy prej tyre. Në të parin bëhet fjalë për një
krim barbar të kohës së luftës, kurse në të dytin për një krim jo më pak barbar
pas viteve të luftës, të periudhës së luftës së egër të klasave:
“Çeta
komuniste e Agush Gjergjevicës, kapi në Melçan të Korçës Bexhet dhe Xhevdet
Bulgarecin. Këta u masakruan në mënyrë barbare të pashembullt, duke u prerë
hundën dhe veshët, duke u nxjerrë sytë, duke u thyer nofullat dhe krahët dhe
duke u prerë organet seksuale”.
“Në
kampin e Tepelenës: brenda 6 muajve, një nëne nga Elbasani i vdiqën 5 nga 6
fëmijët e saj… Një nënë tjetër, komunistët e detyruan të dilte në punë, duke
lënë në kapanon vajzën me temperaturë. Kur u kthye e gjeti të vdekur”.
Mendoj se mbarë lexuesit me formim nacionalist,
i janë shumë mirënjohës Enver Lepenicës, autorit të këtij libri të vëllimshëm
prej 576 faqesh, për informacionin shterues që ka sjellë në të për Partinë e
Ballit Kombëtar, të mbështetur tërësisht në dokumente arkivore. Do të ishte me
shumë interes që historianët t’i rekomandojnë Ministrisë së Arsimit që ky libër
të përfshihet në listën e librave shtesë, në ndihmë të studimit të historisë së
Shqipërisë të periudhës së luftës antifashiste.
Me këtë libër, i katërmbëdhjeti në
korpusin e veprave të botuara deri tani, të cilat zënë një vëllim të përgjithshëm
prej 5300 faqesh, Enver Lepenica ka dhënë një kontribut të shquar për sqarimin
e shumë të vërtetave në lëmin e historiografisë shqiptare që prej shpalljes së
pavarësisë e deri në vendosjen e pluralizmit dhe pas tij.
24 nëntor 2014
No comments:
Post a Comment