2014-11-27

Avdyl Gërvalla: "Kosova po përballet me skamje e mjerim, si në shekullin e kaluar




Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Protagonisti i intervistës sime është Avdyl Gërvalla, emër ky i njohur thuajse për të gjithë lexuesit tanë, kudo që gjenden. Është e pamundur që nëpërmjet dy-tri fjalëve të një hyrjeje të kësaj interviste ta njoftojmë për të gjitha këto lexuesin, i cili ndoshta nuk ka pasur mundësi ta takojë, apo të lexojë diçka nga z. Gërvalla. Ai e ka një veprimtari të bujshme. Zoti Gërvalla jeton dhe vepron me familjen e tij në Zvicër, por për asnjë çast nuk është ndalur dhe nuk ndalet së vepruari, jo vetëm për të mirën e Kosovës, por për të gjitha trevat tjera shqiptare. Ai është i qetë, fjalëpak, e mbi të gjitha i respektueshëm për të gjithë, pavarësisht moshës, apo regjionit nga vjen. Para pak ditësh, ai është kthyer nga Kosova, ku e ka botuar librin e tij të radhës «Shtëpia në rrugë», në Prishtinë. Libri u promovua në Prishtinë dhe është mirëpritur. Sapo ka ardhur në Zvicër, ne e kontaktuam dhe deshëm që me të ta realizojmë një intervistë, me qëllim që lexuesit tanë të njoftohen më shumë në lidhje me librin e tij të ri dhe për tema tjera, në të cilat z. Gërvalla, i cili është shumë modest dhe nuk e ka shumë qejf të flasë për veten e tij, por pranoi për hir të profesionit tonë dhe lexuesve tanë që të përgjigjet. Shpresoj shumë se do të mësoni shumë gjëra interesante që na i tha ai enkas për portalin «dialogplus».

image


Zoti Gërvalla, Ju falënderoj që po ndani kohë për këtë intervistë! Para pak ditësh e nxorët në dritë librin tuaj «Shtëpia në rrugë» dhe e promovuat në Prishtinë. A mund të na tregoni se si ju pritën në kryeqytetin e Kosovës në këtë promovim?

Qofshi me nder! Po, librin e promovova në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, me ç’rast i falënderoj për gatishmërinë dhe mikpritjen e tyre.

Jetoni dhe veproni në Zvicër. Sa ishte e vështirë të gjesh kohë për ta shkruar librin në fjalë?

Natyra e punës sime si përkthyes më mundëson kushte për t’u marrë me shkrime.

Si u bë që ky libër ta ketë këtë titull, e jo ndonjë tjetër?

Libri qe shkruar i tëri, me nëntitujt e kapitujve, të cilët më vonë i zëvendësova thjesht me numra, për të mos ndikuar në lexuesin, por për ta lënë të lirë. Kadri Rexha, një shok i Jusufit, i mori vesh hezitimet e mia dhe krejt thjesht e propozoi këtë titull, të marrë nga opusi i poezive të Jusufit në librin e parë ‘Fluturojnë e bien’. U pajtova. Ju e dini se ka rrugë nën rrugë, rrugë mbi rrugë, por edhe rrugë në rrugë. Prandaj, edhe ky titull e simbolizon një ‘shtëpi në rrugë’ të mbarë, në rrugë të Zotit.



Në këtë libër shpalosen kujtimet e vëllezërve tu. Te cili vëlla patët më shumë vështirësi për të mbledhur materiale?

Këto materiale janë shtresuar në jetën time një nga një. S’kam ndeshur vështirësi të natyrës së tillë. Unë s’kam shkruar histori. Për mua ishte e rëndësishme ta rikujtoj stinën në të cilën ishte shtjelluar ngjarja. Viti për mua s’kishte kurrfarë rëndësie, gjë që u desh gjatë rileximit të fundit ta shtoj, pas kërkesës këmbëngulëse të Donikës, vajzës së vëllait.

Dihet se nuk ishte e lehtë të shkruash e t’i rikujtosh ato kujtime?

Të gjitha ngjarjet ua kam treguar fëmijëve të vëllezërve të mi, pra janë nga ato kujtime që i kam bartur me vete tërë jetën… e pashë të rrugës, thjesht, t’i përmbledh në një libër…

Në këtë libër lexuam përshkrime ngjarjesh e situatash reale, intime, emocionale. Si autor i librit, e ke vënë edhe veten në ato personazhe?

Po, e kam vënë praninë time si përjetues real i këtyre ngjarjeve.

Si mund ta quajmë librin, roman, apo libër kujtimesh?

Po t’i hiqet nëntitulli i librit: Kujtime… me siguri se do të kishte mbetur roman, me ngjarje e personazhe të vërteta.

Mendoni se e keni sjellë në këtë libër familjen Gërvalla ashtu sikur ju njohin më të afërmit?

Pa dyshim. E tërë jeta e familjes sonë është ndeshur me sfida nga më të ndryshmet. Të gjitha ato sfida u mundën keqas nga kënga, kitara, poezia, piktura, përkthimi, drama e romani.

Kur e keni filluar librin dhe sa kohë ju është dashur që ta përfundoni?

Librin e kam filluar para 55 vjetësh, pra pasi i kisha mbushur katër vjet, mosha kur filluan të shtresohen kujtimet nga fëmijëria ime, kurse e kam daktilografuar për dy ditë.

Kush të ndihmoi më së shumti që të kryhet libri?

Dy shokë të Jusufit, mr. Kadri Rexha dhe prof. dr. Shaqir Shaqiri, nxitësit e drejtpërdrejt të daljes në dritë të këtij libri.

Zoti Gërvalla, a kanë mbetur edhe kujtime të tjera që nuk keni mundur t’i pasqyroni në libër?

Po, kanë mbetur. Megjithatë, e gjykoj se këto ishin nga më kryesoret. Pothuajse çdokush ka mundësi të shkruajë për Jusufin një tekst prej 4 faqesh, apo 40, kurse për Bardhoshin nuk janë në gjendje të shkruajnë madje as katër rreshta. Pikërisht kjo mungesë më ka shtyrë ta shkruaj këtë libër.

A do të promovohet libri në fjalë edhe në Zvicër dhe shtetet tjera të Evropës?

Shpresoj se po, duke u nisur thjesht nga fakti se mbi 70% e kombit shqiptar jeton jashtë trojeve tona.

Sikur të të jepej mundësia edhe një herë ta rishikosh librin, çfarë do të kishe ndryshuar?

Do ta përmirësoja ndonjë gabim ortografik që pa dyshim na është përvjedhur, përndryshe asgjë.

A do të përkthehet libri në gjuhë të tjera?

Mendoj se po… Po më dha Zoti jetë!

T’i kthehemi situatës aktuale në Kosovë. Si e shihni Kosovën?

Kosova është ndër vendet më të pasura në botë. Eksporton, pa para – gratis, lëndën më të shtrenjtë – njeriun e gatshëm. Asnjë nga partitë politike të Kosovës nuk bëjnë asgjë për ta ruajtur atë më të shtrenjtën – njeriun. 400 000 shqiptarë jetojmë në Zvicër, prej tyre as 2 000 nuk janë delinkuentë. Prej gjithsej 11 lojtarëve në futboll në Kombëtaren e Zvicrës 6 lojtarë janë shqiptarë, dhe merreni me mend – Perëndia na e dërgon një dhuratë të tillë, Perëndia na e dërgon Xherdan Shaqirin që i jep tre gola gjatë një ndeshjeje kundër Brazilit, për të na rikujtuar se kemi plot vlera. Ky i ri shqiptar bën edhe më shumë, i shlyen të gjitha mbrapshtitë që i kemi bërë ne shqiptarët deri më atë ditë.

Vapa e madhe e gushtit, si duket, po ndihet edhe në politikë. Sipas jush, kush do ta hiqte këtë vapë edhe në politikë?

Kosova është sa një lagje e një qyteti të madh, as dy milionëshe, dhe përballet me skamje e mjerim, si në shekullin e kaluar. Atë gjendje e krijon qeveria e kriminalizuar, plot hajdutë e delinkuentë të ndryshëm, prodhues të ‘vapës’; kjo qeveri është e gatshme të derdhë edhe gjak të popullit vetëm për të gëzuar edhe katër vjet imunitet… Ata mendojnë se lëndët e tyre do t’i mbulojë pluhuri i harresës, por gabohen rëndë… Këtë vapë do ta heqin studentët, të përkrahur nga populli i Kosovës, për të dëshmuar se Kosova nuk lejon më të identifikohet si udhëkryq i së keqes.

Si duket, është një qetësi e brishtë edhe në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, por edhe në Kosovë. Te kush e shihni fajin?
kopettina


Te politika. Në Kosovë kanë ndodhur shumë vrasje politike pas luftës. Shumë prej tyre i kanë bërë të burgosurit me dënime të gjata për krime të ndryshme. Atyre, drejtësia e Kosovës ua mundëson të drejtën për ‘week-ende’ të lira. Çfarë absurdi! ‘Week-end’ për mua është fundjava, e shtuna dhe e diela. Për këta, ‘week-end’ janë edhe ditët tjera të javës. Pas kryerjes së detyrës, ata kthehen lirisht nëpër burgje dhe askujt s’i shkon as mendja t’i fajësojë ata kriminelë. Kosova ka mundësi të panumërta ta ndihmojë Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), por edhe trojet shqiptare nën Maqedoni, por jo me këtë qeverisje… Qeveria, me pak vullnet të mirë, do t’i kushtëzonte së paku bisedimet me Serbinë për dhembjen më të madhe të pasluftës – kthimin e eshtrave të të vrarëve; kthimin e fondeve të pensionistëve; kërkim-faljen publike për masakra, likuidime, vrasje, dhunime, burgosje, ndjekje; me lirinë proporcionale të Kosovës Lindore, por nuk mundi… Asaj ia kanë zënë bishtin me derë, prandaj nënshtrohet, dorëzohet, e pranon fusnotën, pranon çdo gjë… Pa mend… Pa fije turpi!… Edhe kjo është e qartë – Qeverisë së Kosovës i dhimbset Ali Ahmeti, aleati i tyre, më shumë se populli shqiptar nën Maqedoni.

Zoti Gërvalla, e di se jeni në pushime dhe keni takime të shumta, prandaj Ju falënderoj shumë edhe një herë për kohën dhe Ju dëshiroj edhe suksese të tjera!

Ju faleminderit nga zemra për hapësirën që më keni dhënë. Nuk jam i vetëm që e kam këtë mendim se shkuarja në Kosovë nuk ka të bëjë fare me pushime, përkundrazi me një lodhje të stërngarkuar. Nuk mund të jesh i qetë kur i sheh të gjithë ata njerëz që shpëtimin e vet e shohin vetëm në largim nga Kosova. E gjithë ajo rini e papunë, e pa shpresa për një të ardhme. E gjithë ajo burokraci nepotiste, kleptomane. I gjithë ai haraç. E gjithë ajo gardë pleqsh nëpër pozita udhëheqëse, pra hajna të dëshmuar, që nuk i zë besë rinisë, ngase vetë janë të pabesë. Edhe tash, pas 15 vjet lirie! Por, Zoti do të na ndihmojë, patjetër, ne shqiptarëve!




(Artikullshkruesi Mr. sc. Dashnim Hebibi (u lind më 12 qershor 1976 në Preshevë), gazetar, publicist shqiptar nga Presheva, ku vetë z. Hebibi, këtë trevë e quan Peonia Dardane.

Dashnim Hebibi, vjenë nga Presheva, një qytet që quhet edhe ndryshe nga vetë Dashnimi si Albania e vogël dhe Peonia Dardane. Si i ri, ka filluar të shkruajë, për këto treva, si për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në shkollën fillore dhe në ate të mesmen, Dashnimi u dallua, nga nxënësit e tjerë, duke treguar se po lind një yll i gazetarisë për këto treva. Jo rastësisht, Dashnim Hebibi, u quajt yll dhe kështu njihet, që ka mbaruar fakultetin e gazetarisë në Tiranë, prandaj, është gazetar profesionist për këto treva, pas shume te tjereve para tij. Dashnim Hebibi gjatë studimeve në Tiranë ushtroi profesionin e gazetarisë thuajse në të gjitha gazetat e asaj kohe që botoheshin në Shqipëri.

Dashnim Hebibi, ka mbaruar edhe disa studime pasdiplomike, si Akademinë Diplomatike dhe Menaxhimin e Krizave në Tiranë dhe me sukses po mbaron edhe magjistraturën në një temë shumë interesante "MEDIAT SHQIPTARE DHE DIPLOMACIA E DIASPORËS 2000-2010", ku me sukses, përfundoi në qershor të vitit 2011 në UEJL. Dashnimi, punoi disa vite redaktor i diasporës në të përditshmen "Bota sot", redaksia në Cyrih, punoi korrespodent në Televizionin e Maqedonisë redaksia në gjuhën shqipe për tre vjetë nga Zvicra. Ka redaktuar dhe recenzuar shumë vepra, gjithmonë si gazetarë i lirë.

Të gjithë intelektualët e mirëfilltë, jo të korruptuar, e dinë si në atdhe ashtu edhe në diasporë, se Dashnimi është edhe njëri nga themeluesit e Bibliotekës së parë shqiptare në Zvicër, i cili punoi jo më pak se katër vite për këtë projekt të madh dhe është përshëndetur nga shumë intelektualë. Ishte editor për diasporë i agjencisë së lajmeve INA me seli në Maqedoni, ndërsa tash, është deri më (2010 shkurt) drejtor i Albanian Media Center (Qendrës së vetme mediale në diasporë), drejtor dhe editor i agjencisë së lajmeve www.kosovaere.ch, si dritare informative për diasporën tonë, në bashkëpunim me shumë media tjera, edhe këtu në punonë në cilësinë e gazetarit të lirë.

Dashnimi, ka realizuar shumë intervista me personalitet të ndryshme poliktike si të atdheut ashtu edhe me ata ndërkombëtarë, duke u nisur nga kryeministri Sali Berisha, presideni i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova, i ndjeri Azem Hajdari, Fehmi Mujota, Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Jakup Krasniqi, Lulzim Basha dhe shumë e shumë personalitete, ndërsa me ndërkombëtarë Wesli Klark, Calmy Rey dhe shumë të tjerë. Njihet si ambasador i Kosovës Lindore për Zvicër, sepse është organizatori numër një, për të mirën e këtyre trevave.

Njihet, gjithashtu edhe si intelektual i unitetit, i cili në vitin 2009 në Zvicër, ishte i vetmi intelektual që mblodhi të gjithë subjektet politike shqiptare që veprojnë në Zvicër, si degë dhe disa shoqata humanitare dhe i dërgoi tek ambasadori i shtetit amë Shqipërisë në Bern, z. Mehmet Elezi, të cilin e ka pasur edhe profesor. Në ate takim shumë miqësorë, të gjithë të pranishmit edhe bënë një foto. Dashnim Hebibi, ka mbi dhjetër mirënjohje në diasporë për kontributin e tij të madh që e ka dhënë për integrimin e shoqërisë shqiptare. Dashnimi, ka marrur pjesë në evenimente të ndryshme që kanë pasur të bëjnë me atdheun tonë, si në aspektin politik, kulturorë ashtu edhe në ate sportiv e social. Ishte i vetmi gazetar, që para disa viteve, mori pjesë si gazetarë në Vatikan, me lumturimin e Nënë Terezës, që u takua me Gjon Palin e dytë të ndjerin dhe shumë e shumë personalitete të skenës politike shqiptare, ndërkombëtare dhe atyre fetare.

Dashnimi, thënë shkurt e shqip, është intelektual i kalibrit të lartë. Shkruan publicistikë, komenton ngjarje të ndryshme dhe nuk shpejton në analizat dhe qasjet, por kur lexohen, shihet, se kanë një studim vërtetë të qartë të situatës. Botoi, gazetën e diasporës, AMC Press, Kosova e re, por për shkaqe ekonomike, u desht që të ndërpresë, por pritet që shpejt drita jeshile e këtij gazetari të madh, do të bëjë bum prap me gazetë. Një revistë shqiptare VIP, para një kohe, e përshkruan Dashnim HEBIBIN, si gazetarin më të dalluar në diasporë, i cili për 30 ditë, realizoi mbi 30 intervista edhe ate me personalitetet më me zë dhe temat e këtyre intervistave ishin shumë aktuale dhe ka thyer rekord gazetaresk në diasporë dhe mundemi të themi edhe më gjerë në tokat shqiptare. Ka shkruar edhe disa këngë patriotike për këngëtarët tanë më me zë, si Arif Vladi etj. Dashnim Hebibi ka shtetësinë e Zvicrës, ku për këtë shtet ka shumë respekt. Është apolitikë. Ndihmon edhe TV Diaspora-RTK për edicionin e Zvicrës dhe është gazetarë i lirë dhe apolitikë.Përndryshe njihet edhe si moderator i shkëlqyer, i cili ka realizuar me dhjetëra mbrëmje argëtuese, sportive në diasporë, duke moderuar me një modesti të madh profesionale. Dashnimi, mbaroi me sukses të shkëlqyer Akademinë Ndërkombëtare të Kriminalistikës tek i njohuri Avi Bleier në Tel Aviv të Izraelit. Dashnimi është i martuar dhe jeton e vepron në Zvicër, ku ka edhe dy fëmijë.Para pak ditësh, në prill të vitit 2011, Dashnim Hebibi, u nominua edhe ambasador i paqes nga “AMBASADOR PËR PAQEN” – “AMBASSADOR FOR PEACE” nga organizata UPF, (Federata e Paqes Universale), një Organizatë me status të veçantë në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (OKB).


Tituj të veprave:


Njëqind orë udhëtim ;Hënë e fshehur ;Kohë me shumë vrima ;Lexim i tokës ;Kosova, një zjarr amë ;Dialog me gurin ;Aristokracia e shpirtit ;16 Plumbat e Fjalës" ;Intervista në Tranzicion I ;Intervista në Tranzicion II.

Veprat janë të përkthyera edhe në gjermanisht, anglisht, italisht dhe frengjisht.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...